Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin e zhvilluar në Qendrën e Zhvillimit, në Durrës:
Përshëndetje të gjithëve!
Jam i emocionuar nga kjo vizitë, sepse në çdo rast kur për shkak të punës më duhet të vizitoj realitete të tilla, ndjehem i emocionuar dhe i privilegjuar, që nga ky kontakt i drejtpërdrejtë me njerëzit në nevojë, me fëmijët e veçantë, me personat me aftësi të kufizuara, me të moshuarit e vetmuar, – marr një inkurajim shumë të posaçëm.
Kjo nismë është e veçantë sepse zhvillohet në të njëjtën kohë në të gjithë Shqipërinë, në të 28 qendrat e përkujdesit shoqëror për kategori të ndryshme; për fëmijët, për personat me aftësi të kufizuara, për gratë, për të moshuarit. Nuk është vetëm atmosfera festive, por krahas atmosferës festive dhe falë saj, ne duam në të njëjtën kohë të falenderojmë komunitetin.
Dua t’i falenderoj të gjithë ata rreth e rrotull dhe përreth kësaj qendre, që e mbajnë atë gjallë me përkushtim dhe me vullnetarizmin e tyre për t’ju ardhur sa më shumë në ndihmë fëmijëve që këtu shoqërizohen dhe zhvillojnë kapacitetet e tyre; organizatat e shoqërisë civile që janë të përfshira në këtë proces të mbarëvajtjes, por dhe të zgjerimit të këtyre qendrave, bizneset, që fatmirësisht kanë ardhur duke u shtuar, rreth këtij aktiviteti shoqëror dhe humanitar, e padyshim partnerët e ndryshëm ndërkombëtarë që në vazhdimësi kanë dhënë edhe ata ndihmesën e tyre që këto qendra të zhvillohen dhe të zgjerohen.
Nga ana tjetër, janë dy gjëra të rëndësishme për t’u nënvizuar, që janë dhe njëkohësisht dy objektiva të qeverisë tonë, por besoj janë dhe qëllime të mira në përgjithësi të shoqërisë.
Lufta ndaj diskriminimit kundrejt personave me aftësi të kufizuar në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, apo private dhe sidomos kur vjen fjala tek punësimi i merituar, apo arsimimi i domosdoshëm i tyre, si dhe aksesi në shërbime. Fatkeqësisht, ne jemi akoma një shoqëri që s’jemi plotësisht e hapur ndaj personave me aftësi të kufizuar, duke harruar që aftësia e kufizuar nuk qëndron tek individi. “Paaftësia ime nuk ekziston sepse po përdor një karrige me rrota, por për shkak se mjedisi rreth meje është i paarritshëm,” – thotë një vajzë me aftësi të kufizuar.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, jemi në një situatë dramatike të trashëguar vit pas viti, sepse rezulton që 64% e fëmijëve me aftësi të kufizuar të moshës shkollore nuk e frekuentojnë arsimin e detyrueshëm dhe sigurisht nuk jemi një rast unikal. Në botë janë rreth 93 milionë fëmijë të grupmoshës nga 0-14 vjeç me aftësi të kufizuar që nuk kanë akses, ose që kanë një normë shumë të ulët regjistrimi në shkollë.
Ne besojmë që normat e ulëta të regjistrimit në shkollë vijnë për shkak të paragjykimeve, por edhe për shkak të mungesës së infrastrukturës të përshtatshme për këta fëmijë në shkolla dhe të një mbështetjeje institucionale të mirëorganizuar. Padyshim që mohimi i të drejtës për arsim, përbën një nga pengesat më të mëdha për personat me aftësi të kufizuar, duke i përjashtuar nga të drejtat që i japin mundësi të jenë pjesë e shoqërisë dhe të mos ndjehen edhe më të rënduar se sa nga kufizimi i tyre, nga kufizimi që i bën shoqëria. Është një kufizim që në shumë raste fillon që në familje nga ndrojtja dhe nga vështirësia psikologjike e familjeve për të luftuar së bashku me ne për t’i dhënë aksesin e merituar këtyre fëmijëve.
Shqipëria është pjesë e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Me pranimin në këtë Konventë shteti shqiptar ka detyrimin e respektimit të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara.
Unë pata fatin të takoj Këshilltaren e posaçme të Presidentit Obama pranë Departamentit të Shtetit, e cila ishte një person i jashtëzakonshëm në një karrige me rrota dhe ishte një diplomate e shkëlqyer e SHBA-ve. Pata fatin që në bashkëbisedim me të, të kuptoj edhe më shumë për kushtet e vështira që përballojnë personat me aftësi të kufizuar në të gjithë botën dhe për pengesat psikologjike që ju vihen atyre përpara, si rezultat i pengesës psikologjike që kanë shoqëritë dhe që kanë vendimmarrësit në raport me ta.
Dua të them se krijimi i shërbimeve rehabilituese në këto qendra që po vazhdon me hapa ndoshta jo aq të mëdhenj sa duhet, por sidoqoftë hapa të rëndësishëm, është një vlerë e shtuar dhe një domosdoshmëri që këto qendra të jenë një stacion i përkohshëm për të ndihmuar riintegrimin e fëmijëve në jetën shoqërore.
Ne kemi një projekt, projektin që ka marrë emrin “Ëndrra ime”. Një ndër projektet fitues të 2015, ishte ai i një vajze Desli Shahinit, që konsistone në përfshirjen dhe në socializimin e fëmijëve që nuk dëgjojnë, në jetën e përditshme. Një nga aftësitë e tyre dhe talentet e tyre është piktura dhe punimet me dorë. Të gjithë ata fëmijë punuan një javë në kryeministri, ku derdhën gjithë imagjinatën e tyre dhe i dhanë mundësi vetes, përmes mundësisë që u krijua që të flisnin shumë me ato që bënë. Edhe ajo që ndodhi atë javë ishte shumë domethënëse për të parë se ka një kapacitet real dhe një mundësi reale për t’u shfrytëzuar për t’i ndihmuar këta fëmijë dhe për t’i dhënë mundësinë që nesër të mund të jenë të aftë që të përballojnë me sukses dhe të integruar në shoqëri, jetën e tyre.
Së fundi, dua t’i falënderoj të gjitha ata që punojnë në këto 28 qendra, ku vërtet kemi parë shumë përkushtim, kemi parë shumë aftësi për t’i kuptuar dhe për t’i ndihmuar këta fëmijë. Ashtu sikundër dua t’i falenderoj të gjithë prindërit që me praninë e tyre, me kujdesin e tyre, por edhe me bashkëpunimin e tyre me këto qendra, janë një vlerë e shtuar që na ndihmon shumë të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë.
Ju uroj gëzuar të gjithë juve që jeni këtu dhe përmes jush të gjithë atyre që sot mungojnë në këtë aktivitet për arsyet e tyre.
Përfitoj nga rasti që t’ju uroj gëzuar të gjithë prindërve të fëmijëve të veçantë, siç kam dëshirë t’i quaj, duke uruar që viti i ardhshëm t’ju sjellë më shumë gëzim dhe t’ju sjellë dhe më shumë energji pozitive për të luftuar së bashku me ne, për të kapërcyer të gjitha pengesat për të cilat folëm.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Gëzuar!
***
Më shumë dashuri dhe më shumë vëmendje në këtë fundviti për njerëzit në nevojë. Me këtë mesazh, u organizuan sot 28 aktivitete festive në 28 institucione të Përkujdesit Social në të gjithë vendin, të zhvilluara nën kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe me mbështetjen e bizneseve, mediave dhe personaliteteve të njohura në fusha të ndryshme në vend. Për këtë qëllim, 28 figura të shquara në sferën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore ishin pranishëm në një nga 28 institucionet për të festuar me njerëzit që banojnë në to, duke e konsideruar këtë ditë si fillimin e një viti të ri, nën frymën e solidaritetit për njerëzit më në nevojë.
Kryeministri Edi Rama përcolli urimet e tij për festat nga Qendra e Zhvillimit në Durrës, e cila i përkushton shërbimin e saj fëmijëve me aftësi të kufizuara. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.