Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kompania “Rozafa”, emri shqiptar më i mirënjohur në industrinë e përpunimit dhe  tregtimit të peshkut, do të zgjerojë aktivitetin e saj me tre fabrika të reja në zonën e Përrenjasit.  Investimi, i cili është mirëpritur nga banorët e zonës, do të mundësojë punësimin e 100 personave vetëm në fabrikën e parë, e cila sipas parashikimeve të sipërmarrësit Gjergj Luca do të fillojë nga puna brenda një muaji.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Përrenjas në zonën, ku projekti i ri sapo ka nisur të zbatohet. Sipërmarrësi tregon se investimi që ai parashikon për çdo punonjës është 10 mijë euro dhe numri i të punësuarve me hapjen e dy fabrikave të tjera do të shkojë në 250.  “Këtu do  të bëhet fabrika e parë. Ne do të provojmë se si do të na presë zona. Do të vazhdojmë me të dytën dhe të tretën. Bëhet fjalë për fabrikën e parë do të punësojmë rreth 100 vetë. Është një investim rreth 10 mijë euro për punonjës, pasi ne në industrinë e peshkut na shkojnë 10 mijë euro për punëtor dhe mendojmë që zona po na pret jashtëzakonisht mirë. Do të vazhdojmë me fabrikën e dytë  dhe me fabrikë e tretë do të shkojë me 250 punëtorë,” shprehet Luca.

Deputeti i zonës Taulant Balla thotë se investimi nuk do të ndalet këtu. Një tjetër fabrikë, me tre njësi, tharje, ngrirje dhe marinim, do të hapet në Gramsh, ku do të punësohen 250 persona dhe ku po kultivohet edhe një lloj i veçantë peshku pastrues.

Vetë banorët e zonës ku investimi i ri po jetësohet shprehen të kënaqur me mundësitë që po ofrohen për ta. “Këta janë të vetmit banorë që nuk e kanë tradhtuar këtë vend.” – tregon sipërmarrësi Luca, i cili është angazhuar personalisht për punësimin e disave prej tyre, me gjendjen më të vështirë ekonomike. “Shtëpinë do ia rindërtojmë të re. Gruan me gjithë burrin do t’i punësojmë këtu,” tregon ai, për një nga familjet e zonës.

Ndërsa deputeti Taulant Balla shprehet se për nga potenciali që ofron mjedisi ku shtrihet investimi, në të ardhmen parashikohet ndërtimi i një agroturizmi. “Nga hapësira që keni këtu, në të ardhmen do të jetë dhe një agroturizëm. Sot nga Maqedonia po vijnë në Elbasan,” shprehet ai.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.