Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaratë për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Sot në mbledhjen e qeverisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit për “Rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”.
Procedura e ndjekur për realizimin e kësaj kontrate është mbështetur në Ligjin 125 të vitit 2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar me VKM 575, datë 10.7.2013 “Për miratimin e rregullave për identifikimin, vlerësimin dhe dhënien e koncesioneve/PPP”, i ndryshuar.
Procesi i tenderimit u krye në dhjetor 2018 dhe fitues doli Bashkimi i Përkohshëm i Operatorëve “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k.. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar një proces negocimi intensiv me fituesin e tenderit.
Kontrata u negociua dhe u dërgua për mendim në institucionet respektive, mendime këto të dakordësuara dhe të reflektuara në kontratën përfundimtare të nënshkruar, e cila sot u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave. Hyrja e saj në fuqi i hap rrugë ndërtimit të aeroportit të Kukësit.
Kohëzgjatja e Kontratës se koncesionit është 35 vite.
Kohëzgjatja e zbatimit të punimeve dhe afati i vënies në operim është 24 muaj, ndërsa vlera e rehabilitimit të Aeroportit të Kukësit është rreth 8 milionë.
Nga zhvillimi i projektit ndërtues dhe më vonë në atë të zhvillimit të aktiviteteve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit, do të punësohen fillimisht rreth 220 persona.
Ndërkohë që nga përllogaritjet dhe kryqëzimi i të dhënave të projekteve të ngjashme, mbështetur dhe në destinacionet e ndërtimeve që do të kryhen, numri i punonjësve që do të punësohen pritet të shkojë në rreth 12 mijë persona në fazën finale të realizimit të këtij Projektit.
Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij Aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha Low Cost, ndër të cilat mund të përmendim Wizz Air, EasyJet, RyanAir, Voeling, Pegasus, etj.
Nga studimet paraprake parashikohet që ky aeroport të ketë një fluks lëvizjeje rreth 300 mijë pasagjerësh në vit, me rritje të ndjeshme në vitet pasuese.
Synimi është që përmes çmimeve të ulëta dhe shërbimeve cilësore, ky aeroport të shërbejë si pikë referimi në funksion të lëvizjes rajonale të udhëtarëve, veçanërisht atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Aeroporti i Kukësit pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të zonës, duke e kthyer atë në një hapësirë me mjaft interes për investime.
Aeroporti i Kukësit është një tjetër premtim i mbajtur, është një tjetër tregues i qartë se Qeveria do të vijojë të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese për të realizuar projekte strategjike si dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.