Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Sot qeveria miratoi projektligjin për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë. Duke i hapur kështu rrugë një procesi themelor në përpjekjet tona shtetformuese. Për t’i dhënë fund njëherë e mirë errësirës së informacionit por mbi të gjitha mungesës së shërbimit për të gjithë ata shqiptarë që kanë ndërtuar jetën e tyre, me familjet e tyre jashtë Shqipërisë.

Ky është një proces mjaft i rëndësishëm në kuadër të një procesi tjetër për krijimin e regjistrit unik të shtetasve dhe të adresave, i quajtur “Popullimi”. I cili do të konsistojë, përveç përmirësimit të sistemit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sa i takon regjistrit të Gjendjes Civile dhe regjistrit të adresave, edhe një proces i cili do të shkojë derë më derë të çdo familje shqiptare, për të bërë popullimin e dy regjistrave dhe për të bërë në një, për t’i dhënë fund dyshimeve apo mungesës së informacionit që kemi pasur në këto 20 e kusur vite, për sa shqiptarë jemi brenda vendit dhe se ku banojmë.

Nga ana tjetër, krijimi i regjistrit të posaçëm për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke iu kthyer borxhin që i ka shteti emigrantëve, të cilët kanë kontribuuar në mënyrë të qenësishme për zhvillimin e vendit tonë, të cilët kontribuojnë ende për zhvillimin e Shqipërisë dhe të cilët mbajnë lidhje konstante dhe intensive me vendin e tyre. Duke krijuar regjistrin e shtetasve që jetojnë jashtë Shqipërisë, dhe duke bërë ç’është e mundur për t’i dhënë shërbime në adresën ku banojnë.

Kemi ideuar një proces, që barrën dhe detyrimin e përgjegjësisë për të bërë regjistrimin e emigrantëve e ngarkon tek shteti.

Ajo që kërkohet nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është vetëm iniciativa për të dhënë informacionin pranë, qofshin zyrat konsullore apo institucionet në vendin tonë apo me një mekanizëm fare të thjeshtë për regjistrimin online të adresës.

Barra e konfirmimit të adresës, e konfirmimit të informacionit dhe e mbajtjes së lidhjes konstante me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit i takon shtetit shqiptar, institucioneve shqiptare.

Pra, ne kemi krijuar një mundësi që zhbën errësirën 20 e kusur vjeçare dhe mungesën e shërbimeve 20 e kusur vjeçare ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilëve iu jemi të gjithë borxhlinj.

Është hera e parë në 25 vjet, që shteti dhe shoqëria i kthejnë borxhin mbrapsht, duke i krijuar një mundësi për t’i regjistruar dhe duke i krijuar një mundësi maksimale për ti dhënë shërbime në shtëpitë e tyre. Shërbimet fillojnë që nga shërbimet bazike konsullore dhe për dokumentacionin zyrtar që i shërben emigrantëve në shtetet ku jetojnë, deri tek shërbimet që deri më sot i kanë marrë duke ardhur në Shqipëri, duke konsumuar para, duke konsumuar kohë dhe duke e bërë tejet të vështirë lidhjen me vendin.

Ne po zhdukim të gjithë këto barriera, duke krijuar një mundësi teknologjike për të regjistruar shtetasit shqiptar nga njëra anë, dhe për t’i dhënë shërbime në shtëpinë e tyre nga ana tjetër.

Këtu, pa asnjë dyshim, futet edhe shërbimi themelor që duhet t’i garantojmë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, që është e drejta e votës.

Është një premtim i vazhdueshëm që ka dalë në sipërfaqe sa herë politika është kujtuar për emigrantët. Kjo qeveri, hedh hapin e parë konkret për të garantuar të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke i regjistruar, duke ditur ku jetojnë, krijojmë premisën kryesore për të garantuar që shtetasit shqiptar të kontribuojnë për jetën politike në vend, të kontribuojnë për klasën politike në vend, të kontribuojnë për fatet e vendit, duke vendosur fatet e të ardhmes nëpërmjet ushtrimit të të drejtës së votës.

Një premtim të cilin e trashëgojmë prej kohësh, por që është kthyer në një angazhim konkret dhe hapa konkret të kësaj qeverie për të garantuar një herë e mirë të drejtën e votës për emigrantët shqiptar.

Ky ligj që u miratua sot në qeveri, hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve që do të jepen për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, përfshirë këtu edhe gurin e themelit apo hapin e parë për garantimin e të drejtës së votës.

Ministria e Punëve të Brendshme sëbashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe institucionet e tjera do të punojnë për të ndërtuar të gjithë diapazonin e sistemit dhe të shërbimeve që do të jepen për emigrantët.

Thirrja ime për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është vëmendje, iniciativë dhe ndihmë për të bërë ç’është e mundur që këtë proces ta çojmë deri në fund me sukses. Ajo që kërkohet sot nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është të regjistrohen. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kërkohet prej tyre që të japin informacionin e tyre kur të kontaktohen nga strukturat shtetërore.

Barra për të përfunduar këtë sistem dhe për të garantuar shërbimet mbetet e jona. Kjo është e vetmja rrugë dhe e vetmja mënyrë për të garantuar dhe për t’i kthyer mbrapsht emigrantëve borxhin që i ka shoqëria dhe shteti shqiptar në 25 vjet.

Faleminderit!

 

Deklaratë për shtyp e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati:

Siç e tha dhe Ministri i Brendshëm, ne sot kemi miratuar në qeveri këtë nismë legjislative të cilën shpresojmë që shumë shpejt Kuvendi do ta mbështesë. Është një nisëm mjaft e rëndësishme, jo thjesht për evidentimin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, por mbi të gjitha është tregues i qartë i vullnetit politik që ka qeveria jonë, mazhoranca jonë, për t’i kthyer mbrapsht borxhin që ka Shqipëria ndaj shtetaseve të vet që kanë kontribuuar për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit gjatë këtyre 25 vjetëve.

Por ky nuk është thjesht një akt i veçuar i qeverisë shqiptare. Po kaq e rëndësishme do të jetë dhe 2016-ta për sa i përket shërbimeve konsullore, të cilat falë vullnetit të qeverisë shqiptare dhe falë një fondi mbështetës, në fund të këtij viti, të gjitha shërbimet konsullore do të jenë të dixhitalizuara, për të rritur më tej transparencën ndaj bashkëkombësve tanë, për të kufizuar dhe evituar në maksimum rastet abuzive të shpërdorimit të detyrës në ofrimin e shërbimeve, të cilat janë edhe sot e kësaj dite për fat të keq prezentë. Kjo qeveri është e vetëdijshme që gjendja nuk është më e mira e mundshme, apo ajo çka ne dëshirojmë. E gjithashtu përmes dixhitalizimit të shërbimeve konsullore që do të mbyllet si proces gjatë këtij viti, ne synojmë të ndihmojmë edhe procesin e identifikimit dhe evidentimit të shtetasve shqiptar kudo ku ato jetojnë. Për të shkuar gradualisht drejt jetësimit të të drejtës së votës dhe marrjes pjesë në vendimmarrjet kryesore në Shqipëri.

Po kështu, sot qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen me BERZH-in, për investime masive në bujqësi dhe zhvillimin rural. Është marrëveshja e parë që një qeveri e rajonit apo shtet i rajonit ka me BERZH-in, në këtë natyrë dhe në këtë gamë çështjesh.

Bëhet fjalë për krijimin e miratimit të një mekanizmi kombëtar që do t’i krijojë mundësi aktivizimi të kapitalit të bankave të nivelit të dytë për tre vitet e ardhshme deri në 300 mln euro. Garant për këtë kapital dhe për këto investime në bujqësi dhe në fushën e zhvillimit rural, do të jenë qeveria shqiptare dhe BERZH-i, me marrëveshjen që është firmosur sot.

Pra, kjo nuk është një marrëveshje në kuptimin formal të fjalës diplomatike, apo që është objekt i së drejtës ndërkombëtare, është një nga ato marrëveshje të rëndësishme, që ne presim mbështetjen e shpejtë të Kuvendit të Shqipërisë, për t’i hapur rrugë krijimit të mekanizmit kombëtar të garancisë, ku të gjithë palët do ta ndjejnë veten të realizuar.

Nga njëra anë investitorët në bujqësi, bankat e nivelit të dytë që do të aktivizojnë kapitalet, qeveria shqiptare dhe BERZH-i, të cilët do të qëndrojnë garant të investimeve që do të realizohen tre vitet e ardhshme në Shqipëri.

E ritheksoj, kjo është marrëveshja e parë që BERZH-i firmos me një nga vendet e rajonit tonë që është përkatësisht vendi ynë dhe është një marrëveshje e cila do të nxisë jo vetëm një zhvillim të qëndrueshëm, në bujqësi, por nga ana tjetër, synojmë që përmes kësaj marrëveshjeje të rrisim eksportet, të rrisim punësimin dhe kësisoj të zvogëlojmë hendekun që ekziston ndërmjet rajonit tonë dhe vendit tonë dhe kërkesave që duhet të plotësohen dhe në fushën e bujqësisë si një fushë shumë e rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit europian. Prandaj, në emër të qeverisë shqiptare, për të dy nismat që ne miratuam sot, shprehim besimin që Kuvendi i Shqipërisë do t’i mbështesë në një afat sa më të shpejtë në mënyrë që të fillojnë dhe të prodhojnë efekte konkrete në praktikë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.