Kryeministri Edi Rama në Qytetin Studenti, me studente të godinave 28/29 ku kanë përfunduar punimet e rindërtimit në ambientet e përbashkëta. Puna ka përfunduar në 3 godina dhe vazhdon intensivisht në 11 godina të tjera:
Kryeministri Edi Rama: Ne i pamë këto mjediset e përbashkëta, më duket që janë në lartësinë e pritshmërisë. Nuk e di si ju duken juve, por mendoj që janë goxha cilësore, nuk ka lidhje fare me situatën që konstatuam kur erdhëm këtu në fillim. Faktikisht, ky do jetë standardi për gjithë konviktet që rindërtohen ndërkohë që paralelisht ne po punojmë me bashkinë e Tiranës për kampusin.
Është një projekt shumë kompleks, shumë ambicioz, kemi problem serioz rimarrjen e hapësirave sepse një pjesë e hapësirave janë të abuzuara nga kohët e mëparshme me kthime pronash që nuk duhet të kishin ndodhur që janë bërë dhe në shkelje të ligjeve ekzistuese sepse në mjediset shkollore apo sportive edhe ligji i atëhershëm i kohës e ndalonte kthimin e pronës dhe nga ana tjetër janë bërë abuzime të mëdha me godinat, që i takonin Qytetit Studenti dhe që janë privatizuar, gjë që lidhet me funksionimin e gjithë projektit. Kështu që po përgatisim dhe gjithë inventarin e nevojshëm për shpronësimet. Ndërkohë që projekti i ndërtimit të hapësirave të reja, qoftë të natyrës rekreative, qoftë të natyrës akademike është duke u zhvilluar, duke u realizuar.
Kështu që besoj, që deri në fund të këtij mandati të gjithë konviktet e Shqipërisë do jenë të rindërtuar me këto standarde. Ndërkohë më thanë që në pjesën e brendshme, për dhomat, ndërhyrja do bëhet gjatë verës se normal, nuk mund të ndërhyhet ndërkohë që ju jeni aty dhe kur të ktheheni për sezonin tjetër, do t’i keni dhe dhomat në të njëjtin standard siç janë mjediset e përbashkëta. Ndërkohë do vazhdojmë me konviktet e tjera.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj: Kanë përfunduar 3 konvikte deri tani. Ndërkohë kemi në proces edhe 11. Për Qytetin Studenti, para verës do të ketë filluar puna edhe në pesë konvikte të tjera dhe në fund të verës do kenë mbaruar të gjitha. Kjo pastaj na liron që të shkojmë tek pjesa e konvikteve tek Universiteti Bujqësor.
Kryeministri Edi Rama: Konviktet e Tiranës do mbarojnë të gjitha besoj deri në fund të sezonit të ardhshëm, ndërkohë që do të nisen edhe konviktet e tjera. Ato janë më pak, por sidoqoftë, për të qenë në rregull me çdo angazhim dhe për të mos pasur zvarritje në bazë të zotimeve, brenda mandatit të gjitha këto do përfundojnë dhe me fillimin e mandatit të ri të bashkisë së Tiranës, do ecim me punën për kampusin. Është një investim goxha i madh, por do bëhet. Ashtu sikundër, do fillojnë në fund të këtij viti, në fillim të vitit të ardhshëm, investimet e tjera për auditorët, për laboratorë, për të gjitha ato aspekte të infrastrukturës dhe të didaktikës në universitet që janë inventarizuar në bashkëpunim mes ministrive dhe universiteteve, sipas skemës së partneritetit që kemi ndërtuar dhe hap pas hapi do të kemi kantierin më të madh të investimeve në arsim të të gjithë këtyre 30 viteve dhe do të investohet për arsimin e lartë faktikisht më shumë se sa gjithë 30 vitet sëbashku sepse përgjithësisht është investuar shumë pak.
– Jemi shumë të kënaqur deri tani me investimet që janë bërë. Jemi këmbëngulës që të arrihet më shumë për të arritur synime dhe qëllime normalisht duhet që studenti t’i ketë të plotësuara disa gjëra. Ajo që kemi ne në dorë është që ta mirëmbajmë dhe t’u lëmë dhe studentëve të tjerë. Kërkesat pastaj janë për dhomat. Ju e përmendët dhe normalisht edhe kushte të tjera për mjedise kuzhine dhe për lavanteri, por ne ju mirëkuptojmë dhe jemi bashkëpunuese.
Kryeministri Edi Rama: Ne do i bëjmë të gjitha ato që duhen bërë. Nëse ju jeni gati të dilni nga dhomat sot ne i bëjmë sot, por nuk besoj që doni të dilni. Shtyrjen e sezonit e kishit vetë merak ju, e realizuat me sukses.
– Ne të gjithë kërkojmë, por duhet edhe falënderuar. Si fillim dua t’ju falënderoj për punën që keni bërë. Nuk po them që kjo që është bërë është një mrekulli, por është diçka shumë e mirë. Gjithashtu duhet falenderuar edhe për bursat sepse ne që jemi me ndihmë ekonomike nuk mundet t’i përballojmë të gjitha shpenzimet dhe rritja e bursës nga 45 mijë lekë në 100 mijë, ato 45 mijë më parë nuk na dilnin as për të paguar konviktit ndërsa tani na mbeten edhe për shpenzime të tjera. Kjo është diçka shumë e mirë. Po ashtu ulja e tarifave.
Kryeministri Edi Rama: Por, që ta bëjmë llogarinë tamam, nëse 45 mijë lekëshin e ndajmë në pjesë për ta fituar vetë, me pak punë përtej studimit, realizohet.
– Unë e provova që të punoja, para dy muajsh, gjeta një punë si operatore, por ishte e pamundur. Deri në 9 në punë, kur do kthehesha, kur do haja, kur do mësoja e të bëhesha gati për ditën tjetër? Ka shumë studentë që sakrifikojnë, por ose do marrësh punën ose shkollën, të dyja është shumë e vështirë. Do lësh mangësi tek njëra apo tjetra.
Kryeministri Edi Rama: Nuk bëhet fjalë për të pasur një punë full time që të marrësh një rrogë çdo muaj të plotë. Bëhet fjalë për të pasur një punë për të paguar këto shpenzimet dhe pagesa e këtij shpenzimi është e mundur.
– Çfarë po ndodh aktualisht në Universitetin Bujqësor të Tiranës?
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj: Kemi një situatë në Universitetin Bujqësor që gjendet në një zonë nga më problematiket e Tiranës. Jo sepse janë njerëz problematikë, se ata janë shumë të mirë, por problematike nga zhvillimi urban. Bëhet fjalë për një zonë kufitare midis Kamzës dhe Tiranës, ajo që në zhargon quhet “vendi i askujt”. Pra, as këtej, as andej. Njerëzit nuk shohin kufij, se nuk është një kufi fizik. Ajo është e gjitha një pellg kryesisht me ndërtime informale, kap disa zona dhe quhet njësia 11. Ne kemi llogaritur, kur bëmë planin e shkollave të reja, që çdo ditë, 2000 fëmijë nga ajo zonë shkojnë në gjimnaz te “Aleks Buda” që është në Laprakë. Pra në vijë ajrore 3 kilometra, e cila përkthehet në rrugë trefishi. Një prind paguan fugonin dhe çdo ditë nga Instituti Bujqësor nisen 200 fugonë drejt Laprakës Propozimi ynë është që gjithë shkollat e reja – dhe shkolla “Nënë Tereza” atje është vetëm një nga 17 shkollat – të jenë në një distancë 500-600 metra që të gjithë të shkojnë në këmbë.
Para se të flasim për Universitetin duhet të flasim një herë për gjimnazin. Filozofia jonë është t’i shohim ata fëmijë atje si potencial, si mundësi ndërsa filozofia tjetër është t’i shohim si kontingjent për t’i marrë në protesta e për të thyer xhama. Unë them që e vetmja mënyrë se si kjo ndryshon është që po të bëhet një shkollë aty dhe aty nesër të lindi inxhinieri i ardhshëm apo doktori i ardhshëm, ndryshon komplet mentaliteti. Kur u ndërtua motel me orë brenda në kampus nuk protestoi njeri. Është kthyer në modë që sa herë nis një punë bashkia e Tiranës, o burra ta bllokojmë. E njëjta gjë tek Astiri, e njëjta gjë tek Bregu i Lumit. Tani, dy janë mundësitë, ose bëjmë ose nuk bëjmë gjë. Plani i bashkisë së Tiranës dhe i kryeministrit, me planin e ri urbanistik e ka të gjithën për arsim. Patjetër që do përdoret, por do përdoret për arsim. Të shohësh autorët e planit të vjetër që sot vënë kujën, – ku vetë kanë firmosur që aty të kishte pallate, – pse ne e bëmë për arsimin dhe pse ata fëmijë aty do kenë një shkollë, më duket nonsens.
Kryeministri Edi Rama: Është edhe diçka tjetër që vlen të thuhet. Ne kemi bërë për Universitetin Bujqësor më shumë se sa është bërë në të gjitha vitet e marra sëbashku sepse e gjetëm në një territor, të pushtuar keq fare dhe të degraduar keq fare nga pikëpamja e infrastrukturës. Patjetër që pushtimi dhe degradimi është rezultat i lidhjeve politike e të natyrave të ndryshme dhe ndërkohë është krejt normale të mos jemi dakord, por cilësia e bashkëjetesës në çdo ambient, që nga ambienti familjar, e deri tek ambienti i gjerë shoqëror nuk përcaktohet nga fakti sa shumë bien dakord. Përcaktohet nga fakti si nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord dhe të vritesh dhe mund të mos biesh dakord dhe të debatosh me qetësi, me bonsens. E në këtë proces të dyja palët ndihen mirë sepse ndërveprojnë dhe komunikojnë me njëra-tjetrën. Kjo ideja apo kjo moda që është në krijim e sipër, por që ne nuk do ta lëmë të krijohet dhe të marri formën e një instrumenti legjitim që unë nuk jam dakord dhe unë hidhem përpjetë dhe unë i zë rrugën dhe unë i bllokoj dhe unë përplasem dhe unë kështu e unë ashtu, është barbari. Kjo nuk është qytetari. Sepse ne jemi njerëz si gjithë të tjerët, jemi të gabueshëm, patjetër, por një gjë është e sigurtë, që kurrë nuk ka patur deri më sot dhe unë jam i bindur se ne po vendosim një standard, që do të jetë i shumë i vështirë në mos i pamundur që të kthehet përmbys. Ky vend ka një qeveri dhe një shumicë qeverisëse që ka gatishmërinë të dëgjojë, ka dhe predispozitën të reflektojë, ka edhe kurajën të thotë “ok, këtu në këtë pikë keni të drejtë ju, s’kemi të drejtë ne dhe hajde ta ndryshojmë” dhe s’ka nevojë për karshillëqe dhe për kërcënime, “jo do bllokojmë, jo do bojkotojmë, jo do hidhemi përpjetë”. Nuk ka nevojë, gjërat diskutohen. Nuk është e thënë që të biem dakord për gjithçka, por e thashë, nga mënyra si nuk biem dakord, përcaktohet cilësia e bashkëjetesës demokratike dhe çdo bashkëjetese në çdo nivel.
Edhe këtu në këtë mjedis ku jeni ju, me dyert e dhomave ballë për ballë, jeni një komunitet brenda një hapësirë ku duhet të ndani hapësirat me njëra-tjetrën, mund të keni mosdakordësi në një moment të caktuar, por ka rrugë e rrugë për ta adresuar mosdakordësinë.
Mund ta adresoni me kapje për flokësh dhe në këtë lloj adresimi të gjitha palët dalin të palumtura. Mund ta adresoni me buzëqeshje dhe me gatishmërinë që ta dëgjosh edhe tjetrin, kur tjetri ka diçka që ty s’të pëlqen. Edhe në këtë aspekt edhe kjo që tha Erioni është themelore për ne.
Ne nuk mund të pranojmë që këtu të vendoset një ligjësi e re, kush bërtet më shumë, kush kërcënon më shumë, kush shkel më shumë pentagramin e harmonisë mes njerëzve, – sepse në fund të fundit gjuha na dallon nga ata me katër këmbë, – ia del. Jo nuk ia del dhe s’ka për tja dalë, në asnjë nivel dhe për asnjë arsye sepse çka ne i detyrohemi vetes në radhë të parë – sepse këtu e bëjmë dallimin me ata me katër këmbë, – është që të jemi sa më shumë dhe në sa më shumë raste kur sfidohet qetësia dhe kur sfidohet pikëpamja jonë, -me njerëzillëk. Çdo me thënë kjo?! Hidhemi përpjetë, bojkotojmë, përplasemi. Ç’është kjo?! Nuk shkon dhe nuk ka për të shkuar. Por, në rastin konkretet është tipike sepse ne këtu ishim dhjetorin e kaluar. Nuk i ramë shkurt. Nuk thamë që “jo, ju nuk keni të drejtë”, nuk thamë, “ju nuk keni të drejtë, por këto gjëra do t’i adresojmë njëherë tjetër.” Mund ta kishim bërë dhe atë, por duhet kuptuar shumë mirë. Nuk i përgjigjemi pozitivisht protestës së studentëve, se studentët na kërcënuan ekzistencën e shumicës apo të qeverisë.
Nuk ishte kjo, sepse faktikisht nuk kishim çfarë bënim në këtë aspekt. Por ama, ne nuk jemi aty për të bërë karshillëk me njerëzit që na kanë zgjedhur, apo me njerëzit të cilëve ju shërbejmë.
Jemi aty për të dëgjuar minimalisht, dhe për të thënë “ke të drejtë” apo “nuk ke të drejtë”, ku ke të drejtë, ku s’ke të drejtë, ku biem dakord, ku nuk biem dakord. Nuk mund të biem dakord për të gjitha. Sepse në fund të fundit, ne jemi zgjedhur për të udhëhequr, nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar nga mbrapa, çdo njeriu apo çdo grupi dhe t’i themi “ke të drejtë”.
Ka raste që duhet thënë e vërteta ashtu siç është, sepse kjo është përgjegjësia dhe kjo është detyra, sepse nesër në rast se ne themi ke të drejtë për çdo gjë, në fakt, kjo nuk ka se si të jetë kështu, vjen përsëri puna tek kërkesa e llogarisë që “vërtet në të thamë kështu, por ne të kemi zgjedhur që ti të na udhëheqësh dhe pse na udhëhoqe në drejtimin e gabuar, kur ti e dije që kjo gjë nuk do shkonte mirë”. Atëherë, në rastin e protestës në dhjetor, ne e kuptuam shumë mirë shumë qartë që ju kishit të drejtë dhe i adresuam çështjet sepse ishin të drejta dhe ne nuk kishim arritur që t’i vendosnim ato në rendin e ditës, jo se nuk i dinim, por për ne ishin gjëra që prisnin akoma në kushtet kur këto janë mundësitë e shtetit shqiptar. Nuk është se ne i kemi të gjitha mundësitë dhe nuk po i konsumojmë, por kur ke më pak mundësi se sa nevoja imediate, atëherë do adresosh ato që të duken më të rëndësishme.
Protesta ishte e mjaftueshme që ne të reflektojmë dhe të themi, “jo kjo është më e rëndësishme” pavarësisht se kjo nuk është imediate në kuptimin e disa impakteve të caktuara. Por është imediate për secilin prej jush dhe mos harroni asnjëherë, mund të mos biem dakord, por mënyra se si nuk biem dakord përcakton shumë cilësinë e jetës, përcakton shumë cilësinë e bashkëjetesës, përcakton shumë cilësinë e një marrëdhënieje dhe të një miqësie. Edhe në shtëpi me prindërit tuaj, nuk bini dakord me të gjitha, madje jeni tani në atë fazën që përgjithësisht s’jeni dakord, por varet shumë nga mënyra se si sepse ka mënyra dhe mënyra. Atëherë shumë mirë do të vazhdojmë punën me dhomat kur juve të na jepni mundësinë, sezonin e zgjatët vetë.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj: Javën tjetër, Kryeministri ka në tavolinën e tij, në mbledhjen e qeverisë, VKM për kartën e studentit. Është përgatitur. Menjëherë sa të mbarojë mbledhja e qeverisë, ne do të bëjmë një dëgjesë, ndoshta do t’i ftojmë dhe gocat tek dëgjesa e parë që do të bëjmë. Do të bëjmë prezantimin e kartës. Tashmë Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka aprovuar rreth 40 shërbime. Ca janë kinema, ca janë teatër, ca janë aboneja e studentit, të kësaj natyre, por mund të jetë dhe sipas preferencave. Të 40 shërbimet janë shërbime publike. Ndërkohë na janë ofruar edhe shumë kompani private, kryesisht librari, apo kompani veshjesh ku mund të kursehet 15%-40 % atje. Kështu që brenda muajit që vjen, Kryeministri do të ketë kënaqësinë besoj tu japi kartën e studentit të parëve që do të aplikojnë. Ne do të mundohemi që meqë sezoni qenka deri në 21 korrik të mundohemi të shpërndajmë deri në korrik. E për ata që nuk janë në Tiranë apo nuk kanë mundësi ta marrin brenda kësaj periudhe, do ta marrin sapo të kthehen në tetor. Mënyra se si do të funksionojë do të kopjojmë modelin e qeverisë, siç po shpërndajmë kartat e identitetit dhe pasaportat. Pra do të ketë një zyrë të kartës studentore në Qytetin Studenti. Do të ketë pastaj në secilin fakultet ku vetëm me një fotografi do të printohet karta për përdorim.