Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Rrajcë, Librazhd, në nisjen e punimeve për ujësjellësin e ri:
Shumë faleminderit ambasadore dhe miqtë e tjerë këtu!
Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj!
Jam i keqardhur për mungesën e kryetares së Bashkisë, por arsyeja e mungesës është e gëzueshme. I uroj edhe 100 bebes së sapolindur të Mirandës! Kam besim dhe bindje që do t’i krijojmë të gjitha mundësitë Mirandës, që të fokusohet më shumë te bebja pas 30 qershorit.
Jam këtu i gëzuar sot, sepse kemi ardhur në këtë zonë kohë më parë dhe kemi përsëritur premtimin e përsëritur prej 30 vitesh të të gjithë atyre që kanë ardhur këtu për të mbledhur vota, por, ndryshe nga ata të tjerët, jemi rikthyer këtu për të nisur punën.
Më vjen shumë mirë, që të gjithë banorët e mirë dhe të ndershëm të kësaj zone, njerëz punëtorë e të urtë, njerëz që shquhen për pagesat e rregullta të energjisë elektrike, – kjo zonë, Përrenjas, Librazhd, i gjithë pellgu, është një nga zonat më të rregullta në pagesat e energjisë elektrike, – pas një viti nga sot do të kenë 24 orë ujë të pijshëm, me presion dhe me të gjitha kushtet dhe standardet gjermane. Kjo nuk do të thotë që pas një viti do të jemi të dytët pas Gjermanisë për furnizim dhe cilësi të shërbimit të ujësjellësit, por do të thotë, që, më në fund, një problem kaq i madh dhe një histori kaq e lodhshme për të gjithë ju, sidomos për gratë, gjyshet, nënat, zgjidhet dhe merr drejtim.
Në këtë kontekst, unë besoj që ia vlen të thuhet edhe diçka më shumë, duke rinënvizuar çka tha ambasadorja, realisht një njeri me shumë dëshirë të mirë dhe me shumë vullnet për t’u angazhuar drejtpërdrejtë dhe sa kemi qenë sëbashku me ambasadoren në kantiere punësh konkrete, nuk kam qenë me të gjithë ambasadorët e mbledhur sëbashku, qëkurse unë kam filluar të merrem me këtë punë, është shumë e rëndësishme, që jo thjesht të investojmë, por të vazhdojmë të thellojmë dhe të përmirësojmë rezultatet e reformës së ujit, ka një përmirësim.
Është e qartë që sa më mirë të jepet shërbimi, aq më e madhe është predispozita e njerëzve për të paguar rregullisht, por, nga ana tjetër, nëse nuk paguajmë, e kemi të vështirë që të përmirësojmë shërbimin. Përmirësimi i shërbimit bëhet me investime dhe investimet bëhen me fonde dhe për më tepër, tanimë, ne kemi vendosur një standard që fondet shkojnë aty ku ka konsumatorë që janë klientë të rregullt dhe që meritojnë përmirësim të mëtejshëm të standardit të shërbimit, jo aty ku njerëzit nuk duan dhe nuk pranojnë të paguajnë.
E vërteta është, siç u vërtetua me reformën e energjisë eklektike, që çështja e pagesës nuk është çështje të varfërish e të pasurish, por është çështje qytetarie dhe respektimi të ligjit. Kjo zonë nuk është një zonë e pasur, por këtu njerëzit paguajnë. Fakti që paguesit më të rregullt të energjisë elektrike dhe në kohën kur gjysma e popullit nuk paguante, ishin pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, që janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë nga pikëpamja e të ardhurave, tregon qartësisht se kjo është një çështje qytetarie, është një çështje respekti ndaj ligjit, çështje vetëdijeje se nuk mund të jetojmë më mirë duke ia hedhur njëri-tjetrit dhe duke vjedhur njëri-tjetrin, por, përkundrazi, duke bërë secili detyrën e vet dhe duke kontribuar secili, sipas asaj që i takon.
Kemi ecur mirë me parametrat e vendosura të kësaj reforme, gjë që na jep mundësinë që të fitojmë më shumë besueshmëri nga donatorët dhe kjo besueshmëri të na vlejë kur kërkojmë më shumë mbështetje. Nuk është e rastit që qeveria gjermane përmes KFW-së e mbështet këtë reformë, jo thjesht me fjalët e ambasadores, por me fonde, me projekte, me angazhime konkrete për të vazhduar më tutje.
Ne e kemi vendosur Rrajcën në 100 Fshatrat ku do të investohet për ujësjellësin. Investimi për ujin nuk është i vetmi. Do të investojmë për shkollën, do të investojmë për rrugën dhe do të nxisim investime në agroturizëm, ku këtu ka një potencial jashtëzakonisht të madh. Është rasti ta përsëris, cilido që ka një shtëpi ku mund të ofrojë mikpritje për të tjerët me femrën e tij të vogël dhe që nuk i ka mundësitë të përfshihet në rrugët e mëdha të prodhimit dhe të eksportit të prodhimit bujqësor duhet të shohë agroturizmin si rrugëdaljen nga varfëria.
Agroturizmi do të thotë të investosh në shtëpinë tënde, të krijosh dhe të rrisësh kapacitete mikpritjeje për njerëzit që vijnë të kalojnë një natë, dy net, që të konsumojnë produktet e tua, të shohin rreth e rrotull zonat tërheqëse të trashëgimisë kulturore, të bukurive natyrore, të trashëgimisë historike. Kështu nuk shkon me çantë në krahë me 20 kg domate, apo 15 kg qepë, që të shesësh prodhimin në rrugë, por vjen tek ti paraja nëpërmjet turistit, vizitorit, qoftë nga brenda, nga Tirana, Durrësi apo qytete të tjera, për të kaluar fundjavën, qoftë nga jashtë turistë të huaj.
Ky është modeli i 100 Fshatrave që bazohet shumë te nxitja e agroturizmit. Ne kemi fonde në dispozicion për këtë punë, jo kredi, por fonde dhuratë për të kontribuuar për ndërtimin e një bujtine, apo të një agroturizmi më të madh. Është mundësia edhe për ata që janë në emigracion, të cilët kanë kohë që kursejnë, që punojnë çdo ditë dhe duke investuar te shtëpia, te prona në fshat për të ndërtuar një bujtinë, apo një agroturizëm më të madh sesa thjesht një bujtinë, mund të fitojnë në vit shumë më tepër, seç fitojnë nga rroga e tyre në emigracion, pa qenë nevoja të kthehen menjëherë, por duke u bashkuar me pjesën e familjes këtu, apo me komshiun, apo me miq që kanë këtu.
Këto fonde për agroturizimin do vijnë duke u shtuar. Janë fonde të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare, një pjesë, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, janë fonde të vëna në dispozicion nga BE, nëpërmjet programit të mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural, pjesë e të cilit ne tanimë jemi bërë, pasi kemi marrë certifikimin nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Thjesht duhen aplikime të besueshme dhe projekte bindëse për të marrë para. Nuk janë kredi. Nuk janë borxhe. Janë para që merren për të realizuar projekte në fshat, projekte bujtinash apo agroturizmi.
Shumë faleminderit për mikpritjen tuaj!
Dua të falënderoj edhe njëherë miqtë që na shoqërojnë, përfaqësuesin e lartë të Bankës Gjermane për Zhvillim, ambasadorin e BE, ambasadoren gjermane edhe kompaninë që do kryejë punimet, që ka një eksperiencë shumë pozitive punësh me KFW dhe në sistemin e ujësjellësve. Jam i bindur që edhe afati do respektohet dhe sot një vit, ne do të jemi këtu me kryetarin apo kryetaren, – se nuk e di do jetë kryetar apo kryetare, – të ri apo të re të Bashkisë Përrenjas, për të inauguruar, apo për t’ju uruar çdo të mirë me rastin e hapjes së rubineteve që do të sjellin 24 orë ujë në të gjitha shtëpitë tuaja dhe në shtëpitë e të gjithë banorëve të kësaj zone.