Agjencia e Prokurimit Publik, në analizën e punës së saj për vitin 2018 në drejtim të sistemit të prokurimeve, konçesioneve/ppp dhe ankandeve në Shqipëri, ka përmirësuar dukshëm treguesit e sistemit të prokurimit krahasuar me një vit më parë.
Nga përpunimi i të dhënave në Sistemin e Prokurimit Elektronik, të dhënave nga INSTAT dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), rezulton se, për vitin 2018 fondi total limit i prokuruar ka zënë 7.8% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
Numri i procedurave për dhënien me koncesion/ppp të shpallura në sistemin elektronik, gjatë vitit 2018 ka qenë 7, ndërkohë që janë përfunduar me shpallje fitues 7 procedura.
Për herë të parë në vitin 2018 APP ka ofruar në mënyrë direkte asistencë autoriteve kontraktore, në fazën e publikimit të procedurave, për hartimin e dokumentave të tenderit, duke i këshilluar/rekomanduar për të eleminuar rastet që cënojnë konkurrencën e ndershme dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit.
Numri total i procedurave gjatë vitit 2018 në sistemin e prokurimit elektronik, sipas llojeve të kontratave shërbim, mall, punë, është 8,400 (1.083 më shumë se në vitin 2017), ku 2638 procedura janë asistuar dhe monitoruar për dokumentacionet e tenderit, ndërsa për 1884 janë dhënë rekomandime. Në sistemin e prokurimit elektronik gjatë vitit 2018 janë regjistruar 18,629 (217 më shumë se në vitin 2017) operatorë ekonomikë të rinj, nga të cilët 83 janë operatorë ekonomikë të huaj.
Numri total i ofertave të dorëzuara nga operatorët ekonomikë në procedurat e përfunduara me fitues nga Autoritetet Kontraktore për vitin 2018, në Sistemin e Prokurimit Elektronik është 224,324 (54,960 më shumë se në vitin 2017), ku numrin më të madh të orfertave e zënë ato të bëra në procedurat me vlerë të vogël (deri ne 800.000 lekë).
Krahasuar me vitin 2017, numri i procedurave të prokurimit me negociim pa shpallje paraprake, ka pësuar një rënie të ndjeshme nga 31.7% në 9.4%. Gjatë vitit 2018 janë zhvilluar 627 procedura me Marrëveshje Kuadër (të vazhduara), ndaj 56 të zhvilluara në vitin 2017.
Agjencia e Prokurimit Publik në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë gjatë vitit 2018 trajnoi 690 punonjës, një numër relativisht i lartë krahasuar me vitin 2017 (234 punonjës) të ngarkuar me kryerjen e procedurave të prokurimit, pranë autoriteteve kontraktore.
*Për një informacion më të detajuar mbi Analizën Vjetore të APP mund të ndiqni linkun e mëposhtëm: