Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e zëvendës Kryeministrit, Niko Peleshi për Progres Raportin:

Kam kënaqësinë të ndaj me ju konkluzionet e  progres raportit të sivjetshëm të Komisionit Europian, i cili nga njëra anë thekson arritjet e Shqipërisë dhe nga ana tjetër na tregon qartësisht rrugën ku duhet të ecim për të përmbushur misionin për të cilin kemi marrë besimin e qytetarëve shqiptarë.

Përgjatë javës së kaluar, Ministrat që mbulojnë fushat e 5 prioriteteve kanë ndarë me publikun konstatimet e progres raportit si dhe angazhimet e Qeverisë shqiptare në zbatim të  tyre. Është inkurajues konstatimi i raportit se Shqipëria është nën rrugën e duhur të progresit. Jemi të vendosur të ecim në këtë rrugë, në rrugën e thellimit të reformave dhe kthimit të rezultateve të tyre në dobi të qytetarëve. Ne e konsiderojmë progres-raportin një udhërrëfyes për gjithë klasën politike shqiptare dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi ndaj e çmojmë të dobishme ta ndajmë atë me publikun.

Lidhur me Reformën në Administratën Publike, progres raporti vlerëson ecurinë e mirë jo vetëm me miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe Kodit të ri të Procedurave Administrative, por mbi të gjitha, zbatimin e një procesi tërësisht të hapur, transparent dhe meritokratik, i cili është tashmë, një model i mirë edhe për vendet e rajonit. Vetëm gjatë vitit të fundit kanë aplikuar 24 mijë vetë, dëshmi kjo e një sistemi që ofron mundësi të barabarta.

Qeveria Shqiptare do vazhdojë të dëshmojë një proces transparent dhe të bazuar në merita për rekrutimin dhe shkarkimin e nëpunësve civilë në të gjitha institucionet shtetërore, me qëllim arritjen e objektivit për një administratë publike profesionale dhe të depolitizuar.

Përsa i përket reformës në drejtësi, progres raporti vlerëson hapin e marrë për krijimin e Komisionit të Posaçëm parlamentar që kontribuon në një proces gjithëpërfshirës të kësaj reforme. Komisioni aktualisht ka përgatitur Strategjinë për Reformën në Drejtësi dhe Planin e Veprimit, ku përcaktohen objektivat e përgjithshëm dhe specifikë të reformës në sistemin e drejtësisë si dhe ndërhyrjet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për realizimin e këtyre objektivave. Grupi i Ekspertëve të Nivelit të lartë pranë këtij Komisioni ka përgatitur Propozimet për Ndryshimet Kushtetuese të cilat janë në konsultime me aktorë të ndryshëm si dhe pritet opinioni i Komisionit të Venecias (KV).

Përsa i takon luftës kundër korrupsionit, si një nga 5 prioritetet e qeverisë shqiptare, progres raporti jep një panoramë të plotë mbi situatën si dhe pasqyron ecurinë e reformave të ndërmarra deri më tani. Ndërkohe mbetet e pashmangshme nevoja e vazhdimit më tej të përpjekjeve për realizmin e objektivave në luftën kundër korrupsionit.

Aktualisht kemi një strategji të re kundër korrupsionit dhe një plan konkret veprimi. Jemi duke punuar fort për modernizimin e shërbimeve një hap i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit në administratën publike.

Në vijim të përpjekjeve kundër korrupsionit, do të adresohen të gjitha rekomandimet e progres raportit duke filluar me krijimin e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet.

Një proces i vlerësuar pozitivisht në progres raport është edhe reforma administrative – territoriale dhe konkretisht  fillimi i  zbatimit të kësaj reforme si dhe miratimi i strategjisë së decentralizmit.

Ndërkohë po në frymën e Progres-Raportit, qeveria ka miratuar projektligjin e ri “Për vetëqeverisjen vendore”, që brenda 2015 do të miratohet në parlament.

Progres raporti konfirmon se jemi duke punuar në drejtimin e duhur për një prioritet shumë të rëndësishëm siç është ai i luftës kundër krimit të organizuar, duke vënë theksin në luftën kundër lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar.

Viti 2014 ishte viti i parë kur nxorëm Shqipërinë nga lista e zezë e vendeve të origjinës për trafikimin e lëndëve narkotike. Në vitin 2014 janë shkatërruar 460% më shumë parcela kanabis se në vitin 2013, ndërkohë që në 10 muajt e parë të vitit 2015 numri i bimëve të shkatërruara u rrit me 40% krahasuar me një vit më parë.

Ne vlerësojmë faktin që Lazarati, përmendet nominalisht në Progres – Raport si një arritje e rëndësishme operative në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, gjë që e bën të domosdoshëm funksionimin e hallkës së munguar të hetimit dhe ndjekjes penale të personave të përfshirë në këtë proces.

Ne do të vazhdojmë rrugën e nisur për ta ndëshkuar krimin në çdo formë të tij ku padyshim  është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal aktiv në përputhje me angazhimet e marra nga Shqipëria.

Heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të monitoruara nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval) në procesin e saj të vazhdueshëm të përputhshmërisë për të luftuar financimin e terrorizmit, cituar në progres raport, është një hap më tej në konsolidimin e mekanizmave funksionues të shtetit tonë.

Duke ju referuar Progres Raportit që vlerëson se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet themelore për luftën kundër infiltrimit të personave të inkriminuar në sistemin ekonomik, ligjor dhe politik të vendit, konfirmojmë se kjo është në përputhje të plotë me prioritetin dhe angazhimin e qeverisë dhe të mazhorancës për përfundimin e kuadrit ligjor, i cili do të bëjë të mundur që persona me precedentë penalë, apo persona të dënuar, të mos bëhen me pjesë e sistemit politik, e sistemit administrativ, apo sistemit ekonomik dhe ligjor.

Bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese në vend, nga njëra anë, dhe vënia para drejtësisë e zyrtarëve të lartë që kanë kryer vepra penale, që theksohen në progres raport, janë sfidë shumë e rëndësishme e axhendës sonë, përmbushja me sukses e së cilës, jemi të bindur që do të sjellë intensifikimin e rezultateve konkrete, të vazhdueshme dhe të qëndrueshme në kohë.

Miratimi i ligjit te ri për Policinë e Shtetit, hapat që po ndërmerren për realizimin e reformës në drejtësi, apo krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të mbështesin fort këtë proces.

Progres Raporti përgëzon faktin se kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është gjerësisht në pajtim me standardet evropiane. Megjithatë, zbatimi efektiv i legjislacionit dhe strategjive përkatëse mbeten për t’u përmirësuar. Atmosfera e përgjithshme është kryesisht e favorshme për të ushtruar lirinë e shprehjes. Zbatimi në praktikë i të drejtave të pronësisë mbetet një çështje që duhet të garantohet dhe  aktualisht është hartuar  Ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave i cili është një hap shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Presim që në seancat në vazhdim të Kuvendit të Shqipërisë të miratohet ky ligj shumë i rëndësishëm për të drejtat e njeriut, por edhe për ekonominë shqiptare dhe financat tona.

Progres Raporti përcakton po ashtu detyra të qarta për sa i përket integrimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian. Qeveria Shqiptare ka hartuar politika specifike dhe ka ndërmarrë masa për përmirësimin e jetesës dhe integrimin e këtij komuniteti. Kështu numri i studentëve që përfitojnë nga kuotat e veçanta për arsimin e lartë është rritur me 10% çdo vit, ndërsa atyre të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit është 5% më i lartë se në vitin e kaluar.

Progres raporti vlerëson bazat mbi të cilat po vendoset zhvillimi i ekonomisë. Të gjithë do donim një ekonomi në rritje dhe sa më shpejt, por ajo çfarë është më e rëndësishme, është një ekonomi me rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Dhe në fakt ky është misioni i qeverisë sonë, që duhet të jetë misioni i çdo qeverie të mirë.

Ky raport e mbështet më së miri këtë filozofi. Qeveria duhet të krijojë kushtet dhe habitatin për një zhvillim të qëndrueshëm, pastaj i takon sipërmarrjes private të luajë rolin e motorit.

Respektimi i të drejtës në biznes, respektimi i pronës materiale dhe intelektuale, konkurrenca e ndershme etj., janë të gjithë elementë që përbejnë themelet e një ekonomie të mirë dhe që shërbejnë si një instrument efikas në aktivizimin e kapitaleve vendase dhe  të huaja.

Respektimi i detyrimeve fiskale, përveç se ndihmon arkën e shtetit për të mundësuar më pas programe të zhvillimit, është dhe një element thelbësor për konkurrencën e ndershme.

Mbrojtja e konsumatorit, parë kjo si nga këndvështrimi monetar, pra nga vlera e shërbimit, apo produktit që i ofrohet, ashtu edhe nga siguria e tij, është një “kapitull” i ri në qeverisjen tonë.

Në konkluzion duke analizuar këtë raport, ajo çfarë vëren është mbështetja dhe inkurajimi për reformat dhe proceset e ndërmarra dhe patjetër angazhimi dhe zotimi jonë  për të ecur në rrugën e vizatuar me kaq saktësi nga progres raporti dhe për të hedhur hapat konkretë, me arritje konkrete dhe rezultate në dobi të mirëqenies së qytetarëve.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.