Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pjesë nga bashkëbisedimi i zhvilluar mes Kryeministrit Edi Rama, ish europarlamentarit Hannes Swoboda dhe të ftuarve në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri:

 

Hannes Swoboda: Është kënaqësi e madhe për mua të jem sërish në Shqipëri. Jam i lumtur të jem këtu, në këtë hapësirë, të cilën në fakt e kam vizituar edhe më parë, me të gjithë kryeministrat e tjerë përpara Edi Ramës. Shoh që tashmë kjo hapësirë është një qendër hapje dhe transparence. Në të njëjtën kohë është dhe një qendër arti.

Jam munduar që në prezantimin tim të përqendrohem ndërmjet qendrës dhe periferisë brenda BE dhe jashtë BE. Nuk dua të them me këtë se disa vende janë më të mira se të tjerat, por ndonjëherë ka një lloj arrogance në qendër, ndaj periferisë, qoftë brenda BE-së  apo përtej, qoftë edhe në kuadër të Europës në përgjithësi.

Thomas L. Friedman një ndër gazetarët dhe shkrimtarët më të njohur amerikan ka shkruar librin “Bota është e sheshtë”. Ajo çfarë donte të thoshte zoti Friedman është se nuk ka pengesa për njerëzit dhe për idetë. Nuk është e vërtetë kjo gjë, ndërkohë që ka disa pengesa apo ka disa kufij të rinj apo ca gardhe të reja që po ndërtohen në vend të gardheve të mëparshme. Mendoj që një ndër apelet më të mëdha që kam për ju është se nuk duhet të mësohemi me gardhet e reja, nuk duhet të mësohemi me kufijtë dhe limitet e reja brenda BE-së sepse qëllimi ynë është që t’i heqim këto barriera, këto kufij dhe t’u japim atyre vendeve që njihen si  të periferisë që të zhvillohen dhe të vijnë në qendër.

Qendra janë vendet me zhvillim më të madh ekonomik, me rritje më të madhe ekonomike. Qendra është vendi ku duan të shkojnë njerëzit që vijnë nga periferia. Periferia është vendi ku njerëzit kanë tendencë që të largohen, me përjashtim të rasteve kur ka politika shumë të sofistikuara që t’i mbajë njerëzit në periferi. Pra, sërish kemi këtë lloj prurjeje nga periferia në qendër. E kemi këtë gjë brenda për brenda BE. Kemi periferi nga Ballkani, kemi gjithashtu një lloj konkurrence nga jashtë nëse do të shohim krizën e refugjatëve. Është e rëndësishme që këto prurje migratore në BE krijojnë shoqëri të ndryshme. Pra migracioni nuk është thjesht një element sasior. Migracioni në vetvete është një diçka e cila po ndryshon shoqëritë.

Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për faktin që qendra nuk mund të jetojë në paqe dhe në stabilitet në qoftë se do të vijnë sfida të reja dhe nuk do të përmbushen në mënyrë konstruktive këto sfida nga periferia. Pra, pavarësisht nëse u pëlqen ose jo njerëzve, nëse u pëlqen ose jo liderëve apo presidentëve të BE, këto janë individë që duhet të kenë kurajën dhe lidershipin që duhet thonë që “po” pranimi apo dora e ndihmës duhet t’u ofrohet vendeve të Ballkanit për të përmbushur reformat, – të cilat janë goxha të dukshme tani në Shqipëri, ku Kryeministri Rama është personifikimi i këtij procesi reformimi dhe – duhet që t’ju vijmë në ndihmë këtyre vendeve në mënyrë që ato të afrohen hap pas hapi më tej drejt BE.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që si në çdo rast inserti i filmit që hapi diskutimin ishte mjaft i goditur, por unë dua të them që në rastin e Hannesit, nuk e ekspozon dot një dimension shumë të rëndësishëm për ne këtu në Shqipëri, dimensionin e një miku të përkushtuar të Shqipërisë, e një njeriu që pavarësisht se për një periudhë relativisht të gjatë ka qënë në rangjet e para të politikës së socialistëve europianë, më duhet ta them që kur ka qënë fjala për Shqipërinë dhe për të ndikuar pozitivisht në zhvillimet në Shqipëri, ka qënë gjithmonë  shumë i kujdesshëm, shumë i ekuilibruar dhe në momente të caktuara, miqësisht, drejtpërdrejtë nuk i ka kursyer as kritikat e tij për mua.

Në ato momente mund të më jetë dukur e ekzagjeruar, por i jam mirënjohës Hannesit sepse ka patur një ndikim të rëndësishëm për shkak se ka qënë i pranishëm në momente të rëndësishme te jetës tonë politike, me autoritetin e tij moral, me kulturën dhe bujarinë tij në mikpritjen e mendimeve të të gjithë palëve, duke ndikuar siç e thashë edhe tek unë shumë pozitivisht. Nuk kam patur rastin t’ia them dhe përfitoj t’ia them sot këtu në godinën e kryeministrisë, ku e mikpresim me shumë dëshirë edhe sepse përveçse njeri i politikës, që ka luftuar në vijën e parë, është një njeri shumë i lidhur me kulturën dhe me artin. E sot nga lartësia e eksperiencës së tij të gjatë politike, por dhe nga mundësitë që i jep horizonti i tij i gjerë kulturor, është një nga njerëzit e duhur për t’u pyetur për Europën dhe sfidat e BE, për perspektivën e vendeve që janë brenda BE apo që synojnë të bëhen pjesë e BE. Siç e dëgjuam të gjithë edhe në paraqitjen që bëri Hannes të gjithë këto janë të renditura dhe me shumë stil dhe me një njohje mjaftueshmërisht të thellë.

Ajo që unë do të shtoja është fakti që Hannes ka qënë gjithmonë i bindur për domosdoshmërinë  e përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Duke qënë se sot jemi në kushtet kur ndeshemi me një sfidë të përbashkët europiane të prurjes së refugjatëve nga vendet në konflikt dhe nga ana tjetër shohim një mungesë të madhe funksionimi të Europës si e tërë, unë thjesht dua ta nxis Hannesin në bisedë, duke e afruar më shumë nga periferia jonë ballkanike me faktin që është një situatë ku realisht kuptohet që kur flasim për Ballkanin Perëndimor, fjala zgjerim nuk shkon, sepse në fakt flasim për një plotësim. Kur shihnim sesi refugjatët hynin në BE nga Greqia, dilnin nga BE në  Maqedoni, vazhdonin në Serbi, pastaj rifuteshin në BE në Kroaci dhe pastaj vazhdonin  për më lart, është një zonë që BE nuk ka luksin ta lërë jashtë trupit të vet, pikërisht për ato arsye që forcat apo individët që kanë predikuar mosafrimin e Ballkanit kanë nxjerrë, për më shumë siguri, më shumë rend në trupin  Europës.

Nëse deri dje, deri para 5 vjetësh apo më shumë, ishim ne, ishte ky rajon që kishte nevojë evidente për BE, ndërkohë që nevoja e BE nuk ishte evidente, – sot është evidente që nevoja është reciproke dhe në radhë të parë për arsye sigurie.

Kriza e refugjatëve e ka nxjerrë në pah plotësisht atë që BE ka qenë edhe përpara. Faktikisht është pasqyra më e plotë e asaj çka Hannes dhe të tjerë kanë paralajmëruar për vetë BE, në rast se BE do të vazhdojë të ngurojë dhe në rast se vendet anëtare do të vazhdojnë të ngurojnë në plotësimin e projektit. Dilema këtu është shumë e qartë, një pjesë thonë se “duhet  prishur Europa se nuk funksionon”. Unë besoj që në fakt duhet plotësuar projekti sepse kështu siç është ka shumë disfunksionalitet. Plotësimi i projektit shkon në të kundër të rrugës që propozojnë forcat antieuropiane ekstremiste, të cilat në këtë moment shfaqje dobësish kërkojnë ta shfrytëzojnë duke u marrë me punëtorët e huaj, duke u marrë me myslimanët, duke u marrë me gjithfarëlloj armiqsh që i zbulojnë për të yshtur dasinë dhe braktisjen e projektit të BE.

Hannes Swoboda:  Mendoj se vendet në rajon duhet të mbështesin njëri-tjetrin. Mendoj se ajo çfarë keni bërë me Kryeministrin Vuçiç, ishte një hap shumë i madh përpara. Ka problematika, megjithatë duke parë problematikat mund të shohim nga e ardhmja. Diçka që unë e kam thënë edhe më parë, është se rajoni ka shumë histori, kësisoj na duhet të krijojmë një të ardhme me mbështetje ndaj njëri-tjetrit, nënkuptoj këtu dhe mos bllokimin e njëri-tjetrit. Është e qartë për çdo problem duhet gjetur një zgjidhje, por kjo nuk ka të bëjë me bllokimin e njëri-tjetrit sepse vendet në rajon duhet ta mbështesin njëri-tjetrin, që të ecin përpara. Kjo është me mjaft rëndësi.

Na duhet të bëjmë reformat për të ftuar investimet. Shumica këtu janë shumë të rinj dhe nuk e dini që unë kam qënë këtu për herë të parë në vitet ‘90 menjëherë pas ndryshimeve. Tirana është tërësisht ndryshe sot, kjo edhe falë ish-kryetarit të bashkisë të Tiranës Edi Ramës, si dhe shumë shqiptarëve të tjerë që bënë shumë për të ndryshuar qytetin dhe për të ndryshuar vendin. Ende jo, në fund të rrugëtimit të vet, por këtë duhet që ta tregojmë. E di që shumë njerëz ende nuk i njohin vendet në Ballkan, ende nuk e kanë idenë se çfarë ndodh aty se si po vijojnë proceset e transformimit.

Mos e harroni që ta sillni rajonin më pranë Bashkimit Europian. Ky është element i rëndësishëm dhe në qoftë se nuk doni ta bëni për ata, bëjeni për veten tuaj, në mënyrë që të parandaloni krizat. Mendoj se ka shumë hapa për të shkuar drejt kësaj rruge, por është shumë e rëndësishme që të kemi udhëheqës si Edi Rama që janë të respektuar, që janë të mirënjohur në Berlin, në Uashington, të cilët të mund të flasin edhe për rajonin, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për rajonin që ai të ecë përpara. Mendoj që negociatat duhet të vazhdojnë. Unë më shumë do të doja që të ishin të hapura e më transparente dhe jo vetëm me këtë lloj kushtëzimi për çdo kapitull. Mendoj që edhe vendet në rajon të mbështesin njëri tjetrin edhe që investimet të tërhiqen në vend, në mënyrë që të krijojnë vende pune për brezat më të rinj. Shoh dixhitalizimin që është bërë këtu, në raport me aktivitetin qeveritar dhe ky duhet të jetë një shembull i mirë sepse ky rajon nuk është vetëm i pasur me burime, por i pasur dhe me mendjen e të rinjve sidomos në pjesën e ekonomisë në mënyrën se si zhvillohet ekonomia.

Kryeministri Edi Rama: Absolutisht është e vërtetë që për një periudhë të gjatë kohe është neglizhuar plotësisht ose për arsye dhe historike nuk ka qënë e mundur potenciali shumë i madh i zhvillimit ekonomik dhe social që ka bashkëpunimi rajonal. Faktikisht, ne kemi hyrë në procesin e pagëzuar si  procesi i Berlinit falë Kancelares Merkel që me largpamësi ndërmori një nisëm shumë vizionare për të bashkuar në një tavolinë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit.  Në këtë proces, ne kemi avancuar një propozim, te i cili besojmë shumë dhe për të cilin po punojmë sepse sigurisht që procesi ka pasur në radhë të parë një element shumë të rëndësishëm politik. Për herë të parë në histori ulen në tavolinë projektuesit e të gjithë këtyre vendeve që deri dje, në rast se do të ndodhte ndonjëherë që të gjendeshin përballë njeri-tjetrit do të ishin në konflikt se ku është kufiri që nuk duhet shkelur. Është folur që në fillim për projektin e infrastrukturës, është ndërtuar një axhendë prioritetesh në bashkëpunim me Komisionin Europian. Është folur për financimin e disa arterieve kryesore, duke filluar nga korridori i famshëm që ne i themi “Korridori i Kaltër” dhe që në dokument quhet autostrada blu, e cila lidh, përfundon unazën turistike të Mesdheut duke bashkuar jugun e Kroacisë, Malin e Zi edhe Bosnjën me një degëzim edhe Shqipërinë me Greqinë. Po ashtu, për rrugën tjetër Durrës-Prishtinë-Nish- Beograd po ashtu edhe disa projekte në energji. Por të gjitha këto, të mos kemi iluzione, e kam thënë që ditën e parë, e kam thënë vazhdimisht edhe në tryeze, janë projekte që do të kërkojnë kohën e tyre. Bëhet fjalë për një paketë të tërë financiare që duhet garantuar. Jemi duke punuar ngushtësisht edhe me Bankën Botërore nga të dyja anët, qoftë nga pala gjermane që si të thuash e udhëheq këtë proces, qoftë nga pala jonë këtu në rajon për të parë si mund të garantohen kreditë e mundshme, jo nga vendet e rajonit, por nga të tjera instrumente, organizma financiarë. Por ajo që ne mund të bëjmë, dhe duhet të bëjmë është të shkojmë përtej CEFTA-s dhe të heqim çdo barrierë jo tarifore që pengon shkëmbimet e lira ekonomike tregtare dhe lëvizjen brenda për brenda rajonit dhe ta kthejmë rajonin në një oaz që funksionon njësoj sikur të ishim plotësisht të integruar në BE, duke zhvilluar paralelisht me rrugën individuale të integrimit dhe një rrugë të përbashkët që do ti japë rajonit shumë më tepër kapacitete zhvillimore. Një shembull fare i thjeshtë në bashkëpunimin me Kosovën. Ne e kemi filluar këtë proces. Kemi bërë një sërë hapash që kanë sjellë shifra shumë domethënëse të rritjes së shkëmbimeve tregtare. Nga ana jonë drejt Kosovës eksportet janë rritur 235% në vitin e kaluar, me një shifër e ngjashme edhe nga Kosova drejt Shqipërisë, që përsëri kemi akoma nyje për të zgjidhur. Ndërkohë që është evidente se çfarë do të përfitonte gjithë rajoni, në rast se ne do të bëjmë një gjë të tillë. Propozimi ynë është mirëpritur nga të tjerët. Po punojmë ngushtësisht me ekspertë të Bankës Botërore në rajon për ta kthyer në një dokument që të jetë pjesë e tryezës në takimin tjetër në Paris.

-Cili është roli i rinisë në përballjen me sfidat e BE?

Hannes Swoboda: Jeni të rinj dhe ju duhet të shihni apo të kuptoni se e ardhmja juaj është e garantuar vetëm nëse është e ardhme e përbashkët. Është me shumë rëndësi që të kemi atë mendësi të hapur që ju keni sepse jeni të rinj. Gjëja e parë mendoj se keni nevojë për punë, ju duhet një kualifikim i mirë që ta shihni Europën si një treg të hapur. Ideja është që dikush nga Shqipëria mund të shkojë në Austri dhe dikush nga Austria mund të vij në Shqipëri për të punuar. Duhet të ketë shkëmbime. Natyrisht synimi duhet të jetë që çdo i ri dhe e re duhet te ketë një shans në Shqipëri dhe një rrogë të arsyeshme dhe natyrisht të keni dhe kualifikimin e duhur dhe shoh që ka shumë institucione që ecin në këtë drejtim në këtë vend.  Sigurisht, nga ana tjetër duhet t’ju mësoni politikaneve n.q.s. do ta thoja kështu, politikanëve tradicionalë që të mendojnë ndryshe. Sot keni shansin që ti jepni mesazhin politikanëve. Mendoj se këto duhet të jenë mesazhe serioze, mesazhe për aspiratat tuaja. Jeni ju që duhet të sfidoni politikanët e t’ju thoni, kjo është aspirata jonë për Europën, jo vetëm të na dëgjoni ne.

Kryeministri Edi Rama: Është një pyetje të cilës të rinjtë duhet ta kërkojnë vetë përgjigjen dhe ndërkohë do t’ju thosha që në këndvështrimin tim braktisja nga të rinjtë e aktivizimit politik është një hap që shkon në drejtim të kundërt me interesin e përbashkët për të ndërtuar një hapësirë ku të ketë më shumë të drejta, ku të ketë më shumë mundësi, ku të ketë më shumë kapacitet dëgjimi etj.

Vetë Europa e Bashkuar është një projekt politik. Vetë problematikat që trajtojnë janë probleme që zgjidhen nëpërmjet politikës, nuk zgjidhen nëpërmjet braktisjes. Nuk ka gabim më të madh se sa të mendosh që unë s’po merrem me politikën dhe po shpëtoj, – nuk shpëton. Politika merret me ju rregullisht. Sa më pak njerëz të merren me politikën, aq më shumë rrezikojmë të vuajmë pasojat e vendimmarrjeve që janë të gabuara. Besoj që aktivizimi politik është shumë i rëndësishëm, jo për tu bërë politikan, as për t’u bërë deputet, por për të qënë pjesë aktive e një procesi, ku sa më shumë njerëz të gjeneratës tuaj të marrin pjesë, aq më shumë zëri i tyre dëgjohet dhe aq më pak është mundësia që me ta të mund të bëhet sipas qejfit.

Nga ana tjetër, unë mendoj dhe e besoj shumë seriozisht që në kemi nevojë të bëjmë më shumë për t’i dhënë të rinjve mundësitë që të kuptoni sa më shumë lidhur me Europën. Ka hapur debat dhe është një debat i shëndetshëm besoj unë edhe pse nga ana tjetër, përshtypja ime është që bazohet në një keqkuptim të madh. Ideja, për t’i dhënë të rinjve mundësinë që qysh në shkollë të marrim njohuri mbi fetë. Nëse e dëgjuat me vëmendje për pjesën kur Hannes foli për ato ndarjet brenda botës myslimane dhe për një pjesë të asaj bote që është djepi ku ushqehet ekstremizmi dhe pastaj kur dalin ekstremistët e dhunshëm, – është diçka që, ku do ta mësojnë njerëzit? Ku do ta mësojnë të rinjtë që ka 1.5 miliardë myslimanë në botë dhe e dini se sa janë ata të cilët janë aktivisht kundër vlerave dhe atyre që ne mbrojmë? 100 mijë. Pra 0.5% e botës myslimane. Atëherë si mund të demonizohet një kulturë e tërë. Si mund të demonizohet një botë e tërë, një qytetërim i tërë? Mund të demonizohet duket përfituar nga padija, nga injoranca dhe nga frika. Duke bërë lidhje që janë lidhje diabolike që sjellin efekte imediate manipulative tek turmat e njerëzve duke thënë: ”E patë masakrën në Paris? Vrasësit ishin myslimanë.” Çlidhje ka kjo, vrasësit janë vrasës, pavarësisht nga feja e tyre. E pastaj duke e kombinuar me një retorikë të tërë anti fesë islame, kundër myslimanëve dhe duke bërë që për të marrë vota dhe për të rritur mbështetjen politike, të çahet në mes shoqëria. Pyetja është si ka mundësi që kjo qasje që është e kundërt me gjithçka që është përpjekur të ndërtohet qytetërimi europian demokratik dhe gjithçka që kanë pasur në mënd etërit që themeluan BE dhe gjithçka që ne jemi të mund të ketë sukses.

Përgjigja është po ajo, padije, injorancë dhe frikë. Dhe është një padije injorancë dhe frikë në boshllëkun e lënë nga sistemi europian i edukimit. Një i ri në Francë, një i ri në Gjermani, një i ri në Angli është sot potencialisht po aq i pambrojtur sa një i ri kudo tjetër përballë manipulimit me fenë.

***

“Periferia sfidon qendrën” është prezantimi që sjell në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri,  politikanin Hannes Swoboda.

Në një bashkëbisedim të hapur me gazetarë, politikanë, diplomatë, profesorë e studentë, Dr. Hannes Swobodën, së bashku me Kryeministrin Edi Rama diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në Ballkan dhe Europë. Pozicioni i Ballkanit në skenën ndërkombëtare, faza kritike që po kalon Europa sot dhe rrymat që qarkullojnë në BE, ishte pjesë e trajtesës së Dr. Swobodës.

Prezantimi u fokusua në marrëdhëniet mes qendrës e periferisë në planin social dhe ekonomik, si dhe në daljen në skenë të rrezikut “etnik”, i cili po u mbivendoset situatave të vërteta problematike që kalon Europa e sotme. E gjitha, duke reflektuar mbi zhvillimet e ditës në Ballkanin Perëndimor e ndikimin që mund të kenë vendimet e sotme në Europën e së nesërmes.

Si njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike në Shqipëri gjatë detyrës 18-vjeçare të europarlamentarit, Dr. Hannes Swoboda përmes prezantimit të tij, ofroi një këndvështrim interesant për rolin e Shqipërisë e rajonit në situatën e sotme globale.

Dr. Hannes Swoboda ka qenë anëtar i Parlamentit Europian, nga 1996-2014. Ai është i pari europarlamentar austriak, pas hyrjes së vendit të tij në BE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.