Check up-i falas, po vijon të aplikohet nga qytetarët në të gjitha qendrat shëndetësore, pranë vendbanimeve të tyre.
Programi kombëtar i kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, në grupmoshën 40–65 vjeç, fton 900 mijë shqiptarë, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.
Check-up-i është hapi i parë konkret, drejt Mbulimit Universal, objektivit madhor të programit të qeverisë në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, për të parë nga afër zbatimin check-up në kabinetet e kësaj qendre të parashikuara për këtë qëllim.
Qendra shëndetësore nr.10, është qendra më e madhe në Tiranë që mbulon një zonë prej rreth 80 mijë banorësh, të njësive bashkiake 3 dhe 4, në kryeqytet, nga të cilët 20 mijë janë të grupmoshës 40-65 vjeç. Personeli prej 114 mjekësh, shërben me përkushtim të plotë gjatë gjithë ditës, me dy turne.
Kryeministri u takua dhe bisedoi me mjekët e qendrës dhe qytetarë të rastësishëm që ndodheshin aty për bërë check-up, shumica prej të cilëve për herë të dytë. “Është hera e dytë që e bëj check up. Analizat më kanë dalë shumë mirë”, tha një qytetare, e cila u shpreh e kënaqur edhe me punën e stafit mjekësor.
Të sensibilizuar për rëndësinë e kontrollit bazë shëndetësor, për qytetarët është lehtësim fakti që ky kontroll është falas. “Unë e bëj për herë të parë. Meqë kam qenë pak pa qejf vendosëm të bëjmë check up. Fatmirësisht është falas, është një shërbim që ofrohet nga shteti dhe duhet bërë.”, u shpreh një qytetare.
Doktoresha Rudina Gjini, duke shpjeguar procesin, bëri të ditur se interesi i qytetarëve është në rritje dhe numri i atyre që realizojnë check- up sa vjen dhe shtohet. Mjekja u shpreh se një punë të rëndësishme bindëse në këtë drejtim kanë realizuar edhe mjekët. “Qendra jonë është qendra më e madhe në Tiranë, me një personel prej 114 vetash. Kemi një popullatë prej 80 mijë banorësh, ku përfshihen dy njësi bashkiake 3 dhe 4. Pjesëmarrja sa vjen e shtohet. Muajt e parë patëm probleme sepse njerëzit nuk e kuptonin që mund të shkohet tek mjeku edhe kur je i shëndetshëm. Është hera e parë që bëhet profilaksi në Shqipëri. Kjo është gjëja më e mirë dhe ne që jemi mjekë e kuptojmë rëndësinë e kësaj vlere. Po mundohemi ta thyejmë mentalitetin.”
Një mjeke tjetër u shpreh se në kabinetet e check up, bënin kontrollin bazë, mesatarisht 12 qytetarë në ditë, të cilët mbeten të kënaqur nga shërbimi. “Çdo ditë secila nga dhomat ka një mesatare ditore prej 12 vetash. Ka fluks. Kur mbaron puna, bëhet procedura e rregullt dhe qytetarët janë të kënaqur.”, u shpreh mjekja.
Për të shmangur pritjen e qytetarëve, çdo gjë zhvillohet sipas një programi prenotimesh. “Kemi një fletë që prenotojmë. Bëjnë prenotimet dhe qytetarët vijnë sipas orarit që kemi caktuar që të mos krijohet konfuzion.” tha një tjetër mjeke.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëpërmjet check up krijohet për herë të parë, një bazë të dhënash shumë e rëndësishme për të vijuar punën për sistemin e shëndetësisë me mbulim universal.
“Ne jemi shteti i vetëm në rajon dhe në Europë që nuk kemi një kartelë shëndetësore të popullatës dhe duke mos patur të tilla, nuk dimë se cila është situata e përgjithshme dhe kush janë sëmundjet më problematike, çfarë duhet të bëjmë me politikat më tej, etj.
Kjo është vendosja e një bazë të dhënash për herë të parë, pas 20 e kusur vitesh, se para 20 e kusur vitesh edhe lopët, edhe delet kishin kartelën e tyre. Kurse këtu gjithçka u zhduk. Do të ishte mirë ta bënim për të gjithë popullsinë, por jemi fokusuar tek grupmosha 40-65 vjeç sepse aty shfaqen zakonisht problemet e fillesave me sëmundjet. Besoj që të gjithë kanë të mirën që informohen, por është edhe një e mirë e përbashkët, sepse krijojmë një bazë të dhënash për herë të parë dhe mbi atë bazë të dhënash bëjmë dhe politikat që na duhen. Pa këtë bazë të dhënash nuk e bëjmë dot sistemin e shëndetësisë me mbulim universal, d.m.th. falas për të gjithë ata që s’kanë mundësi.” – u shpreh Kryeministri.
Kontrolli bazë shëndetësor përfshin vlerësimin e riskut shëndetësor për 7 çështje të rëndësishme të shëndetit të çdo qytetari. Ato janë: 1) Hipertensioni arterial; 2) Obeziteti; 3) Duhanpirja; 4) Kolesteroli; 5) Dieta e varfër; 6) Inaktiviteti fizik; 7) Përdorimi i alkoolit. Gjithçka që evidentohet gjatë kontrollit regjistrohet në dosjen elektronike shëndetësore, dhe më tej, në varësi të vlerësimit të riskut, bëhet komunikimi i tij, dhe fillon procesi i menaxhimit të riskut.