Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, në mbyllje të vitit 2015:

Mirëdita!

Kjo është konferenca e fundvitit dhe si e tillë është e hapur për të gjitha pyetjet. Por përpara se t’u jap fjalën për pyetjet tuaja, dua të bëj një parashtrim të disa temave që lidhen me përpjekjet dhe me arritjet tona të deritanishme.

·         Një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët

 

Dua ta nis me një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët shqiptarë që bëjnë veprimtari transporti me Italinë, të cilët prej 25 vjetësh vuajnë mbi kurriz barrën e një taksimi krejtësisht të padrejtë që ka mbetur në raport me mallrat që shkojnë në Itali nga Shqipëria, qysh në mesin e shekullit të shkuar. Një absurditet i plotë, ku Shqipëria ka mbetur nën këtë regjim absurd taksimi së bashku me dy vendet e tjera të Lindjes së Mesme.

Është bërë një përpjekje e vazhdueshme në këto vite, por asnjëherë nuk është arritur që kamionistët tanë të çlirohen nga kjo barrë.

Unë kam patur sot një komunikim me Kryeministrin italian, i cili ishte këtu, fiks një vit më parë. Kam marrë lajmin e gëzuar për kamionistët dhe të shumëpritur për të gjithë atë komunitet, se më në fund, qeveria italiane ka kaluar një vendim, i cili tanimë është depozituar në parlamentin italian, për heqjen e kësaj takse, një barrë 500 euro për çdo kamion që hyn dhe del në Itali nga Shqipëria.

Pasi të kalojë dhe procedurat parlamentare, ky hap kthehet në ligj. Ndërkohë, qeveria italiane, bashkë me vendimin, ka depozituar edhe mbulimin financiar të shumës që do t’ju hiqet nga shpina kamionistëve tanë. Pra, është një zotim i mbajtur nga ana e Kryeministrit italian, të cilit në mënyrë të vazhdueshme ia kam kujtuar se nuk mund të kalojë edhe një vit tjetër pa finalizuar këtë zgjidhje.

 

·         Ekonomia

Sot, ne jemi në kushtet kur mund të themi me bindje se kemi hyrë në një fazë të ndërmjetme të projektit tonë të madh të reformave shtetndërtuese dhe të transformimit të sektorëve të jetës së vendit në sektorë të çliruar nga kanceri që ishte kapur dhe po i asfiksonte pa përjashtim. Është ndalur një hemorragji e madhe në të gjitha organet jetike të organizmit të jetës së vendit dhe ka filluar ku në mënyrë më të dukshme, ku në mënyrë ende jo të dukshme, por qartësisht të ndryshme, një rimëkëmbje e gjithanshme.

Duke e nisur me ekonominë, që është edhe pjesa që ju intereson drejtpërdrejtë dhe më shumë të gjithëve, por që është edhe pjesa më e vështirë, pasi ndërthur brenda të gjithë komponentët e tjerë, dua të them se; Kemi realizuar objektivin për të vazhduar rritjen e qëndrueshme dhe jemi besimplotë se viti i ardhshëm do të jetë viti i një kapërcimi përtej 3%-it të rritjes ekonomike.

Nga ana tjetër, pikërisht sepse jemi në një proces ku reformat kanë filluar të japin rezultate, ia kemi dalë të zerojmë taksën për 83.500 biznese të vogla me xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë, si dhe të përgjysmojmë taksën për 15.900 biznese të tjera me xhiro vjetore 50-80 milionë lekë, rezultat i drejtpërdrejtë i operacionit kundër informalitetit, që na ka dhënë arsye shumë të forta për të qenë të inkurajuar fuqimisht në vazhdimin e këtij procesi shtetndërtues.

Kemi shlyer mbi 600 milionë dollarë borxhe të prapambetura dhe të fshehura nga qeveria e kaluar në të gjithë sektorët për punë, apo shërbime të kontraktuara, punë publike, arsim, energji, transport, kulturë, bujqësi, drejtësi, e me radhë. Si dhe kemi shlyer të gjitha borxhet e akumuluara dhe të fshehura ndaj njerëzve në nevojë.

Zëvendësimi i menjëhershëm i takës së sheshtë me taksimin e ndershëm i ka kursyer që në fillim të gjithë qytetarëve që paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale nga rroga e tyre në shtet, ose në privat, 230 dollarë në vit dhe nga ulja e kësaj takse, 97% të shqiptarëve është përfituar një pagë mesatare e rritur 7.5%. Është rritja më e lartë e pagës krahasuar me shumë vite të shkuara të mbledhura së bashku.

Ndërkohë që për kategoritë mësues, policë, infermierë e punonjës të tjerë në sferën publike, është përcaktuar edhe mundësia e rrogës së 13-të. Pra, nuk është për të brohoritur, por është absolutisht për të pasur një besim të plotë se rruga është ajo e duhura dhe se në këtë proces reformash dhe mbledhjesh të rezultateteve nga reformat, mundësitë do të jenë më shumë dhe ende më shumë vit pas viti.

Në vetëm 1 vit, kemi rritur të ardhurat e mbledhura nga tatimet e doganat më shumë se në 5 vitet e fundit të qeverisjes së shkuar, të marra së bashku. Këtë vit kur kemi pasur një mospërputhje mes parashikimeve, pra planit tonë dhe të ardhurave reale, dua ta theksoj se kemi mbledhur 242.2 milionë euro më shumë se në vitin më mirë, – vitit 2012, – i mbledhjes së të ardhurave në 8 vitet e qeverisë së shkuar.

Dua këtu të rinënvizoj se mospërputhja është qartësisht e analizuar dhe është qartësisht e bazuar tek një sërë faktorësh objektivë dhe konjukturash ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çmimet dhe me tregun, të cilat as nuk mund t’i parashikonim një vit më parë dhe as nuk mund t’i ndalonim si qeveri shqiptare.

Sot, regjistrojmë 45.600 biznese të reja aktive në 2 vitet e fundit, të shtuara. Nga ana tjetër sot kemi qetësinë, por dhe krenarinë të shikojmë drejt e në sy sipërmarrjen, jo vetëm për borxhet e shlyera, duke nënvizuar këtu se sasia e mbetur e borxhit nuk është pamundësi e jona financiare, por është pamundësi dokumentare nga ana e sipërmarrjes, që lidhet me faktin se ne kemi vendosur dhe projekti ynë është i qartë; të shlyejmë çdo qindarkë përgjatë gjithë 8 viteve të shkuara.

Dua të nënvizoj faktin se sot, pasi kemi rimbursuar 82 milionë dollarë detyrime si TVSH e mbajtur me forcë nga qeveria e shkuar që do të kthehej automatikisht, kemi ndërtuar një sistem automatik rimbursimi të TVSH-së, i cili nuk ka korrupsion dhe i cili funksionon në bazën e një formule objektive, pra s’ka mundësi për interferenca apo kapërcime radhe në rimbursimin e TVSH-së.

Dua po ashtu të nënvizoj se eksporti i prodhimeve bujqësore, ku ne kemi vendosur një fokus të posaçëm, në kuadër të përpjekjes për të transformuar modelin ekonomik, ka dhënë rezultate shumë inkurajuese, vitin e shkuar 20% plus dhe në 6-mujorin e parë të këtij viti 34% plus, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të shkuar.

Investimet huaja, të cilat në vitin e shkuar arritën 1.1 miliardë dollarë, duke u rritur me 19% krahasuar me 2013-ën, këtë vit kanë qenë edhe më të larta dhe kemi arsye të plota të besojmë edhe pse shifrat përfundimtare do t’i kemi vetëm në fillim të vitit të ardhshëm se kemi 100 milionë euro plus, investime të huaja, krahasuar me vitin e shkuar.

 

·         Rendi dhe siguria

Është tanimë në sytë e të gjithëve e vërteta se një prej institucioneve më të korruptuara dhe më të pabesueshme sipas Transparency International, Policia e Shtetit, është transformuar në një institucion që gëzon një besim në rritje të qytetarëve.

Faktikisht, këtë vit e mbyllim me përgjysmimin e numrit të vrasjeve dhe me një rënie drastike të numrit të krimeve ordinere. Ky është një fakt. Ky vit është viti në mënyrë absolute më i mirë në aspektin e arritjeve kundër krimit  dhe kriminalitetit krahasuar me të gjitha vitet e tjera një nga një, dhe ka rënie me një mesatare prej 50% të numrit të vrasjeve.

Komisariati dixhital është një histori e bukur suksesi dhe një bazë shumë solide për të vazhduar intensifikimin e punës së policisë, në shërbim të qytetarëve, ashtu sikundër edhe vetëm një nga hapat në rrugën e një procesi inovacioni teknologjik të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit.

Këto ditë, përfundon kolaudimi i projektit të kamerave në trup, të patrullave në kryeqytet; i cili do të garantojë një ndjekje në kohë reale të të gjithë aktivitetit të punonjësve të policisë që janë në terren dhe që janë në kontakt me qytetarin; i cili do të garantojë regjistrimin dhe monitorimin në kohë reale, të të gjitha komunikimeve të policisë me qytetarët; i cili do të garantojë një koordinim shumë më të shpejtë dhe shumë më efikas të strukturave të policisë, në cdo rast kur sinjali i parë për nevojën e një mbështetje apo ndërhyrje të shpejtë, vjen në kohë reale, përmes kamerave të trupit, në sallën qëndrore operative që do të kthehet në një tru elektronik të Policisë së Shtetit.

Po ashtu, vitin e ardhshëm, do të vendosen edhe kamerat e cilësisë së lartë, në hyrje-daljet e qyteteve, dhe në rrugët kombëtare të Shqipërisë, të cilat do të jenë një tjetër instrument i jashtëzakonshëm për të ndjekur nga salla qendrore operative gjithçka dhe për të organizuar në kohë reale, me shpejtësi maksimale çdo lloj ndërhyrje apo mbështetje të nevojshme, në raste kur kjo kërkohet.

Pa u zgjatur më tutje me shifra dhe me fakte shumë kokëforta për transformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, e duke nënvizuar nevojën që të vazhdojmë edhe më tutje transformimin e trupës, nga një trupë që vazhdon të ketë një moshë mesatare shumë të lartë dhe që ka nevojë për një rifreskim të vazhdueshëm, njëkohësisht duke rritur kapacitetet në të gjitha aspektet të punonjësve të policisë.

Akademia e Sigurisë, që është rivënë në funksion të plotë, përbën një bazë shumë të rëndësishme dhe shumë mbështetëse për të shkuar përpara me këtë transformim.

 

·         Arsimi

Kemi bërë në arsim çka nuk është bërë në 20 e kusur vite të mara së bashku për të kaluar nga një epokë, ku vetëm arsim nuk ka pasur në Shqipëri, në kuptimin e sistemit dhe të garancive të sistemit, dhe ku strukturat e drejtorive arsimore dhe zyrave arsimore ishin pjesë e sistemit tërësor të gangrenizuar të korrupsionit, në një epokë ku vendosim themelet e një arsimi modern, europian, konkurrues dhe cilësor.

Reforma në Arsimin e Lartë ka qenë një nga reformat shumë të  rëndësishme që janë finalizuar gjatë këtij viti. Akreditimi dhe renditja sipas performancës e universiteteve në këtë vend, është një aspekt i munguar për shumë vite që do të jetë një tjetër siguri për cilësinë dhe standardet në mësimdhënie dhe për përshtatjen me kërkesat e tregut.

Kemi pastruar sistemin parauniversitar nga mbi 4000 mësues pa arsimin përkatës apo që jepnin mësim jashtë profilit. Kemi vendosur bazat e një sistemi transparent, meritokratik dhe me garanci kundër korrupsionit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” që këtë vit ka pasur edicionin e vet të dytë të testimit kombëtar të mësueseve, në një formë të padiskutueshme nga pikëpamja e transparencës dhe të papenetrueshme nga interesat që deri dje e kthyen arsimin në një feud të klientelave politike dhe të korrupsionit të kudondodhur.

Sot nuk ka më drejtor drejtorish dhe zyrash që vendosin arbitrarisht për fatin e mësueseve. Nuk ka më mundësi që një zyrë arsimore apo drejtori arsimore të kapërcejë individët sipas qejfit, duke mos respektuar kreditet e marra në testimet kombëtare.

Kemi shpëtuar 480 mijë nxënës nga kaosi, konfuzioni dhe marrëzitë e politikës së altertekstit. Kemi pastruar 600 tekste shkollore me budallallëqe dhe gabime që i kanë kushtuar për vite të tëra shumë, nxënëseve dhe prindërve, dhe cilësisë së arsimit parauniversitar në Shqipëri.

Sot jemi në kushtet ku 74 mijë nxënës përdorin tekstet e Oxford-it, Pearson-it dhe Cambridge-it, tekste ndër më të kuotuarit në BE. Tekste, që në harkun e tre viteve do të jenë në të gjithë shkallët e sistemit tonë parauniversitar duke i lehtësuar maksimalisht nxënësit dhe mësuesit nga barra e mediokritetit shtypës dhe e produkteve të korrupsionit që ishin librat me marrëzira dhe me gabime dhe pa asnjë standard cilësie, e duke i dhënë nxënëseve të këtij vendi mundësinë që, duke nisur nga klasa e parë e deri në fund të shkollës së mesme, të mësojnë mbi bazën e teksteve dhe metodologjive që mësojnë të gjithë sivëllezërit dhe simotrat e tyre në Britaninë e Madhe dhe në BE.

Sot përfitojnë tekste falas 13.500 fëmijë më shumë. Ndërkohë që përfitojnë tekste falas dhe 7.400 familje me më shumë se tre fëmijë. Pra, kemi një trefishim të numrit të kategorive të familjeve përfituese të teksteve falas, krahasuar me dy vjet më parë.

Nga ana tjetër, duke qenë se ne e shikojmë të lidhur aktivitetin e arsimit me aktivitetin sportiv, pa hyrë në çfarë kemi bërë për të çuar përpara projektin tonë të sportit në shkollë, ku kemi rikthyer orët e edukimit fizik dhe po bëjmë një përpjekje të vazhdueshme për të rritur cilësinë e aktiviteteve gjatë këtyre orëve, dua të nënvizoj faktin se kemi investuar për sportin, jo më shumë, por me herë më shumë sesa në 23 vjet të mbledhura sëbashku.

Kemi filluar, në bashkëpunim me federatën shqiptare të futbollit transformimin e strukturës së stadiumeve tona. Faktikisht është në përfundim stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër dhe jemi shumë afër fillimit të punës për Arenën Kombëtare në Tiranë, që do të jetë pa as më të voglin diskutim, një nga stadiumet më të bukura në Europë.

Ju këtu nuk jeni gazetarë që merreni me sportin, por atyre që merren me sportin ju kërkoj ta mbajnë shënim këtë nënvizim; Një nga stadiumet më të bukura në Europë, për një nga skuadrat kombëtare që është në finalet e europianit të Francës, Kombëtares kuq e zi.

 

·         Shëndetësia

Lajmi i ri dhe lajmi i mirë tek shëndetësia është se vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Nuk do të ketë më asnjë tarifë, asnjë pagesë për mjekun e familjes. Nga ana tjetër bazuar tek projekti ynë i madh kombëtar i check-up falas për 870 mijë qytetarë të moshës 40-65 vjeç që e përfitojnë këtë kontroll shëndetësor çdo vit, ne iu kemi kursyer qytetarëve, 45 milionë dollarë.

Këtë shifër ta shënojnë dhe ta mbajnë mend mirë të gjithë ata që janë vërsulur në mënyrë barbare kundër këtij projekti dhe që e kanë përfshirë në listën e shënjestrave për të gjuajtur me baltë.

Nga ana tjetër, për herë të parë kemi vendosur bazën për të pasur atë që çdo shtet normal e ka prej shekujsh apo prej shumë dekadash, atë që ne na mungon; një panoramë të gjendjes shëndetësore të popullsisë dhe një instrument për të identifikuar në kohë probleme që janë në zhvillim dhe që mund të parandalohen, si dhe për të përcaktuar edhe gjithë profilin e politikave dhe shpenzimeve në shëndetësi.

Nuk po zgjatem me çmimet e barnave që janë konsoliduar përfundimisht në minus 30%, krahasuar me dy vite më parë. Një ulje, prej të cilës përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët, ashtu sikundër përfitojnë dhe 70 milionë dollarë, ose 100 dollarë për familje nga heqja e taksës mbi ilaçet. Deri dy vjet më parë taksohej çdo aspirinë. Këto janë para që ne kemi parapëlqyer t’i lëmë në xhepat e qytetarëve dhe jo t’i marrim me taksa në buxhetin e shtetit.

Ka një gamë të tërë  masash të tilla lehtësuese që kanë rritur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe sigurisht kanë ulur masën e parave të mbledhura në buxhetin e shtetit, por është e para që na intereson më shumë se e dyta. Dua të nënvizoj dhe një fakt tjetër të panjohur, që gjatë këtij viti është rritur dhe forcuar shërbimi i urgjencës, çka mbetet një sfidë shumë e madhe, pasi kemi ende një urgjencë shumë të prapambetur, por atyre që bënë gjithë atë zhurmë duke ngritur të gjithë helikopterët për të bombarduar këtë projekt, dua t’u them se këtë vit urgjenca ajrore ka kryer 400 fluturime shpëtimi më shumë se sa në vitin e kaluar apo në vitet e tjera, që as nuk mund të bëjmë asnjë krahasim.

 

·         Energjia

Tek energjia besoj nuk ka nevojë të zgjatemi. Faktet janë kokëforta, por besoj pak shifra nuk bëjnë dëm në këtë fundviti.

360 mijë familje debitore të lëna në kurthin e borxheve dhe të kamatave që shtoheshin çdo ditë, kanë firmosur aktmarrëveshje me kompaninë për të shlyer borxhin e prapambetur. Nga aplikimi i skemave nxitëse dhe favorizuese, mbi 200 mijë konsumatorëve u janë falur 40 milionë dollarë përmes këtyre skemave.

Nga ana tjetër, kujtoj se kemi anuluar 15 milionë dollarë fatura arbitrare të akumuluara në kurriz të qytetarëve. Ndërkohë që, sot nuk pipëtin dot askush për çmimin mesatar të energjisë elektrike,- për të cilin u bë gjithë ajo propagandë e shëmtuar, me një projekt të qartë për të penguar rimëkëmbjen e sektorit dhe, – i cili sot është më i ulët se ç’ishte përpara fillimit të reformës, 9.5 lekë për kilovat.

Ndërkohë që janë 200 mijë persona që përfitojnë 16 milionë dollarë çdo vit si kompensim për heqjen e fashës 300 kilovat, të vetmit për të cilët u vu fasha, e cila u kthye në një mburojë për të gjithë abuzuesit ordinerë.

92 milionë dollarë borxhe u janë shlyer HEC-eve private dhe sot pagesat e tyre bëhen në kohë reale, ndërkohë që vetëm në këtë fushë janë çelur 1600 vende të reja pune. Gjashtëfish investimet në sektor dhe për herë të parë po preket sistemi nervor nëse mund ta quajmë i vendit, që është Sistemi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku 80% e tij është mbi 40 vjeç dhe po bëhen investime për të përmirësuar shumë ndjeshëm cilësinë e shpërndarjes për konsumatorët në disa zona kritike dhe sigurisht, edhe në gjithë zonën e bregdetit.

Për herë të parë, Albpetroli është bërë kontribuues në buxhetin e shtetit, duke u shndërruar nga një kompani që dilte vetëm me humbje për shkak të vjedhjeve, të grabitjeve dhe të një kusarie të paparë në asnjë vend me pasurinë kombëtare, në një kompani që kontribuon me të ardhura.

Niveli i përpunimit të naftës këtë vit është tre herë më i lartë krahasuar me dy vjet më parë. Ashtu sikundër sasia e ferrokromit të prodhuar në uzinat shqiptare ku janë kryer investime të rëndësishme gjatë këtyre dy viteve është rritur thuajse me 50%.

Industria minerare, vetëm në këto investime të kryera përgjatë këtyre dy viteve ka hapur më shumë se 700 vende të reja pune. Janë anuluar 200 leje shfrytëzimi abuziv të pasurisë nëntokësore. Është bllokuar aktiviteti në 62 shpella, – shkencërisht quhen zona të rrezikshme, – ku ju e dini mirë se çfarë batërdie bëhej me pasurinë kombëtare dhe me jetë njerëzish. Janë mbyllur 119 galeri të braktisura, ku në mënyrë sistematike njerëzit kanë gjetur edhe vdekjen, sepse ishin kthyer në burime aksidentesh dhe asgjë më shumë.

 

·         Reforma e pensioneve

Reforma e pensioneve besoj që është një tjetër arsye pse kjo qeveri e ka merituar deri sot besimin që i dhanë 1 milionë shqiptarë. Një reformë e shtyrë 20 e kusur vite, një reformë mungesa e të cilës u bë arsye për bllokimin përfundimtar të mbështetjes financiare nga Banka Botërore dhe për një situatë kërcënuese për financat e vendit që rrezikonin të shkonin në kolaps vetëm nga defiçiti i përvitshëm që krijohej për shkak se askush nuk guxonte të prekte këtë aspekt.

Kjo reformë ka filluar të japë rezultate shumë të rëndësishme falë edhe rritjes me 120 milionë dollarë të Fondit të Pensioneve, si rezultat i përfshirjes në këtë proces të publikut. Besoj që jemi të detyruar, i detyrohemi publikut shqiptar, i detyrohemi qytetarëve shqiptarë, i detyrohemi atyre që shikojnë me sytë e tyre dhe dëgjojnë me veshët e tyre dhe mendojnë me kokën e tyre e nuk manipulohen e nuk merren për hunde nga profesionistët e shpifjeve dhe të akuzave boshe, faktin që reformat tona kanë gjetur mbështetje popullore.

Janë reforma të vështira, janë reforma që kanë kosto dhe dhimbje, por janë reforma që shumica dërrmuese e shqiptarëve i kanë mbështetur sepse janë shumë hapa përpara politikës, janë shumë hapa përpara partive, janë shumë e shumë hapa larg interesave për pushtet dhe luftës për pushtet dhe dinë të lexojnë si duhet interesin e familjes dhe mbi të gjitha të fëmijëve të tyre.

Pas 20 e kusur vitesh të humbura duke ardhur vërdallë dhe duke rrënuar pasuritë kombëtare, duke masakruar territorin, duke çuar përpara një rritje për rritje që është ideologjia e qelizave të kancerit, jo rruga e zhvillimit, shqiptarët janë të gjithë mirëkuptues dhe shumica dërrmuese janë të gjithë në mbështetje të domosdoshmërisë që 25 vite të tjera të mos kalojnë si këto që ikën dhe që fëmijët e tyre të rriten në një vend ku ka shtet, në një vend ku ka institucione, në një vend ku funksionojnë ligjet dhe rregullat.

Nuk jemi ende aty, por jemi qartësisht në këtë drejtim dhe këtë shqiptarët e dinë, këtë shqiptarët e ndjejnë, këtë shqiptarët e mbështesin.

 

·         Mbështetje Sociale

Kemi trefishuar ndihmën ekonomike. Kjo është për ata që qajnë për të varfrit, që dalin me peshqir dhe fshijnë lotët se ç’po u bëjnë reformat të varfërve. Trefishim i ndihmës ekonomike, nga 15-30 mijë lekë që ishte dy vjet më parë, në 45-80 mijë lekë. Nuk janë mjaftueshëm, por është e sigurtë që kjo qeveri ka vënë në dispozicion të më të varfërve dhe shtresave në nevojë, paketën më të madhe financiare. Është e sigurt që 81 mijë përfitues marrin 25% më shumë se dy vjet më parë. Është e sigurt po ashtu që 25% më shumë marrin personat me aftësi të kufizuar se dy vjet më parë. Ashtu siç është e sigurt që janë 39 mijë familje që kompensohen për energjinë elektrike. Janë 59 mijë fëmijë, të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, që kanë përfituar kompensim financiar për shkollimin. Janë kompensuar për vaksinimin 18 mijë fëmijë të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike.

 

·         Rilindja Urbane

Dy fjalë për një ndryshim të qasjes që ka sjellë rezultatet e para duke i orientuar investimet drejt komuniteteve dhe duke iu dhënë njerëzve mundësinë për herë të parë pas 20 e kusur vitesh të ndihen banorë të një qyteti, të rifitojnë ndjesinë se banojnë në një qytet dhe jo në një udhëkryq të izoluar.

Në këtë drejtim, kanë synuar investimet e mëdha që kemi bërë për sheshet qëndrore të qyteteve, në këtë drejtim kanë synuar investimet e mëdha që kemi bërë për t’i dhënë energji pozitive jetës komunitare. Mjafton të shikoni, – për të mos u lodhur duke parë shumë, – vetëm një artikull të rëndësishëm të një gazete të madhe amerikane për Beratin, për të kuptuar se çfarë impakti zinxhir kanë këto vepra që shumëkush nga padituria, natyrisht, nga verbëria dhe dritëshkurtësia e plotë i konsideron fasadë apo zbukurime.

Nuk po i hyj të gjitha projekteve që kemi bërë, por di të them vetëm që në 20 e kusur vite, zero projekte, për qëndrat e qyteteve, për mjediset e qendrave komunitare.

47 projekte janë realizuar tanimë për të filluar një proces rilindje urbane dhe për t’u kthyer njerëzve qytetin, mjedisin e bashkëjetesës, mjedisin ku ka shpresë dhe ku ka mundësi për sipërmarrjen e vogël, për turizmin e kështu me radhë.

Zero projekte në 20 e kusur vite për të rehabilituar hapësira të gjëlbërta, për t’u dhënë mundësi fëmijëve dhe më të moshuarve, 16 projekte të tilla janë realizuar tanimë.

Zero projekte në 20 e kusur vite për të zhvilluar një infrastrukturë turistike në zonat turistike. Sot kemi 12 projekte që janë realizuar ose janë në rrugën e realizimit dhe të tjera do të kemi pa dyshim në vitin e ardhshëm.

Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 154 shkolla dhe kopshte. Kemi ndërtuar 47 komplekse sportive, pa lënë pas kulturën.

 

·         Kultura

Investimet tona në kulturë janë me herë më të mëdha sa është bërë në shumë vite të marra së bashku. Mjafton t’ju them se jemi drejt përfundimit të Muzeut Kombëtar “Marubi” në Shkodër, të një thesari që ishte lënë rrugëve dhe që ka shpëtuar vetëm falë pasionit të një njeriu atje, të një drejtori, se ndryshe nuk do të kishim gjetur më asnjë gjurmë të Marubit. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë që është edhe ai drejt përfundimit, për të ardhur më pas me projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën kulturore të teatrove, Teatrin e Shkodrës, Teatrin e Korçës. Këtë vit fillon puna për Teatrin e ri në Tiranë, fillon puna për Teatrin e Operas.

 

·         Bujqësia

Kemi rritur kapacitetin e skemave mbështetëse për fermerët me 40% dhe kemi rritur me 60% numrin e përfituesve. Tani kemi kaluar në qeveri, përpara dy ditësh, Fondin Kombëtar të Garancisë, për t’i dhënë mundësi fermerëve që të kreditohen me interesa shumë të ulëta ose në raste projektesh të caktuara sipas kritereve, ku edhe interesat t’i paguajë shteti, por jo duke i lënë fermerët të shkojnë tek bankat dhe duke i lënë të zvarriten në procedurat e tmerrshme burokratike, por duke e bërë shteti ndërmjetësin, midis bankave dhe fermerëve.

Janë 300 milionë euro në potencë, që mund të shfrytëzohen për t’i dhënë një hop të madh sipërmarrjes në fshat, falë bashkëpunimit tonë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe përfshirjes së bankave të nivelit të dytë këtu në Shqipëri.

Ashtu sikundër çdo sipërmarrës, çdo sipërmarrje, çdo bashkim që formon një fermë 100 hektarëshe do të përfitojë një grant një milionë dollarë, direkt nga shteti dhe 100 mijë dollarë direkt nga shteti për çdokënd që ndërton 10 hektarë sera.

Në kuadër të betejës për t’u mbrojtur nga përmbytjet, deri tani kemi pastruar 649 kilometra kanale kulluese dhe kanale të tjera, ku nuk ishte vënë dorë prej 20 e kusur vitesh. Menjëherë, vitin e ardhshëm sa të fillojë viti, fillojmë me bashkitë e rilindura nga procesi i reformës administrativo-territoriale, një projekt për vazhdimin intensiv të këtij procesi dhe për të garantuar pastrimin e të gjitha kanaleve për të çuar ujin në çdo metër katror tokë bujqësore. Por, jo vetëm pastrim, po rehabilitojmë 11 diga dhe 13 skema ujitëse në funksion të mbrojtjes.

Kemi bërë besoj në çdo drejtim punë dhe punë të rëndësishme.

 

·         Infrastukturë rrugore

Dua vetëm të vë vetëm theksin tek një fakt se është bërë si barsaletë, “s’keni bërë një kilometër rrugë”. E kundërta është e vërtetë! Kemi rindërtuar, nga e para rrugë të lëna rrugëve, duke ribërë projektet dhe vazhdojmë sot e gjithë ditën të kemi domosdoshmërinë të financojmë projekte dhe rrugë të lëna rrugëve. Ndërkohë që kemi investuar për të qenë shumë i saktë, 25% më shumë se vjet dhe më shumë se 100% krahasuar me dy vite më parë për të përmirësuar standardet e infrastrukturës rrugore dhe për të rritur cilësinë e mirëmbajtjes.

Ndërkohë që po vazhdojmë punën intensivisht në të gjitha akset dhe mjafton t’ju them se dy vjet më parë nuk shkohej dot në Berat. Ishte një rrugë e inauguruar, por një rrugë që nuk ishte rrugë. Sot në Berat shkohet nëpërmjet rrugës së re. Ky është një shembull, mund t’ju sjell të tjerë sa të doni.

 

·         Zhvillim Urban

Dje kemi bërë një prezantim të një drafti shumë të avancuar të Planit të Përgjithshëm Kombëtar dhe dy planeve sektorialë për zonën Tiranë-Durrës dhe për bregdetin, konform edhe programit tonë qeverisës, brenda këtij mandati, më në fund mbas 25 vitesh do t’i japim Shqipërisë, do t’i japim të gjithë atyre që janë vendimmarrës apo investitorë një instrument modern planifikimi.

Nuk po zgjatem më tutje, po ju lë juve fjalën se ndoshta plotësohemi pastaj gjatë pyetje-përgjigjeve.

 

***

 

-Zoti Kryeministër, a besoni se viti 2016 do të jetë viti kur Shqipëria do të mund të çelë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Pyetja e dytë, rreth dy muaj më parë ju tentuat të kalonit në parlament ligjin për kriminalizimin e shpifjes, por u tërhoqët pas gjithë asaj zhurme të shkaktuar, në mënyrë që ta korrigjonit këtë Nen. A jeni i vendosur, zoti Kryeministër që ta kaloni këtë projektligj në 2016-n?

Nuk fola për një sërë aspektesh, nuk fola për politikën e jashtme dhe integrimin europian, jo sepse janë dytësore, por sepse nuk kam dëshirë të bëj propagandë. Është e sigurt që nëse kjo qeveri nuk do të kishte ardhur në detyrë me mbështetjen e një milion shqiptarëve dhe nuk do të kishte bërë reformat që po bën duke dhënë sinjale të qarta që në fillim, Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat. Të gjithë mund të thonë çfarë të duan, të gjithë kanë rrëfimin e vet, por e vërteta është kjo; Kemi marrë statusin e vendit kandidat dhe jemi në një proces absolutisht koherent për të çelur negociatat. Nuk varet vetëm nga ne. Të jemi të qartë, nuk varet vetëm nga ne!

Mjafton t’ju sjell shembullin e Kosovës dhe liberalizimit të vizave për të kuptuar, për ata që nuk e kuptojnë se përgjithësisht s’ka mbetur njeri që të mos e kuptojë që vendimmarrja e Bashkimit Europian nuk është thjesht çështje teknike dhe çështje realizimi teknikalitetesh.

Për çfarë arsye Kosovës i vonohet liberalizimi i vizave. Nga pikëpamja teknike Kosova i ka mbyllur të gjitha, nuk ka asnjë problem teknik, është politike. Unë jam shumë shpresëplotë që më në fund Kosova do të çlirohet nga izolimi absurd. Është i vetmi popull në gjithë hartën që nuk lëviz dot lirisht pa marrë vizë. Një paradoks i madh me të kaluarën. Ishin në diktaturë dhe lëviznin më lirisht, janë në shtetin e tyre demokratik dhe janë të izoluar. Besoj që viti i ardhshëm do ta çlirojë Kosovën dhe ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për këtë.

E njëjta gjë për procesin tonë. Ne jemi absolutisht të bindur që nëse nga pikëpamja striktë teknike do t’i qëndronim atyre që kemi bërë, negociatat do të ishin hapur. Por, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që po bëjmë, me Reformën në Drejtësi, është praktikisht ezaurimi i kapitullit 23-24 i negociatave. Kur fillojnë negociatat fillojnë me kapitullin 23-24 që është drejtësia. Ato që po bëjmë ne janë gjëra që do t’i bënim në kapitullin 23 e 24. Kur të hapim ne negociatat, kapitulli 23 dhe 24, nëse Reforma në Drejtësi do të kalojë me sukses dhe unë jam i bindur për këtë, do të jetë një kapitull që do të kalojë shumë më shpejt dhe shumë më lehtë, sepse do të kemi bërë pjesën më të madhe të punës, në mos të gjithë punën.

Përsa i përket shpifjes, miqtë e mi, unë jam i keqardhur që në atë formulim pati një lapsus nga ana jonë dhe u la të kuptohej sikur qëllimi ishte që kriminalizimi i shpifjes të prekte shtypjen e gazetarit. Kjo nuk ka qenë asnjëherë pjesë e të menduarit lidhur me këtë çështje. Të menduarit lidhur me këtë çështje vjen nga fakti se ne jetojmë në një vend ku shpifet më shumë se ç’shpifet në çdo ditë në të gjithë vendet e tjera të marra së bashku, të paktën në kontinentin Europian dhe në të gjitha ato pjesë të tjera të botës ku ka normalitet demokratik.

Ju siguroj se nëse do të bëni një kërkim statistikor, gjë që mbase nuk është e mundur, por është teorike, nuk shpifet në një ditë, në të gjithë globin ku ka shtete normale sa ç’shpifet në Shqipëri në një ditë të vetme. Nuk kriminalizohet askund politika, individi dhe shoqëria siç kriminalizohet në Shqipëri, nëpërmjet politikës.

Ne flasim për dekriminalizimin, është një proces i cili ishte i nevojshëm dhe shumë mirë që pati një rezultat konkret. Sot ka një bazë për të mos lejuar që persona me precedentë penalë të gjykuar për një sërë veprash penale të marrin mandate apo të punojnë në administratën shtetërore, por kriminalizimi është kthyer në një problem edhe më të madh. Është kthyer në një çështje kulturore. Kriminalizohet gjithçka dhe gjithëkush, për interesa që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën dhe për fat të keq, kjo krijon një hapësirë dhe një mjegull kaq të madhe sa çështjet reale, problemet reale të korrupsionit, të kriminalitetit, të marrëdhënieve të dyshimta mes faktorëve të ndryshëm të treten, të mos kenë fokus.

Nëse çdo ditë fjala hajdut, fjala kusar, fjala kriminel, thuhet kaq shpesh dhe për çdo gjë, atëherë humbet kuptimin dhe peshën kur thuhet aty ku duhet, për problemin e duhur. Kjo është e thjeshtë.

Këtu gjithë kjo atmosferë, faktikisht lehtëson pozicionin dhe mjegullon hapësirën ku në fakt korrupsioni vepron, e vështirëson luftën reale ndaj korrupsionit dhe identifikin real të veprave të korrupsionit.

Këtu mjafton të bësh një përpjekje normale për të ndërtuar partneritet publik-privat dhe je menjëherë i akuzuar për hajdut, për i korruptuar, për i kriminalizuar. Menjëherë, automatikisht.

Është lapidare ajo që ndodhi me hemodializën. Lapidare, është rast spektakolar për të parë se si një aktivitet fitimprurës për njerëzit në nevojë për hemodializë, që iu kursen para, mund, sakrifica, kohë atyre mund të kriminalizohet në një farë feje që është e patolerueshme. Kjo nuk është demokraci. Kjo nuk është liri e fjalës. Kjo është liri e shpifjes, e shtypjes dhe e krijimit të një presioni përmes shpif, shpif, shpif se diçka do të mbetet. Një proces që kryhej njësoj, që paguhej njësoj, por që kondiciononte vajtjen e njerëzve për të bërë hemodializë vetëm në dy vende këtu në Tiranë dhe që hapet me të njëjtat para në shumë pika të tjera, duke mos e detyruar atë që ka nevojë të vijë nga Korça në Tiranë, por ta bëjë atje. Si mund të kriminalizohet? Si ka mundësi?! Ju mora një shembull, mund t’ju marr shembuj të tjerë.

Check-up, ju thashë 45 milionë dollarë kursejmë çdo vit nga xhepat e qytetarëve dhe ajo që marrim është një bazë të dhënash që jemi i vetmi shtet që nuk e ka, për të bërë politika në shëndetësi. Kriminalizim total.

Unë e kam bërë një llogari në parlament, si mund të thuhet që mospërputhja mes planit dhe realizimit të të ardhurave nga doganat është vjedhje, është hajdutëri, si mund të thuhet kjo? Po mirë, po mospërputhja mes planit dhe realizimit të të ardhurave që shkon mbi 800 milionë dhe prek një miliardëshin në vitet e këtyre që akuzojmë çfarë është? Ka arsye objektive? Sigurisht, mund të ketë edhe arsye joobjektive, me të cilat ne po merremi shumë seriozisht për t’i identifikuar, por ky kriminalizim t’ju thuash qytetarëve që gjithë këto para që mungojnë nga plani, jo nga arka, nga plani i ka marrë qeveria, çfarë do të thotë kjo? Është kriminalizim. Atëherë unë mendoj se çdo person që ka një mandat për të shërbyer duke përfaqësuar popullin në nivelin legjislativ, në nivelin vendor, në nivelin ekzekutiv, duhet të mbajë përgjegjësi nëse shpif. Duhet të provojë që nuk po shpif, por po thotë të vërtetën.

Ne duhet t’i vëmë një barrierë kësaj lukunie dhe këtij llumi që praktikisht bën pis gjithçka dhe na bën edhe qesharakë si shoqëri në sytë e të gjithë të tjerëve. Nuk ka shoqëri që shpif kështu, nuk ka, nuk ekziston. Krijon një kulturë që përcillet tek të tjerët, deri tek fëmijët që dëgjojnë vetëm ky vjedh, ai vjedh, ata vjedhin për çdo gjë

Ky është qëndrimi im. Unë jam i vendosur që ta bëj këtë betejë, pastaj si, qysh, tek kjo është një çështje që duhet parë hap pas hapi, por këtë betejë, me këtë kulturë, nuk është punë personi, por punë kulture, me këtë kulturë barbare kriminalizuese unë jam i vendosur ta bëj dhe do ta bëjmë të gjithë sëbashku sepse kjo është përtej interesave politike. Unë nuk e kam fare në kuptimin personal. Unë jam mësuar. Për mua nuk ka mbetur asgjë pa thënë. Janë thënë të gjitha. Janë thënë dhe rithënë aq shumë sa është e kotë të kërkosh shpjegime. Por kultura e kriminalizimit të vazhdueshëm është një kulturë që degradon marrëdhëniet njerëzore, shoqërore dhe marrëdhëniet e individit me shtetin dhe shtetit me individit.

 

-Shumica e statistikave që numëruat tani janë për vitin që shkoi. Unë kisha një pyetje për vitin e ardhshëm. Ku bazohen këto parashikimet tuaja për rritjen ekonomike mbi 3%, ose me fjalë të tjera, cila do të jetë kryefjala e ekonomisë shqiptare për vitin tjetër, kryefjala e investimeve publike, investimeve private investimeve të huaja dhe shqiptare, çfarë do ta mbizotërojë ekonominë shqiptare vitin tjetër?

Projeksionet e rritjes janë të bazuara në analiza të thelluara të bëra në bashkëpunim edhe me institucionet edhe me ekspertizën me të cilën ne punojmë, flas këtu për FMN-në, BB, Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Harëardit që punon me në mënyrë sistematike, janë projeksione të bazuara mbi të dhëna jo që imagjinohen, por të konsoliduara, pa papërfshirë në këtë projeksion çfarë ne presim si zhvillim për disa investime të mëdha të huaja.

Ne po punojmë intensivisht prej dy vitesh për të finalizuar disa investime të mëdha të huaja në fushën e energjisë, në fushën e turizmit dhe besoj që jemi ne një proces shumë të avancuar.

Nuk është e lehtë të marrësh një investim të madh të huaj, sepse janë shumë komponentë që duhet të bashkohen dhe ju siguroj se kur ne kemi filluar punën ishte e pamundur të merrje një përgjigje pozitive që “Po, jemi dakord ta konsiderojmë”, sepse imazhi i Shqipërisë, gjendja e përgjithshme dhe psikologjia e përgjithshme e investitorëve të huaj ishte përtokë. Sot, jemi në një fazë të avancuar. Finalizojmë besoj brenda pak javësh futjen në Shqipëri të një grupi ndër më të mëdhenjtë për eksplorimin e naftës dhe gazit, grupit “DELEK” nga Izraeli. Janë në proces dy marrëveshje të tjera të mëdha, që synojmë t’i kryejmë në kontrata me dy grupe të tjera shumë të mëdha. Nga ana tjetër, kemi dy propozime në fazë të avancuar në turizëm dhe një sërë investimesh të tjera. Por, këto nuk janë të llogaritura në projeksionin e rritjes ekonomike. Ne besojmë plotësisht se rritja ekonomike do të jetë mbi 3% dhe se sa “mbi” do e jetë një çështje që do e vendosin këto zhvillime.

 

-Zoti Kryeministër ju e shfrytëzoni këtë konferencë të fundvitit për të bërë një analizë të të gjithë punës tuaj, ose më mirë të të gjithë që arritjeve të qeverisë. Por, unë do të isha kurioze të dija nëse ka një analizë të marrëdhënieve me institucionet, konkretisht për 2 prej tyre, për Presidentin e Republikës dhe për Prokurorin e Përgjithshëm. Një vit më parë keni deklaruar se keni ndjenja jo shumë pozitive për këto dy institucione. Ishit i palumtur me punën e Prokurorit të Përgjithshëm por i palumtur edhe në marrëdhënie me Presidentin e Republikës. Këtë vit a do ta lejoni Presidentin e Republikës të bëjë pushime në vilat qeveritare. KLSH ju ka kërkuar të shkarkoni nga detyra drejtoren e Shërbimeve Qeveritare për shkelje, apo më mirë të themi për mashtrim. Ka dhënë informacion të pavërtetë në lidhje me asetet që ka në varësinë e saj kjo drejtori. Për Prokurorin e Përgjithshëm, e di që reforma në drejtësi po bëhet nga ekspertët, por në fund vota do të jetë politike. A do t’i jepnit një mandat 9-vjeçar Prokurorit të Përgjithshëm, apo do të zgjidhet një prokuror i ri kur reforma të fillojë të zbatohet?

Përpara zgjedhjeve ju bëtë publik një operacion që thatë se do të kishte të njëjtat përmasa si operacioni për energjinë elektrike, atë për karburantet. Por, flas personalisht, unë e përdorja makinën edhe kur ju e nisët operacionin, e përdor dhe tani dhe nuk shikoj se ka ndryshim. Edhe ju vetë nuk jeni parë publikisht të flisni shumë shpesh për rezultatet e këtij operacioni. Çaloi puna, apo thjesht nuk keni dashur që ta bëni publik që ka qenë sukses ky operacion?

Unë nuk e di se si e ke marrëdhënien me makinën dhe si e konstaton nga makina që ka pas apo s’ka pas sukses përpjekja jonë, por mund të them që ne e kemi kryer atë operacion dhe kemi marrë rezultatin e pritshëm me një rritje shumë të rëndësishme të kuponave dhe me një rritje të rëndësishme të cilësisë. Janë marrë një sërë masash të rëndësishme ndëshkuese që kanë dhënë rezultat. Por, jemi ende larg objektivit tonë për të pasur një sistem të plotë kontrolli dhe monitorimi të të gjithë qarkullimit të karburanteve në të gjitha aspektet. Edhe në këtë aspekt, vitin e ardhshëm, kemi besoj arsye të forta për të qenë të bindur se do të bëjmë disa zhvillime të rëndësishme nga pikëpamja e teknologjike për të kontrolluar në mënyrë elektronike flukset e karburanteve që hyjnë në Shqipëri, dalin nga rafineritë, shkojnë në destinacion, por ky është një projekt që është i konceptuar tanimë dhe do të investohet dhe realizohet vitin e ardhshëm.

Për sa i përket lumturisë, fjala është fjalë e madhe. Unë të them të drejtën nuk do e thoja as për veten që jam i lumtur me veten apo punë që bëj, kështu që nuk është problem që ndihem i palumtur me një institucion apo institucion tjetër, sepse nuk përbën një qëndrim negativ, përbën thjesht një konstatim. Nëse më pyesni për shkallën e lumturisë, a ka rritje apo rënie në shkallën e lumturisë, mund t’u them që jam në po atë shkallë. As më i lumtur as më i palumtur.

Por ajo që është më e rëndësishme në pyetjen tuaj është reforma në drejtësi. Unë do ju them shumë thjesht që s’ka dyshim që është reforma kryefjalë e mandatit tonë dhe si kryefjalë është një kryefjalë me një peshë shumë të madhe që prek shumë interesa dhe që nga ana tjetër domosdoshmërisht duhet të prodhojë tërmet, një tërmet në gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon këtë tërmet nuk është kryefjala e duhur.

Ne kemi qenë të vetëdijshëm që në fillim për rëndësinë e kësaj reforme dhe për faktin që nëse nuk ka pasur asnjë herë një reformë të thellë e të vërtetë në drejtësi në Shqipëri kjo ka ardhur si rezultat i pengesës që ka krijuar politika. Një pengesë që ka qenë mungesë vullneti, mungesë eksperience, mungesë dije dhe që besoj që pas 25 vjetësh është një pengesë e kapërcyeshme me vullnet, mbi bazën e eksperiencës së krijuar dhe me dijet e plota. Dijet e plota në këtë proces në këndvështrimin tonë qysh në fillim kemi menduar që mund t’i sjellë vetëm ekspertiza jo politika.

Ju keni parë që është një proces që është shtrirë në kohë më shumë se një vit ka përfshirë edhe ata që e mbrojnë reformën, ata që nuk flasin, ata që godasin reformën kanë qenë të përfshirë në proces. Të gjitha institucione, nga institucioni i Presidentit të Republikës, tek institucioni i Prokurorit, tek institucioni i gjykatave, avokatët, noterët, magjistratura, të gjithë kanë qenë të përfshirë në proces. Kanë qenë të ftuar, kanë pasur ekspertët e tyre në gjithë grupet e ndërtuara për këtë punë. Pra, përfshirja ka qenë e plotë.

E dyta, ekspertiza e huaj ka qenë e plotë, jo vetëm përfaqësues të misioneve të ndryshme, EURALIUS, OPDAT-i, Këshilli i Europës por edhe ekspertizë specifike, e ftuar, ju keni ndjekur procesin. Keni parë edhe shumë nga ata që kanë ardhur enkas për të mbështetur reformën. Politika nuk është përfshirë në këtë proces qëllimisht.

Ju më pyesni tani a do e bëni 9 vjet mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm? Unë po ju them që unë nuk e kam lexuar draftin e reformës, ju besojeni ose mos e besoni. Nuk jam në dijeni, qëllimisht. Sepse unë kam qenë i bindur që në fillim nëse në këtë proces do të hyj unë, do të hyjë bashkëkryetari – dhe kjo ka qenë edhe bindja e tij, -do të hyjmë me grupe parlamentare, deputetët, vetëm do pengojmë, jo nga mungesa e vullnetit, por nga pamundësia për të dhënë gjykime në nivelin e nevojshëm të eksperiencës dhe të ekspertizës.

Që në krye të herës e kam thënë dhe e kam përsëritur nuk ka konsensus politik të mundshëm për këtë reformë, përveçse duke vendosur bashkërisht në distancë, shumica dhe opozita që çelësin e konsensusit na e jep Komisioni i Venecias. Pra, ka një draft, sido që të vijë dhe kushdo që ta bëjë, drafti i çdo reforme do kontestohet, në qoftë se nuk kontestohet nuk është reformë. Atëherë secili jep mendimet e veta, të tjerë duan të japin mendime dhe jashtë draftit, bukuri, ia çojmë Komisionit të Venecias dhe bashkërisht kemi vendosur në parim se çfarë thotë Komisioni i Venecias, është baza e konsensusit. Ky ka qenë opinioni im. Është kundërshtuar vazhdimisht.

Fatmirësisht fortlumturisht, ngaqë folëm për lumturinë, papritur e pakujtuar, Partia Demokratike u ndje më e lumtur se asnjëherë që kur unë e mbaj mend në raport me diçka që i takonte palës tjetër dhe iu referua Venecias me superlativat që mund t’i referohesh vetëm një shpëtimtari të ardhur nga Zoti, bukuri, perfekt. Jemi në një fazë tërësisht të re. Kemi bërë një avancim fantastik. Kemi Komisionin e Venecias, kemi draftin, përputhim të dyja, votojmë reformën dhe bëjmë një konsensus spektakolar të papritur dhe të paparashikuar dhe as të imagjinuar në parafytyrimet e mia më optimiste. Kuptohet që politika nuk do shkojë në mënyrë robotike në parlament. Vullneti ynë politik do të të vendoset si investim i kërkuar nga publiku që na ka votuar mbi bazën e një drafti dhe një dakordësie. Raporti i Komisionit të Venecias është baza.

Unë personalisht kam vetëm një pyetje që e bëj vazhdimisht, a do të ketë tërmet apo nuk do të ketë tërmet, kjo është pyetja ime. Përsa kohë përgjigja që vjen është që ky proces, ky produkt sjell tërmetin, pra e tund gjithë sistemin dhe vendos një vijë të qartë midis atyre që meritojnë të jenë gjykatës dhe prokurorë në këtë vend dhe t’i shërbejnë këtij populli dhe atyre që duhet të shkojnë të bëjnë punë të tjera, për mua kjo është baza. Të tjerat janë çështje teknike që jam mjaftueshmërisht i paditur, por edhe mjaftueshmërisht i vetëdijshëm që me paditurinë time nuk mund të ndërhyj.

Unë besoj shumë se ne do t’ia dalim dhe jam i bindur se asnjë diversion, asnjë përpjekje e çfarëdo lloji dhe nga çfarë do anë për të çarë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses. E them këtë sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim. Nuk do të kenë sukses!

Reformën në drejtësi do ta bëjmë së bashku, por ne si shumicë, nuk do të shkelim asnjë parimësi dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis për të reduktuar pushtetin e drejtësisë dhe për të reduktuar efektin tronditës që kjo reformë do të ketë në sistem. Tronditës dhe modernizues, jo tronditës për tronditje, pa një tronditje nuk ka modernizim në asnjë sektor. Sot, i vetmi sektor i patronditur që është kthyer në kartëvizitën e turpit për Shqipërinë, është drejtësia.

Unë nuk arrij të kuptoj se çfarë lloj kurajoje dhe çfarë lloj angazhimesh kanë njerëzit e veshur me pushtet, me mandat, me mundësi përfaqësimi, kur e relativizojnë faktin që ky është një pushtet i korruptuar dhe kriminal, në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse ka edhe një element tjetër, reforma është parë dhe shikohet vetëm si një forcë tronditëse që do të sjellë burgosjen e “x” apo “y”. Pakkush e shikon reformën si bazën mbi të cilën do të ngrihet një sistem modern dhe i pavarur dhe profesional drejtësie, që do t’i shërbejë njerëzve, që do t’i shërbejë atyre të cilëve nuk gjejnë dot drejtësi për pronën e tyre.

Vetëm në Shqipëri, vetëm ky sistem, vetëm ky pushtet kriminal mund të prodhojë vendime të llojit shkon “x” në gjykatë kërkon 50 hektarë kthim prone dhe gjykatësi i kthen 500 hektarë. Si ka mundësi? Keni parë ndonjëherë që një gjykatë të japë vendime me suficit, të shkosh t’i të kërkosh një stilolaps dhe të të japë të gjithë tavolinën, kur ti nuk e kërkon?! Vetëm këtu ndodh kjo dhe logjika pastaj është e qartë. Si ndodh? Gjykatësi ka parë hartën e pronës dhe ka thënë ky kërkon këtë, po kjo tjetra e kujt është, hajt se po e marrim bashkë. Unë nuk bëj aluzion, unë flas me fakte për këtë çështje dhe ka shumë çështje të tjera.

Vetëm këtu ndodh që roja i shkretë në një parkim, i cili denoncon një kriminel, përfundon i dënuar për dëshmi të rreme, se i bënë sytë, se nuk e pa atë kriminelin dhe e mori në qafë se e çoi në gjykatë. I dënuar për dëshmi të rreme roja i parkimit, sepse i tha policisë “po e pashë, ishte ky”, nga fotografitë që i tregoi policia. Me këta njerëz kush do të merret apo këta nuk janë fare në radarin e askujt. Drejtësia do të blihet apo do të jepet falas? Falas dhe do t’i shkojë atij që duhet apo do t’i shkojë atij që e blen? Kjo është pyetja.

Pa llogaritur pastaj radhët, streset, tmerret që janë të gjitha pjesë e një llahtarie që kush merr përsipër të thotë po se nuk është kështu, po jo se këta duan të kapin sistemin. Çfarë do të kapim ne, si mund ta kontrollojmë ne sistemin? Nëse do të kontrollosh sistemin e drejtësisë mbaje kështu siç është dhe e kontrollon shumë më kollaj. E kontrollon siç e kontrolluan ata që ishin këtu, me ndarje të roleve. Ju gjykatësit më lani mëkatet e mia dhe unë mbyll sytë përpara mëkateve tuaja. Prandaj nuk ndëshkohen krimet spektakolare që janë bërë në këtë vend, sepse është një histori e një mëkati që është si shoqëri aksionere, ku ca aksione i ka njëra palë, ca aksione i ka pala tjetër në bashkëpunim. “Ju më nxirrni të larë kur unë vras njerëz dhe unë mbyll sytë e nuk i shoh të palarat tuaja”. Këto të palara me kë janë, janë me popullin e shkretë aty në rrugë. Vidheni këtë popull sa të doni, merrjani pronat si të doni, rrasini në burg dëshmitarët dhe lini rrugëve kriminelët se këta unë nuk i shoh, por ama kushti është që kur unë vras ju duhet jo që mos ju shkojë mendja të më gjykoni, por duhet të më nxirrni të larë në këtë histori. Faji t’i mbetet pastaj atij që akuzohet më shumë, në gjyqin popullor të kriminalizimit të përditshëm. Në Shqipëri bëhet çdo ditë një gjyq popullor dhe prokurorët dhe gjykatësit dalin nëpër konferenca shtypi në emër të partive politike, po e them në shumës se është edhe fundi i vitit dhe mos ua ngecim në fyt Vitin e Ri.

 

-Pyetja e parë është përsa i përket Radio Televizionit Shqiptar. Partia Socialiste, edhe kur ka qenë në opozitë, por edhe qeveria më pas ka premtuar reformën e këtij televizioni. Në vitin 2015 kjo gjë nuk ka ndodhur dhe ne shohim se kemi një situatë të bllokuar përsa i përket situatës së Drejtorit të Përgjithshëm, ndonëse edhe këshilli i ri u zgjodh. Çfarë do të bëhet në këtë drejtim dhe a pret mazhoranca që të ndryshojë ligjin e medias përsa i përket zgjedhjes me një shumicë të thjeshtë të drejtorit.

Pyetja e dytë i përket koncensionit të Tirana International Airport. Është premtuar përsëri nga qeveria juaj se ky koncension do të amendohet dhe do të ketë një rishikim ose më saktë një heqje të eksluzivitetit përsa i përket fluturimeve ndërkombëtare nga ky aeroport, për t’i lënë rrugë ndërtimit të aeroporteve të reja dhe fluturimeve ndërkombëtare nga këto aeroporte. Çfarë po bëhet në këtë drejtim dhe a ka një kohë konkrete përsa i përket mbylljes së kësaj marrëveshje?

E para për RTSH, nuk jam shikues i tij, siç mund të merret me mend, nuk e kam në pasqyrën e shtypit për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ndihem shumë në detyrim dhe në vështirësi me të gjithë ata që paguajnë taksa për Televizionin Publik Shqiptar. Sepse është sot struktura më e prapambetur, por njëkohësisht dhe më paguar e botës së medias. Televizione me shumë më pak para, me shumë më pak investime, me shumë më pak njerëz, bëjnë audiencë shumë më të lartë dhe ky është fakt.

Nuk ka asnjë përgjegjësi dhe nuk ka asnjë arsye që unë të kritikoj askënd në atë strukturë për sa kohë përgjegjësia dhe kritika duhet t’i shkojë drejtpërdrejt vetëm kësaj shumice qeverisëse dhe po të doni edhe mua personalisht bashkë me bashkëkryetarin, si të doni, edhe pse justifikimi është aty. Kemi votuar një ligj absurd, ku kemi marrë pjesë dhe ne për një konsensus absurd, për të drejtuar një ndërmarrje. Është ndërmarrje. Një ndërmarrje publike dhe që ka një mision shumë të madh informimin e publikut, bazuar tek interesi i publikut dhe jo tek interesi komercial që ka çdo TV tjetër që është pjesë e të qenit TV privat.

Me konsensus ne zgjedhim Presidentin e Republikës në votimin e katërt me shumicë të thjeshtë. Këtu sikur po zgjedhim sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Kjo është absurditet.

Nuk kemi dashur të hyjmë te ligji, i kemi votat, kemi dhe detyrimin për ta bërë. Kemi dhe detyrimin që atyre që marrin këtë shërbim t’ju ofrojmë një shërbim cilësor, sepse kemi dëshiruar ta kërkojmë këtë konsensus deri përtej arsyes, nuk e kemi gjetur në 2 vjet e gjysmë. Atëherë ka dy rrugë; ose të biem dakord dhe t’i japim zgjidhje këtij problemi, ose të ndryshojmë ligjin. Ne nuk do të presim përtej janarit, s’ka më kohë. Televizioni Publik Shqiptar kërkon një reformë rrënjësore njësoj si të gjithë sektorët dhe institucionet e tjera, hipotekat, ALUIZNI.

Meqë ra fjala për ALUIZNI-n, dua ta nënvizoj këtu që është një histori suksesi që ka ardhur si pasojë e një reforme. Lajmi i mirë që dua t’u jap njerëzve është që nga fillimi i vitit të ardhshëm, ALUIZNI do të marrë përsipër edhe marrëdhënien me Hipotekën. Pra, nuk do jetë më një marrëdhënie individuale, merre lejen e legalizimit dhe shko në Hipotekë dhe pastaj aty në Hipotekë gjeje si ta gjesh, por do të jetë një marrëdhënie institucionale që në fund njerëzve do t’u japë hipotekën në dorë, jo thjesht lejen e legalizimit.

Për sa i përket tjetrës, ne jemi në kushte shumë të pafavorshme sepse kemi trashëguar disa koncesione të cilat janë të blinduara në parlament, në këndvështrimin tonë jo të favorshme për interesat e publikut. E di që na bëhet një kritikë, pse si kemi anuluar disa koncesione? Sepse kompanitë e konsulencës që kemi marrë për të studiuar anulimin na kanë thënë qartësisht që e keni të humbur betejën në arbitrazh, pasi koncesionet janë blinduar në mënyrë të tillë. Po u jap një shembull, ka një koncesion në Shqipëri që është jashtë çdo lloj standardi të OBT-së dhe të marrëveshjes së stabilizim-asociimit është unik në Europë, mirëpo e ka vendosur parlamenti. Ne jemi qeveria e Shqipërisë, parlamenti është parlamenti i Shqipërisë, jemi po ata si institucione, pavarësisht se kanë ndryshuar emrat. Gjykata nuk njeh Kryeministrin si person, apo Kryetarin e Kuvendit si person, apo partitë, gjykata njeh Parlamentin dhe Qeverinë. Nëse ne shkojmë në arbitrazh, gjykata thotë më falni, por kjo mund të bjerë ndesh me të gjitha, por Parlamenti Shqiptar mund të jetë çmendur, është e drejta e tij të çmendet dhe të marrë një vendim sovran që të thotë “unë nuk pyes as për BE as për OBT-në, unë dua ta bëj kështu”.

Megjithatë, ne kemi negociuar çdo koncesion dhe unë ju sfidoj, jo ju, se ju që të paktën që jeni këtu nuk jeni pjesë e kriminalizimit, ju sfidoj që t’i studioni koncesionet.

Koncesionin e skanimit ne e kemi negociuar shumë fort dhe kemi ulur në mënyrë të ndjeshme kostot, nga 39 euro për faturë në 22 euro dhe një sërë aspektesh të tjera.

Koncesioni i pullave fiskale. Ne kemi negociuar shumë fort për të ulur kostot dhe mbi të gjitha nuk kemi lejuar që të rritet kostoja tek ilaçet. Koncesioni i aeroportit është një koncesion më i vjetër. Ne kemi negociuar shumë fort dhe jemi në fazën finale. Unë ju siguroj se vitin e ardhshëm ne do të kemi liri në territorin e Shqipërisë, për ndërtim aeroportesh të rinj, përtej rrezes 80 kilometra perimetër nga Rinasi. Ky është objektivi ynë dhe ne këtë do ta realizojmë patjetër. Sot që flasim, për 3 projekte nga ato që fola, kemi tre kërkesa konkrete shumë të besueshme, për aeroportin e Kukësit, aeroportin e Sarandës dhe aeroportin e Vlorës.

 

-Ligji i pronave ka qenë ligji që ka patur ndërhyrjet më të mëdha në 25 vitet e fundit, por gjithashtu është ligji që konsiderohet garant për investimet e huaja në vend. Presidenti i Republikës, më parë e ktheu këtë ligj. Si do të veprojë maxhoranca?  

Faleminderit për pyetjen dhe shumë respekt për punën tuaj. Dua ta përsëris edhe njëherë se çfarë thashë për Televizionin Shqiptar nuk e cenon absolutisht respektin për të gjithë ata që kontribuojnë dhe bëjnë gjithçka munden për ta mbajtur në këmbë atë ngrehinë, që faktikisht është e vetmja ngrehinë e medias që ka mbetur në të shkuarën.

Ligji i pronave nuk është një ligj ideal. Por si mund të bënim një zgjidhje ideale pas 25 vjetësh batërdi, gjurulldi, lemeri dhe kaos me pronat. Është një ligj që është e vetmja zgjidhje praktike për të ndaluar zbrazjen e arkës së shtetit në vite, nga detyrimet për dënimet në Gjykatën e Strasburgut. Por jo vetëm kaq, por edhe për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare një procesi, sepse dënimet kanë vazhduar, ngaqë nuk patur kurrë një qasje serioze. Ky ligj është konsideruar nga Strasburgu përpjekja e parë serioze e qeverisë shqiptare. Përfytyroni, në 25 vjet, e para qeveri që bën një përpjekje serioze dhe jep një zgjidhje praktike, për t’i dhënë fund. 10 vjet duhet që t’i japim fund. Sigurisht që, ka argumente parimorë, moralë, etikë, për të kundërshtuar këtë ligj. Por me këto argumente nuk bëjmë dot një ligj më të mirë. Thjesht mbetemi në kurthin e 25 viteve dhe nuk bëjmë dot një ligj. Rrimë me ato që kemi patur deri tani që vetëm ligje për zgjidhjen e problemit nuk janë. Janë ligje për të zgjidhur një gjë, duke prishur një gjë tjetër. Pra, me ligjin do të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë me Presidentin. Do të votojmë ligjin që kemi.

Kjo është një shumicë që ka marrë votën për të bërë këto gjëra, nuk ka marrë votën për të hedhur valle konsensuale, por për të bërë këto gjëra. Ne do t’i bëjmë këto gjëra gjithmonë duke kërkuar konsensus, gjithmonë duke mirëpritur konsensus, por faktet janë kokëforta. Sot nuk do të kishim një ndarje të re territoriale, nuk do të kishim një Shqipëri të re të organizuar në nivelin vendor, nuk do të kishim një nivel vendor me 80% më pak hapësirë për korrupsion, nëse nuk do kishim bërë reformë administrative territoriale dhe nëse do të kishim mbetur peng i idesë së konsensusit me çdo kusht, siç mbetëm peng 2 vjet e gjysëm tek Radio Televizioni Publik. Ja ku të çon përpjekja me çdo kusht e me çdo çmim që të bësh konsensus. E të bësh konsensus me një palë që konsensusin e kërkon si alibi për bllokim, për të ndaluar, për të penguar.

 

-Ministria Felaj ka deklaruar se është një mundësi e hapur për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme me një sistem të ndryshuar zgjedhor. A do të shkojmë në 2017 me një sistem të tillë të ndryshuar?

Kam parë 2-3 deklarata të kësaj natyre, jo vetëm nga ministrja, por dhe nga ndonjë ministër tjetër, që janë opinione krejt normale dhe individuale, por që nuk janë opinione zyrtare, dhe mbi të gjitha nuk përputhen me linjën e qartë që unë e kam thënë për të gjithë se cila është.

Reformë Zgjedhore për ne do të thotë; E para, të respektojmë traditën e bashkëpunimit shumicë-pakicë dhe të bëjmë të mundur që rregullat e lojës të jenë të miratuara nga të dy palët, të paktën tek reforma zgjedhore kjo ka ndodhur historikisht. E dyta, por jo për nga rëndësia, që çdo ndërhyrje në këtë proces të jetë një ndërhyrje e shumicës si e tërë, jo e PS apo LSI, por shumicës si e tërë, në bllok. Duhet që në radhë të parë, shumica si e tërë të vendosë çdo pikë për reformën dhe pastaj të negociojë konsensusin me opozitën. Nuk do të ketë një reformë zgjedhore me një metodë tjetër. Kjo do të thotë që çdo gjë është e mundur nëse ka mirëkuptim të plotë dhe brenda shumicës për një qasje unitare.

Ndërkohë që puna ka filluar, ne kemi ngritur grupin e punës së përbashkët, mes dy forcave të koalicionit, do të përfshijmë në këtë grup pune dhe aleatë të tjerë dhe komisioni do të fillojë punën. Baza është raporti i OSBE/ODIHR. Nuk ka deri më sot ndonjë ide për të shkuar përtej raportit të tyre. Do t’i qëndrojmë pikave të raportit të OSBE/ODIHR.

 

-Gjatë 2015 kemi pasur kërkesa të shumta të opozitës për dorëheqje të ministrave të kabinetit tuaj. Ju vazhdoni të jeni i bindur që është formacioni më i mirë që kemi pasur ndonjëherë dhe a do të kemi ndryshime në 2016?

Unë jam i bindur për një gjë. Nëse ju, verifikoni dhe provoni si të vërtetë bazuar mbi fakte dhe prova, një akuzë të opozitës për secilin ministër, ministri nuk do hiqet nga qeveria, por do shkojë në Prokurori, dhe kallëzuesi do të jemi unë, Kryeministri. Por ama, një akuzë të verifikuar, jo “shpif, shpif se diçka do mbetet”, dhe pastaj kur diçkaja mbetet, kthehemi dhe themi “të iki ministri”, sepse ministrat nuk janë të pazëvendësueshëm, kryeministri nuk është i pazëvendësueshëm, maxhorancat nuk janë të pazëvendësueshme, përkundrazi. Por ama, një qeveri që ka marrë përsipër të bëjë reforma, ka marrë përsipër të ndeshet me shumë forca dhe të përballojë shumë interesa të shkelura që përkthehen në sulme të sponsorizuara. Ashtu sikundër të përballojë një opozitë, e cila arriti në pikën të thonë, “na kopjuat programin, na latë pa program, s’na mbeti gjë tjetër veçse të marrim shishet e benzinës dhe t’i vëmë flakën bunkerit”.

Një opozitë që thotë “na kopjuat programin”, edhe qameti kur thërret, nuk thërret në mënyrë kaq të dëshpëruar. Ky kriminalizim i përditshëm, harrojeni se do të ndryshojë bindjen time. Ne do të vazhdojmë të bëjmë reforma. Ne do të vazhdojmë të bëjmë partneritete publike, private. Kriminalizimi i privatizimit, i koncensionit, i partneritetit publik privat si koncepte, është një histori që ne e kemi trashëgim nga e shkuara, dhe e kemi peshqesh nga kultura e kriminalizimit. Një privatizim mund të jetë shumë më i dobishëm, mund të jetë shumë i gabuar. Mund të jetë shumë efikas për të përmirësuar një sektor, mund të jetë shumë i dëmshëm. Një koncension mund të jetë shumë i dobishëm, mund të jetë dhe shumë i dëmshëm. Këto janë mekanizma të këtij sistemi që kemi zgjedhur. Patjetër, koncesione, partneritete publike private, pa asnjë hezitim, por me një qëllim, që të përmirësojmë shërbimet, përndryshe kujt i duhen. Ç’do të thotë të marrësh të privatizosh hidrocentrale që janë fitimprurëse. Hidrocentrali është fitimprurës. Ti e merr e privatizon, ia jep dikujt që nuk është marrë kurrë me hidrocentrale dhe i ul edhe çmimin, me demek se po i rimburson TVSH-në. Ky është krim, ky nuk është privatizim. Por një hidrocentral që nuk funksionon, që është me humbje, që është në rrezik, që kërkon investime që ti nuk i ke mundësitë, e të tjera, – ne nuk kemi një të tillë-, atëherë patjetër që do ta privatizosh.

U bë nami në Tiranë kur unë futa partneritetin me privatët për linjat e atobuzëve. Ja ku e keni sistemin. Nuk është më i miri, se ju e dini në duar të kujt ngeli Tirana atëherë, se sot është në duar të sigurta

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.