Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e programit të Bashkimit Europian, “EU Floods Recovery Programme’’, në Novoselë, Vlorë:
Faktikisht nuk është mbushur ende plotësisht një vit, që kur së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, me deputetët e zonës, me komunitetin e biznesit, u bëmë pjesë e një angazhimi shumë serioz përballë pasojave të një përmbytje shumë serioze. Ky angazhim ishte që ndryshe nga herët e tjera, kur Shqipëria në zona të caktuara është përmbytur, ne të riktheheshim kur dilte dielli dhe të mos mjaftoheshim vetëm me ndihmat e shpejta të ditëve dhe netëve të vështira, por të merrnim përsipër dhe të çonim deri në fund, një plan të plotë kthimi në normalitetit, me synimin jo vetëm për të riparuar dëmet e shkaktuara në familjet e të gjithë kësaj zone, por edhe për të marrë masa konkrete përmes një programi investimesh në infrastrukturë, që të jemi më të gatshëm për të përballur përmbytjet që me siguri do të vijnë edhe në të ardhmen.
Ja ku jemi këtu sot dhe është një ditë me diell, për të përcjellë mesazhin se edhe pjesa e fundit e angazhimit tonë është sot në rrugën e jetësimit të saj. Ministri e solli në vëmendje se qysh në krye të herës, ne bëmë një sforco të pazakonshme për t’i kthyer 100%, të gjithë atyre që kishin humbur gjë të gjallë, çdo kokë bagëti dhe çdo pulë. Faktikisht, ne kthyem 100% çdo kokë bagëti dhe çdo pulë.
Po ashtu, ne u angazhuam që do të ndërmerrnim masa konkrete për të lehtësuar përmes agjencive të kreditimit të fermerëve, marrëdhëniet e gjithë fermerëve të dëmtuar me këto agjenci kreditimi. E realizuam edhe këtë.
E po ashtu, ndryshe nga sa predikohej me zhurmë të madhe në ditët e përmbytjes nga ata që kërkonin të nxirrnin përfitimet e ditës edhe nga përmbytja, ne u angazhuam drejtpërdrejtë me Bashkimin Europian, që faktikisht jo vetëm e mori shumë seriozisht kërkesën tonë, por edhe u angazhua shumë seriozisht për të identifikuar të gjitha dëmet dhe për të na mbështetur me një financim të konsiderueshëm në dy aspekte;
Nga njëra anë në aspektin e rindërtimit, por me standarde tërësisht të reja të infrastrukturës, siç është projekti që kemi këtu përpara syve dhe siç janë një sërë projektesh të tjera në zonat e Armenit, te Bishti i Malit dhe Selenicë-Armen, në zonat Horë dhe Kallarat, Vranisht, në zonën Ceprat, Risili dhe Ceprat-Dheu i Bardhë, në zonat Bishan, Mifol që jemi këtu, Fitore dhe Novoselë, në zonat e Çervës, në zonat e Mashkullorës, Palokastrës dhe Shtupezit, në zonat e Gerhotit dhe në urën e Valaresë, në zonat e Vashtëmisë, e po ashtu në Lagunën e Nartës në Akërni. Një zinxhir projektesh infrastrukturore, të cilat do të garantojnë një qëndrueshmëri shumë më të lartë përballë problemeve me natyrën.
Por jo vetëm kaq. Nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për të dëmshpërblyer financiarisht, të gjithë ata fermerë, të cilët humbën prodhimet e tyre, përveçse për të mbështetur përmes projektit tanimë të përfunduar, rindërtimin e një sërë serash që u shkatërruan plotësisht në ato ditë.
Ndërmjet viteve 1998 dhe 2009, Europa ka pësuar mbi 213 përmbytje të mëdha, duke përfshirë edhe përmbytjet katastrofike përgjatë lumenjve të Danubit dhe Elbës, në verën e vitit 2002. Përmbytje që prekën shumë fort, vende shumë më të zhvilluara dhe shumë më të organizuara se Shqipëria, shkaktuan 1126 të vdekur dhe imponuan zhvendosjen e rreth gjysmë milioni njerëzish, me një humbje që kalkulohet në 52 miliardë euro.
E sigurisht, përveç dëmit të drejtpërdrejtë ekonomik dhe social, përmbytjet sjellin edhe pasoja të rënda mjedisore. Ishin përmbytje që çuan në një nivel të ri, vetëdijen e Europës dhe organizimin e brendshëm të saj për të rritur ndërveprimin dhe për të rritur solidaritetin. Sipas raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, flukset vjetore të lumenjve janë në rritje në veri të Europës dhe në rënie në jug, një trend i parashikuar të rritet me rritjen e ngrohjes globale në të ardhmen. Ndryshime të mëdha në sezonalitet, të cilat i ndiejmë edhe ne, qartësisht, në Shqipëri, janë parashikuar po ashtu me flukse më të ulëta në verë dhe më të larta në dimër dhe si pasojë, thatësirat pritet të rriten veçanërisht në Europën Jugore e Lindore, ku ne ndodhemi, sidomos në verë, natyrisht. Ndërsa përmbytjet janë parashikuar që të ndodhin më shpesh nga basenet e lumenjve, sidomos në dimër dhe në pranverë.
Përmbytjet janë dukuri natyrore përballë të cilave ne mund të bëjmë aspak, por me anë të masave të duhura mund të zvogëlojmë ose kufizojmë ndikimin e tyre. Faktikisht, ndryshe nga vende të tjera, për hir të së vërtetës, përveç arsyeve objektive që lidhen me ngrohjen globale dhe me gjithë sa thashë më lart, në Shqipëri përballemi edhe me disa pasoja objektive të arsyes subjektive që çuan në politika shkatërruese për mjedisin, për tokën e bukës dhe për njerëzit e lënë rrugëve, të cilët jo vetëm nuk u penguan, por u nxitën që të ndërtonin deri dhe mbi shtretërit e lumenjve. Gjë që nuk e kishin bërë kurrë stërgjyshërit, katragjyshërit dhe katragjyshërit e katragjyshërve tanë, edhe pse asokohe ishin shumë më pak të informuar, shumë më tepër të izoluar. Megjithatë, kurrë nuk vajtën pas berihait të ndërtojnë mbi shtretërit e lumenjve, mbi kanalet e kullimit, të ndërtojnë aty ku nuk bëhet dot asnjë shaka me natyrën dhe aty ku çdo investim jo thjesht e merr lumi, por mund të kthehet në një fatkeqësi deri në humbje jetësh njerëzore. U desh të vinte demokracia, që shqiptarët ta bënin edhe këtë, ta bënin në verbëri të plotë dhe të udhëhequr qorrazi me moton “ndërtimi është bereqet, ndërto ku të mundesh se të vjen bereqeti dhe jeta bëhet më e bukur”.
Nga ana tjetër, ne kemi edhe një pasojë të madhe me të cilën përballemi, që përkthehet drejtpërdrejtë në pamundësinë financiare për të përballuar gjithë të ligat që sjell çorodia e gjithë këtyre viteve që përshkuam si tranzicion demokratik, por përtej se financiare lidhet edhe me mungesën e qëndrueshmërisë së sistemit tonë të organizimit shtetëror. Sistem të cilit i kemi dhënë një mundësi të re me reformën administrative territoriale, prej ku, qysh në fillim të vitit të ardhshëm do të bëjmë një ndarje më të arsyeshme të detyrave dhe të përgjegjësive. Që do të thotë se bordet e kullimit, që janë struktura, në këndvështrimin tim, të dështuara dhe që kanë një përgjegjësi të madhe, sigurisht brenda kuadrit modest të mundësive të tyre, për gjithçka ka ndodhur, ose nuk është ndaluar të ndodhë, do të reformohen rrënjësisht. Ato do të reformohen rrënjësisht duke ndarë përgjegjësinë midis çfarë do të marrë përsipër qeveria si përgjegjësi kombëtare dhe çfarë do të marrin përsipër bashkitë si përgjegjësi vendore. Ndryshe nga ç’është bërë në të shkuarën, ku decentralizimi ka qenë vetëm në letër dhe ku janë kaluar hallet, por si janë kaluar as njerëzit dhe as financat njësive të pushtetit vendor, ne kemi gati një reformë radikale për kalimin në përgjegjësinë e pushtetit vendor jo vetëm të një pjesë të madhe të forcave të punës në bordet e kullimit dhe të një pjese të konsiderueshme të arterieve të ujitjes dhe të kullimit, por dhe të një mbështetje, si asnjëherë më parë, financiare, për të pastruar të gjithë kanalet kulluese në radhë të parë, pastaj edhe ujitëse, që për 25 vjet nuk janë prekur me dorë. Dhe të tilla ka në çdo bashki, që nga bashkitë ku bujqësia është pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të njerëzve, deri te bashkitë ku mund të jetë më pak e rëndësishme, por ku ka rëndësi të madhe për dhjetëra mijëra njerëz.
Objektivi ynë është që të realizojmë një angazhim të marrë, që të çojmë ujin në çdo parcelë ku punohet, apo ku mund të punohet. Vetëm nga angazhimi për të pastruar një sërë kanalesh të rëndësishme, që për 25 vjet nuk ishin prekur me dorë në zonën e Myzeqesë, ne kemi parë një rritje eksponenciale të eksporteve. Vetëm nga uji! Kudo ku kemi shkuar, në çdo fushatë, në çdo takim, në zonat e fshatit, kryefjala e shqetësimeve është uji; Uji për të punuar tokën dhe kanali për të mos lejuar që çfarë bëjmë të na përmbytet.
Viti i ardhshëm do të jetë një vit historik në këtë aspekt. Bashkitë do të angazhohen me të gjitha forcat dhe me gjithë mbështetjen financiare, për të bërë pastrimin e pjesës më të madhe, për të mos thënë e të gjitha kanaleve ujitëse dhe kulluese, gjë për të cilën do i mbështesim ne. Ndërkohë që qeveria nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë do të fokusohet tek magjistralet kryesore, tek hidrovoret, tek rezervuarët e mëdhenj, tek grykat e shkarkimit të lumenjve, për të bërë aty investime strategjike me rëndësi të veçantë.
Dua që të mos e lë pa falenderuar jo vetëm Bashkimin Europian dhe jam shumë i lumtur që nganjëherë më jepet rasti ta falenderoj me gjithë zemër, se në shumë raste e falënderoj thjesht me logjikë. Në këtë rast e falënderoj me gjithë zemër Bashkimin Europian, sepse ka mbështetur jo vetëm me para, por edhe me kapacitete njerëzore, realizimin e këtij projekti. Pa solidaritetin e Bashkimit Europian, kjo që shohim dhe çka nuk shohim, por që po ndërtohet në të gjitha ato pika që thashë, do të ishte thjesht e pamundur. Ashtu sikundër pa solidaritetin e Bashkimit Europian do të ishte absolutisht e pamundur, ngritja e një mekanizmi të ri për të lajmëruar katastrofat natyrore dhe për ta çuar në një nivel tjetër, dijen mbi këto fenomene. Ashtu sikundër pa Bashkimin Europian do të ishte e pamundur që ne sot të ishim gati për të kompensuar subjektet, të cilave ju shkaktuan dëme gjatë përmbytjeve. Dhe këtu kemi të bëjmë me një bashkëfinancim të Bashkimit Europian me qeverinë shqiptare.
Dua po ashtu që të falenderoj nga zemra edhe UNDP-në, që administron me shumë cilësi gjithë këtë projekt të madh infrastrukturor dhe të falenderoj edhe për prezencën, përfaqësuesen e UNDP-së, që duke qenë edhe nga zona jonë, se është nga Turqia, i kupton më mirë hallet tona, sesa ç ’mund t’i kuptojnë shumë të tjerë në Bashkimin Europian.
Janë 4 mijë e 83 fermerë që do kompensohen për dëmet e shkaktuara në atë përmbytje. Gjithë impakti i këtij investimi tërësor do të jetë i tillë që, sipas vetë specialistëve të Bashkimit Europian në bashkëpunim me specialistët tanë, do të ndikojë për mirë në jetesën e rreth 160 mijë banorëve dhe do të ketë si përfitues direkt mbi 20 mijë banorë.
Duke e mbyllur dua t’ju them të gjithëve se nuk është e mundur që Shqipëria, shteti shqiptar, buxheti i shtetit shqiptar, përfshi dhe solidaritetin e Bashkimit Europian, të mund të përballojë financiarisht, çdo dëm në të ardhmen, që vjen si rezultat i marrëzisë së ndërtimeve mbi shtretër lumenjsh dhe mbi kanale kulluese.
Ashtu sikundër nuk është e mundur që qeveritë apo bashkitë, sot dhe nesër të mund të përballojnë përmbytje që vijnë nëpër garazhe pallatesh, të kthyera në dyqane në mënyrë të paligjshme, që vijnë nëpër situata krejtësisht të papranueshme dhe ilegale nga pikëpamja urbanistike. Për të mos folur edhe për ato që janë legalisht të respektueshme. Kjo do të thotë se duhet të hyjmë në një fazë të re, njësoj siç bëjnë të gjithë në Europën normale dhe njerëzit duhet të sigurohen. Bizneset në radhë të parë duhet të sigurohen nga përmbytjet. Kemi një rast konkret të një biznesi në zonën lart të veriut, i siguruar, i cili ka përfituar qindarkë për qindarkë, të gjitha paratë e dëmit nga kompania e sigurimit. Duhet ta shtrijmë më tutje këtë kulturë dhe këtë metodë. Është e pamundur që të ndërtosh kuturu, të mos mendosh fare për të izoluar, për të mbrojtur, për të përballuar një fenomen natyror dhe në momentin kur të vjen uji, të dalësh tek dera dhe të bërtasësh “Ku është shteti?” Shteti jemi ne, të gjithë sëbashku dhe secili ka rolin e vet. Shteti nuk është mamaja që e ka për detyrë që të bëjë tre herë në ditë ushqimin, pavarësisht se çfarë bën ti. Kjo nuk është e mundur!
E thashë këtë jo për atë që iku, po për atë që mund të vijë. Është shumë e rëndësishme që të gjithë sëbashku të jeni të vetëdijshëm se nuk mund dot t’i përballojmë problemet vetëm kur na shfaqen. Ashtu sikundër çdokush duhet të bëjë të vetën, padyshim, qeveria ka barrën e madhe të bëjë për të gjithë, gjënë e duhur. Jam shumë i kënaqur që në këtë aspekt, për herë të parë, një qeveri në Shqipëri po bën gjënë e duhur. Një vit rresht nuk i jemi ndarë problemit të përmbytjes. Ndërkohë që një vit më parë kemi paguar dëmshpërblimin për përmbytjet e viteve të shkuara në zonat e Ultësirës së Shkodrës, që ishin mbledhur kapicë në gjithë atë malin e borxheve që qeveria u kishte njerëzve. Dhe jo pak, por miliona e miliona euro.
Shumë Faleminderit!
***
Nga programi i Bashkimit Europian, “EU Floods Recovery Programme’’, Shqipëria përfiton rreth 16 milionë euro, për të përmirësuar menaxhimin e përmbytjeve dhe parandalimin e rrezikut në të ardhmen.
Programi synon dy objektiva, rikuperimin e dëmeve për të dëmtuarit nga përmbytjet e muajit shkurt të këtij viti dhe përmirësimi i kapaciteteve parandaluese dhe reaguese për situata të ngjashme.
Nga ky program do të përfitojnë kompensim 4083 fermerë për dëmet që iu shkaktuan gjatë përmbytjeve të shkurtit të këtij viti dhe grante investimi për subjektet të cilëve iu shkaktuan dëme po gjatë përmbytjes së shkurtit, komponent me vlerë 7.1 milionë euro, si bashkëfinancim i BE me qeverinë shqiptare.
Dy komponentë të tjerë të programit janë ndërtimi i infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytja në zonat e prekura nga përmbytja e shkurtit, me 6.3 milionë euro dhe ngritja e një mekanizmi për lajmërimin e katastrofave natyrore, me 2.5 milionë euro, si financime të Bashkimit Europian.