Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Transformimi rrënjësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po vijon me investimin për ndërtimin e Spitalit të ri të Kirurgjisë, Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Pediatrinë.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektoi punimet për ndërtimin e spitalit të ri të Kirurgjisë, i cili parashikohet të përfundojë në muajin qershor.

“Është një investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet kredisë së Bankës së Këshillit të Europës, i cili përfundon në maj-qershor të këtij viti për spitalin kirurgjikal. Këtë vit kemi alokuar nga buxheti i shtetit 3.8 milion dollarë për të mobiluar të gjithë hapësirat e nevojshme për të filluar puna sa më shpejt,” u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Spitali i ri kirurgjikal do të ketë 120 shtretër, 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), një laborator histologjik, 7 shtretër të tjerë për terapinë intensive dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.

“Nëse do punojmë me dy turne, shkon deri në 17 mijë pacientë që mund të operohen në vit.” shprehet një nga mjekët kirurg të spitalit.  

Me përdorimin e instrumenteve modernë kirurgjikalë dhe sterilizimin me metoda bashkëkohore, shërbimi i Kirurgjisë në QSUT do të ofrohet me një standard të ri për qytetarët.

“Me veglat e reja dhe me këtë lloj organizimi jemi në standardet europiane,” shprehet një nga mjekët e Qendrës.

“Ka 50 vjet, hera e parë që investohet për kirurgjinë e përgjithshme,” shprehet një tjetër mjek kirurg.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se paralelisht me spitalin kirurgjikal po vijojnë punimet edhe për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme. “Për atë kemi një afat më të gjatë, maj 2021. Ai do të ketë 340 shtretër në dispozicion të të  gjithë  shërbimeve interne, gjithashtu edhe një urgjencë të QSUT të riorganizuar edhe të alokuar në atë spital të ri, duke e bërë këtë një spital me parametra europiane,” u shpreh më tej ministrja.

Përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve për modernizimin e shërbimit në QSUT janë edhe studentët e Mjekësisë, për të cilët në kuadër edhe të Paktit për Universitetin, po ndërtohen 11 salla studimi me kushte bashkëkohore, nga të cilat, dy salla në spitalin e ri kirurgjikal dhe 9 të tjera në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme.

“Ashtu siç e kemi premtuar në Paktin për Universitetin ne po krijojmë standarde jo vetëm për pacientët, por duke qenë se QSUT është Spital Universitar, jemi përpjekur që në të gjitha projektet e zhvillimit të Qendrave Spitalore Universitare, përfshirë këtu sigurisht “Nënë Terezën”, Maternitetet, Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe Traumën të kemi hapësirat e nevojshme që studentët të mund të kryejnë në kushte cilësore mësimin. Ndaj do të ketë salla leksionesh, ku studentët, bashkë me profesorët e tyre, mund të kryejnë procesin e mësimdhënies dhe ambiente të tjera,” u shpreh Manastirliu.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.