Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin javor me qytetarë që kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre, duke iu drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes, Shqiperiaqeduam.al:

Kryeministri Edi Rama: Jemi këtu për eventin e javës së Platformës së Bashkëqeverisjes dhe më lejoni që paraprakisht t’i uroj gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve, qoftë atyre që janë aktivë, qoftë atyre që janë në pension dhe që sidoqoftë mbeten pjesë e trupës së njerëzve të nderuar, që jetën e tyre ia kushtuan mësimdhënies. Më vjen shumë mirë që për ta, ne kemi një moment të veçantë, dedikuar në eventin e sotëm. E nisim me rastet e sotme, duke ftuar Flavian që të bëjë prezantimin e rastit të parë.

Flavia, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot prezantoj rastin e Zotit Kastriot Zenelaj. Ai si një baba i përkushtuar, ndër të tjera merrej edhe me kujdesin ndaj shtëpisë së djalit të tij në të cilën nuk banon njeri aktualisht. Ishte treguar gjithmonë i rregullt me pagesën e faturave përkatëse dhe asnjëherë nuk kishte lënë një faturë pa paguar. Duke qenë se konsumi ishte 0, në këto fatura paguhej vetëm tarifa e shërbimit muaj për muaj. Papritur, në faturën e ujit të muajit dhjetor sheh se përveç kësaj tarife ishte faturuar dhe me një shumë për një ujëmatës të ri. I habitur, i drejtohet drejtorisë përkatëse me një ankesë duke argumentuar se nuk ishte vënë në dijeni që matësi aktual ishte i prishur dhe ishte nevoja për zëvendësimin e tij dhe gjithashtu nuk ishte vënë në dijeni që ishte vënë një matës i ri, pra nuk mund të paguante diçka për të cilën nuk kishte dijeni. Ai u drejtua disa herë në drejtori, por nuk mori asnjë përgjigje. Kështu që vendosi që ankesën ta drejtonte në platformë. Menjëherë u trajtua problemi me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, të cilët reaguan shumë shpejt dhe pranuan që kishte ndodhur një gabim në faturimin e muajit dhjetor.

Zoti Kastriot Zenelaj: Rëndësi ka që në publik duhet të krijohet besimi dhe unë kisha besimin që ankesa ime do zgjidhej. U ankova tek drejtori. I thashë që e ke gabim se është shkelur kontrata. Më tha bëje ankesën me shkrim dhe do marrësh përgjigje për 5 ditë. Jo vetëm që nuk mora përgjigje për 5 ditë, por vajta edhe 3-4 herë të tjera dhe kaloi mbi dy javë, por ankesa ime nuk u shqyrtua. Atëherë me besimin e madh iu drejtova portalit. Të nesërmen, koordinatorja më merr në telefon dhe interesohet. Ia sqarova dhe vazhdimisht më ka marrë në telefon. Atëherë u detyrua drejtori që të më bënte takim. Bëra takimin dhe më tha që do e zgjidhim problemin, por do na presësh 3 ditë. Mbas 1 ore më merr një nga vajzat e administratës dhe më thotë që do e mbyllim sot, patjetër. Ishte vetëm Shqipëria që Duam që e detyruan të më kthente përgjigje. Ishte shkelje e kontratës, problemi u zgjidh. Platforma Shqipëria që Duam e ka lëvizur administratën poshtë. E them sepse kam pasur shumë probleme në disa administrata dhe ka përmirësime të jashtëzakonshme, në shumicën e tyre. Tek hipotekat komplet ka ndryshuar shërbimi ndaj publikut. Me këtë rast dua të falënderoj administratën e Postës Shqiptare, që më ka lënë mbresa. Një ditë shkova atje dhe po prisja në korridor për të takuar drejtoreshën e shërbimeve, pasi më duhej të merrja një vërtetim. Të gjithë punonjësit që kalonin më pyesnin “Si mund t’ju ndihmojmë”, “Çfarë problemi keni”. Një administratë e shkëlqyer. Sigurisht që probleme ka, por ka edhe përmirësime shumë.

Kryeministri Edi Rama: Respekte! Shumë faleminderit! Besoj që po, është e vërtetë që ka një përmirësim, i cili ndjehet diku më shumë, diku më pak dhe patjetër që presioni i madh që ushtrohet nga qytetarët mbi administratën, përmes platformës, luan një rol të rëndësishëm. Ky është edhe qëllimi në fund të fundit, sepse shumëkush që nuk e kupton fare se çfarë është platforma dhe që përqesh, apo ironizon me cinizëm, nuk arrin dot të kapë thelbin e kësaj përpjekjeje.

Në çdo vend, edhe në vendet me administrata të konsoliduara prej qindra vitesh, gjithmonë ka nevojë për një pikë referimi, pasi gjithmonë ka tek-tuk probleme burokratike. Në rastin tonë, platforma luan rolin e rëndësishëm të ndërveprimit mes qytetarit dhe qeverisë, pa filtra në mes dhe bën të mundur që jo vetëm të adresohen problemet, por dhe të trajtohen shkaqet e tyre. Shkaqe që lidhen me organizmin e brendshëm të një zyre apo një zyre tjetër, apo që lidhen me nëpunës të papërgjegjshëm, ose që kanë nevojë të shkunden dhe të luajnë si duhet rolin e tyre. Kështu që ne jemi besimplotë që duke këmbëngulur, kjo është dhe arsyeja pse çdo javë i kushtojmë një orë të caktuar platformës dhe sjellim këtu rastet konkrete të funksionimit të saj, në mënyrë që vërtetë nga një instrument presioni, platforma dalëngadalë të kthehet në një instrument ndihmës dhe administrata dalëngadalë të kthehet në atë që duhet të jetë dhe në atë që ne do të bëjmë çmos që të jetë.

Luela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot, kam rastin të prezantoj problematikën e Zonjushës Afroviti, e cila prej disa javësh kishte përfunduar procedurën e legalizimit pranë ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për dy certifikatat e saj. Me tërheqjen e këtij dokumenti, qytetarja ka konstatuar se në to ishin vendosur gabim të dhënat e prefekturës Vlorë, në vend të prefekturës Durrës. Kjo ngatërresë i ka kushtuar qytetares 3 javë për të dorëzuar dokumentacionin e saj në shtetin grek. Pas paraqitjes së rastit në Platformën e Bashkëqeverisjes, në datën 10 shkurt, menjëherë qytetarja është njoftuar, është kontaktuar dhe është paraqitur sërish pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të bërë korrigjimin e dokumentit të saj, vulës apostile.

Zonjusha Afroviti: Rasti im ka të bëjë me legalizimin e dokumenteve në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme. Unë kisha bërë aplikimin në 16 janar në zyrën e postës për legalizim të dokumenteve. Pasi mora dokumentet, i çova në shtetin grek për t’i përkthyer dhe pas përkthimit, shoh që dokumentet në vulën apostile kishin gabime, nga prefektura Durrës ishte bërë prefektura Vlorë. Duke qenë se kisha një humbje të madhe kohore prej 3 javësh dhe përveç një humbje kohore kisha dhe humbje monetare, për këtë arsye iu drejtova platformës për një procedurë të përshpejtuar, në datën 10 shkurt. Në datën 12 shkurt u bë ndryshimi i vulës apostile dhe unë vazhdova procedurën përsëri në shtetin grek për t’i përkthyer dhe vazhduar me procedurat e mëtejshme. Falënderoj platformën që u tregua e gatshme për zgjidhjen e problemit tim. Faleminderit!

Etleva, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Para se të ftoj këtu Zotin Sami, dua të theksoj se shpesh herë ankesat të cilat qytetarët i drejtojnë zyrës së bashkëqeverisjes, kanë të bëjnë me bashkëpunimin apo ndërveprimin e dy institucioneve. I tillë ishte dhe halli që zoti Sami na besoi ne. Fillimisht ai iu drejtua platformës duke shkruar se kishte aplikuar pranë drejtorisë së ALUIZNI-t Vlorë për emetimin e lejes së legalizimit të banesës së tij, por kjo nuk ishte bërë e mundur akoma. U trajtua rasti nga Ministria e Drejtësisë dhe u informuam ne dhe qytetari që kjo vonesë kishte ndodhur për arsye se në dosjen e aplikantit mungonte pagesa e taksës së impaktit në infrastrukturë, gjë të cilën zoti Sami e kishte kryer, pranë bashkisë Vlorë. U mor rasti nga Ministria e Drejtësisë, u përcoll pranë bashkisë Vlorë, ku iu kërkua që të nisej urgjent dokumentacioni i kërkuar në drejtorinë e ALUIZNI-t, Vlorë. Kam kënaqësinë të kem këtu sot zotin Sami bashkë me certifikatën dhe lejen e legalizimit

Zoti Sami Skënderaj: Problemi im ka qenë prej vitesh certifikimi i shtëpisë që kisha ndërtuar në vitin 2000. Prej vitesh e kërkoja dhe nuk kisha zgjidhje për këtë punë. Duke parë gjithmonë në televizor që ishte krijuar platforma për Shqipërinë që duam dhe njerëzit zgjidhnin hallet në këtë platformë, bëra dhe unë një kërkesë të tillë dhe brenda 10 ditëve mu realizua certifikimi i lejes së shtëpisë time. Ju faleminderit platformës dhe ju zoti kryeministër që e krijuat këtë platformë për popullin.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe më vjen shumë mirë që ka mbaruar kalvari juaj i gjatë, pas një periudhe të pafundme pritjeje. Dua ta përsëris për të gjithë që të kenë besim, të na vënë në provë, nuk kushton asnjë qindarkë, nuk merr më shumë se 3 minuta dhe menjëherë qeveria drejtpërdrejtë është në krahun e kujtdo që i adresohet platformës. Çdo ministër e ka detyrë parësore ndjekjen e çdo rasti që lidhet me sektorin që ai drejton dhe koordinatorët e platformës ndjekin me këmbëngulje dhe pa humbur kohë të gjitha rastet, gjë që bën që në tërësi të respektohet afati 10 ditor, brenda të cilit, në rastin e Samiut është zgjidhur një çështje që rrinte pezull që prej vitit 2000, pra, 20 vjet, pa pak.

Egesta, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Një tjetër rast, një tjetër zgjidhje e dhënë përmes platformës së bashkëqeverisjes, është rasti i një nëne të re, Zonjës Blerta Gacaj. Ajo iu adresua platformës me një ankesë lidhur me përfitimet që janë akorduar si rezultat i të ardhurave që ka përfituar nga barrëlindja. Gjatë trajtimit të ankesës u konstatua se llogaritja e përfitimit për barrëlindje nuk ishte llogaritur në bazë të kontributeve të derdhura nga dy subjekte ku ka punuar zonja Blerta për 1 vit, por ishte bërë në bazë të kontributit të derdhur vetëm nga njëri subjekt. U sistemua pa gesa për të gjithë muajt që asaj nuk i është dhënë e drejta ashtu siç i takon.

Zonja Blerta Gacaj: Pasi mora pjesën e parë të pagesës së përfitimit nga barrëlindja, vura re se ishte bërë një gabim në llogaritjen e bazës ligjore dhe iu drejtova zyrës së sigurimeve shoqërore të Devollit, por nuk arrita të komunikoja. Për këtë arsye nuk kisha zgjidhje tjetër dhe iu drejtova Platformës. Kisha dëgjuar nga njerëzit, nuk kisha asgjë për të humbur dhe thashë po i shkruaj, pavarësisht se nuk kisha besim se do e zgjidhja. Mora një e-mail brenda 12 orëve që do të rishikohej ankesa ime dhe pastaj pas më pak se 1 javë më vjen një e-mail ku më thuhej që shuma do të rimbursohej brenda muajit dhjetor. Çdo gjë shkoi shumë mirë. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu. Është vërtetë një shprehje e sinqertë mirënjohjeje nga ana ime dhe në emër të koordinatorëve, sepse shumëkush me të drejtë mund të thotë që humba muaj apo vite për të zgjidhur çështjen dhe nuk kam ndërmend të humb asnjë orë, për t’u marrë më me atë që zgjidha, por është një qytetari për t’u admiruar gatishmëria e çdokujt që i përgjigjet kërkesës së koordinatorëve për të qenë në eventin javor të Platformës. Kështu ndihmohen të tjerët të kuptojnë dhe të besojnë te Platforma, pasi ndryshe është kur na dëgjojnë neve, që na dëgjojnë në shumë gjëra dhe për arsyet nga më të ndryshmet, krejtësisht legjitime, janë edhe mosbesues, ndryshe është kur dëgjojnë njëri-tjetrin, pra, njerëzit e zakonshëm që flasin dhe që dëshmojnë të vërtetën e thjeshtë të rastit të tyre.

Sot, një moment i veçantë i kushtohet mësuesve. Ne jemi në Ditën e Mësuesit dhe më vjen shumë mirë të vë në pah se, edhe pse ka ende shumë për të bërë për shkollën, ka ende shumë për të bërë për mësuesit, sot kemi konsoliduar falë një tjetër platforme, portalit Mësues për Shqipërinë, meritokracinë në sistemin e përzgjedhjes së mësuesve. Nuk ishte as 100, as 10 vjet përpara, por ishte pak vite përpara, kur mësuesit ishin kthyer mish për top, kur pushoheshin nga puna, apo merreshin në punë sipas tekave të partive politike, kur lëvizeshin lart e poshtë dhe transferoheshin pa asnjë të drejtë dhe asnjë arsye, vetëm e vetëm që t’iu nxihej jeta dhe të detyroheshin ta braktisnin vendin, për të hapur rrugë për ata që vinin në rrugën e korrupsionit, apo të tarafit, apo të partisë. Qysh prej fillimit të punës me portalin Mësues për Shqipërinë, sot kemi 4 mijë mësues të rinj të rekrutuar në bazë të meritës, nga klasifikimi i pikëve të marra në portal.

Është një ndryshim i madh i sistemit të mësuesisë në Shqipëri.

Ashtu sikundër nuk është vetëm rekrutimi, por është ndaluar korrupsioni në sistemin e trajnimeve. 739 module trajnimi dhe 45 agjenci fantazmë për kredi fiktive janë asgjësuar. Janë kryer trajnime falas të të gjithë mësuesve, sipas nevojave dhe modulet janë hartuar me standarde profesionale.

Nuk ekzistonte mësuesi ndihmës. Këtë vit kemi 983 ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta në sistem.

Pagat e mësuesve janë rritur me 22%. Po ashtu është çelur një fazë e re për studentët e mësuesisë për të cilët ka tanimë kritere të forta dhe ka edhe bursë mbështetëse për ata që janë me nota më të larta.

Ne duam që të vazhdojmë në këtë drejtim dhe sot, koordinatorët kanë menduar me të drejtë dhe i falënderoj, që të ftojnë këtu kryetarin e Shoqatës së Mësuesve në Pension në Lushnje. Kjo shoqatë iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes me një kërkesë, për të bërë një vlerësim simbolik të mësuesve në pension, me rastin e 7 Marsit, për kontributin e tyre në edukimin e brezave, me një certifikate mirënjohjeje. Është një kërkesë e thjeshtë, por shumë domethënëse dhe është një nga ato raste që edhe njëherë tjetër provon se sa e rëndësishme është ura e komunikimit me njerëzit për një qeveri, pasi shpeshherë idetë janë si veza e Kolombit dhe një ide krejt e thjeshtë, që impakton në realizimin e saj shumë njerëz, nuk i shkon mendja një sistemi të tërë, të ngritur dhe të paguar për këtë punë.

Kështu që duke iu gëzuar këtij virtyti të demokracisë dhe kësaj mundësie që demokracia iu jep njerëzve, por dhe kësaj mundësie që platforma jep për të pasur ndërveprim demokratik mes qeverisë dhe qytetarëve, unë do doja ta ftoja zotin Prendi të vinte këtu dhe të na bënte paraqitjen e këtij rasti, si një rast i veçantë i platformës, duke nënvizuar se Ministria e Arsimit e mori në konsideratë kërkesën e Shoqatës dhe sot dhe në ditët në vijim, certifikatat e mirënjohjes për mësuesit në pension, jo vetëm për ata të Lushnjës, do të shpërndahen në shenjë respekti, por edhe si plotësim i një kërkese që vjen nga vetë ky grup i rëndësishëm dhe i respektuar interesi.

Zoti Prendi, kryetar i Shoqatës së Mësuesve në Pension, Lushnje: Unë falënderoj zotin Kryeministër që ka lënë datën 7 për t’u takuar bashkë me ne. Edhe unë iu uroj suksese mësuesve aktivë dhe atyre që janë në pension, të kenë një jetë dhe një punë të mëtejshme. Përsa i përket letrës që unë dërgova në portal, me thënë të drejtën, duke kaluar koha, thashë erdhi dita e fundit dhe nuk do ketë gjë. Po një telefonatë më zgjoi vërtetë. Vërtetë unë e dëgjova këtu, zgjidhja është bërë dhe në nder të punës që ka bërë Kryeministria, bashkë me koordinatorët, vërtetë institucionet po lëvizin dhe po lëvizin shumë shpejt, gjë që ne na bën të kënaqur, që zgjidhen problemet e popullit, kur nuk kanë mundësi t’i zgjidhin. Ju keni qenë në qytetin e Lushnjës kohë më parë dhe keni lënë një gjurmë, keni bërë një muze historik ushtarak, që sot që flasim nuk e ka kush.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Për hir të së vërtetës nuk e kam bërë unë muzeun. Muzeu është një vepër kushtuar tokës, Muzeu i Tokës, ku unë, bashkë me një koleg, Vladimir Myrtezain, kemi marrë pjesë si autorë të njërës prej veprave në Muze, një pikturë murale e titulluar “Legjenda e tokës”, të cilën e morëm me dëshirë, se i përkiste kohës para çlirimit dhe mund të përdornim ngjyra të errëta, në një kohë kur ngjyrat e errëta ishin në njëfarë mënyre të para me sy të shtrembër. Më vjen mirë që ju e kujtoni. Fatmirësisht, vepra u shpëtua me kohën. Pati një periudhë “persekutimi” si vepër, sepse u mbulua në mur. Pastaj ra muri dhe tani është e aksesueshme dhe nuk është, me thënë të drejtën, pikturë e keqe. I ka rezistuar në këndvështrimin tim kohës.

Unë ju falënderoj shumë që e morët mundimin për të ardhur këtu dhe për fjalët e mira që thatë, por dua ta theksoj atë që kam thënë sa herë që më janë bërë mua falënderime. Patjetër që edhe mua si të gjithëve iu pëlqejnë fjalët e mira, por edhe platforma, edhe ky proces bashkëqeverisjeje që ne po përpiqemi ta artikulojmë sa më mirë, ditë pas dite, janë rezultat i votës së qytetarëve që na mbështetën dhe na vlerësuan kur u thamë se duam një mandat për të bashkëqeverisur.

Platforma e Bashkëqeverisjes është një nga instrumentet e jetësimit të këtij zotimi, jo i vetmi dhe më vjen shumë mirë që e konstatoj edhe nga dëshmitë, por edhe nga puna e përditshme me administratën, që ka përmirësime, edhe pse, ashtu sikundër e ka nënvizuar me forcë edhe zv/kryeministri në mbledhjet e qeverisë, – ai faktikisht drejton të gjithë procesin e shkundjes dhe të përmirësimit të standardeve dhe cilësisë së shërbimit të administratës, – ka ende zona gri, madje edhe zona të errëta në administratë. Ka ende drejtues, madje edhe punonjës që nuk janë në lartësinë e duhur. Ne po përgatitemi për një paketë të re masash ndëshkimore për të gjithë ata të cilët fshihen pas neneve të Ligjit të Shërbimit Civil, apo pas njëri-tjetrit dhe nuk shërbejnë si duhet dhe nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë, ambicien tonë për administratën që duam.

Shumë faleminderit!

Gëzuar 7 Marsin mësuesve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.