Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Prill 2019:

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.708, DATË 21.11.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR REGJISTRIMIN DHE KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË VIJËN BREGDETARE VLORË-SARANDË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 34 e 41, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.708, datë 21.11.2018, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:

“1.1 Pronat e paluajtshme sipas pikës 1, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, do të regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pronave private në zonat kadastrale të përfshira në këtë vendim.”.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën” me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Emërimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si më poshtë vijon:

⦁ Znj. Majlinda Dhuka, përfaqësues i Kryeministrisë;
⦁ Përfaqësues i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Sekretari i Përgjithshëm;
⦁ Z. Gentian Deva, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;
⦁ Znj. Ermira Gjeçi, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
⦁ Z. Artan Shkreli, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
⦁ Z. Klaudio Çollaku, përfaqësues i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor;
⦁ Znj. Aurora Alimadhi, përfaqësues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

2. Mbledhja e parë e këshillit drejtues të ASHK-së thirret nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, sipas afatit të përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 3, të nenit 69, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Jug, Kamëz – Vorë, Tiranë Shtesat, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë Veri.

2. Masa e kompensimit është 14 621,33 (katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e një presje tridhjetë e tre) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 107 503 583,35 (njëqind e shtatë milionë e pesëqind e tre mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tre presje tridhjetë e pesë) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:
⦁ Për numrat rendorë të pronave (kolona 13), pronat nr.12, nr.21 e nr.22, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale, që legalizohen.

5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Durrës dhe Shkodër, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

4. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme) dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNI-t: Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.

2. Masa e kompensimit është 20 694,8 (njëzet mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër presje tetë)m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 347 349 219,38 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e dyzet e nëntë mijë e dyqind e nëntëmbëdhjetë presje tridhjetë e tetë) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:

a) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13), pronat nr.32, nr.49, nr.69 dhe nr.90, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
b) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13), pronat nr.16, nr.23, nr.91 dhe nr.99, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
c) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13), pronat nr.6, nr.10, nr.11, nr.12, nr.17, nr.41, nr.42 dhe nr.47, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga ALUIZNI, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale, që legalizohen.

5. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë, dhe Shkodër, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme) dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M 

PËR

 

RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE DHE TË FONDEVE BUXHETORE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11 e 18, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.208, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Numri i punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare, për vitin 2019, shtohet me 5 (pesë) veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtyre institucioneve në 1 119 (një mijë e njëqind e nëntëmbëdhjetë) punonjës. Ndryshimi i numrit të punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare është, përkatësisht,:

a) Qendra e Botimeve për Diasporën shtohet me 2 (dy) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 15 (pesëmbëdhjetë) punonjës;
b) Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit reduktohet me 3 (tre) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të Agjencisë në 41 (dyzet e një) punonjës;
c) 6 punonjës për Sekretariatin Teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

2. Numri i punonjësve të Kryeministrisë reduktohet me 6 (gjashtë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Kryeministrisë në 150 punonjës.

3. Numri i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave shtohet me 6 (gjashtë) punonjës, për vitin 2019, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në 5 809 (pesë mijë e tetëqind e nëntë) punonjës.
4. Numri i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë reduktohet me 14 (katërmbëdhjetë) punonjës, të cilët nuk janë punonjës organikë, por i përkasin mjekëve specializantë, që përfundojnë kontratat e specializimit pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Numri total i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë bëhet 5 629 (pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e nëntë) punonjës.

5. Numri i punonjësve të Institutit të Shëndetit Publik reduktohet me 2 (dy) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në 4 257 (katër mijë e dyqind e pesëdhjetë e shtatë) punonjës.

6. Numri i punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2019, shtohet me 3 (tre) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 929 (nëntëqind e njëzet e nëntë) punonjës.

7. Numri i papërdorur prej 8 (tetë) punonjësish kalon në shtimin e numrit rezervë të punonjësve të institucioneve qendrore, duke e çuar këtë numër në 24 (njëzet e katër) punonjës.

8. Në programin “Shërbime të tjera”, për Sekretariatin Teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar, shtohet fondi prej 7 000 000 (shtatë milionë) lekësh për shpenzime personeli dhe shpenzime operative, për vitin 2019.

9. Në institucionin e Kryeministrisë, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi” reduktohet fondi prej 7 000 000 (shtatë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për vitin 2019.

10. Ngarkohen institucionet e përmendura në këtë vendim të paraqesin pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ndryshimet e numrit të punonjësve dhe fondeve përkatëse buxhetore.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR 

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.128, DATË 13.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN E TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2019”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 3, e 36, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

 

1. Në vendimin nr.128, datë 13.3.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Pas shkronjës “b, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:

“c) Në fondin e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606), i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shtohet shuma prej 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekësh për pagesat për dorëzimin e qumështit, lëndë e parë nga fermerët.”.

b) Shkronja “b, e pikës 2”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Dorëzim qumështi lëndë e parë, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes, por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë për subjekt.”.

2. Fondi prej 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekësh përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht:

a) 32 000 000 (tridhjetë e dy milionë) lekë nga shpenzimet korente të programit 01130 “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme”;
b) 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) lekë nga shpenzimet korente të programit 04160 “Mbështetje për mbikëqyrjen e tregut, infrastruktura e cilësisë dhe pronësisë industriale”;
c) 19 000 000 (nëntëmbëdhjetë milionë) lekë nga shpenzimet korente të programit 01110 “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”;
ç) 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë nga shpenzimet korente të programit 10220 “Sigurimi shoqëror”.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË DHE TRANSPORTIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR ME QASJE PROGRAMATIKE ME SHUMË FAZA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë , Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor me qasje programatike me shumë faza, në shumën prej 17 600 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.933, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS ORGANIZATIVE TË QENDRËS KOMBËTARE TË URGJENCËS MJEKËSORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.147/2014, “Për Shërbimin e Urgjencës Mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.933, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) është person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Organika e QKUM-së të jetë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Numri i punonjësve të QKUM-së të jetë, gjithsej, 86 veta.”.

b) Lidhja 1, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.728, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “AEGEAN SEA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, dhe 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në shkronjën “c”, të pikës 3, të vendimit nr.728, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… 3 (tre) muaj …” zëvendësohen me “… 6 (gjashtë) muaj …”.

2. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E SHOQËRISË “ILLYRIAN GUARD”, SH.A., DHE PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PUBLIK, QË PËRFAQËSON SHTETIN SI PRONAR TË AKSIONEVE TË KËSAJ SHOQËRIE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 81, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a., me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.

2. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

3. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.

4. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., është Ministria e Brendshme.

5. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

6. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
7. Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

8. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

9. Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:

a) themelimin e miratimin e statutit të shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a.;
b) regjistrimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

10. Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.

11. Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

12. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., nga inventari i saj i pronave publike, mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.

13. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRITERET PËR PUNËSIMIN E PUNONJËSVE TË STRUKTURAVE PËR MBROJTJEN E FËMIJËS DHE TË PUNONJËSVE QË PUNOJNË ME FËMIJËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 45, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen:

a) punonjësit e strukturave për mbrojtjen e fëmijës;
b) punonjësit që punojnë me fëmijët;
c) ata që kanë të drejtën të ushtrojnë profesionin e “punonjësit social” apo të “psikologut”.

2. Në kuptim të këtij vendimi, punonjësit që punojnë me fëmijët janë ata punonjës, të cilët punojnë në institucione dhe struktura të tjera publike ose private, puna e të cilëve, e paguar ose vullnetare, përfshin kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijët. Kontakti i drejtpërdrejtë mund të jetë fizik (ndarja e hapësirave të përbashkëta me fëmijët) apo nëpërmjet komunikimit verbal (i shkruar apo elektronik).

3. Punonjësit që punojnë në strukturat për mbrojtjen e fëmijëve dhe punonjësit që punojnë me fëmijët duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Të mos jenë të dënuar me vendim të gjykatave shqiptare dhe/ose të huaja për vepra penale kundër personit, të kryera me dashje, sipas përcaktimeve në kreun II, të pjesës së posaçme, të Kodit Penal;
b) Të mos jetë marrë ndaj tyre, nga gjykatat shqiptare dhe/ose të huaja, asnjë vendim që lidhet me masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje;
c) Të kenë trajnimin dhe certifikimin në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

4. Punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, përveç kritereve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) Të ketë formim universitar si punonjës social;
b) Të ketë formim pasuniversitar ose përvojë pune në profesionin përkatës, jo më pak se dy vjet.

5. Për punonjësit që punojnë në strukturat për mbrojtjen e fëmijës dhe punonjësit që punojnë me fëmijët, të cilët përfshihen në fushën e veprimit të legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, kriteret e përcaktuara në pikat 3 dhe 4, të këtij vendimi, janë kritere shtesë, përveç atyre të përcaktuara sipas legjislacionit të nëpunësit civil.

6. Për qëllime të vërtetimit të kritereve të përcaktuara nga nenet 45, pika 1, e 49, pika 2, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, dhe të kritereve të përcaktuara në këtë vendim, punonjësit përkatës të strukturave për mbrojtjen e fëmijës dhe punonjësit që punojnë me fëmijët duhet të plotësojnë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Dëshmi të gjendjes gjyqësore, në rastin kur struktura, ku kjo dëshmi duhet të dorëzohet, nuk ka akses në sistemin e institucionit që e lëshon atë;
b) Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore, në rastin kur dëshmia e gjendjes gjyqësore duhet të dorëzohet në struktura, të cilat kanë akses në sistemin e institucionit që e lëshon atë;
c) Fotokopje të noterizuar të diplomës;
ç) Fotokopje të librezës së punës e noterizuar;
d) Dëshmi për trajnimet e kandidatit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe/ose për trajnimin dhe certifikatën në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve;
dh) Rekomandim nga punëdhënësi i mëparshëm.

7. Brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, punëdhënësit përkatës bëjnë verifikimin e plotësimit të kritereve të përcaktuara në këtë vendim për punonjësit, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, janë të punësuar në strukturat përkatëse dhe për ata, të cilët punojnë me fëmijët.

8. Në rast se nga verifikimi i bërë nga punëdhënësit përkatës rezulton që punonjës të caktuar nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim, punëdhënësit, brenda 3 (tre) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, marrin masa për të siguruar plotësimin e kritereve nga punonjësit, të cilët punojnë në strukturat për mbrojtjen e fëmijëve dhe punonjësit, të cilët punojnë me fëmijët.

9. Në rast se punonjësit, të cilët punojnë në strukturat për mbrojtjen e fëmijëve dhe punonjësit, të cilët punojnë me fëmijët, nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim, edhe pas marrjes së masave nga punëdhënësi, marrëdhënia e punës ndërmjet tyre ndërpritet sipas legjislacionit në fuqi.

10. Ngarkohen ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe strukturat për mbrojtjen e fëmijës, në nivel qendror e vendor, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KOEFIÇENTIT TË INDEKSIMIT TË BAZËS SË VLERËSUAR TË VITIT 2017, PËR LLOGARITJEN E PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, paragrafi i dytë, dhe 59, pika 1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Koefiçenti i indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit, të jetë 3,7 për qind.

2. Për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve, me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, koefiçentët e indeksimit të bazës së vlerësuar, të miratuar me vendimin nr.571, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për kofiçentët e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”, shtohen edhe me koefiçentin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

3. Në vitin 2019, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koefiçentët vjetorë sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, nuk mund të jenë më të larta se:

a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekësh, e përcaktuar në vendimin nr.809, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, prej 114 670 (njëqind e katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë) lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit nr.10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, dhe përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

5. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bazuar në vendimin nr.571, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për koefiçentët e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”, dhe në këtë vendim, harton e shpall tabelën e koefiçentëve të indeksimit të bazës së vlerësuar për periudhën deri në vitin 1994 dhe për vitet në vazhdim, deri në vitin 2019, dhe ngarkohet për zbatimin e tyre.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË, MBI NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E NJË QENDRE KONTAKTI TË PËRBASHKËT POLICOR DHE DOGANOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, mbi ngritjen dhe funksionimin e një qendre kontakti të përbashkët policor dhe doganor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.