Fermerët shqiptarë do të mbështeten financiarisht nga qeveria për të mos qenë vetëm kultivues të zakonshëm të produkteve bujqësore, por edhe eksportues të konsoliduar dhe të certifikuar në BE.
Përmes programeve mbështetëse për zhvillimin e Agrobiznesit dhe Agropërpunimit qeveria subvencionon ndër të tjera 50% të vlerës së ndërtimit për objektet në shërbim të bujqësisë si magazina grumbullimi dhe përpunimi, frigoriferë, etj, në mënyrë që produktet e fermerëve shqiptarë të kenë cilësinë dhe kushtet që i kërkon tregu ndërkombëtar.
“Besa agro invest” shpk kompani shqiptare me aktivitet kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore dhe tregtimin e tyre, është përfituese e grantit të dhënë nga AZHBR. Në përgjigje të kërkesave gjithnjë në rritje të tregut, drejtuesit e kësaj kompanie vendosën të ndërtojnë, serra me ngrohje diellore të tipit tunel, në tokën e marrë me qera që ndodhet në fshatin Arramerras, Fushë -Krujë. Me mbështetjen e qeverisë përmes grantit prej 24 milion lekë të AZHBR, “Besa agro invest” bëri të mundur ndërtimin e 2 ha sera diellore për prodhimin e perimeve të hershme.
Për të parë nga afër këtë investim, ishte sot në Krujë Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe drejtues lokalë të zonës.
Investimi i ri, sipas teknologjisë më bashkëkohore i ka siguruar kompanisë një gamë të gjerë asortimentesh, si dhe produkte cilësore, të standardizuara dhe të sigurta nga pikëpamja ushqimore. Aktualisht kompania ka 50 të punësuar me kohë të plotë, kundrejt 30 punonjësve që kishte vitin e kaluar. Gjithashtu, në kohën e vjeljeve ajo punëson edhe punëtorë sezonalë nga zonat përreth.
Pronari i kompanisë Adrian Imami tha se synimi i tyre është të rrisin sipërfaqen prodhuese deri në 40 ha. “Kjo është vjelja e parë që ne bëmë, pasi serat tre muaj më parë u montuan dhe çdo vit ne mendojmë që ta shtojmë 2,5 deri në 3 ha, derisa ta bëjmë 40 ha. Fokusimi do të jetë tek prodhimet e serave dhe të pemëtarisë. Këto do të jene dy drejtimet kryesore, që do të jene te standardeve europiane, për eksport dhe për prodhimet vendase.”
Kryeministri Edi Rama në bisedën me fermerët i inkurajoi ata të përfitojnë nga programi i ri nxitës për bujqësinë, duke theksuar se shteti do të jetë krah tyre për ti ofruar mbështetje të plotë drejt një biznesi të suksesshëm. “Ne e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave këto 2 vjet. Po ecëm me këtë ritëm do të kemi një mbulim të atillë në territor që do të mund të kemi një rritje të mëtejshme të eksportit dhe do të ezaurojmë kërkesën e tregut vendas për një sërë produktesh duke vazhduar ta ulim deficitin tregtar. Ndërkohë që unë do ju nxisja që të përfitoni nga programi i ri i mbështetjes së bujqësisë, qoftë për serat, ku ne për çdo 10 hektarë sera japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për çdo fermë 100 ha japim 1 milion dollarë në 5 vjet, direkt mbështetje. Ndërkohë me fondin e garancisë që kemi ndërtuar tani në bashkëpunim me BERZH janë 300 milion euro në dispozicion në tre vitet e ardhshme për gjithë ata që duan të investojnë, duke marrë kredi me interes të ulët. Të gjithë këtë punë do ta bëjmë ne si shtet, duke ndërmjetësuar mes fermerëve, sipërmarrjeve, bankave dhe duke i dhënë një shtytje të madhe kësaj historie që është një histori suksesi që ka filluar të japi rezultate e para, por prapa ka akoma shumë potencial.”
* * *
Kamila Fruit” shpk, është një tjetër kompani shqiptare, përfituese e grantit nga AZHBR, e cila ka si veprimtari ruajtjen dhe tregtimin e frutave-perimeve. Këtë grant ajo e ka investuar në ndërtimin e ambienteve me atmosferë të kontrolluar për ruajtjen e produkteve bujqësore.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti vizitoi sot mjediset e kësaj kompanie, në Krujë e cila e zgjeroi biznesin me 4 dhoma frigoriferike të kompletuara sipas standardeve moderne të ruajtjes të produkteve, me kapacitet 650 ton, nga 200 ton që ishte para investimit. Si rezultat i rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë së produktit të ruajtur, Kamila Fruit ka punësuar 10 punonjës me kohë të plotë. Ndërkohë që pronari i kompanisë zoti Edvis Ziza shpjegoi se firma ka kontrata me 50 fermerë. “Kemi kontrata me 50 fermerë. Po të llogarisësh se sa punonjës ka çdo fermer, i bie të jenë rreth 300 të punësuar.”
Kryeministri Rama u shpreh se AZHBR do të jetë sërish në ndihmë të fermerëve për ti orientuar ata në aplikimet me programin e ri mbështetës “AZHBR do tu ndihmojë si të aplikoni me programin e ri, një program kreditimi me interes të ulët i garantuar nga shteti shqiptar që do tu vijë në ndihmë të gjithë atyre që duan të shtojnë investimet apo duan të bëjnë investime të reja në bujqësi, me një hapësire prej 300 milion eurosh në tre vjet.”- u shpreh Kryeministri.