Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të godinës së re të Korpusit Qendror të Universitetit të Tiranës:
Përshëndetje të gjithëve!
Kam patur një debat të zjarrtë me rektorin kur filloi punimet për godinën pas krahëve të mi. Mendova që me ftesën për këtë përurim debati ishte i mbyllur, por u rihap sapo hyra te kthesa aty dhe pashë këto dy godinat e tjera, që janë këtu si për të na kujtuar se përpjekja vazhdon. E po ashtu, si për të na provuar se sa shumë ka për të rregulluar në shtëpinë tonë të përbashkët, për të cilën për vite e vite të tëra u bë pak, apo edhe në rastet kur u bë shumë, u bë për lumë.
Sidoqoftë, unë dua t’ju siguroj se edhe këto dy krahë që na pengojnë të shijojmë deri në fund atë çka është ndërtuar e re, shumë shpejt do t’i bashkohen edhe dy pjesëve të tjera dhe gjithë ky Korpus do të jetë me hijeshinë dhe dinjitetin që meriton Universiteti Politeknik, por do të jenë dhe pasqyra e ambicies tonë për Universitetin.
Ne kemi bërë një reformë të arsimit të lartë dhe sot, në vazhdën e kësaj reforme, autonomia është e garantuar dhe më e gjerë. Por, të jesh autonom do të thotë të kesh edhe më shumë përgjegjësi, kështu që, nuk pata kohë t’ia bëj të qartë rektorit, por po ia them përpara jush. Qeveria do financojë atë që duket nga jashtë. Rektori, me autonominë e vet, do financojë gjithçka duhet nga brenda dhe të dy krahët do t’i bashkohen gjithë pjesës tjetër.
E them këtë për studentët që kur të fillojnë punimet, sido që të shkojë puna, mua të më mallkojnë vetëm në qoftë se nuk i pëlqen nga jashtë, çdo gjë nga brenda që nuk shkon, kapni rektorin dhe i thoni: “Autonominë e ke, tani financo dhe bëj gjënë e duhur”.
Përtej shakasë, që është gjysma e së vërtetës dhe pjesa e të vërtetës më takon mua në këtë rast, sepse për ato që thashë, lidhur me domosdoshmërinë që ky korpus të unifikohet në hijeshinë e vet, dua të them edhe dy fjalë për këtë moment që është shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e arsimit të lartë.
Dua ta rimarr tek reforma. Ne kemi bërë një reformë, e cila ka pasur kundërshtarët e vet, siç është e natyrshme, nëse s’do kishte kundërshtarë, nuk do ishte reformë. Madje, reforma është aq e thellë sa në këndvështrimin tim ka pasur shumë më pak kontestatorë sa ç’mund të kishte.
Ndërkohë që, ka pasur një mirëkuptim të gjerë, që vjen si rezultat i vetëdijes se në universitet nuk vihet për të kaluar, por për të mësuar; nuk vihet për të marrë një dokument që tregon atë që ti nuk je, por për t’u bërë ai që do të jesh. Për këtë arsye, ka dy shtylla, të cilat reforma i ngre dhe mbi të cilat vendos rrugën e dijes në botën e arsimit: Konkurrenca dhe merita. Konkurrenca e hapur, e barabartë, transparente për të gjithë dhe merita sipas aftësive të secilit, në mënyrë që Universiteti të mos jetë më një fazë e ndërmjetme, një rifuxho për shumë të rinj, të cilëve, për vite të tëra nuk iu ofrua asnjë alternativë tjetër, në mënyrë që të pushtetshmit të blinin kohë dhe të mos përballeshin me atë që është problemi më i madh, papunësia e të rinjve.
Sot, jemi në kushte te tjera, edhe pse gjerat do të kërkojnë kohën e tyre për të ndryshuar. Sot jo të gjithë janë të detyruar të vijnë në Universitet.
Sot, është krijuar mundësia që për shumëkënd të ketë një zgjedhje alternative; arsimi profesional. Universiteti të jetë zgjedhja e atyre që janë të gatshëm të përballojnë konkurrencën dhe që janë të aftë t’i shkojnë deri në fund rrugës së dijes përmes Universitetit, falë meritës së tyre.
Pjesë e kësaj reforme është sigurisht edhe baza e autonomisë, që është zgjedhja e lirë e drejtuesve të të gjitha niveleve në Universitet. Këtu përgjegjësia është e gjithë e atyre që zgjedhin, pra brenda rruzullit të botës universitare.
Ajo çka qeveria ka për detyrë, dhe që unë jam krenar të them se në këto zgjedhje, që janë të parat në kuadrin e ri të reformës, është bërë nga qeveria më së miri. Ministrja e tha dhe unë dua ta përsëris; Rregullorja e zgjedhjeve, që është detyrë e qeverisë, përmes Ministrisë së Arsimit, është hartuar si asnjëherë më parë, në konsultim me të gjithë. Si asnjëherë më parë, Rregullorja është produkt i një marrëdhënieje të re mes Ministrisë së Arsimit dhe botës autonome universitare.
Së dyti, si asnjëherë më parë, deri 3 ditë më parë, ankimimet kanë qenë zero. Procesi, sipas të gjitha informacioneve ka ecur normalisht. Si asnjëherë më parë, qeveria dhe partia më e madhe koalicionit nuk ka ndërhyrë në asnjë moment dhe nuk kanë vënë gishtin për të drejtuar votën për të orientuar votën, për të orientuar votën, apo për të influencuar votën mbi një kandidat dhe jo mbi kandidat tjetër.
Unë dua ta konfirmoj këtu, në këtë ditë heshtjeje zgjedhore për kandidatët, por jo për mua, drejtpërdrejt për të gjithë, nuk ka kandidat të Partisë Socialiste në asnjë nga garat që zhvillohen në të gjithë rruzullin e botës universitare shqiptare. Janë kandidatë të universitetit, të fakultetit, janë kandidatë që përfaqësojnë vetveten, një karrierë, përfaqësojnë aftësitë e tyre, meritat e tyre dhe të gjithë janë të barabartë në këndvështrimin tonë. Iu takon atyre që zgjedhin që të bëjnë zgjedhjen e tyre, duke pasur parasysh që nuk zgjedhin një parti, apo një deputet, nuk po zgjedhin një kryetar bashkie, por po zgjedhin personin dhe personat që do të çojnë përpara reformën dhe do të zbatojnë në praktikë të gjithë atë proces historik transformimi të brendshëm të universitetit, duke i dhënë cilësi autonomisë universitare.
Autonomia universitare nuk mund të jetë, siç ka qenë për vite të tëra, një fasadë pas të cilës janë bërë gjithfarëlloj pazaresh dhe historish që kanë cenuar vetë natyrën e Universitetit. Autonomia është liri dhe përgjegjësi. Autonomia fillon nga zgjedhjet. Është liria e tyre që të zgjedhin dhe është përgjegjësia e atyre që zgjedhin.
Për sa na takon, ne, do të bashkëpunojmë ngushtësisht, bazuar në ligjin e ri dhe në funksion të reformës me çdo të zgjedhur nga vetë Universiteti. Për ne, kur kalon caku i botës universitare, nuk ka tanët dhe të atyre. Kjo nuk është parullë. Unë nuk po bëj fushatë. Është e vërteta jonë e thjeshtë, të cilën, nëse shumëkush mund ta këtë vështirë ta besojë, për arsye të historisë, për arsye të paragjykimeve, për arsye të gjithfarëlloj mosarsyesh, jam i bindur që çdo kandidat mund ta dëshmojë.
Së fundmi, ajo që ndodhi përpara tre ditësh nuk dëshmon cenimin e Universitetit, por dëshmon vullnetin e plotë të qeverisë sonë për të mos lejuar askënd dhe për asnjë arsye të cenojë Universitetin. Kjo është dhe e vërteta e thjeshtë e një historie shumë të trishtueshme, tërësisht të papranueshme, por që askush nuk mund ta marrë dhe ta përdorë duke përdorur Universitetin, për të bërë hesapet dhe për të nxjerrë përfitimet e veta jashtë mureve të botës universitare.
Unë ju siguroj se në çdo rast ne do të jemi në krah të Universitetit, në krah të të zgjedhurve, në krah të pedagogëve pa dallim, brenda kufijve të kësaj bote. Nuk do vijmë asnjëherë këtu, përveçse po të jemi të ftuar për të folur për politikë, qoftë ne, qoftë kushdo tjetër që ju mund të ftoni, – unë e kam ëndërruar, deri para se të bëhesha Kryeministër, ditën kur në universitete mund të hyjnë lirisht, të ftuar nga studentët, politikanët jashtë orës së mësimit dhe të bëjnë bashkëbisedimet e tyre. Kjo ditë ka ardhur, ftoni kë të doni! Po na ftuat, edhe ne do bëjmë politikë këtu. Përndryshe, këtu jemi vetëm për t’ju thënë që duam, bashkë me ju, studentë, pedagogë ta çojmë përpara Universitetin, ta rilindim, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, pas një periudhe të gjatë, të palavdishme ku një Universitet i madh, si Universiteti publik, u konkurrua me sukses nga universitete private, me kapacitete shumë më të vogla dhe në kushte shumë më të vështira infrastrukturore etj.
Ne jemi për konkurrencën e lirë.
Ne nuk mendojmë se ka një arsim të nënës dhe një të njerkës. Janë fëmijë prindërish të të njëjtit atdhe.
Janë fëmijë të të njëjtit atdhe dhe ata që shkojnë në Universitetin publik dhe ata që shkojnë në Universitetin privat. Konkurrenca është e lirë, por, sigurisht që ne nuk do lëmë asnjë detyrim pa përmbushur ndaj të gjithëve ju, sepse është një detyrim solemn që ua kemi në radhë të parë, prindërve të të gjithë studentëve të cilët investojnë gjithçka për ëndrrën dhe shpresën e tyre më të madhe, që fëmijët e tyre të dalin nga dyert e Universitetit të pajisur me të gjitha ato aftësi që iu duhen që të bëhen të suksesshëm në jetë.
Shumë faleminderit!
Shumë suksese të gjithëve! Shpresoj shumë që brenda, jo më shumë se 300 ditësh, unë unë të vij përsëri këtu, të kem mbaruar punën time me këto godinat në dy krahët, pastaj me rektorin e dini vetë ju, merruni vetë.
Faleminderit!
***
Një godinë e re moderne i shtohet Korpusit Qendror të Universitetit të Tiranës. Një godinë bashkëkohore e pajisur me ambiente në funksion të zhvillimit të procesit mësimor dhe punës kërkimore shkencore për studentët dhe pedagogët.
Projektimi dhe zbatimi i këtij objekti katër katesh është zhvilluar tërësisht në përputhje me kërkesat dhe nevojat që duhet të plotësojnë ambientet, me specifikë studimin e degëve inxhinierike, siç janë Standardet Shtetërore të Cilësisë.
Ky investim është i shtrirë në një sipërfaqe ndërtimi totale rreth 8 mijë metra katrorë, ku përfshihen 24 klasa me sipërfaqe rreth 1500 metra katrorë, 6 salla leksionesh me sipërfaqe rreth 800 metra katrorë, 8 laboratorë me sipërfaqe afro 600 metra katrorë, si dhe zyra për stafin mësimor e atë administrativ. Ndërkohë që janë 3000 metra katrorë sipërfaqe e gjelbër, e cila mendohet të shërbejë si ambient relaksues për studentët.
Ky objekt i ri dijesh pritet të përmirësojë kushtet e mësimdhënies për studentët, në përgatitje të tyre për tregun e punës.