Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin Hahn:

Mirëdita të gjithëve!

Në radhë të parë dua t’ja uroj edhe publikisht mirëseardhjen Komisionerit Hahn. Ta falenderoj për vëmendjen dhe për mbështetjen e posaçme në përpjekjen e përbashkët, sepse e tillë është, për të kurorëzuar me sukses Reformën në Drejtësi përveçse për të çuar përpara progresin e qëndrueshëm që kemi bërë deri këtu.

Takimi i sotëm i Dialogut të Nivelit të Lartë e konfirmoi angazhimin e dyanshëm të Shqipërisë dhe të Komisionit Europian për progresin e bërë drejt stacionit të radhës, që është çelja e negociatave.

U vunë në dukje arritjet e reformave që ndikojnë drejtpërdrejtë me përmbushjen e pesë prioriteteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

U konfirmua nga ana jonë vullneti i palëkundur për të thelluar reformat, me bindjen se nuk është dhimbja, sakrificat dhe vështirësia që sjellin reformat një detyrim që ia kemi Brukselit apo që ia kemi Bashkimit Europian, por një detyrim që ua kemi fëmijëve tanë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

U konfirmua angazhimi ynë për reformën e thellë të drejtësisë si reformë kyçe, në një process, që sigurisht në raport me Brukselin, do të krijojë kushtet për të çelur negociatat, por edhe më e rëndësishme një proces që do të krijojë kushte për të ndërtuar një sistem drejtësie të denjë për një vend që aspiron një ditë të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

Jemi të bindur që miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë është shtegu i duhur për çeljen e negociatave, pasi reforma krijon terrenin e përshtatshëm që të fillojë menjëherë puna e mëtejshme në kuadrin e kapitujve 23 dhe 24, që përkojnë edhe me fillimin e negociatave.

Por nga ana tjetër, kjo reformë do të ketë efekt të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e cilësisë së luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një luftë, ku Komisioni në raportin e vet, komisioneri sot, kanë vënë theksin tek aspekti i dobësisë së ndjeshme në procesin e investigimit dhe të ndëshkimit. Pra, procese që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me sistemin e drejtësisë, përtej punës kolosale dhe të suksesshme që ka bërë qeveria shqiptare nga ana e saj përmes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Nga ana tjetër, ne konfirmuam vullnetin për një proces sa më të hapur, sa më gjithëpërfshirës dhe për një dialog të vazhdueshëm me opozitën në komisionin e reformës, i cili nuk mund të kushtëzohet nga aspekte të politikës së ditës, sado legjitime qofshin ato për një palë apo një palë tjetër.

Si Qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian e konsiderojnë Dialogun e Nivelit të Lartë si një urë shembullore në një proces që jo vetëm na krijon kushtet për të ndërvepruar si dy palë, por na krijon kushtet që pala shqiptare në këtë ndërveprim të jetë e larmishme, por e unifikuar në qëllimin madhor që është axhenda kombëtare e integrimit.

Bazuar në eksperiencën shumë pozitive të Dialogut të Nivelit të Lartë, mendoj se nuk është e kotë që sot unë ta ftoj publikisht në sy edhe të mikut tonë të përbashkët Komisionerit Hahn, Partinë Demokratike, lidershipin e saj, që të ulemi në një tryezë dialogu të nivelit të lartë politik mes nesh, pa praninë e çmuar të miqve. Jemi të gatshëm ta dëgjojmë me vëmendje dhe me respekt Partinë Demokratike, sepse unë besoj që ekziston mundësia që të biem dakord që mos dakordësitë tona t’i trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Besoj po ashtu që, ekziston mundësia që t’i ndajmë axhendat partiake apo reformat legjitime të një shumice që qeveris nga axhenda kombëtare, ku fatmirësisht nuk ka mospërputhje mes partive, – të paktën asnjë mospërputhje serioze, – kur vjen puna tek rruga e përbashkët e integrimit europian.

Ashtu sikundër besoj se gjuha e kushteve, e kërcënimeve, e kalkulimeve afatshkurtra, që e kanë kthyer debatin politik të ditës në një betejë deklaratash televizive, është e drejtë e çdo pale që ta zgjedhë, por nuk e përjashton mundësinë që ne qetësisht të ballafaqojmë në tryezë pretendimet apo argumentet, sepse në fund të fundit, vendet në kontinentin ku jetojmë dhe në Europën ku duam të integrohemi, nuk dallohen nga sa palët bien dakord me njëra – tjetrën në çdo vend, por nga se sa mosdakordësia mes tyre influencon për mirë ose për keq cilësinë e bashkëjetesës së shoqërisë.

E falenderoj edhe një herë Komisionerin për praninë e tij, e cila këtë herë është një prani më e gjatë, pasi përveç këtij Dialogu të Nivelit të Lartë është edhe takimi i ministrave të jashtëm të rajonit, për të çuar përpara një proces historik për rajonin, që është Procesi i Berlinit dhe për të rritur frymën e shëndetshme të bashkëpunimeve rajonale, gjë për të cilën Komisioneri ka edhe lartësinë e një eksperience të gjatë në aktivitetin e tij në institucionet europiane.

 

Komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn:

Faleminderit shumë zoti Kryeministër!

Mund t’ju them vërtet që ishte në fakt një takim produktiv, shkëmbimesh idesh, jo vetëm me Kryeministrin dhe me Qeverinë, por edhe me përfaqësuesit e opozitës. Pra, në fund u bë dhe një debat i gjallë dhe një diskutim. Në fakt kështu duhet të jetë. Duhet të ketë diskutime ndërmjet përfaqësuesve të ndryshëm të partive të ndryshme politike, duke përfshirë dhe shoqërinë civile, por në fund të fundit duhet të jetë e qartë që e ardhmja europiane e Shqipërisë duhet të jetë interesi kombëtar i këtij vendi. Pra, kjo duhet ndjekur gjithnjë me durim, me angazhim me energji, pasi bëhet fjalë për të ardhmen, për këtë perspektivë europiane të vendit dhe vendi do të thotë qytetarët, brezi i ri. Po ashtu do të thotë që duhet t’u japim atyre një mundësi për jetesë më të mirë në të ardhmen.

Ka qënë e rëndësishme që ne pamë se cilat ishin çështjet më urgjente, pra 5 prioritetet kyçe. Më lejoni të them që elementi kyç i kësaj pjese është pikërisht për momentin, reforma në sistemin e drejtësisë. Këtu shumë shpejt na duhen vendimet dhe është e vërtetë që kjo reformë, natyrisht edhe po të krahasohet me çfarë ndodh ne vendet e tjera fqinje është e një shkalle të paprecedentë dhe me një ndikim afatgjatë. Shpresojmë që do të ketë një ndikim pozitiv afatgjatë në situatën e vendit. Shpresojmë që do të ketë një ndikim pozitiv afatgjatë në situatën e vendit, në mënyrë që të ketë po ashtu një udhërrëfyes paraprak, për sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që të ketë një vendim përpara së të fillojë zbatimi i kësaj reforme në drejtësi, gjatë pranverës, në mënyrë që ne të mundemi të bëjmë edhe vlerësimin e parë ku të shihen dhe elementët e parë ligjorë që do të miratohen, por që të shikojmë edhe zbatimin nëse po ecet në drejtimin e duhur. Pra, me pak fjalë, na duhen tani shumë shpejt vendime, në mënyrë që ne të vazhdojmë punën me udhërrëfyesin që kemi në mëndje. Kjo gjë është vendimtare.

Po ashtu, një gjyqësor funksional është tejet i rëndësishëm edhe për qytetarët e vendit dhe natyrisht, prioriteti i parë është ky. Nuk duhet të harrojmë që një gjyqësor funksional është shumë i rëndësishëm edhe për investitorët e huaj, për investimet e drejtpërdrejta që investitorët të vijnë në vend, të krijohen vende pune, të krijohen mundësi. Por, është shumë i rëndësishëm edhe për qytetarët e vendit të cilët janë të gatshëm të investojnë paratë e tyre, që të krijohen kompani të reja dhe vende të reja pune. Të gjitha këto duhet të mbështeten tek një sistem funksional gjyqësor, por duke marrë parasysh këtu dhe respektimin e vendimeve të gjykatave të të gjitha niveleve.

Dëshiroj t’i referohem edhe disa elementëve të tjerë të prioriteteve kyçe, si reforma në administratën publike, e cila ka treguar ndryshime thelbësore në të gjithë sektorët, që do të thotë; përshpejtimi i kuadrit në mbrojtjen e të drejtave themelore, konsolidimi i arritjeve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit në të gjitha nivelet.

Më lejoni t’ju them që përtej këtyre objektivave të 5 prioriteteve kyçe, ka edhe sfida të tjera, reforma të tjera, të cilat duhen trajtuar dhe dëshiroj që të përmend dy procese ne veçanti; nga njëra anë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ana tjetër reformën zgjedhore.

Për sa i përket dekriminalizmit, duhet të jemi shumë të qartë, legjislacioni do të zbatohet shpejt dhe në të gjitha nivelet e nevojshme dhe në rast se bëhet në mënyrën e duhur, ky proces mund të fuqizojë, të përforcojë besimin e qytetarëve tek shteti. Dekriminalizimi është kyç për sa i përket konsolidimit të legjitimitetit, integritetit, efikasitetit të të gjithë institucioneve publike.

Ndërsa për sa i përket reformës zgjedhore ne kemi mirëpritur punën teknike, e cila ka filluar po ashtu me Komisionin e posaçëm Parlamentar. Do të këtë zgjedhje të përgjithshme në Shqipëri vitin që vjen dhe për këtë arsye një reformë e besueshme e sistemit zgjedhor duhet të sillet dhe të jetë në përputhje të plotë me të gjitha rekomandimet që kanë mbetur pa u reflektuar të ODIHR-it dhe kjo duhet finalizuar me prioritet. Natyrisht, kemi besim për të gjitha këto iniciativa të cilat kanë filluar dhe ne po i ndjekim, por për sa i përket rrugëtimit drejt BE duhet të jemi të qartë që, kjo duhet të jetë një përpjekje kombëtare.

Pavarësisht opinioneve të ndryshme ndërpartiake, opozita dhe qeveria duhet që të ecin përpara vetëm në një rrugë të vetme, në interesin e qytetarëve shqiptarë dhe, nëse nuk e kam gabim, më shumë se 90% e shqiptarëve duan që Shqipëria sa më shpejt të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Ndaj është e qartë që ky është objektivi kryesor dhe askush nuk duhet të fajësojë tjetrin, por të gjithë bashkë duhet të përpiqen që të shikojnë se çfarë është e nevojshme për vendin në mënyrë që të merren vendime. Gjërat nuk duhet të komplikohen më shumë se c’duhet dhe as të vihen kushte për këtë gjë, apo për tjetrën, por të përqendrohemi tek gjërat thelbësore dhe të përpiqemi t’i arrijmë ato.

Çelja e negociatave për anëtarësim në Bashimin Europain është në fakt një datë e vetme për ne, ndërsa për ju pjesa e vërtetë janë negociatat. Pra, ka të bëjë me procesin, sepse kur flasim për hapjen e kapitujve 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, vetëm atëherë ne si BE kemi mundësinë që ta përdorim këtë duke parë angazhimin e vendit, prandaj është e rëndësishme që t’i jepet vendit mundësia që ta fillojë këtë proces dhe ne të shohim angazhimin mbi të.

Faleminderit shumë!

 

I nderuar z. Komisioner, ju sapo e ritheksuat se reforma në drejtësi është vendimtare. Do doja të dija mendimin tuaj për kushtëzimin që i bën opozita pjesëmarrjes në tryezën e dialogut për reformën në drejtësi, me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të dy deputetëve socialistë. A është ky një vendim i drejtë?

Komisioneri Hahn: Mendoj se ka qenë shumë e qartë që, për sa i përket reformës në drejtësi, duhet të fokusohemi tek ajo reformë dhe jo t’i ndërlikojmë gjërat më shumë seç duhet. Nga ana tjetër, unë kam qenë gjithnjë i qartë që ju keni një sistem gjyqësor ekzistues, keni Gjykata dhe kjo është pjesë e gjithë punës që bëhet, pra, respektimi i vendimeve të Gjykatës. Tani fokusi duhet të jetë tek reforma në drejtësi dhe unë dëshiroj t’u bëj thirrje të gjithëve që të ulen në tryezën e rrumbullakët, t’a hedhin hapin për kilometrin e fundit që duhet përshkruar.

 

Zoti Hahn ju jeni takuar sot me të dy palët, si me mazhorancën, ashtu edhe me opozitën. Ju keni dhënë dhe mesazhet tuaja, por ju keni kontakte dhe jeni të mirëinformuar edhe nga ambasadorja Vlahutin për mënyrën se si kanë ecur negociatat për reformën në drejtësi. A keni ju një përgjegjës për zvarritjen e kësaj reforme, sepse të dyja palët shprehin vullnetin që ajo do të ishte e përfunduar përpara se ju të zhvillonit këtë vizitë në Tiranë?

Pyetje për z. Kryeministër: Ju i propozuat sot liderit të opozitës që të uleshit në një tryezë të nivelit të lartë politik, por ky është një propozim që zoti Basha e ka bërë prej kohësh. A po përqafoni ju qëndrimin e opozitës?

Komisioneri Hahn: Edhe një herë, më duhet të përsëris se, kjo është dhe arsyeja pse kam ardhur këtu. Natyrisht që ne kemi parë, kemi kërkuar dhe një ditë të caktuar për një vendim për reformën në drejtësi, sa më shpejt të ishte e mundur. Kemi parë edhe që vendimi për t’u finalizuar deri në fund të qershorit nuk ka qenë i lehtë, por unë do të sugjeroja dhe rekomandoja të kishte një vendim sa më shpejt të ishte e mundur, sepse ju tani i keni të gjitha rekomandimet e mundshme nga Komisioni i Venecias. Ka patur një marrëveshje politike për t’i ndjekur rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe mendoj se nuk ka asgjë tjetër më të rëndësishme sesa Komisioni i Venecias. Ata janë shumë të paanshëm kur propozojnë diçka. Janë shumë profesionalë kur propozojnë diçka. Ajo është një bazë e mirë për finalizimin e asaj që është e nevojshme, në mënyrë që të miratohet reforma në drejtësi. Por miratimi i reformës në drejtësi është vetëm gjysma e punës. Gjysma tjetër, në rast se mund ta them, mbase edhe më e rëndësishme, është zbatimi i saj. Prandaj, ne na duhet një hap i parë, i qëndrueshëm, premtues dhe historik që t’ju japim një rekomandim pozitiv. Vetëm duke u bazuar tek ky hap ne mund të fillojmë negociatat me gjithçka kemi në dorë, por kjo do të thotë edhe shikimin e elementit të sundimit të ligjit.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, besoj që ne jemi plotësisht brenda afateve të parashikuara dhe të deklaruara për sa na takon.

Kemi thënë që deri në fund të vjeshtës do të ishim gati për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias. Kjo ka ndodhur. Kemi thënë që brenda marsit do të ishim gati për të konkluduar dhe për sa na takon si shumicë, ne jemi gati. Presim vetëm që Partia Demokratike të jetë gati dhe të finalizojmë një proces, i cili ka hyrë në miljen e fundit, siç tha Komisioneri, në tryezën e komisionit “ad-hoc” të reformës në drejtësi.

Nga ana tjetër, dua të theksoj që, siç u tha edhe në Dialogun e Nivelit të Lartë, çështjet e tjera nuk kanë lidhje me këtë proces dhe nuk kemi pse i lidhim me këtë proces. Për sa na takon, jo vetëm që reforma në drejtësi nuk mund të kushtëzohet nga axhenda e secilës parti, por aq më pak, mund të kushtëzohet bazuar në një interpretim që njëra palë e bën ndryshe, tjetra palë e bën krejt ndryshe, të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ju, si pala e tretë, keni detyrën që të bëni transparencë të plotë me opinionin publik, mjafton t’i referoheni pikës së Kushtetutës, të cilës i referohet Gjykata Kushtetuese, për vendimin lidhur me një deputet, që sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, parlamenti e votoi dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese dhe pikës që Gjykata Kushtetuese nuk e trajton që lidhet me rastin e dy deputetëve të tjerë. Kështu që, sikundër e tha dhe Komisioneri, kur palët ndajnë interpretime të ndryshme, e vetmja palë që mund të japë një vendim përfundimtar është vetë Gjykata. Prandaj, unë e ftoj Partinë Demokratike, që siç shkoi në Gjykatën Kushtetuese për njërin rast, të shkojë edhe për dy rastet e tjera që nuk kanë lidhje me rastin e parë dhe ne do të zbatojmë rigorozisht, siç bëmë në rastin e parë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pra, nëse ne nuk do të ishim vendosmërisht të përpiktë në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk do ndanim një deputet nga dy deputetët e tjerë, por janë raste krejt të ndryshme dhe të jeni të bindur që në fund e drejta do të prevalojë në Gjykatën Kushtetuese.

Për sa i përket konkretisht pyetjes që më bëni, lidhur me eksperiencën e Dialogut të Nivelit të Lartë, që është një eksperiencë shumë pozitive, kjo që unë thashë sot është rezultat i kësaj eksperience. Mbi këtë eksperiencë ne i kemi të gjitha mundësitë që të krijojmë kushte për t’u dëgjuar dhe për të folur. Nuk ka lidhje me dialogun politik të propozuar disa kohë më parë për reformën në drejtësi.

Reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet një proces i mirëpërcaktuar që në ditën e parë, një proces i besuar në duart e ekspertëve të huaj dhe vendas, të cilët në një bashkëpunim intensiv dhe përmes një gjithëpërfshirjeje që asnjëherë më parë nuk ka ndodhur në Shqipëri, – në mos në rastin kur kemi miratuar Kushtetutën e re, – ka garantuar një draft të cilin ne e kemi mbështetur pa asnjë ekuivok dhe pa asnjë diskutim. Siç kemi thënë ditën e parë, vazhdojmë të themi edhe sot: Drafti, draftet, gjë për të cilën sa i takon Partisë Socialiste, s’ka pasur asnjë moment, asgjë tjetër përveç mbështetjes së draftit, por edhe koalicioni në tërësi, ka pasur një qëndrim shumë konstruktiv në këtë aspect, diskutohen në komisionin e reformës, është aty ku diskutohen. Eksperiencat e kaluara, se është bërë dhe herë tjetër reformë në drejtësi, kështu është quajtur, por vetëm reformë në drejtësi nuk ka qenë, sepse ka qenë një pazar politikanësh që s’kanë dashur të dinë as për analizën e ekspertëve, as për sugjerimet e ekspertizës vendase apo të huaj, kështu që të jemi të qartë për këtë. Ajo që unë nënvizova është nevoja për të shtruar një rrugë komunikimi normale, ku edhe në mos rënçim dakord për asgjë, biem dakord për faktin që mosdakordësitë, mund të diskutohen, mund të debatohen, mund të ballafaqohen në mënyrë të qytetëruar, pa kushte, pa kërcënime, pa kalkulime dritëshkurtra që janë legjitime për çdo parti dhe çdo parti t’i bëjë si të dojë, pastaj llogaritë i bëjnë me popullin në zgjedhje, por ashtu sikundër na mëson eksperienca e Dialogut të Nivelit të Lartë.

Për sa i përket përqafimit, unë jam i gatshëm ta përqafoj çdo ditë opozitën dhe të jeni të bindur se nuk e kam harruar, e kam shumë të freskët kujtesën, kur isha vetë në opozitë dhe pavarësisht gjithë përpjekjeve për të çelur dialog me qeverinë, ndesheshim me murin shurdh që nuk i solli asnjë të mirë askujt, por në radhë të parë nuk i solli asnjë të mirë vetë asaj, qeverisë.

 

Zoti Komisioner, kur e parashikoni ju takimin e radhës së Dialogut të Nivelit të Lartë, Shqipëri-BE dhe çfarë keni parasysh kur thoni se ka një “time table” për Shqipërinë?

Zoti Rama, Partia Demokratike e ka konsideruar reformën zgjedhore, të cilës iu referua edhe vetë Komisioneri, si një vijë të kuqe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Cili është angazhimi juaj për këtë reformë dhe për zgjedhje me standarde europiane për vendin tonë?

Komisioneri Hahn: Nuk ka datë të re për Dialogun e Nivelit të Lartë, por zakonisht ndodh një herë në vit, kështu që siç e patëm edhe vjet në mars të vitit 2015 dhe tani në mars 2016, mund të jetë edhe njëfarë tradite që mund të ndodhë në mars të vitit 2017, por do të shohim, pra nuk kemi ndonjë rregull të caktuar.

Për sa i përket pyetjes së dytë, unë kam një ide në mendje, por mendoj që isha tejet i qartë për sa i përket hapave të ndryshme që duhen ndërmarrë. Sigurisht që, objektivi im është që unë t’i prezantoj shteteve anëtare të BE një raport pozitiv gjatë këtij viti, në mënyrë që t’u jap atyre diçka në dorë që ata të marrin vendimin, sepse unë besoj që hapi tjetër të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit, në mënyrë që të fillohet ky proces.

Edhe njëherë është në fakt një proces dhe jo thjesht negociata, pra duhet ta fillojmë këtë proces në mënyrë që të ketë ndryshime në shumë fusha dhe në shumë zakone të caktuara edhe në sjelljet tona në mënyrë që vendi të jetë i gatshëm për anëtarësim në BE.

Kryeministri Edi Rama: Reforma zgjedhore është një tjetër reformë që nuk është as mision unilateral dhe as pronë e një shumice, pavarësisht se ne i kemi votat edhe për ta bërë në mënyrë uniletarale, por ne jemi të vetëdijshëm që është një reformë, që njësoj si reforma në drejtësi duhet bërë së bashku dhe vijat e kuqe të vendosura apriori, historia jonë e shkurtër, por intensive, na mëson se janë vija në rërë që i merr dallga e parë.

Ne kemi nevojë të bashkëpunojmë, të ballafaqojmë argumentet dhe sa i përket reformës zgjedhore. Ne jemi të gatshëm, e kemi thënë që ditën e parë, të dëgjojmë opozitën për çdo gjë dhe të vendosim bashkërisht mbi raportin e OSBE-ODIHR. Ky është horizonti i kësaj reforme. Nuk ka nevojë për vija të kuqe, sepse nuk funksionojnë, aq më tepër ne jemi shumë të interesuar që herës tjetër opozita ta kalojë me më pak dhimbje rezultatin që do të jetë edhe më i thellë se ai i kaluari, por kjo është një temë që nuk i takon Komisionerit dhe nuk i takon kësaj konference shtypi. Kështu që, do t’i garantojmë opozitës standarde edhe më të larta se ato të zgjedhjeve të kaluara, që ishin më të lartat që kanë pasur ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që humbjen ta kthejnë në forcë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.