Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e ekspozitës në sallën e COD në Kryeministri me 44 foto të rralla që tregojnë momentet më të rëndësishme të jetës së Aleksandër Moisiut:
Shumë i nderuar zoti President dhe shumë i dashur Alfred Moisiu!
Të nderuar miq, dashamirës dhe kontribuues të përkushtuar të fondacionit Aleksandër Moisiu!
Më vjen mirë, që më jepet mundësia që të jem këtu sot në një ekspozitë, do ta quaja të munguar prej shumë kohësh, mbi një ikonë të kulturës shqiptare, falë ftesës tuaj, ftesë që i bëhet sot gjithsecilit nëpërmjet një cikli me 44 fotografi të pashfaqura ndonjëherë të Aleksandër Moisiut!
Në modestinë e vet kjo është një ngjarje e bukur si një histori jetësore dhe artistike. Unë nuk jam ekspert i jetës, i veprës dhe i figurës së Aleksandër Moisiut, jam vetëm një dëshmitar si shume të tjerë i ikonës, i imazhit, i fytyrës së tij dhe për një tekë të fatit Aleksandër Moisiu është aktori i parë që unë kam parë. Nuk e ka parë të gjallë, por e kam parë në baltë, ku im atë përpiqej ta sendërtonte figurën e tij dhe unë isha shumë i vogël, por mu fiksua pamja e aktorit dhe praktikisht ajo pamje ishte gjithmonë shablloni brenda të cilit unë përpiqesha të fusja pastaj të tjerët më vonë që ishin aktorë të gjallë dhe duke iu referuar krifës së Aleksandër Moisiut, qepallave të tij, portretit të tij bëja klasifikimin e përshtatshmërisë, portreteve të gjalla me këtë ikonë aktori.
Është një personazh që, me gjithë bardhezinë e fotografive dhe filmave që e sjellin përmes celuloidit, apo përmes pllakave të xhamit të kohës, ka shumë ngjyra: nga smeraldi i kadifesë, tek e arta e taftave dhe qëndismave dhe tek sermi në të artë i flokëve të tij në kostumet e aq e aq roleve të kurorës së aktorëve që iu dhanë atij dikur, nuanca, tekstile, aroma të një bote që dilte e rraskapitur nga konformizmat e stileve viktoriane dhe ishte pikërisht momenti kur hidhej me sy mbyllur dhe me duar të lidhura në përpëlitjet e secesionit vienez, apo të kubizmit, me një fjalë, midis të shkuarës dhe modernitetit.
Në 1914-ën, kanoniera e luftës së përbotshme i jepte një fund të përgjakur asaj që quhej “belle epoque” dhe në të gjithë këtë periudhë peripecish që ishin dhe peripeci heroike në botën e artit faktikisht ka një treshe sublime, në muzikë është Stravinsky, në balet është Diaghilev dhe në teatër është Aleksandër Moisiu.
Pavarësisht se ne e kemi njohur dhe e kemi parë nga këndi i shqiptarëve që shohin një shqiptar që ka bërë emër në Europë përpiquni për një moment të imagjinoni se kush kanë qenë spektatorët e tij!
Cvajgu, Maks Rainhart, Charlie Chaplin, Franz Kafka, Thomas Mann, Luigi Pirandelo
Parafytyroni se çfarë figure luksoze e skenës ka qenë ky njeri që mblidhte rreth vetes gjithë këto figura fenomenale të artit dhe pastaj mbetej pas çdo shfaqjeje në të gjitha ato gjurmë që zoti Logreci me kujdes i ka mbledhur edhe falë, me sa kuptova, pasionit të një mikeshe të palodhur të Aleksandër Moisiut.
Ishte shqiptar dhe besoj që ai këtë e ka ndjerë më mirë se sa shumë kush kur për shkak të të qenit të tij shumë i njohur, u bë një tentativë për ta zhdukur nën pretekstin e mbiemrit të tij që e kthente në homonim të profetit të madh të Izraelit, Moisiut dhe këtë e dëshmon një vërtetim, thuajse mallëngjyes do thoja, që kreu i kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë të asaj kohe, imzot Visarion Xhuvani, i çon autoriteteve naziste për ta shpëtuar Aleksandër Moisiun nga përndjekja dhe nga asgjësimi i mundshëm dhe në këtë tekst thuhet:
“Sipas dokumenteve të nxjerruna nga komiteti orthodhoks i Kavajës dhe mitropolia e Durrësit, vërtetohet se i ndjeri Konstandin Moisi dhe i biri i tij Moisi Moisiu, prind i Aleksandër Moisiut, dramaturgut në Austri, janë lindur në Kavajë dhe janë pagëzuar prej të ndjerit prift Ignatit në kishën ortodokse të Shën e Premtes të atij qyteti dhe janë prej gjaku e prej fisi shqiptar.
Sipas dokumentave të sipërpërmendur, vërtetohet se dhe i biri i të ndjerit Moisi, Aleksandër Moisi, është prej gjaku dhe fisi shqiptar dhe i krishter. Ky akt zë vendin e akt pagëzimit dhe mund të përdoret kur ta lypi nevoja.
Kryetari i kishës ortodokse autoqefale,
Kryepeshkopi i gjithë Shqipërisë,
Nënshkruar, Visarion”
Dhe është një dëshmi që besoj kumbon fort qoftë në aspektin e konfirmimit të figurës rrezatuese dhe verbuese të Aleksandër Moisiut, qoftë dhe në atë çka presidenti Moisiu e nënvizoi disa herë, qenien e tij një shqiptar i padyshimtë.
Dëshmia e Aleksandër Moisiut është një dëshmi që jehon në çdo tipar të karakterit që sjellin fotot e tij se të jesh qytetar i denjë i botës, me kokën lart, kërkon gjithmonë pse jo që t’i kthehesh rrënjëve dhe në këtë rast Shqipërisë, me zemër dhe mos t’i qëndrosh me kurriz.
Për ta mbyllur, është si të thuash, një thyerje e sharmit magjepsës të rregullit që Mefistofeli rol në të cilin në 1909 thuhet se shkëlqeu Aleksandër Moisiu dhe falë të cilit njësoj si Fausti njohu dashurinë e një gruaje që djalli e shpallte si të vetmin realitet.
Tani, ndjesë gjerman folësve këtu, unë nuk jam i tillë por më duket se thuhet, “ich bin der geist der stets verneint”. “Unë jam shpirti që mohon gjithçka”.
Shumë faleminderit dhe respekte dhe nderime për një mik të madh si presidenti Alfred Moisiu dhe për të gjithë ju që sot jeni këtu për të kremtuar si të thuash një moment për të cilin fondacioni ka bërë një përpjekje jo të vogël dhe që shpresoj që të mos jetë i fundit por të jetë i pari moment në një rrugëtim që me ndihmën e fatit, të na çojë tek muzeu i nesërm i Aleksandër Moisiut.
Faleminderit!