Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me 20 eksportuesit më të mëdhenj:

Përshëndetje të gjithëve!

Ju falënderoj shumë që jeni këtu, të pranishëm!

Arsyeja e këtij takimi është nevoja jonë për të dhënë një mesazh shumë të qartë mbështetjeje dhe partneriteti për të gjithë ju, në një javë ku jemi përqendruar në mënyrë të posaçme tek sipërmarrja. Së bashku me ministrin  e Ekonomisë kemi zhvilluar një sërë takimesh në terren me sipërmarrësit. Ndërkohë, Drejtorja e Doganave dhe Drejtorja e Tatimeve janë angazhuar në një komunikim intensiv me sipërmarrjet, për të forcuar dialogun, në kuadrin  e operacionit kundër informalitetit që ka hyrë në një fazë të re. Ne është themelore që të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe të identifikojmë çdo rrugë për të mbështetur prodhimin industrial dhe prodhimin për eksport, pasi jemi të bindur se kjo është një kolonë shumë e rëndësishme për të ndërtuar Shqipërinë që duam.

Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë tuaja dhe kjo e rrit edhe më shumë përgjegjësinë tonë, pasi një sërë çmimesh në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe jo vetëm sektori i mineraleve dhe lëndëve djegëse, por edhe më gjerë.

Nga ana tjetër, ne jemi të inkurajuar nga shifrat që tregojnë se, nëse do të zbresim efektin e çmimit të mineraleve dhe lëndëve djegëse, eksportet janë rritur me 5.2 % në 12 mujorin e viti që sapo lamë pas, krahasuar me një vit më parë. Kjo është një e dhënë shumë domethënëse, që padyshim flet për rimëkëmbjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të ekonomisë, por edhe për një potencial shumë të madh.

Duke parë dhe peshën më të madhe të kësaj rritjeje, ku eksportet e tekstileve dhe të këpucëve janë me 4,8 %, ushqimet, kryesisht produktet bujqësore, por jo vetëm, pijet, duhani me rreth 25 % dhe pajisje e pjesë këmbimi, të realizuara në vendin tonë, me 16.8 %, kemi dhe një tregues se duhet të fokusohemi edhe më shumë dhe t’ju mbështesim edhe më shumë, në mënyrë të posaçme për të nxitur një proces që ka filluar brenda industrisë tekstile dhe të prodhimit të këpucëve drejt ciklit të mbyllur.

Është një proces i domosdoshëm, për ta çuar në një nivel tjetër industrinë në këtë sektor.

Ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë mundësi ende për produktet ushqimore. Mjafton t’ju them disa shifra shumë domethënëse. Produktet e bulmetit janë rritur me 582 %, së bashku me mjaltin natyral. Prodhimet e tjera bujqësore, fruta dhe perime janë rritur me 133%, gjithmonë në raport me një vit më parë. Pëlhurat dhe fibrat janë rritur me 50 %. Ka një rritje interesante të artikujve të qelqit, rreth 65 % dhe të artikujve të gurit apo të allçisë me 32 %.

Ajo që po ashtu duhet shënuar, është se Shqipëria hyn ndër vendet me eksporte të rritura dhe ka eksportet më të larta në rajon, një tjetër faktor inkurajues me rëndësi.

Ashtu sikundër jemi shumë të inkurajuar nga disa të dhëna, të cilët tregojnë për rritje të konsiderueshme të eksporteve shqiptare me rajonin, ndërkohë që rritja  e përgjithshme nuk është vetëm me rajonin, por edhe me BE.

Eksportet me Kosovën janë më të larta se asnjëherë dhe janë rritur më shumë se asnjëherë, si vit pas viti. E kur kjo ndodh në kushtet e vështirësive të mëdha për shkak të tkurrjes së tregjeve, tregjeve botërore, tregjeve europiane, tregjeve rajonale, nuk mundet të mos ndihemi mjaft të inkurajuar.

Një tjetër e dhënë me rëndësi. Deri në vitin 2014, eksport-importet nuk shënonin rritje të ndjeshme në tregtinë e lirë në rajon. Në 2015 kemi një kapërcim shumë të ndjeshëm, me 30 %. Sigurisht, kjo lidhet me efektet e para të një politike të re që e ka përshirë rajonin pas çeljes së procesit të Berlinit dhe ne jemi në legjitimitet të plotë, krenarë për rolin që kemi luajtur dhe për faktin se kemi hedhur një hap të rëndësishëm konkret, për të mishëruar një vizion që i çel rrugë të reja sipërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese, apo edhe importuese.

Eksportet e  Shqipërisë drejt BE mbeten 40 % nën potencialin që kemi mundësi të shfrytëzojmë. Kjo është arsyeja pse që të gjithë këta tregues rritjeje, ne i shohim si shenja inkurajuese që na imponojnë jo vetëm të besojmë plotësisht te potenciali, por edhe të bëjmë gjithçka, bashkërisht, që ta shfrytëzojmë potencialin. 40 % nën potencialin optimal do të thotë një hapësirë dhe një tërësi mundësish që ne i kemi, që duhet t’i shfrytëzojmë me një impakt të jashtëzakonshëm në ekonomi.

Sigurisht që këtu lind domosdoshmërisht edhe pyetja se çfarë duhet të bëjmë ne, për t’ju ndihmuar që të sofistikoheni dhe të shumëllojshmërojmë produktet, gjë që fqinjët e kanë krijuar si shtrat vite më parë dhe vit pas viti kanë arritur që produktet që shesin kryesisht në Europë t’i kenë shumë më të shumëllojshme sesa i kemi ne.

Ju e njihni më mirë se ne dhe me siguri e dini më mirë sesa çfarë ne mund të arrijmë të lexojmë përmes shifrave tregun rajonal, por besoj se mund të na jepni një ndihmë të konsiderueshme në identifikimin e të gjitha mundësive që ne kemi për t’ju mbështetur.

Ju jeni dëshmitarë dhe keni parë efektet e qasjes së re fiskale dhe të administratës së re tatimore, – rimbursimi brenda 30 ditëve për fasonët dhe për eksportuesit dhe brenda 60 ditëve për bizneset e tjera, duke i dhënë fund gjithë atij kalvari të tmerrshëm vonesash dhe paparashikueshmërie në raport me TVSH-në, – ka dhënë efekte shumë pozitive dhe të shëndetshme në raportet e biznesit me shtetin.

Nga ana tjetër, përdorimi i TVSH-së së papaguar për të paguar detyrimet e tjera tatimore është një tjetër instrument që është përdorur gjerësisht nga ju dhe që ka rezultuar pozitiv.

Ne kemi hyrë në një fazë të re në administrimin tatimor e doganor dhe dua t’ju kërkoj edhe mirëkuptimin për çdo shfaqje dhe rast, kur kontrollet nuk janë në lartësinë e duhur për nga etika, për nga shpejtësia, për nga eficenca, për nga transparenca, por faza e re ku kemi hyrë, të jeni të bindur se shumë shpejt do të na sjellë në një situatë krejt të re me kontrollin e bizneseve mbi bazë risku, duke evituar vizitat abuzive, ato vizitat e famshme e të pafundme të tatimorëve nëpër subjekte.

Nga ana tjetër po punojmë për të unifikuar vizitat, për të shmangur tmerrin që në një kompani, gjithfarë agjencish dhe janë faktikisht 8 agjenci të ndryshme, përveç tatimeve, vijnë dhe bëjnë vizita për lloj-lloj historish dhe sigurisht që marrin kohë, stresojnë administratën tuaj, kanë edhe bishta nga mbrapa, jo rrallë. Do të vendosim rregullin që çdo kontroll do të bëhet vetëm një herë dhe kjo herë do të jetë kur të vijë kontrolli tatimor. Në rast se kontrolli tatimor i paralajmëruar do të zhvillohet në kompaninë tuaj, atëherë, me atë rast do të ftohen dhe agjencitë e tjera që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Kështu, agjencitë si mjedisi, shëndeti etj.. të jenë bashkë me tatimorët, që të mos keni 8 vizita nga gjithfarëlloj agjencish, me gjithfarëlloj pretendimesh.

Përsa i përket treguesve të ekonomisë, thjesht dua t’ju shpreh bindjen tonë se kemi arsye të forta të besojmë se rritja ekonomike këtë vit do të jetë mbi 3%. Por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm se ka një potencial shumë të madh, të pashfrytëzuar, duke filluar nga çlirimi i mëtejshëm i kreditimit të biznesit, duke vijuar intensivisht me lehtësimin e vazhdueshëm të biznesit nga pikëpamja e procedurave dhe e çdo mekanizmi që ka të bëjë me marrëdhëniet e biznesit me shtetin dhe institucionet e qeverisë.

Shumë faleminderit për praninë tuaj. Jemi këtu me 20 eksportuesit më të mëdhenj, por nga ana tjetër nuk kemi përjashtuar askënd, sepse jemi të bindur se fjala juaj do të jetë edhe në emër të të tjerëve, që mund të eksportojnë më pak se ju, por që ndeshem me të njëjtat probleme. Nëse ne i identifikojmë sëbashku, ashtu siç duhet, problemet me të cilat ju mendoni se ne duhet të merremi më intensivisht në këtë periudhë, patjetër që do t’i lehtësojmë të gjithë dhe jo vetëm juve që jeni këtu, në këtë tavolinë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.