Kryeministri Edi Rama në takimin me studentë për Bibliotekën Digjitale, në kuadër të Paktit për Universitetin:
Përshëndetje të gjithëve!
Kjo është një tjetër kërkesë e ngritur nga studentët në protestën e tyre, por, sidoqoftë e shumëpritur prej kohësh nga të gjithë. Ndërkohë që ne, si dhe për kërkesat e tjera, na shërbeu jashtëzakonisht shumë shtysa e protestës së studentëve, për të përshpejtuar ritmin e punës sonë në funksion të adresimit të këtyre nevojave realisht bazike, sepse çelja e rrugës për shfrytëzimin e një biblioteke digjitale e globale, si kjo që sot është në dispozicion të universiteteve, është një domosdoshmëri. Po ashtu ajo kompenson në mënyrë shteruese të gjitha mangësitë dhe boshllëqet e trashëguara përsa i përket materialeve shkencore që pedagogët dhe studentët duhet të kenë në dispozicion. Deri më sot ky akses është mundësuar nëpërmjet të tretëve, me kolegë pedagogë të huaj në vende të ndryshme, ku pedagogët tanë kanë pasur mundësi të vendosin kontakte, me studentë shqiptarë që kryejnë vijimin e studimeve në vende të tjera dhe me rrugë të tjera, por deri më sot ka qenë e pamundur që ky të jetë një akses i drejtpërdrejtë për të gjithë këtu në Shqipëri.
Më vjen shumë mirë që edhe në këtë drejtim, ne e realizuam objektivin brenda afatit të përcaktuar në Paktin për Universitetin.
Biblioteka, – unë e pashët me kuriozitet të gjithë raportin me bibliotekën, është një hapësirë e jashtëzakonshme, me një shumëllojshmëri të madhe materialesh për të gjitha fushat e studimit. Edhe më e këndshme ishte surpriza e mundësisë për të mësuar gjuhë të huaja. Janë 30 gjuhë të huaja që ofrohen në platformën Rosetta Stone, që është pjesë e kësaj biblioteke digjitale dhe me një metodologji të konsoliduar dhe jashtëzakonisht efikase. E sjell në vëmendje këtë, sepse besoj se ka ardhur koha që ne të adresojmë nevojën e përmbushjes me cilësi të një rregulli ekzistues, por për shumë e shumë vite të pazbatuar cilësisht, për anglishten. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që vërtetimi i anglishtes këtu është marrë vijimisht me rrugë të ndryshme, por në një sasi alarmuese rastesh nuk i përgjigjet dijes mbi anglishten.
Dija mbi anglishten është absolutisht e domosdoshme dhe nuk mund të imagjinohet që të ketë sot, në Europë dhe ne jemi sot në mes të Europës, studentë që bëjnë masterin dhe nuk kanë dije të gjuhës angleze. Ashtu sikundër është e domosdoshme që të adresojmë edhe dijen e gjuhës shqipe, që është e dukshme dhe e prekshme sa herë dëgjon njerëz që pretendojnë se po bëjnë master, të hapin gojën dhe të artikulohen në shqip, pa llogaritur pastaj drejtshkrimin në shqip, që është një problem i madh kombëtar sot për ne.
Për të dyja këto, ne kemi nevojë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e universiteteve. Është e pakuptueshëm dhe e patolerueshme që biblioteka digjitale sot të mund të vihet në funksion nga një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të universiteteve dhe të mos vihet dot në dispozicion nga Universiteti i Tiranës ende, sepse Universiteti i Tiranës është i papërgatitur nga pikëpamja teknologjike. Ashtu sikundër është skandaloze që për lëvrimin e bursave për studentët, Universiteti i Tiranës të jetë një vatër ende problematike si pasojë e mungesës së teknologjisë dhe e vazhdimit të praktikave me dorë.
Unë e kam thënë edhe herë tjetër dhe nuk është sekret që për sa na takon, ne kemi rezerva të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universitetit të Tiranës dhe besoj që nuk them diçka të parakohshme, sepse është koha për të adresuar inkompetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit alarmant, të konstatuar në raport edhe me çfarë të gjithë ne jemi përpjekur të bëjmë për të adresuar kërkesat legjitime të studentëve, nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës. Është e papranueshme dhe ka ardhur koha që ne t’i referohemi ligjit për Arsimin e Lartë dhe të hapim një proces transparent për të adresuar këtë problem. Rektorati i UT është vendi për të adresuar problemet dhe për të gjetur zgjidhje dhe jo vendi ku problemet krijohen dhe zgjidhjet pengohen. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur dhe parafytyroni që tani duhet të merret Ministria e Arsimit, duhet të merret agjencia përkatëse që të lehtësojnë aksesin e studentëve të Universitetit të Tiranës në bibliotekën digjitale, për shkak se s’ka asnjë shprehje vullneti minimal nga ana e rektoratit dhe personalisht e rektorit të Universitetit të Tiranës. Është e papranueshme.
Ashti sikundër, përkundër nevojës për të lehtësuar procesin e rivendosjes së rendit brenda universiteteve, në atë fazën e ndërmjetme mes protestave e normalitetit ku pati shumë përpjekje për të krijuar artificialisht anormalitet, u gjet gjuha e bashkëpunimit m e dekanët dhe nuk u arrit dot të komunikohej me rektorin. E them këtë, sepse përsa i përket bursave, përsa i përket vetë bibliotekës digjitale, përsa i përket rindërtimit të infrastrukturës problematike, apo ndërtimit të infrastrukturës së re, ne mund të vazhdojmë të ecim dhe t’i realizojmë objektivat e vendosura bashkërisht me studentët, edhe pa rektorin e UT dhe pa rektoratin, por ne nuk mundet dot të ecim dhe të shkojmë asgjëkund, për të adresuar 3 pika, të cilat sot gjenden në ajër dhe janë pjesë integrale e kërkesave të studentëve, por mbi të gjitha janë edhe aspekte jetike për kalimin e Universitetit në një stad të ri. E para, transparenca e titujve akademikë është diçka që qeveria nuk e bën dot vetë. Ministria e Arsimit nuk e bën dot vetë dhe nuk duhet propababilisht që t’i hyjë dhe ta bëjë vetë, por duhet ta bëjë vetë çdo universitet. As ka shans që transparenca e titujve akademikë të ndërmerret në kushtet kur rektorati, një rektorat, siç është i Universitetit të Tiranës, bën sikur s’kupton dhe bën sikur s’dëgjon. Përveçse bën sikur s’kupton dhe bën sikur s’dëgjon, flet përçart, duke krijuar më shumë konfuzion dhe më shumë hapësirë për çoroditje, sesa duke adresuar problemin.
Së dyti, vlerësimi nga ana e studentëve e performancës së pedagogëve. Është një kërkesë legjitime dhe nuk është një kërkesë origjinale shqiptare, por është një kërkesë e bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Dihen metodat e vlerësimit të pedagogëve nga ana e studentëve, ka disa dhe këtu bëhet fjalë për të përzgjedhur dhe për të proceduar. Nuk po ndodh. Ne nuk shohim asnjë shenjë.
E treta, shqetësimi i madh i studentëve për tregun e shitjes së librave të pedagogëve në këmbim të notës. Edhe kjo nuk po shohim të adresohet asgjëkund. Sigurisht që ne po bëjmë një përpjekje, e cila është e diskutueshme nga pikëpamja e standardeve që ne kërkojmë dhe nga pikëpamja e njehsimit të hapësirës universitare shqiptare me hapësirën universitare globale, që ne të përkthejmë librat në shqip, për t’i vënë në dispozicion të pedagogëve dhe studentëve, sepse normalisht, kjo është një shprehje e qëndrimit minimalisht në vendnumëro, mos të them e kthimit mbrapa, sepse është anglishtja ajo që duhet të na japë në universitet mundësitë për të pasur ekstra studim.
Ndërkohë që problemi mbetet i hapur, ajo që është më shqetësuese, në këndvështrimin tim, në aspektin e integritetit moral të punës akademike dhe të studimeve të larta, është që duke mos ndarë pedagogët që meritojnë gjithë respektin dhe meritojnë vendin që kanë dhe që, – jo për të bërë politikë, apo për të qenë diplomatikisht në rregull, – janë shumica, nga sharlatanët që paraqiten si doktorë shkencash dhe që paguhen nga taksat tona dhe marrin në qafë studentët që paguajnë sidoqoftë një pjesë të tarifës sot, ne nuk vendosim universitetin në bazat e duhura të shëndetshme për të pasur nesër një standard tjetër.
Këto janë çështje të patjetërsueshme të problematikës së përgjithshme të botës sonë universitare. Në fund të ditës, ne mund të rindërtojmë dhe do të rindërtojmë infrastrukturën e universitetit, mund të rindërtojmë dhe do të rindërtojmë infrastrukturë të re, mund të ndërtojmë dhe do ta ndërtojmë edhe Kampusin modern universitar të Tiranës, mund të rindërtojmë dhe do të rindërtojmë të gjithë konviktet, mund të krijojmë akses dhe ja ku e krijuam në të gjithë hapësirën globale digjitale për studime, mund edhe të bëjmë dhe e bëmë faktikisht përgjysmimin e tarifave, apo zerimin e tyre për kategori të ndryshme, apo edhe bursat për ata që janë më të mirë, për ata që janë në nevojë, por, nëse nuk zgjidhim problemin e softit, problemin e mendjes brenda universitetit dhe nëse nuk fillojmë ndarjen në një proces transparent dhe solid mes atyre që janë realisht profesorë, doktorë shkencash, mes atyre që janë realisht njerëzit e duhur në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe atyre që janë sharlatanë të përzierë me këta të parët, duke krijuar një situatë ku nuk e merr vesh i pari të dytin, ne nuk kemi bërë atë që duhet për të vendosur të gjithë arsimin e lartë në një bazë të re. Këtë duhet ta bëjë universiteti. Këtë nuk mund ta bëjë qeveria në mënyrë të njëanshme. Nuk do të ishte e drejtë dhe nuk do të ishte rruga më e mirë. Sigurisht ne nuk do dorëzohemi në këtë pikë, por unë jam shumë i dëshiruar që mos lindë nevoja që të ndërhyjmë në ligj, për të marrë në kontroll një zonë që i takon autonomisë universitare.
Nga ana tjetër, ne nuk mund t’i lëmë të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi në dorën e atyre që s’duan në asnjë mënyrë të hapin këtë proces, në dorën e atyre që kanë frikë nga vlerësimi i titujve të tyre akademikë. S’mund ta bëjmë dot këtë gjë. Kanë kaluar shumë vite dhe nuk mund të kalojnë po kaq vite në një situatë të tillë, që nuk i bën nder as universitetit, as vendit tonë dhe mbi të gjitha nuk i bën nder gjeneratës tonë, në raport me gjeneratën tjetër. Është e pamundur. Do të na duhet në fund të ndërhyjmë. Unë e kam thënë dhe e rithem, po pres dhe po presim me durim që të shohim që ky proces të hapet. Kush kujton se kjo do të harrohet e ka gabim. Kush kujton se do të kërcënojë qeverinë me inskenime protestash, apo me krijime situatash që turbullojnë gjendjen e brendshëm të universitetit, medemek për këtë e për atë, por, ndërkohë, në fakt, për t’iu shmangur kësaj, e ka gabim. Ne jemi këtu për të bërë reformat dhe për t’i çuar ato deri në fund. Nuk jemi këtu për të siguruar qetësinë tonë në karrige, as për të siguruar në karrige një jetëgjatësi që s’na intereson fare. Ne jemi këtu për të bërë detyrën.
Protesta e studentëve ishte një shtysë shumë e rëndësishme dhe adresoi disa aspekte që janë absolutisht të rëndësishme. Ashtu sikundër hapi një proces ku ne shkuam përtej kërkesave të tyre dhe do të shkojmë përtej kërkesave të tyre. Por, nëse në ato 8 kërkesa, 3 prej tyre ishin fondamentalisht të lidhura vetëm me universitetin, universiteti s’mund të bëjë sikur s’kupton. Kjo është e pamundur. S’mund të bëjë sikur kjo s’ka ekzistuar, apo më pak pastaj mund të bëjë sikur ka në dorë ta mbajë peng këtë proces.
Edhe aspektet e tjera në ato kërkesa ishin më shumë të lidhura me universitetin sesa me qeverinë. Megjithatë, jo vetëm për të mos iu shmangur nevojave dhe aq thjesht për të mos hequr përgjegjësi nga vetja, por, pikërisht sepse ne kemi mundësi të bëjmë më shumë, ne u përfshimë kokë e këmbë në këtë proces dhe morëm përsipër t’i adresojmë të gjitha kërkesa. Të tre këto që thashë, më herët se vonë do të detyrohemi t’i bëjmë vetë, duke ndërhyrë në legjislacion dhe duke marrë kompetenca që sot i ka universiteti. Por kjo nuk është diçka që ne e dëshirojmë dhe nuk është më e mira për t’u bërë. Më e mira për t’u bërë është që këtë përgjegjësi ta marrin të gjithë drejtuesit e universiteteve, ta marrin senatet akademike, ta marrin këshillat studentore e kështu me radhë dhe ta çojnë përpara. Nuk do ketë harresë dhe nuk do ketë bllokim të procesit të titujve akademikë.
Ashtu sikundër është e nevojshme dhe për këtë ne jemi duke u përgatitur për të zhvilluar një takim tjetër me drejtuesit e universiteteve, për të adresuar në mënyrë shumë më racionale çështjen e kuotave, për të adresuar në mënyrë shumë më racionale çështjen e kalimit të një pjese të vëmendjes tek kolegjet profesionale dhe tek programet e formimit profesional. Nuk mundet dot që të kemi kërkesë për kuota të bazuara tek nevoja për lekë, për fonde. Kjo s’është e mundur. Ashtu sikundër nuk mundet dot që programet profesionale të hartohen bazuar te sa pedagogë kemi dhe çfarë dinë të bëjnë këta pedagogë. Duhet të ballafaqohemi me nevojën për të adresuar kërkesat që ka tregu.
Ne kemi sot, një qartësi relative, por sidoqoftë shumë më të madhe sesa dje, të kërkesave të tregut. Kemi punuar në vijimësi për t’i identifikuar dhe për të kuptuar se ku janë pikat që universiteti duhet të lidhet me tregun dhe nga ku tregu duhet të furnizohet prej universitetit. Nuk mund të kërkojmë të rrisim numrin e atyre që studiojnë për mësues, ndërkohë që sot ne kemi nevojë të rrisim cilësinë e atyre që studiojnë për mësues. Nga ana tjetër kemi një listë pritjeje goxha të gjatë të atyre që mbarojnë studimet për mësues. Ne s’mund tu japim akoma të rejave dhe të rinjve të këtij vendi iluzionin se po marrin një shkollë të lartë dhe se nesër do hyjnë në një punë, duke i nxjerrë pastaj si të papunë objektivisht, jo subjektivisht, pasi ka një limit kërkesash për mësues dhe ka një planëzim të mundshëm të numrit të mësuesve të nevojshëm për 5, 10, 15, 20 vitet e ardhshme. Ndërkohë universitetet nuk mund të vazhdojnë të jetojnë brenda guaskës së tyre, pa pasur asnjë kuptim të përditësuar të tregut.
Ndërkohë që është e nevojshme t’iu japim nxënësve mundësinë e aksesit në studime të larta, është po kaq e nevojshme të rrisim hapësirën për cilësi për ata që kryejnë studime të larta të plota dhe të krijojmë hapësirë të lartë mundësish për ata që kryejnë studime të larta 2-vjeçare për të marrë njohuri të thelluara në një zanat të caktuar.
– Përshëndetje të gjithëve! Sa për bibliotekën dixhitale, unë them që kjo është një arritje shumë e madhe që unë them që u krye. Unë dua t’i përgjigjem kryeministrit për çështjen ku të gjithë jemi të shqetësuar. Ne, pas takimit të parë jemi mbledhur një pjesë e madhe e rektorëve për të diskutuar si do bëjmë pasi kjo është një patate përvëluese që mbeti në duart tona, të rektorëve aktualë, por që historia nuk fillon prej 3 vitesh. Do bëjmë një rivlerësim të titujve akademikë që janë prej kohësh, të paktën që në 2008.
Ne nuk kemi një organ siç e ka ligji që quhet konferenca e rektorëve. Nuk është formuar ky organ. Në këto kushte, detyrimisht do të na thërresë ministrja, që ne të themi mendimet tona se si duhet ta bëjmë këtë punë. Për mua kjo është një çështje e mënyrës së organizimit të procesit që ne ta çojmë deri në fund. Sepse nuk është kaq e thjeshtë. Sepse ja i vlerësuam tituj, i gjetëm të gjitha problemet që kemi. Si do të vazhdojë më tej procesi? Ne nuk jemi indiferentë, por procesin ta bëjmë mirë që të jetë i pjekur e ta përfundojmë këtë proces.
Kryeministri Edi Rama: Ajo që thatë ju, “na ngeli patatja e nxehtë në dorë”, mirë është të kujtoheni që nuk ju ka bërë njeri me zor rektorë dhe dekanë, jeni zgjedhur. Keni kërkuar vota dhe e keni kërkuar pataten vetë, kështu që patatja e nxehtë, e nxehtë është e di unë, është aq e nxehtë sa t’i thuash vetes ç’mu desh që u bëra rektor, por ne jemi në dispozicion. Nuk ka asnjë diskutim, ne jemi në dispozicion. Nuk është se kemi parë ndonjë zell nga ana juaj në tërësi flas, aq me tepër që për universitetin e Korçës unë e thashë që është bërë një përpjekje pozitive, për ta zhvilluar atë proces dhe tani jeni në atë shqetësimin që a e keni mirë a nuk e keni mirë mënyrën se si e keni menduar.
Ne jemi gati në çdo moment të takohemi, ministrja, unë personalisht pa problem fare, madje kemi një takim për këtë çështjen e kuotave dhe të programeve dyvjeçare dhe patjetër ta diskutojmë çfarë duhet nga ana jonë për ta mbështetur procesin. Thjeshtë na e thoni dhe ne do ta bëjmë çfarëdo që të jetë. Ne duam të jemi mbështetës të procesit, nuk duam të jemi udhëheqës të procesit. Procesin duhet ta udhëhiqni ju. Nuk e di këtë çështjen e konferencës së rektorëve konkretisht, por çfarëdo qoftë, ne jemi në dispozicion, pa diskutim. Çfarë duhet nga ne? E thashë, ne nuk duam t’i hymë vetë kësaj pune si zbatues të kësaj pike themelore, jo të kërkesave të studentëve, por të vetë universitetit.
Nuk duam t’i hyjmë vetë ne, por nëse do vijë puna që nuk do ta bëni ju, do ta bëjmë ne, patjetër, se nuk mund ta lëmë në mes të rrugës një proces, që këtë e ka të domosdoshme. Çfarëdo që të ketë nevojë, ne jemi në mbështetje të plotë dhe ministrja e tha. Tha dhe diçka tjetër që e përsërit sa herë flet për arsimin e lartë e unë dua ta them. Edhe atyre që thonë “ligji i arsimit të lartë, ligji i arsimit të lartë” iu është thënë qartësisht, ligji nuk ndryshon për sa kohë nuk na vjen një argument, një, jo 25, një argument i vetëm çfarë pengon ligji. Nëse na vjen një argument që të thuhet që “shiko, ky ligj, pengon këtë gjë”, ne jemi gati të ndërhyjmë në ligj që nesër. Por, deri tani nuk ka asnjë argument. Ka vetëm fantazira mbi gjëra që nuk kanë ndodhur dhe nuk kanë për të ndodhur. Fantazia që në bazë të ligjit, ne kemi financuar universitete private, është e pavërtetë. Nuk ka ndodhur e nuk do ndodhë. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme edhe diçka, ne kemi hapur një proces historik për ndryshimin e administratës publike dhe jo publike, pra shtetërore, shërbim civil dhe jo vetëm, duke i hapur rrugë të gjithë atyre që janë me 9-10.
Koha do të na mësojë gjëra të reja me siguri, duke parë nga afër kontributin e atyre që janë me 9-10, por është një shenjë e qartë që ne i bëjmë universitetit, duke insistuar që duhet të lidhim gjithë programet dhe gjithë funksionimin e universitetit me tregun e punës dhe jo vetëm me thjeshtë çfarë universitet janë mësuar të ofrojnë, por me atë që tregu kërkon që t’i ofrohet nga universiteti.
Nëse ndonjë tjetër nga ju ka ndonjë gjë konkrete për të thënë për këtë proces, ndonjë shqetësim konkret që lidhet me ne, mos humbni kohë, na e thoni, që ju nuk po filloni vlerësimin e titujve akademikë se mungon kjo apo ajo. Nuk e di këtë çështjen e konferencës së rektorëve se nuk jam i qartë për këtë.
Tani unë e kuptoj shqetësimin tuaj, e kuptoj shumë mirë. Ju e dini shumë mirë situatën dhe ju po të hapni zemrën, i dini pa pasur nevojë për sotware se kush janë ata për të cilët flasim. Nuk ka nevojë për software fare. Kështu që është e qartë që situata juaj nuk është më e lehta e mundshme, patjetër, por e thashë, kjo është një gjë për të cilën ka një kërkesë të kohës. Çka u ngrit në protestën e studentëve nuk ishte shpikje, ishte një kërkesë e kohës. Asgjë nga ato, ne nuk na gjeti të surprizuar, por gjëra të cilat ne nuk i kishim me po atë urgjencë që i vuri në rendin e ditës, protesta e studentëve. Kjo është pjesa më e bukur e demokracisë sepse grupet e interesit arrijnë të vendosin në rend të ditës gjëra që qeveria mund të mos i ketë në rend të ditës. Kështu që e kuptoj vështirësinë tuaj, por jeni zgjedhur për gjëra të vështira, nuk jeni zgjedhur për gjëra të lehta. Kush zgjidhet, zgjidhet për gjëra të vështira se për gjërat e lehta është kollaj.
– Unë besoj që përveç vullnetit, kjo kërkon një qasje ligjore shumë të kujdesshme, të cilën unë besoj që ka nevojë që të ulemi ta shohim me shumë kujdes dhe me ekspertet, nga ana e ekspertizës ligjore. Duhet parë çfarë hapësirash ligjore ka, duhet parë nëse këto hapësira ligjore duhet t’i krijojnë universitetet apo duhet të jenë hapësira ligjore që duhet të adresohen nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Duke filluar që nga plagjiatura, që nga rivlerësimi i titujve, pra duhet parë çfarë hapësirash ligjore reale kemi në mënyrë që të jemi të sinqertë të gjithë.
E dyta, duhet parë, ne kemi ta paktën nja 3 vjet si universitet që nuk mbrojmë as doktoratura, as tituj shkencorë dhe besoj, kanë ardhur ankesa në platformën e bashkëqeverisjes, ankesa në ministrinë e arsimit dhe tek ne si universitet, sepse akoma nuk kemi krijuar ato struktura që duhet të jenë krijuar e që janë të domosdoshme për të dhënë tituj shkencorë. Ligji i ri i arsimit të lartë adreson disa struktura për dhënien e titujve akademikë dhe për mbrojtjen e doktoraturave. Aktualisht nuk ka ndonjë përcaktim ligjor se si bëhet heqja e titujve akademikë. Si mund të bëhet rivlerësimi? Besoj që kjo kërkon një qasje ligjore, përveç vullnetit të njërit rektor apo të tjetrit. Besoj që kjo duhet parë me kujdes.
Sa për ligjin e arsimit të lartë, ka ngërçe që lidhen me harmonizimin e ligjit të arsimit të lartë. Unë të paktën e kam thënë disa herë që ka problem të harmonizimit. Nëse ne themi që ligji i arsimit të lartë lejon të krijojmë shoqëri, si do të menaxhohen këto fonde, do vijë KLSH, do thotë meqë universitetet janë njësoj si gjithë të tjerët do thotë që një pedagogu ke të drejtën që t’i paguash një rrogë ose dy rroga në vit. Si mund t’i paguajmë ne pedagogët nëse ne i aktivizojmë në struktura ekstra kurrikulare, të cilët mund të sjellin të ardhura. Këto janë disa probleme ligjore që kërkojnë një harmonizim të ligjit të arsimit të lartë bashkë me ligje të tjera të shtetit duke filluar që nga dalja në pension. Ligji i arsimit të lartë thotë që profesori del në pension 68 vjeç. Po të marrësh ligje të tjera, thotë që qytetari i republikës së Shqipërisë del në pension 65 vjeç. Pra, janë disa gjëra që kërkojnë harmonizim të ligjit të arsimit të lartë me ligje të tjera.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është gama e çështjeve që duhen diskutuar dhe mund të jenë probleme të harmonizimit të ligjit, mund të jenë paqartësi mbi interpretimin e ligjit. Nëse ligji thotë që qytetari i Republikës së Shqipërisë del në pension 65 vjeç, por ka një ligj të veçantë që thotë profesori del 68 vjeç, atëherë ky ligji i veçantë është bërë pikërisht për ta ndarë profesorin nga qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë. Pra, këtu nuk kemi nevojë të bëjmë asnjë lloj harmonizimi, por duhet të ekzekutojmë këtë aspekt.
Tek pjesa e shoqërive, ne pamë vetë konkretisht disa pengesa administrative, duke ndjekur raportimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë mbi bazën e diskutimeve me fakultetin e arkitekturës, me fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, me fakultetin e Gjeologjisë, e kështu me radhë dhe po ashtu dhe propozime konkrete për t’i adresuar këto.
Ajo që ministrja tha dhe që unë dua ta përforcoj është që ju, me ta vendosur në rendin e ditës, gjë që akoma nuk e keni bëre, vlerësimin e titujve akademike dhe plagjiaturat, jeni të mirëseardhur të vini e të thoni, ne nuk po e fillojmë dot këtë proces sepse na pengon kjo, kemi nevojë për këtë apo na duhet mbështetja këtu. E ne menjëherë do ta bëjmë këtë gjë. Në këndvështrimin tonë, deri tani ky nuk është një proces që ka pengesa reale. Megjithatë, jemi absolutisht të hapur që menjëherë të adresojmë të gjitha specifikat që ju mund të na vini në dukje në procesin tuaj, se plagjiatura është njësoj si të thuash “si mund të ndëshkohet dikush që ka kryer një krim kur…”, por faktikisht nëse titulli qëndron mbi plagjiaturë, bie titulli. Tani, nëse këtu ka një problem për ta adresuar, jemi të gatshëm ta adresojmë. Nuk ka asnjë problem nga ne. Ne vetë e kemi përgatitur një plan B për këtë punë, me gjithë ndërhyrjet e nevojshëm në ligj dhe me të gjitha vendimet e nevojshme të qeverisë, por ne nuk duam ta aktivizojmë planin B, sepse besoj, siç e thashë, që duhet të ecim me planin A.
Plani A është, siç e tha ministrja, dija është në universitet, përgjegjësia është e universitetit dhe gërshetimi i dijes me përgjegjësinë duhet të ushqejë procesin e transparencës për titujt akademikë dhe për vlerësimin e doktoraturave apo të atyre disertacioneve shkencore.
Megjithatë, e thashë, çdo gjë që ju besoni dhe mendoni që duhet ta bëjë qeveria për t’jua lehtësuar këtë proces, ne jemi gati ta bëjmë me procedurë të përshpejtuar si na vjen propozimi, direkt.
-Kjo është bisedë shumë teknike që mendoj na duhet një tavolinë e rrumbullaket.
Kryeministri Edi Rama: Ne nuk kemi pse zgjasim bisedën teknike. Nesër në orën 08:00 jeni të gjithë të ftuar ta vazhdomë bisedën teknike, me ju, drejtuesit e universiteteve. Ju ejani me gjithë lisën e shqetësimeve lidhur me pengesa potenciale ose pengesa të identifikuara nga ju dhe ne do t’i marrim, do t’i shohim, do t’i ofrojmë edhe fakultetit të drejtësisë të na japi një konsulencë, do ia paguajmë konsulencën fakultetit dhe bëjmë kështu dhe hapin e parë të daljes në treg të universitetit.
Shumë faleminderit!