Brenda disa muajsh, në Vlorë do të mund të ankorohen për herë të parë anije të mëdha turistikë. Falë një investimi prej 15 milionë eurosh të qeverisë shqiptare është në fazën e zbatimit projekti për rehabilitimin e plotë të portit, duke përfshirë thellimin e basenit aktual dhe ndërtimin e dy kalatave shtesë që rrisin ndjeshëm kapacitetet përpunuese.
Gjatë inspektimit të fazës së parë të punimeve, Kryeministri Rama theksoi se me ndërtimin në hapësirat e portit edhe të një port jahtesh, do të rritet ndjeshëm fuqinë tërheqëse të Vlorës si një qendër turistike.
“Porti i Vlorës është konceptuar si pjesë e projektit të Lungomares, që vazhdon nga porti drejt Pyllit të Sodës. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i një porti jahtesh, ndërsa Rruga e re Transballkanike, e cila ka përfunduar, do të ketë edhe një segment të dytë që nis nga rruga ekzistuese deri në port”, – u shpreh Kryeministri.
Rehabilitimi i plotë i portit, i cili parashikohet të përfundojë, brenda vitit përfshin edhe ndërtimin e një sheshi kryesor mallrash dhe një terminali modern udhëtarësh. Falë këtij investimi, Vlora do të ketë për herë të parë një port modern mallrash dhe udhëtarësh, i cili do të shndërrohet në një katalizator të zhvillimit ekonomiko-turistik të të gjithë rajonit.
Kryeministri Rama shoqërohej në vizitën e tij në Portin e Vlorës nga Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Krahas portit, në dy vitet e fundit, qeveria ka zbatuar një numër projektesh madhore në Vlorë, si Unaza Jugore e Energjisë, investim i përfunduar prej 49 milionë eurosh, avancimi i punimeve për përfundimin e rrugës Transballkanike, si dhe vazhdojnë punimet në projektin e Lungomares, një projekt pjesë e strategjisë së integruar të zhvillimit ekonomik dhe social të qytetit.