Prononcimi i Kryeministrit Edi Rama pas takimit të Njësisë Koordinuese të Koalicionit qeverisës:
Së pari përfitoj këtu për tre gjëra, të parin në lidhje me shpifësit e shqetësuar nga debati i hapur lidhur me propozimin e qeverisë, si dhe me konkluzionin e gabuar se qeveria është tërhequr nga propozimi. Risqaroj se për asnjë çast, asnjëherë dhe kjo është e verifikueshme lehtësisht nga prononcimet e mia të bëra kohë përpara se të bëhej ky propozim, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një nismë për të cenuar qoftë dhe në formën e një nisme ligjore lirinë e plotë të fituar të shtypit në vite të tëra betejash dhe përpjekjesh.
Nisma ka lidhje vetëm me një gjë; që ata që paguhen nga taksat e popullit shqiptar si të zgjedhur ose si funksionarë të lartë nuk mund të përdorin votat e popullit dhe as funksionet që burojnë nga vullneti i popullit për të shpifur. Ndjesa ime, të cilën dua ta përsëris që ta dëgjojë i gjithë publiku, ta dëgjojë kushdo midis njerëzve të shtypit që meriton respekt, sepse ka plot të tillë apo ndër mediat që meritojnë respekt sepse ka edhe të tilla, kurrë nuk do të cenohet asgjë për çka ka të bëjë me fushën e lirisë së tyre. Kurse, përsa i përket shpifësve që marrin flamurin e lirisë së shtypit dhe flasin në emër të kësaj lirie, le të vazhdojnë të bëjnë atë që janë mësuar të bëjnë, por unë personalisht, asnjëherë, nuk do t’iu lë mangët atë që mendoj për ta.
Së dyti, lidhur me protestën e tregtarëve dua të shfrytëzoj rastin për të thënë që; mos u përdorni, mos u abuzoni dhe mos lejoni që gënjeshtarë dhe mashtrues ordinerë t’ju përdorin duke ju thënë se po ju vjen një e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore. E kundërta është e vërtetë. Ne e kemi shprehur publikisht, për të gjithë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregjet e komuniteteve do të ketë një lehtësim jashtëzakonisht të konsiderueshëm të veprimtarisë së tyre që do të rezultojë me përfitim edhe financiar për ta. Pra, jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash për ta, por do të ketë një ndryshim rrënjësor të regjimit fiskal të tyre, në shërbim të tyre.
Dhe së treti, përsa i takon takimit të sotëm. Ne çdo të premte, siç e keni parë mbledhim njësinë e koordinimit të koalicionit dhe ka plot gjëra për të diskutuar.
Sot ka qenë në fokus Progres-Raporti. Është Progres-Raporti më i mirë ndonjëherë për Shqipërinë dhe është një Progres-Raport që me metodologjinë e re e vendos Shqipërinë, qartësisht në një nivel të vlerësueshëm lart edhe në raport me vendet që tani janë në periudhë negociatash.
Sigurisht, jemi edhe në fund të një viti dhe në prag të një buxheti të ri dhe kemi diskutuar edhe për ecurinë e disa sektorëve, do të vazhdojmë të diskutojmë edhe për ecurinë e sektorëve të tjerë për të garantuar një rritje të cilësisë së qeverisjes, si një qeverisje e koalicionit dhe mos prisni asgjë tjetër përveçse forcim të mëtejshëm të linjës së reformës, vendosmëri edhe më të madhe për të çuar reformat përpara dhe konsolidim të këtij koalicioni.
Ju ku ka kërkuar zoti Meta ndryshime në qeveri?
Edhe një herë tjetër, mos prisni asgjë nga ato që fantazoni, nga ato që komentoni dhe nga ato që analizoni vetë në këtë aspekt. Janë të gjitha fantazi që nuk kanë lidhje me realitetin.
A parashikohet në buxhetin e ardhshëm që të ketë zgjedhje?
Zgjedhjet e parakohshme janë pjesë e kësaj fantazie.
Zoti Rama, thatë që do të forcojmë reformat. A është i fortë koalicioni po aq sa do të forconi reformat?
Forcën e koalicionit dhe të qeverisjes së koalicionit e përcaktojnë rezultatet, e përcakton ecuria e reformave dhe e përcakton niveli i progresit të bërë. Referojuni kujt të doni, referojuni Progres-Raportit, referojuni marrëveshjes me FMN-në, referojuni suksesit të Eurobondit, referojuni Bankës Botërore, referojuni të dhënave të tjera, të gjitha tregojnë se reformat kanë filluar të japin rezultatet e para, por kush ka pritur që reformat të japin të gjitha rezultatet brenda dy vitesh nuk kupton asgjë dhe nuk i ka thënë një herë punës mirëmëngjesi.
Në rastin e Naços, sa herë ju pyesnim për ndryshime në qeveri keni deklaruar se i sajonim ne. Dhe, rezultoi që flitej për ndryshime në qeveri. Zoti Meta, të paktën jua bëri fakt të kryer duke ardhur me zotin Naço në zyrën tuaj….
Kjo është fantazi, kjo nuk ka ndodhur dhe është në vazhdën e asaj që thashë, për fat të keq. Ka qenë ministri i Drejtësisë që ka dhënë dorëheqjen, ka shprehur edhe arsyet e dorëheqjes, e kam falenderuar për punën e bërë dhe është zgjedhur menjëherë ministri tjetër për t’i dhënë një shtytje më të fortë procesit të Reformës në Drejtësi në radhë të parë dhe të gjithë proceseve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë. Unë kam thënë që nuk bëj ndryshime në qeveri, por nuk kam thënë që asnjë ministër, asnjëherë nuk ka të drejtë të rikonsiderojë pozicionin e tij dhe të japë dorëheqjen.
Zoti Rama, në fakt janë larguar deputetët e LSI për dy seanca rresht nga Parlamenti? Si e komentoni ju këtë?
Kjo është një tjetër fantazi, sepse unë nuk mendoj që ka ndonjë arsye për të folur për të tilla broçkulla që lidhen me qëndrimin e deputetëve gjatë seancave të gjata. Se si është raporti dhe se çfarë qëndrueshmëria ka koalicioni në Parlament e tregojnë votimet dhe nuk e tregon prezenca gjatë drekës apo pas drekës.
Jeni i gatshëm të bashkëpunoni me zotin Manjani duke pasur parasysh se çfarë ka deklaruar në të shkuarën për ju. Mendoni që nuk kishte njeri tjetër LSI për të propozuar për vendin e ministrit të Drejtësisë?
Zgjedhja e ministrit të Drejtësisë është një zgjedhje që absolutisht është bërë me vullnetin tim të lirë dhe të plotë.
Zyrtarë të lartë të LSI-së kanë thënë në fakt se nevojiten të tjera ndryshime.
Edhe një herë, kur të pyesni të tjerët dëgjoni të tjerët. Kur më pyesni mua unë mund t’ju them vetëm atë që mendoj unë dhe përgjithësisht për të mos thënë 100% dhe gjithmonë keni mbetur të zhgënjyer kur keni pritur që unë të them një gjë dhe të ndodhë një gjë tjetër. Kjo nuk ndodh!
Çfarë keni diskutuar sot për Reformën në Drejtësi, pamë disa ministra që morën pjesë?
Ministrat kanë qenë për sektorët e tyre, për reformën në drejtësi kemi diskutuar për t’i dhënë një shtytje të re procesit dhe për të krijuar të gjitha kushtet që në planin e tryezave të dialogut që çelen sot të ketë sa më shumë gjithpërfshirje nga grupet e interesit dhe sigurisht të ketë sa më shumë transparencë për publikun, pasi tani është faza ku produkti i ekspertëve fillon shpaloset përpara publikut, shpaloset përpara grupeve të interesit për ta bërë atë një produkt të përbashkët sepse reforma sigurisht ka skuadrat e veta, por është një reformë, dhe sidomos kjo në drejtësi, që ne do ta bëjmë bashkë me shqiptarët.