Deklarata e Kryeministrit Edi Rama pas takimit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve John Kerry:
Përshëndetje të gjithëve!
Kjo vizitë e Sekretarit të Shtetit John Kerry e nis më së miri celebrimin e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ky fakt e bën të dyfishtë kënaqësinë time për praninë e sotme të Sekretarit mes nesh.
Ne shqiptarët, ndajmë me Shtetet e Bashkuara një histori të re marrëdhëniesh, shumë të ngushta, të cilat në prill të vitit të kaluar njohën një zhvillim të ri, përmes nënshkrimit në Washington të dokumentit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik.
Ky dokument, ka përcaktuar më së miri piketat për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në 10 vjeçarin e ardhshëm, në fushën e sigurisë, energjisë, sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjes, me një theks të posaçëm në fushën e ekonomisë.
Ne ndajmë plotësisht me Sekretarin Kerry, mendimin se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të luaj një rol kyç në rritjen e sigurisë së të gjithë hapësirës së Europës Adriatike. Në Europën e sfidave dhe dilemave të sotme, rajoni ynë ka një rëndësi të veçantë gjeostrategjike dhe shqiptarët janë një faktor kyç brenda tij.
Është e vetëkuptueshme se lidhja jonë speciale me Shtetet e Bashkuara na jep një besueshmëri dhe një përgjegjësi të posaçme në promovimin e paqes, rritjen e sigurisë dhe forcimin e demokracisë në këtë pjesë të Europës.
Prandaj, por natyrisht, jo vetëm për këtë, shqiptarët që të gjithë u janë besnikërisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara. Pa Shtetet e Bashkuara në krah, gjatë gjithë këtyre 25 viteve të jashtëzakonshme për historinë e vendit tonë, as Shqipëria dhe as shqiptarët në tërësi nuk do të ishin sot më të respektuar, se kurrë më parë në historinë e tyre.
Po ashtu, pa mbështetjen dhe këshillat e çmuara të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria nuk do të kishte bërë as në dy vitet e fundit kaq shumë progres në rrugën e reformave.
Ishte kënaqësi, por dhe krenari për mua sot, që ta informoja nga afër Sekretarin e Shtetit për përpjekjen e vështirë, por edhe shumë shpresëdhënëse, në frontin e gjerë të reformave modernizuese. Për rezultatet inkurajuese në luftën kundër krimit dhe drogës, për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, për rritjen ekonomike dhe goditjen e informalitetit, e kështu me radhë.
Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. Një reformë kyç për qëndrueshmërinë edhe rezultatet e çdo reforme tjetër dhe ecurinë në çdo fushë tjetër.
U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e kësaj reforme, që nga dita e parë e fillimit të përpjekjeve, si dhe konkretisht për punën e palodhur të ekspertëve amerikanë, krah për krah me ekspertët europianë dhe shqiptarë, në ekipin teknik të reformës.
Objektivi ynë i përbashkët, edhe për shkak të implikimeve të drejtpërdrejta që ecuria e reformës ka në procesin e integrimit europian, është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend të paketës së ndryshimeve kushtetuese.
Kam shumë besim se do t’ia dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me Shtetet e Bashkuara në krah, e bën krejtësisht të arsyeshëm optimizmin për sukses, në këtë ndërmarrje historike për Shqipërinë e shekullit të XXI.
Si miq, partnerë dhe aleatë të ngushtë, ne kemi punuar, jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me NATO-n, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Me Shtetet e Bashkuara nuk na ndan asgjë dhe na bashkon gjithçka.
Trupat tona do të vazhdojnë misionin e tyre në Afganistan, përkrah atyre amerikane, e do të qëndrojnë aty sëbashku me aleatin tonë të madh deri kur të jetë e nevojshme.
Me Sekretarin e Shtetit biseduam natyrisht edhe në lidhje me kërcënimin terrorist, dhe thellimin e bashkëpunimit tonë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, edhe si pjesë e koalicionit botëror kundër ISIS.
E informova Sekretarin për masat e fundit që ka marrë Shqipëria në këtë drejtim, për forcimin e kuadrit ligjor, për punën e agjencive ligjzbatuese, për miratimin së fundmi dhe fillimin e zbatimit të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për bashkëpunimin rajonal në këtë kuadër.
Po ashtu, pata kënaqësinë të ndaj me Sekretarin e Shtetit progresin e bërë në muajt që e kanë pasuar takimin me Presidentin Obama në Kombet e Bashkuara, lidhur me idenë tonë të programit të ri shkollor për njohjen e fesë. Kam bindjen se ky program do të jetë një sukses i përbashkët që do të sjellë progres të rëndësishëm, në aspektin më themelor të luftës ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, që është lufta për mendjet dhe për zemrat e gjeneratës së re.
Biseduam për bashkëpunimin dypalësh në fushën e zhvillimit ekonomik. Nga ana jonë kemi konstatuar me kënaqësi një rritje të interesit të kompanive amerikane ndaj Shqipërisë dhe do të mbështesim fuqimisht shtimin e pranisë së tyre në vendin tonë.
Një prej pikave të bisedës ishte siguria energjetike. E informova Sekretarin e Shtetit për ecurinë shumë pozitive të projektit tonë të ndërveprimit rajonal në këtë fushë dhe rolin që Shqipëria është gati të luajë, si një pikë ndërlidhëse këtu në Ballkan me tregun europian të energjisë, në veçanti nëpërmjet gazsjellësit Trans-Adriatik. Po ashtu, edhe për rëndësinë e veçantë që ne i japim shtrirjes së linjës së gazit, lart në korridorin Adriatiko-Jonian, si një domosdoshmëri strategjike, për integrimin rajonal, në kuadrin më të gjerë të integrimit europian dhe euroatlantik.
Jemi tejet të kënaqur që Mali i Zi është ftuar më në fund për tu anëtarësuar në NATO. Dëshirojmë shumë të njëjtën gjë edhe për Maqedoninë. Prandaj urojmë që Maqedonia të çlirohet sa më shpejt nga ngërçi që e mban bllokuar në rrugën e saj drejt NATO-s, e në ndërkohë të plotësojë çdo detyrim të saj lidhur me Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërsa Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun e tyre për të shkuar drejt normalizimit. Nuk është një dialog i lehtë, aq më pak është i lehtë implementimi i gjërave për të cilat bihet dakord gjatë dialogut. Por është pa diskutim e vetmja rrugë drejt suksesit për secilin dhe për rajonin në tërësi.
Ne do ta intensifikojmë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për konsolidimin e zhvillimit demokratik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje, si një parakusht i sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Në këtë kontekst, Kosova do të vijojë të ketë mbështetjen e dy aleatëve të saj më të ngushtë, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Edhe për këtë kapitull jemi optimist dhe me plot arsye, flas për rajonin. Edhe vetë kriza e refugjatëve ka nxjerrë në pah një ndërveprim të përforcuar të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky moment, vlen për të kuptuar që të gjithë, se sa e rëndësishme është që kjo pjesë e Europës, të jetë brenda Europës dhe që integrimi Europian i vendeve tona të mos shihet si rutinë, në vazhdën e një rruge që për Europën sot është më e komplikuar dhe me sfida shumë më të vështira.
Së fundmi, në rajonin tonë, rrjeti i bashkëpunimit nuk ka qenë asnjëherë më aktiv. Nismat më të reja në këtë drejtim do të jenë Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe Zyra e Bashkëpunimit Rajonal të të Rinjve që do ta kenë selinë këtu në Tiranë.
Tirana ka ambicien të jetë gjithnjë e më shumë zëri i paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në çdo plan, pa asnjë përjashtim të natyrës politike, etnike, fetare, kulturore.
Shumë faleminderit zoti Sekretar i Shtetit!
Nëpërmjet jush një falënderim i posaçëm për presidentin Obama, për angazhimin tuaj dhe kontributin aktiv, jo vetëm në funksion të paqes dhe stabilitetit në këtë kënd të Europës, por mbështetjen dashamirëse për Shqipërinë, për shqiptarët, çka e bën shumë më të plotë rolin tonë dinamik dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor.
Edhe një herë, faleminderit i dashur Sekretar!
SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT JOHN KERRY: MIRËMËNGJESI TË GJITHËVE, DHE SHUMË FALEMINDERIT ZOTI KRYEMINISTËR. ËSHTË NJË MUNDËSI VËRTET E VEÇANTË PËR MUA QË JAM SOT KËTU ME JU. NE JEMI TAKUAR. UNË KAM ADMIRUAR LIDERSHIPIN TUAJ. VLERËSOJ TEJ MASE KREATIVITETIN TUAJ, DHE VLERËSOJ THELLËSISHT MIKPRITJEN E NGROHTË QË NDJEHET, PREKET KËTU NË TIRANË DHE NË SHQIPËRI SOT, DHE JU JAM MIRËNJOHËS JU, MINISTRIT TË JASHTËM BUSHATI DHE GJITHË STAFIT PËR KOHËN QË PO NA DEDIKONI PËR TË NDARË SË BASHKU TË GJITHA IDETË QË SAPO PËRSHKRUAT NË DEKLARATËN TUAJ GJITHËPËRFSHIRËSE. PRESIDENTI OBAMA, UNË, DHE POPULLI AMERIKAN, JU JEMI SHUMË MIRËNJOHËS PËR LIDERSHIPIN TUAJ DHE PËR PËRPJEKJET E STAFIT TUAJ, JO VETËM PËR T’U KUJDESUR PËR INTERESAT E SHQIPËRISË DHE TË SHQIPTARËVE, POR PËR TË PËRQAFUAR NJË GAMË TË GJERË VLERASH QË NA PËRCAKTOJNË TË GJITHËVE NE, DHE QË BESOJ JANË NË FILLESË TË MIQËSISË SË MADHE MIDIS SHTETEVE TË BASHKUARA DHE SHQIPËRISË.
UNË JAM KËTU SEPSE NE JEMI MIQ, DUA TA NËNVIZOJ KËTË. NE JEMI ALEATË. KEMI INTERESA TË MËDHA TË PËRBASHKËTA, DHE KEMI BËRË SË BASHKU NJË RRUGËTIM SHUMË INTERESANT DHE SHUMË TË VEÇANTË NË MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE. ASHTU SIKURSE KRYEMINISTRI RAMA NA KUJTOI, PAS NJË MUAJI NE DO KREMTOJMË 25-VJETORIN E KËTYRE MARRËDHËNIEVE. ASHTU SI AMBASADORI YNË KËTU, Z. DONALD LU MË THA, MARRËDHËNIET TONA JANË JASHTËZAKONISHT TË SHËNDETSHME DHE TEJET TË NGROHTA, DHE NE JEMI TEJET MIRËNJOHËS PËR KËTË.
E DËGJOVA ME SHUMË VËMENDJE ZOTIN KRYEMINISTËR KËTË MËNGJES, DHE MENDOJ SE AI THA GJËRA TË RËNDËSISHME DHE KRIJOI MUNDËSI QË SHTETET E BASHKUARA DHE SHQIPËRIA TË PUNOJNË AKOMA MË NGUSHTË SË BASHKU. NE PO JETOJMË NË NJË KOHË SFIDASH SHUMË TË MËDHA GLOBALE. SHQIPËRIA I KA KUPTUAR KËTO SFIDA, DHE LIDERSHIPI JUAJ KA QENË SHUMË I RËNDËSISHËM NË NDIHMËN QË I KA DHËNË SHTETEVE TË BASHKUARA DHE TË TJERËVE QË TË KALOJË PROVAT E KOHËRAVE TONA: KËTË LUFTË KUNDËR EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM, PËRPJEKJEN PËR TË SHTREMBËRUAR NJË BESIM FETAR TË MADH DHE PËR TA PËRDORUR ATË, NË SHUMË RASTE, PËR QËLLIME KEQDASHËSE TË CILAT NUK KANË ASNJË LIDHJE ME ASNJË LLOJ BESIMI NË KËTË PLANET.
UNË SAPO MBËRRITA NGA MYNIHU, KU FOKUSI ISHTE BETEJA NË LINDJEN E MESME DHE NEVOJA PËR T’U BALLAFAQUAR DHE MPOSHTUR GRUPIN TERRORIST DAESH. DHE SIGURISHT, U DISKUTUA SHUMË, SIÇ E DINI TË GJITHË, NË LIDHJE ME NDIKIMIN E KËSAJ BETEJE NË SIRI, DHE NDIKIMIN E SAJ NË LIDHJE ME MIGRACIONIN NË TË GJITHË RAJONIN. NE E DIMË DAESH NUK MPOSHTET VETËM FALË ASAJ QË MUND TË BËJË NJË VEND I VETË, CILIDO QOFTË AI. DUHET NJË KOALICION I FUQISHËM, DHE NE E KEMI NDËRTUAR KËTË KOALICION, DHE SHQIPËRIA – E THEM KËTË ME KRENARI DHE MIRËNJOHJE – ËSHTË NJË ANËTARE THEMELUESE E KËTIJ KOALICIONI. SHQIPËRIA KA QENË NË TË QYSH PREJ FILLIMIT, E GATSHME PËR TË QËNDRUAR NË KRAH TË TË GJITHA VENDEVE QË KUNDËRSHTOJNË DAESH, DHE KRAH NESH NË MBËSHTETJE TË IRAKU. AJO PO QËNDRON KRAH NESH NË MBËSHTETJE TË AFGANISTANIT, DHE ËSHTË KRAH NESH NË BETEJËN AFATGJATË PËR TË NXJERRË NË PAH PËR TË GJITHË RËNDËSINË E TOLERANCËS PËR TË MARGJINALIZUAR EKSTREMIZMIN E DHUNSHËM, PËR TË KUPTUAR SE ËSHTË E RËNDËSISHME PËR TË GJITHË NE QË TË NDËRTOJMË SHOQËRI DHE KOMUNITETE KU JO TË GJITHË MUND TË JENË DAKORD ME MENDIMIN E TJETRIT, PO KU PIKËPAMJET E TJETRIT TOLEROHEN DUKE I OFRUAR ATIJ NJË JETESË BRENDA NORMAVE LIGJORE DHE MIRËSJELLJES NDËRKOMBËTARE.
SHQIPËRIA NUK ËSHTË VETËM NJË MIKE DHE NJË VEND QË KA TREGUAR NË SHUMË RASTE AFEKSIONIN E VEÇANTË NDAJ SHTETEVE TË BASHKUARA, POR AJO ËSHTË EDHE NJË ALEATE E NATO-S, DHE KY FAKT MBART PËRGJEGJËSI TË VEÇANTË PËR RAJONIN, DHE NE JU JEMI MIRËNJOHËS PËR ANËTARËSIMIN E SHQIPËRISË DHE PËR PARTNERITETIN NË KËTË ALEANCË.
GJATË TAKIMIT TË SOTËM, PATA RASTIN QË SË BASHKU ME KRYEMINISTRIN DHE MINISTRIN E JASHTËM TË RISHIKOJMË PROGRESIN E RËNDËSISHËM TË SHQIPËRISË, HAPAT REALË QË SHQIPËRIA PO NDËRMERR PËR T’IU PËRMBAJTUR PËRGJEGJËSIVE TË SAJ NË KUADRIN E KËSAJ ALEANCE DHE TË KËSAJ MIQËSIE, SI EDHE PËR TË BËRË GJËRAT QË VENDI DO TË BËJË DHE PËR TË CILAT ËSHTË ANGAZHUAR NË MËNYRË QË TË INTEGROHET MË THELLË NË INSTITUCIONET EURO-ATLANTIKE.
PROVA ËSHTË ABSOLUTISHT E QARTË, DHE SHQIPËRIA DUHET TË JETË SHUMË E KËNAQUR NGA KY FAKT, SEPSE VENDI JUAJ PO LËVIZ NË DREJTIMIN E DUHUR. JU JENI NË RRUGËN E DUHUR, DHE UNË KAM SHUMË BESIM SE ME SENSIBILIZIMIN QË LEGJISLACIONI JUAJ KA PASUR NË LIDHJE ME LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT, SIKURSE JAM I INKURAJUAR SI ÇDO KUSH TJETËR, QË REFORMAT TUAJA JANË NË RRUGË E SIPËR. PERSONALISHT JAM I IMPRESIONUAR NGA APROVIMI I LEGJISLACIONIT PËR TË NDALUAR FUTJEN NË SISTEMIN POLITIK TË KRIMINELËVE. KY ËSHTË NJË HAP I GUXIMSHËM DHE I RËNDËSISHËM PËR RRUGËN QË SHQIPËRIA KA NDËRMARRË. JAM SHUMË I INKURAJUAR NGA PAKETA PËR REFORMËN NË DREJTËSI, E CILA TANI PO SHQYRTOHET PËR TË PËRMIRËSUAR SISTEMIN GJYQËSOR DHE PËR T’I DHËNË NJË GODITJE TJETËR KORRUPSIONIT.
DHE DUA TË NËNVIZOJ KËTU, SE KJO ËSHTË DIÇKA QË LIDERSHIPI JUAJ PO PËRQAFON DHE PËR TË CILIN PO PUNONI FORT, DHE JAM I BINDUR SE JENI ANGAZHUAR NË LUFTËN PËR NJË QEVERISJE MË TË PËRGJEGJSHME, DHE KJO KËRKON MBËSHTETJEN E ÇDO SHQIPTARI. SHTETE E BASHKUARA JANË ABSOLUTISHT TË GATSHME, DHE UNË JAM KËTU PËR TË RIPOHUAR NË EMËR TË PRESIDENTIT OBAMA, SE NE JEMI SË BASHKU ME JU NË KËTË TRANSFORMIM DHE NË KËTË UDHËTIM.
POR NË FUND, VETËM SHQIPTARËT MUND TË IMPLEMENTOJNË LIGJET E DUHURA DHE TË KËMBËNGULIN PËR ZBATIMIN E TYRE EFEKTIV. UNË E DI KËTË NGA PËRVOJA PERSONALE TË CILËN IA TREGOVA DHE ZOTIT KRYEMINISTËR, PËRGJATË RRUGËTIMIT TIM SI PROKUROR I RI NË SHTETIN E MASSACHUSETTS-IT NË AMERIKË, DHE E DI SE ËSHTË E VËSHTIRË TË PËRBALLESH ME KËDO QË LUMTURINË E KA GJETUR DUKE MOS MARRË PËRGJEGJËSITË QË KA NDAJ TË GJITHË KOMBIT DHE DUKE U PËRFSHIRË NË AKTIVITETE KORRUPTIVE. POR SADO E VËSHTIRË TË JETË, JAM I BINDUR SE Z. KRYEMINISTËR DHE QEVERIA JANË TË ANGAZHUAR TË NDJEKIN RRUGËN E CILA DO TË GARANTOJË SE E ARDHMJA E SHQIPËRISË DO TË JETË AJO E NJË PARTNERITETI TË PLOTË ME EUROPËN DHE ME PJESËN TJETËR TË BOTËS, SI EDHE E BEGATISË DHE MUNDËSIVE MË TË MIRA PËR TË GJITHË POPULLIN SHQIPTAR.
POPULLI I KËTIJ VENDI E DI SHUMË MIRË, DHE DËSHIRON TË JETOJË NË NJË VEND KU SHTETI I SË DREJTËS KA PIKËRISHT KËTË KUPTIM, ËSHTË SHTETI I SË DREJTËS, DHE GJYQTARËT DHE PROKURORËT I NËNSHTROHEN TË NJËJTAVE RREGULLA SI ÇDO QYTETAR TJETËR I ZAKONSHËM, DHE SE ÇDOKUSH TRAJTOHET NË MËNYRË TË BARABARTË, PAVARËSISHT SE CILA PARTI POLITIKE ËSHTË NË PUSHTET, DHE KUSH I PËRKET CILËS PARTI, PAVARËSISHT POLITIKAVE QË NDIQEN.
DUA TA PËRSËRIS, SHQIPËRIA KA BËRË NJË RRUGË TË GJATË KËTË ÇEREK SHEKULLIN E FUNDIT, DHE ASHTU SIKURSE NJERËZIT E VENDIT TIM MUND TË DËSHMOJNË, KËRKOHET SHUMË MUND. NUK ËSHTË E LEHTË TË NDËRTOSH DEMOKRACI TË FORTA, DHE ËSHTË NJË PUNË QË KËRKON SHUMË DEKADA, DHE SINQERISHT KJO PUNË NUK MBARON KURRË. NE JEMI ENDE DUKE PUNUAR PËR TË PERFEKSIONUAR DEMOKRACINË TONË. EDHE NE KEMI SFIDAT TONA, POR GJËJA MË E RËNDËSISHME ËSHTË QË RRETH TYRE DUHET TË FLISNI HAPTAZI DHE TË BASHKËPUNONI PËR TË ADRESUAR SHQETËSIMET E NJERËZVE.
SHQIPËRIA KA BËRË PËRPARIM DOMETHËNËS, DHE ËSHTË QARTËSISHT E ANGAZHUAR – PËR KËTË S’KA PIKË DYSHIMI – PËR TË ARRITUR MË SHUMË, DHE PËR KËTË SHQIPËRIA MUND TË MBËSHTET TEK MIQËSIA DHE NDIHMA E POPULLIT AMERIKAN DHE E QEVERISË SONË. MË DUHET TË THEM SE UNË KAM SHUMË MIQ ME PREJARDHJE SHQIPTARE NË AMERIKË, TË CILËT MË THONIN GJITHMONË: DUHET TË SHKOSH NË SHQIPËRI, DUHET TA VIZITOSH. MË VJEN KEQ QË KJO ËSHTË NJË VIZITË KAQ E SHKURTËR. DO VIJ PRAPË, POR JU PREMTOJ SE KJO MARRËDHËNIE E VEÇANTË MES SHTETEVE TË BASHKUARA DHE SHQIPËRISË DO VAZHDOJË TË RRITET DHE FORCOHET. JU FALËNDEROJ, Z. KRYEMINISTËR PËR KËTË MIRËSEARDHJE TË PARË KAQ TË NGROHTË DHE DASHAMIRËSE NË SHQIPËRI.
FALEMINDERIT!