Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare “Shqipëria dhe Europa, 25 vjet nga rënia e komunizmit”:
Më duket një zgjedhje e mençur e organizatorëve për të na vendosur përballë një teme si ajo që është e shkruar në sfond, “Shqipëria dhe Europa, 25 vjet nga rënia e komunizmit”.
Është një temë që mund të merrte ditë dhe netë të tëra dhe sigurisht nuk do të ezauronim dot, por sigurisht besoj se është një temë që na vlen edhe për një refleksion, sado të përmbledhur, lidhur me atë që ishte Shqipëria 25 vjet më parë, me atë që ishte Europa 25 vjet më parë dhe me atë që Shqipëria dhe Europa janë sot.
Unë do të doja të ndaja me ju, pa pretenduar se kam plotësisht të drejtë, një fakt. Nëse i referohemi rrugës së çlirimit të vendeve komuniste nga diktaturat në vendet e ndryshme dhe faktit që Shqipëria ishte e fundit që arriti ta shembte diktaturën më të egër brenda mureve të ish perandorisë komuniste, lidhet me mënyrën se si vazhdoi historia e integrimit. Po të shohim shpejtësinë me të cilën vendet arritën të kapin trenin e Bashkimit Europian, përsëri është i njëjti grafik, është e njëjta radhë; vendet që u çliruan më shpejt ishin vendet që e patën më të lehtë, por jo sepse diferencën e bëri harku i një viti nga ’89-a në ‘90-n, por sepse, besoj unë, diferencën e bëri dhe vazhdon ta bëjë edhe sot, e shkuara.
Për vende si Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian ishte një rrugëtim për të rilidhur fijen e këputur të një historie që kishte ndërtuar institucione europiane, kishte ndërtuar universitete europiane, kishte ndërtuar një rrjet besimi brenda përbrenda shoqërisë së gjerë të vendeve europiane, në kuptimin e institucioneve fetare. Ndërkohë që, për vendet që patën më shumë vështirësi, qoftë për t’u çliruar, qoftë për t’u integruar, apo që kanë ende vështirësi në rrugën e integrimit, boshllëku i institucioneve në të shkuarën dhe këtu nuk flas për të shkuarën e afërt, thjesht e vetëm të komunizmit, por flas edhe për një të shkuar pak më larg, ishte faktor.
Nëse kthejmë kokën në histori dhe shohim të shkuarën tonë në raport me sfidën e integrimit, që në fund të fundit është as më shumë dhe as më pak, por sfida e ndërtimit të një shteti modern, me institucione funksionale që jetësojnë një Kushtetutë demokratike dhe nëse krahasojmë panoramën që ne kemi përpara, me panoramën që është përpara syve të atyre që na kanë pararendur në procesin e integrimit dhe që i janë bashkuar më parë Familjes Europiane, është e qartë se kemi një disavantazh të jashtëzakonshëm historik. Pa llogaritur edhe periudhën e barbarisë komuniste, që ishte e pashoqe për nga brutaliteti, besoj unë, në raport me gjithë pushtetet komuniste në vendet e tjera, pikërisht sepse mbështetej mbi këtë boshllëk.
Në fund të fundit, mësimi i parë për të nxjerrë nga këto 25 vite ballafaqimi me të shkuarën tonë dhe me sfidat e integrimit europian është se dallimin nuk e bën klima, nuk e bën gjeografia, nuk e bën as historia e njerëzve. Dallimin e bën historia e institucioneve dhe tradita e shtetit si i tillë, pavarësisht nga njerëzit, pavarësisht nga gjeneratat që i lënë radhë njëra-tjetrës.
Besoj që mund ta ndajmë pa ndonjë vështirësi të madhe, edhe pse mund të mos jemi plotësisht dakord, një tjetër fakt. Kultura e bashkëjetesës sonë në këto 25 vjet, flas për bashkëjetesën politike e demokratike, e ka vuajtur shumë të shkuarën komuniste. Ashtu sikundër, Shqipëria e ka vuajtur shumë të shkuarën të marrë si tërësi, për shkak të asaj që thashë më lart.
E ka vuajtur shumë, sepse jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që komunizmi godiste pa mëshirë deri në marrjen e jetës së mesazherit, për të fshirë mesazhin. Nuk kishte asnjë debat të mundshëm dhe faktikisht nuk kishte as oponentë, as kundërshtarë, por kishte vetëm armiq. Armiq për t’u asgjësuar fizikisht, për t’u marrë peng, burgosur, syrgjynosur fizikisht dhe për të çuar përmes vuajtjes së tyre, mesazhin tek të tjerët që, nëse bashkohesh apo u ngjason këtyre, ke të njëjtin fat.
Për fat të keq, në këto 25 vjet, ne nuk jemi çliruar nga kjo, edhe pse sot, prej 25 vitesh jetojmë në një sistem që nuk burgos, nuk pushkaton, nuk syrgjynos, nuk persekuton, në kuptimin fizik të fjalës. Por është fakt që ne kemi vazhduar për 25 vjet të merremi shumë më tepër me mesazherin, sesa me mesazhin. Ne ende nuk e kemi kapërcyer kulturalisht fazën e ndërmjetme, ku kundërshtari, oponenti, i ndryshmi të pranohet si pjesë e diversitetit që kemi zgjedhur, duke zgjedhur demokracinë dhe të mos jetë armiku që duhet asgjësuar.
Nëse deri dje, asgjësimi përshkallëzohej në gjykata me prokurorë dhe pa avokatë dhe përpara skuadroneve të ekzekutimeve apo mbrapa dyerve të burgut, sot nuk kemi asgjësim, por kemi një riciklim të përditshëm të një procesi tejet të polarizuar politik. Proces që në këndvështrimin tim është reflektim i kulturës së vjetër të së shkuarës, të një raporti jo të shëndetshëm e tjetrin dhe me kundërshtarin si një e dhënë e patjetërsueshme e sistemit demokratik.
Pas 25 vjetësh, duke marrë parasysh këto dy gjëra që rreshtova, jemi në gjendje së bashku – dhe këtu nuk ma ha mendja që ta kemi të vështirë për të qenë dakord, – të themi se procesi i integrimit europian është një instrument unik, i pazëvendësueshëm, të cilin as ne, por besoj asnjë vend tjetër nuk do të kishte mundësi ta shpikte, nëse do të mungonte, për të ecur në rrugën e ndërtimit të sistemit të institucioneve dhe në rrugën e transformimit të bashkëjetesës në liri, në një bashkëjetesë në demokraci, që janë dy gjëra cilësisht të ndryshme.
Sistemi 25 vjet më parë u shemb në pak ditë; Kushtetuta e re, pak vite më vonë u bë gati dhe u miratua relativisht në pak kohë; Por ne nuk mund të themi sot se, qoftë sistemin që na duhej dhe na duhet për të zëvendësuar, apo për të mbushur boshllëkun mbi gërmadhat e asaj që la pas regjimi komunist, e kemi ndërtuar dhe as institucionet që janë aty si mishërim i gjithçka shkruhet në Kushtetutë, i kemi garantuar.
Sot jemi në një fazë jashtëzakonisht interesante dhe jashtëzakonisht delikate të historisë së përbashkët mes nesh dhe Europës, nëse vazhdojmë i referohemi asaj çka me zgjuarsi është vendosur si kryefjalë e këtij aktiviteti, “Shqipëria dhe Europa, 25 vite më pas”. Nëse për ne, – unë jam dakord me të gjithë parafolësit, – ka pasur një proces që sidoqoftë, duke e relativizuar në raport me çka secili prej nesh kërkon sot, ka qenë një progres i pa ndalur në synimin për t’u bërë pjesë e Europës, Europa në vetvete sot duket sikur përpëlitet në një kurth, në një udhëkryq.
Një udhëkryq ku, faktikisht, ato që ndodhin, si për shembull, kriza e refugjatëve dhe situata krejt e papërputhur mes asaj që ndodh mes Gjermanisë, Austrisë dhe shumë vendeve të tjera në përballimin e kësaj krize, apo edhe fitorja e përpara dy ditësh e ekstremistëve të djathtë në Francë, thjesht e nxjerrin në pah dhe janë të gjitha simptoma të një procesi të brendshëm. Të një procesi brenda Bashkimit Europian, që pak nga pak e ka transformuar Europën nga një projekt i madh strategjik, në një bashkësi egoizmash kombëtare dhe në një projekt taktik.
Një projekt taktik, i copëtuar në 28 pjesë për shkak të 28 vendeve anëtare, që kanë 28 palë zgjedhje të përgjithshme, 28 palë zgjedhje administrative, 28 palë zgjedhje europiane, e me radhë, të cilat jemi të vetëdijshëm kanë diktuar gjithmonë e më shumë proceset e çuarjes përpara të projektit strategjik të Bashkimit Europian.
Sidoqoftë dhe besoj se si konkluzion mund të thuhet se sot, kur ka filluar një luftë e re që Papa Françesku e quan Lufta e Tretë Botërore, Shqipëria vazhdon të jetë besnike e ëndrrës europiane dhe e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Në këtë pikë nuk ka ndasi, nuk ka dallime, nuk ka kundërshti. Fatmirësisht, në Shqipëri që nga dita e parë pas vendosjes së pluralizmit dhe deri sot nuk kemi pasur asnjë forcë që t’i kundërvihet këtij projekti, sepse nuk do të kishte asnjë shans që t’i mbijetonte gjykimit të popullit.
Por kjo nuk është e thënë që të mbetet kështu gjithmonë. Kjo do të varet shumë nga çfarë Europa do të jetë nesër dhe si Europa do të sillet me Ballkanin dhe me shqiptarët. Sidoqoftë, ne jemi në një proces ku pavarësisht kalimit të pushteteve, pavarësisht dallimeve mes palëve, ka një stafetë. Një stafetë që është lehtësisht e lexueshme, nëse nuk i referohemi gazetave që janë pjesë e pamjes apokaliptike të sherrit të brendshëm në politikën shqiptare, por t’i referohemi raporteve të progresit të Bashkimit Europian dhe dokumenteve të tjerë.
Faktikisht, prioritetet apo problemet vazhdojnë të jenë po ato, siç kanë qenë vite më parë, por cilësia e trajtimit të tyre dhe përpjekja për të zgjidhur pjesë të tyre është një përpjekje që dorë pas dore ka shkuar duke u intensifikuar. Sot, nëse ne jemi në një proces të ri reformash, kjo vlen si rezultat pikërisht i shtysës së vazhdueshme dhe të brendshme që ka qysh nga dita e parë kur studentët dolën në shesh, thirrja e brendshme e Europës.
Në fund të fundit, pavarësisht se çfarë do të jetë nesër Europa, ajo që është e sigurt është që me këto reforma që imponohen nga ky proces europianizimi dhe që shtyhen gjithmonë e më fort nga kjo ëndërr, Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë një shtet serioz, modern dhe funksional, që nuk është vepra e një shumice, por që shpresoj të jetë nesër, në raport me historinë, vepra e një gjenerate, me të gjitha gabimet, fajet, por edhe përpjekjet e veta gjenuine.
Duke e mbyllur dua të ngre vetëm një pyetje. Nëse do t’i referoheshim përsëri 25 viteve më parë dhe nëse do të pyesnim veten se çfarë do të ishte Shqipëria sot pa ëndrrën europiane dhe se çfarë do të ishte Shqipëria sot nëse ne nuk do ta kishim pasur këtë mundësi të artë që është procesi i integrimit, secili mund të japë një përgjigje, por besoj se tërësia e përgjigjeve do të ishte një pamje shumë e errët. Ashtu sikundër e njëjta gjë vlen edhe për Europën; Çfarë do të jetë Europa nesër, nëse braktis ëndrrën dhe projektin e etërve të saj themelues.
Këto janë pyetje të hapura që sigurisht, edhe sikur të rrinim ditë dhe netë, vështirë se do të mund t’u jepnin përgjigje të pagabueshme, por e sigurt është një gjë, që Europa për ne është një ëndërr që vazhdon dhe një forcë e brendshme, që ka aftësinë të na mbajë të bashkuar, me gjithë aftësinë tonë të padiskutueshme për t’u ndarë edhe për sa është ora. Jam i bindur që, nëse do të shohim orën, do të kemi dy orë të ndryshme nga palët e ndryshme që janë këtu.
Por nuk kemi dy qëndrime të ndryshme për atë çka Europa është për ne. Kjo i detyrohet sigurisht të gjithë atyre që i dhanë jetë këtij procesi historik në 8 dhjetorin e 25 viteve më parë dhe pa dyshim peshon si barrë dhe si detyrim mbi të gjithë ne, për t’u trashëguar fëmijëve tanë, një Shqipëri që t’i ngjajë sa më shumë ëndrrës që i nxori në rrugë, ata të cilët dje ishin të rinj, sot janë bërë gjyshër, pa harruar se ata që kanë lindur në 8 dhjetor, sot janë 25 vjeç.
Faleminderit!