Qytetarët çdo ditë e më tepër po sensibilizohen për vlerat e check-up-it falas. E kjo jo vetëm në kryeqytet. Përveçse, të lehtësuar nga kosto financiare e kontrollit bazë të shëndetit, ata tashmë mund të evidentojnë dhe parandalojnë sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën, të gjitha këto përmes analizave të realizuara me cilësi dhe standarde të larta.
Qendra shëndetësore nr.7 në Shkozet, të Durrësit pret çdo ditë qytetarë të interesuar për të kryer check-up-in falas. Kjo qendër i shërben një popullsie prej rreth 20.000 banorë, nga të cilët 5817 janë të grupmoshës 40-65 vjeç.
Për të parë ecurinë e këtij procesi në një ditë të zakonshme pune, ishte sot në qendrën shëndetësore të Shkozetit, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Nga evidencat mjekësore të qendrës, rreth 1000 qytetarë e kanë kryer check-up falas, nga ku shumë prej të cilëve kanë zbuluar se vuanin nga sëmundje për të cilat nuk ishin në dijeni.
Zonja Sadete Alla, banore e zonës, 63 vjeç pas kryerjes së check-up në muajin janar, është diagnostikuar me diabet dhe tani ajo vazhdon trajtimin pranë mjekut specialist.
Ndërsa zonja Sofika Rupi, 56 vjeç e ka bërë check-up falas në këtë qendër, në muajin dhjetor të vitit kaluar. Ajo zbuloi se vuante nga një formë anemie, për të cilën u drejtua tek mjeku hematolog, për të marrë mjekimin përkatës.
Por kontrolli bazë, pasohet tashmë nga një hap i dytë madhor drejt mbulimit universal në shëndetësi. Nga data 1 shkurt vizita shëndetësore te mjeku i familjes është falas edhe për personat e pasiguruar, të cilët deri dje e përfitonin këtë vizitë kundrejt tarifës prej 1000 lekësh.
Një qytetar i cili po kryente check up në qendër dhe ndërkohë ishte i pasiguruar, u shpreh mirënjohës për këtë masë e cila e lehtësonte shumë nga tarifat që duhet të paguante më parë. “Ndryshimet dallohen që nga porta kur hyn brenda dhe nuk paguan. Si person i pasiguruar që jam nuk mund t’i përballoj dot tarifat. Tani është çdo gjë falas. Check up është falas. Ju jemi mirënjohës.”
Drejtori i qendrës shëndetësore, mjeku i përgjithshëm Servet Hyra informoi se ecuria e check-up falas po shkon shumë mirë dhe se rastet e zbuluara në varësi të shkallës së sëmundjes, po kurohen aty ose i referohen mjekut specialist.
Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj shpjegoi hollësisht procesin e realizimit të check-up falas, i cili bëhet në mënyrë profesionale, sipas standardeve të mjekësisë bashkëkohore. “Këtu, pasi bëhet një përpunim paraprak, rreth orës 12 çdo ditë vijnë mjetet e operatorit privat që i marrin mostrat për ti dërguar në laborator. Praktikisht janë rreth 40 mjete që punojnë në të gjithë vendin dhe që përshkojnë çdo ditë rreth 6100 kilometra. Për çdo person, ne prodhojmë rreth 49 analiza të tilla.
Rezultatet e këtij kontrolli nuk marrin përsipër të përcaktojnë diagnozën. Këto rezultate i marrin mjekët e familjes për çdo qytetar të tyre. Mund të ndodhë që një parametër mund të dali jashtë normave për disa arsye, që lidhen me një gjendje virusale që mund të jetë duke kaluar qytetari, me një ngarkesë apo stres që mund të ketë patur, me një problem që mund të jetë i lidhur me ushqimin në ditë të caktuara para se të vijë për analizë dhe prandaj këtu vijnë në nivel dyshimesh dhe pastaj i ndjekin në vijimësi. Pas 10-12 ditësh operatori kthen përgjigje. Është një dokumentacion prej 15 faqesh që rri në letër, në arkivin që ka mjeku i familjes për qytetarët e tij dhe është i vendosur në regjistrin elektronik të kontrollit bazë, ku janë të gjithë qytetarët.
Kjo ka dy avantazhe, një njohje të mirë të situatës sëmundshmërisë së gjithë situatës dhe një njohje konkrete që pastaj u krijon mundësi mjekëve që të vazhdojnë në mënyrë të shenjestruar. Duke qenë se në Durrës ne po të zbatojmë recetën elektronike, çdo mjek i parësorit në Durrës i ka në kompjuterin e vet. Pra që nga java e ardhshme rezultatet e check up të qytetarëve të tij nuk ka nevojë të vijë e ti marri në kabinet, por që nga java e ardhshme do ti ketë në kompjuterin e vet. Dhe do ti ndjekë në vijimësi. Edhe për ata që nuk janë të siguruar, nga 1 shkurti edhe tarifat e nevojshme në spital të Durrësit, në QSUT janë 7-8 here më lirë.”
Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se me masat e ndërmarra në vijimësi po shënohet progres drejt arritjes së objektivit madhor të mbulimit universal në sistemin shëndetësor. “Me progresin që kemi bërë nuk kemi vetëm kontrollin bazë falas por kemi dhe mjekun e familjes falas. Po të krahasojmë sot tarifat në spital për ata që janë të siguruar dhe ata që janë të pasiguruar diferenca është shumë e vogël. Pra po shkojmë drejt projektit tonë. Analizat janë absolutisht të standardeve europiane.” – u shpreh Kryeministri Rama.