Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste: 

Të nderuar deputetë, deputete, ministre dhe ministra!

Sot,  dua të ndaj me ju dhe me publikun nismën tonë më të re parlamentare për disa ndryshime të një rëndësie të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Këto ndryshime janë rezultat i përvojës qeverisëse në disa sektorë, i shqetësimeve jo të vogla të opinionit publik, i dëgjimit të vëmendshëm të disa grupeve të shqetësuara të interesit, si dhe i leximit të kujdesshëm të praktikave më të mira evropiane, në adresimin e problematikave që përmblidhen në këtë nismë.

Dua ta nënvizoj qysh në fillim se nisma është e hapur për përmirësime të mëtejshme gjatë debatit në Komisionet parlamentare dhe ndërkohë çdo ministër apo ministre sipas fushës së vet të përgjegjësisë lidhur me pika të caktuara të draftit të nismës, duhet të organizojë një tryezë publike me grupet përkatëse të interesit për të bërë rakordimet finale, përpara votimit në seancën plenare.

Por, përpara se të rreshtoj disa nga pikat kryesore të nismës lejomëni të them dy fjalë mbi samitin frakogjerman të Berlinit!

Nuk kisha parë kurrë në parë keqinformim dhe keqpërdorim më të madh politik, mediatik të një ngjarjeje politike ndërkombëtare, ku kam qenë pjesëmarrës, sesa tërësia e marrëzive e ligësive që e shoqëruan dhe e pasuan në pasqyrat e medias shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë këtë Samit.

Samiti s’kishte asnjë lidhje me negociatat për anëtarësim të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Nuk ishte as një Samit për çështjen e integrimit europian në Ballkanin Perëndimor.

Deklarata e Samitit, e cila sipas praktikës na u dha si draft nga mikpritësit gjermanë e francezë për të dhënë opinionet tona paraprakisht, nuk kishte asnjë fjalë për temën e zgjerimit të BE-së sepse tema e Samitit ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë dialogu Kosovë-Serbi.

Në të njëjtën kohë përpara Samitit Kancelarja Merkel kishte dy takime bilaterale me kryeministrin Zaev dhe mua ku do të flitej, siç edhe u fol, lidhur me çështjen e çeljes së negociatave për anëtarësim mes dy vendeve tona dhe Bashkimit Europian, por si dhe herët e tjera më parë në vigjilje të vendimmarrjeve të Gjermanisë, qoftë për statusin e vendit kandidat disa vite më parë, qoftë vjet për çeljen e negociatave, unë nuk shkova në takim për t’u njohur me vendimin e Gjermanisë në zyrën e Kancelares, sepse dihet botërisht që vendimmarrja e Gjermanisë kalon përmes Bundestagut gjerman dhe Kancelarja e Gjermanisë kurrë nuk e thotë fjalën e fundit të parën, aq më tepër pa dalë ende raporti i KE me rekomandimin përkatës.

Kështu që gramafonët dhe filxhanët e Tiranës që gjëmuan dhe lajmëruan kobin e zi të mbylljes së derës së negociatave për Shqipërinë, duke përhapur ende pa filluar takimi im dhe pa mbaruar as kafet e mirëseardhjes së Samitit, broçkulla nga më të hatashmet, ishin thjesht e vetëm një shprehje ekstreme e dëshpërimit të të gjithë atyre, të cilët duan të marrin me çdo kusht me vete Shqipërinë në rrugën e theqafjes politike që e kanë zgjedhur vetë.

Përpjekja ekstreme për t’u shitur shqiptarëve kazanin e opozitës së dalë binarësh, duke u thënë që negociatat nuk hapen sa të jemi ne në qeveri dhe unë në krye të qeverisë, është e vajtueshme, e shëmtuar e turpshme, sepse s’ka besoj shqiptar të logjikshëm që nuk e kupton se tanimë prej disa vitesh vendimmarrjet europiane për vendet e rajonit tonë, përfshirë edhe Shqipërinë nuk lidhen vetëm me sa bëjmë e çfarë bëjmë ne, por po aq, madje për fat të keq çdo ditë e më shumë më çfarë ndodh në politikën e brendshme të disa vendeve të kërcënuara nga rritja e partive atieuropiane.

Çfarë duhet të bëjë p.sh. më shumë Kosova për liberalizmin e vizave, që është shembulli më spektakolar i faktit se askush nuk i thotë dot më Kosovës s’ke përmbushur kriteret, askush nuk i thotë jo, por sidoqoftë çështja nuk futet fare në rend të ditës për shqyrtim se të gjithë e dinë se disa qeveri në BE, i friken forcave antieuropiane në vendet e tyre nëse japin Kosovës atë që i takon me ligj. Këtu u arrit të shkruhet deri edhe se Presidenti Macron paska fajësuar Shqipërinë për mos heqjen e vizave me Kosovën.

Aspak e vërtetë!

Presidenti i Francës foli haur për faktin se ato forca e keqpërdorin  çdo problem, përfshirë edhe problemin e azilkërkimit të disa mijëra individëve nga vendet jo anëtare të BE-së, si një argument për të frikësuar elektoratin dhe për t’u rritur përmes ushqimit të frikës.

Pa pikë turpi, që nga Saliu e deri te dajë Titi vrapuan të fajësojnë qeverinë tonë në emër të Presidentit të Francës, i cili përkundrazi e ka vlerësuar vijimësisht punën e përbashkët për uljen në 40% të numrit të azilkërkuesve shqiptarë vitin e shkuar.

Megjithatë nuk kemi c’bëjmë! Mjerë ky vend për këta rrugëhumbur të dëshpëruar dhe për kadrinjtë  tyre të zellshëm, të cilët nuk lënë gjë pa shpifur dhe pa shpikur për të helmuar miletin çdo ditë, ndërkohë që ne s’kemi bërë asnjë mrekulli, po është e sigurtë se e kemi çuar Shqipërinë në derën e paradhomës së Bashkimit Europian, pas të cilës zhvillohen negociatat për anëtarësim. Ashtu sikundër është e sigurtë se kemi sot marrëdhëniet më të mira të respektit dhe të miqësisë me Gjermaninë dhe me Francën të cilat kam shumë besim që nuk do të na e mbyllin derën e asaj paradhome këtë vit.

Kancelarja Merkel, ashtu si dhe kryetarja e SPD-sëAndrea Nahles, edhe nënkryetari i grupit të saj parlamentar CDU, i cili ka folur dhe vetë shumë qartë në një intervistë të dhënë pas, na kanë pritur me shumë respekt dhe e kanë vlerësuar qartësisht, shumë pozitivisht progresin e bërë në procesin e integrimit.

Jo vetëm që nuk bëhet fjalë të na kenë thënë se Shqipëria e ka derën e mbyllur, por na kanë siguruar për disponimin e tyre shumë pozitiv, në njohjen e meritës së Shqipërisë përmes zyrtarizimit të çeljes së negociatave. E përdor termin “zyrtarizim” duke pasur parasysh edhe shumë broçkulla të thëna, lidhur me si e kemi trajtuar vitin e kaluar qasjen ndaj negociatave për dy arsye shumë të thjeshta, sepse nga një anë, vitin e kaluar, jo ne, por Këshilli Europian shkruajti e zeza mbi të bardhë, se në qershor do të jepet vendimi pozitiv dhe në fund të vitit do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare, dhe nga ana tjetër shumë e rëndësishme për faktin e procesit, Shqipërisë pikërisht sepse i kishte kryer të gjitha detyrat, i është lejuar të nisë një proces, që përndryshe tradicionalisht niset kur negociatat hapen zyrtarisht.

Këtë proces ne e kemi nisur dhe e kemi kryer sipas të gjithë parametrave të përcaktuar.

I vetmi problem i miqve gjermanë është se koha fizike për procedurën e diskutimit të Bundestagut, nga data e daljes së rekomandimit të komisionit në fund të majit në ditën e vendimmarrjes në Këshillin Europian në 21 Qershor është tejet e shkurtër.

Këtu ka dhe një detaj tjetër, për të gjithë ata që duan të kuptojnë, pse Komisioni Europian vendosi këtë vit në mënyrë të veçantë që ta nxjerrë raportin në fund të majit: për të mos e nxjerrë gjatë zgjedhjeve për parlamentin europian dhe për të mos e kthyer rekomandimin e pritshëm pozitiv në një mish për top për fushatat elektorale, në ato vende ku qartësisht problemi nuk është as marrëdhënia e miqësisë dhe respektit me Shqipërinë, as ecuria faktike e Shqipërisë, por dinamika e brendshme elektorale dhe politike.

Prandaj edhe është folur për shtatorin nga pala gjermane, por kurrsesi për mos çeljen e negociatave për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë.

Sa për Francën dua ta nënvizoj se duhet pritur me shumë durim përfundimi i zgjedhjeve europiane në maj, për të pasur pastaj kohën dhe vëmendjen e nevojshme të Presidentit të Francës dhe natyrisht, të qeverisë franceze, në periudhën kur qëndrimi i Francës do të formulohet mbi bazën e raportit dhe të rekomandimit të Komisionit Europian.

Do të ishim në pozitë të vështirë vërtet sot, nëse ne, Shqipëria nuk do të ishim në rregull me detyrat e shtëpisë dhe nëse Komisioni, i cili bën vlerësimet faktuale dhe nuk bën vlerësime të natyrës politiko-elektorale, siç bëjnë vendet anëtare, nuk do të rekomandonte përsëri, këtë vit, hapjen pa kushte të negociatave.

Po si mund të mos jemi me kokën lart, përderisa ky nuk është fare rasti?!

Lojës së ulët politike me gramafon dhe me filxhan, për të luajtur mendsh shqiptarët dhe për t’i hedhur kundër qeverisë, si të ishte qeveria, arsyeja e vështirësive të brendshme që kanë disa vende të BE-së për të dhënë PO-në e tyre për Shqipërinë, po i vjen fundi.

I ka ardhur qartësisht fundi, edhe variantit të asaj loje në gjuhë të huaj, sepse s’kanë mbetur më në Europë njerëz që i besojnë katran-prodhuesve tanë, të cilët kanë shpërndarë në këto vite baltë dhe zift për Shqipërinë nëpër zyrat, nëpër vrimat e Europës, më shumë seç kanë mundur të shpërndajnë në dhjetëra vite të tërë armiqtë e këtij vendi, të mbledhur sëbashku.

Kujtuan se do hutonin dhe do të tronditnin Europën dhe Amerikën, duke djegur mandatet dhe duke veshur jelekët e destabilizatorëve të Shqipërisë në emër të luftës me narkoqeverinë e vendit të tyre. Por në këmbim kanë marrë vetëm refuzimin e një maskarade politike të pashoqe në historinë e vendeve demokratike. Po vazhduan kështu, do të marrin bashkë me refuzimin, edhe izolimin total nga e gjithë bota demokratike.

Kujtojnë se do të ngrenë njerëz për të shkatërruar dhe djegur godinat e institucioneve, duke shpresuar se do të prodhojnë dëshmorë të revolucionit të tyre imagjinar, si pasojë e reagimit, të pritshëm prej tyre, disporpocional të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, që në kohën e tyre u përgjigjeshin me kallashnikov protestuesve paqësorë. Por gjetën vetëm disa të verbër, që sot janë në burg për shkak të tyre dhe morën dhe do të marrin mbrapsht, deri kur të vazhdojnë kështu, vetëm përgjigjen proporcionale të forcave të rendit, asgjë më shumë dhe asgjë më pak.

U gënjen mëndja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike, sepse ende kujtojnë, me sa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës.

Po hë për hë s’kanë gjetur asnjë budalla nëpër botë, që jo t’i mbështesë, por as t’i kuptojë në këtë përpjekje të marrë. Ndërkohë që pa pikë dyshimi nuk do të gjejnë më asnjë që t’i takojë dhe jo më t’i dëgjojnë nëse nuk i japin fund, përpara sesa të jetë shumë vonë, kësaj marrëzie.

E meqë në gjithë broçkullat që u thanë në rastin e Samitit të Berlinit, u tha edhe që mua do më kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve, apo do më tërhiqnin veshin për zgjedhjet pa pjesëmarrjen e humbësve të arratisur nga procesi, për të mos u përballur me votë në 30 qershor, u them nuk më zuri veshi, jo asnjë kërkesë apo kapje të kësaj natyre, por asnjë fjalë. Zero!

Në demokraci askush është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje. Kushdo është i lirë të vendosë të hyjë, apo të mos hyjë në zgjedhje dhe s’është as detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që s’duan të votohen nga populli, as e drejtë e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese, pse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje.

Ndërsa për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Është e nevojshme që ne ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli, për t’i dalë borxhi deri në fund, jo ish ligjvënësve që e kanë votuar çdo nen të kapitullit dhe i njohin shumë mirë pasojat e çdo akti kriminal ndaj zgjedhjeve, por për t’i dalë borxhi kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vet, duke shkuar pas berihait ditën e zgjedhjeve. Në këtë aspekt, Kodi Penal s’ka nevojë për asnjë ndryshim, sepse, ashtu siç e kemi votuar, kur në mazhorancë dhe në qeveri ishte PD, përbën një bazë solide ligjore në funksion të mbrojtjes së procesit zgjedhor nga çdolloj keqbërësi.

Ndërkohë që po, Kodi Penal ka nevojë për disa ndryshime në aspekte të tjera të rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës së vendit dhe garantimin e lirive dhe të drejtave të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga siguria ushqimore. E vërteta është se kemi bërë jo pak progres në drejtim të sigurisë ushqimore. Produktet tona bujqësore, ndryshe nga çfarë përflitet padrejtësisht shpeshherë, apo nga çfarë nganjëherë del papërgjegjshmërisht edhe në ekranet televizive për të bërë sensacion, janë plotësisht të shëndetshme.

Për këtë mjafton një fakt;

Në 300 mijë tonë produkte bujqësore të eksportuara në vitin 2018 në BE, asnjë kamion i vetëm nuk është kthyer për shkak të cenimit të standardeve europiane të sigurisë ushqimore. Por ka fatkeqësisht individë dhe subjekte që për përfitimet e tyre kryejnë krime kundër shëndetit të njeriut. Ia kanë hedhur 30 vjet me gjoba që s’janë asgjë, krahasuar me fitimet e tyre, por kjo s’mund të vazhdojë dhe s’do vazhdojë më kështu. Këtyre forcave të së keqes në shoqërinë tonë, që guxojnë të kërcënojnë shëndetin e fëmijëve tanë dhe të të gjithë atyre që në këtë vend jetojnë dhe konsumojnë ushqim, duhet t’u rezervojmë ndëshkimin më shembullor të heqjes së lirisë së aktivitetit dhe të lirisë individuale, gjithashtu.

Nga ana tjetër, dhuna është një fenomen që ka vijuar të jetë shqetësim për njerëzit në krye të detyrës. Politika, fatkeqësisht, në vend që ta luftojë dhunën, në radhë të parë, me forcën e shembullit të saj, e ka stimuluar atë duke krijuar një klimë infektive. Domosdoshmëria për një përgjigje të prerë ligjore mbi dhunën ndaj të zgjedhurve dhe funksionarëve publikë, që nga salla e Parlamentit deri në çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë; Dhunën ndaj punonjësve të policisë, që nga kundërshtimi me forcë i forcave të policisë, deri tek prekja me gishtin e vogël të uniformës blu; Dhuna ndaj bluzave të bardha; Dhunën në aktivitetet sportive, posaçërisht në fushat e futbollit, ku në vend se të jepen shfaqjet e edukimit dhe argëtimit shoqëror, jepen në vijimësi shembujt më të shëmtuar të dhunimit që shkon përtej fushës dhe futet në çdo shtëpi, – do të adresohet pa asnjë ekuivok në paketën e re të ndryshimeve në Kodin Penal.

Parashikimet aktuale në Kodin Penal, siç tregojnë qartë të gjithë këto fenomene, edhe në krahasime me vendet e BE, nuk e garantojnë mjaftueshëm reagimin e domosdoshëm ndaj akteve të dhunës.

Dispozitat përkatëse për dënimin e këtyre fenomeneve, ose kanë mangësi, ose ende janë fare të lehta ose nuk ekzistojnë. Nevoja për ndryshime në kodin penal për mbrojtjen e të drejtës së autorit për shembull, vjen si pasojë e një reflektimi të domosdoshëm pas 30 vjetësh zhvillime krejt të pamjaftueshme pozitive në këtë drejtim. Ka disa parashikime totalisht të pamjaftueshme në Kod për mbrojtjen e pronësisë intelektuale apo riprodhimin e paautorizuar të veprës së tjetrit, por dispozitat nuk janë të plota dhe dënimet nuk kanë lidhje fare me nevojën therëse për rend ligjor në këtë fushë dhe nëse i krahasojmë me ndëshkimet për cenimin, shkeljen, masakrimin e të drejtës së autorit në vende të Bashkimit Europian, lëre pastaj në Shtetet e Bashkuara atë Amerikës, janë qesharake.

Kemi pezulluar apo më saktë, kemi ndaluar me ligj lojërat e fatit, por kemi nevojë të ndërhyjmë për të ndëshkuar me ligj si vepër penale, veprimtarinë e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme në mënyrë që të ndalojmë reagimin apo disponimin për të zhvilluar në ilegalitet lojëra fati.

Në lidhje me rendin dhe qetësinë publike, ka nevojë për ndërhyrje sepse ankesat e qytetarëve, tanimë janë bërë më shumë se çerek shekullore, lidhur me mosrespektimin e kërkesave të legjislacionit, për zhurmat, për rrëmujat, për të cilat në kodet penale të vendeve të zhvilluara ka dispozita shumë të qarta kur tejkalohen normat e lejuara me ligj për zhurmat në mjedise që prishin qetësinë publike dhe një komuniteti i tërë, merret peng, në pingpong-un  me institucioneve ku asnjë institucion nuk ka të gjithë fuqinë që duhet t’ia japë ligji për të reaguar pa e kthyer në pingpong stresin e qytetarëve.

Paketa e re sjell me plot të drejtë një ashpërsim të mëtejshëm të dënimeve për mbajtjen e armëve, armëve shpërthyese, lëndët plasëse, në kundërshtim me parashikimet ligjore apo pa leje të organeve kompetente si dhe veprimeve që synojnë pengesat në çdo mjet dhe mënyrë të qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor dhe ajror. Nuk mundet dot që ne ta pranojmë si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së lirë të mjeteve dhe të qytetarëve dhe për më tepër, organizmin e bllokimit të qëllimshëm, në mënyrë sistematike. Nuk e pranon askush, nuk ka pse e pranon Shqipëria.

Nga ana tjetër, kemi bërë disa ndryshime dhe përparime të rëndësishme në transpozimin e direktivës europiane për mbrojtjen e mjedisit, përmes ligjit penal. Raporti i progresit për vitin 2016 thekson faktin se direktiva për krimin në mjedis ende nuk është transpozuar që do të thotë se legjislacioni nuk ka përfunduar, duke u kornizuar në Kodin Penal dhe prandaj paketa e re përcakton veprat penale të kryera nga persona fizik dhe juridik, me dashje apo nga pakujdesia, që bien ndesh me legjislacionin specifik për mjedisin që ne e kemi tanimë miratuar, dhe për një sërë aspektesh të gjithë kuadrit të jetës dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Problematika e deri sotme në zbatimin dhe detyrimin e legjislacionit për mjedisin, ka treguar se mjedisi nuk mbrohet dhe nuk mund të mbrohet siç duhet vetëm nga një legjislacion administrativ, prandaj ky legjislacion duhet të plotësohet dhe me veprat penale në fushën e mjedisit dhe me sanksionet përkatëse të parashikuara në Kodin Penal për të siguruar një vazhdimësi dhe një konsistencë midis kërkesave ligjore të legjislacionit dhe parashikimeve të Kodit Penal që dhe ky i fundit ti reflektojë këto kërkesa të legjislacionit europian, në fushën e mjedisit. Është punuar intensivisht nga një grup i përbërë prej drejtuesve të komisioneve përkatëse, ministrave, ekspertëve, por siç e thashë, paketa është e hapur për përmirësime, jo për lehtësime, pwr përmirësime dhe për pasurim të mëtejshëm të saj.

Paketa adreson dhe nuk do të kalojë këtu të gjitha nenet, por do të prekw vetëm disa prej tyre sepse është e rëndësishme që t’i jepet përgjigje grupeve të interesit që kanë kërkuar prej kohësh dhe këmbëngulur për këtë paketë ndryshimesh, – neglizhencën në trajtimin mjekësor, e cila kur rrezikon jetën e personit, nuk mund të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërsa kur shkakton vdekjen e personit, nuk mund të mos i përgjigjet domosdoshmërisë për të penalizuar autorët.

Ama nga ana tjetër, paketa adreson dhe kërkesën e hershme të komunitetit për dekriminalizim të mjekimit të pakujdesshëm, në raport me pasojat gjithmonë. Është standard europian dhe ndan ose më saktë balancon më së miri, qoftë nevojën për të reaguar ligjërisht me masa penale, heqje lirie kur shkaktohet vdekja e një personi nga arsye objektivisht të provuara, qoftë nga ana tjetër, nevojën për të njohur edhe fatkeqësitë e paevitueshme në një aktivitet ku jo gjithmonë, jo gjithçka përfundon me sukses, siç është kurimi, operimi i sëmundjeve.

Fola për të drejtën e autorit dhe qartësisht e drejta e autorit nuk mund të jetë një e drejtë e pambrojtur dhe nuk mund të jetë një e drejtë që shkelet sipas qejfit për përfitime financiare, ndërkohë që nëse i dëgjojmë të gjithë ata që kanë krijuar vepra të të gjitha zhanreve në Shqipëri, teksa të tjerët pasurohen me veprat e tyre, ata janë viktima të shkeljes së kësaj të drejte dhe përfitojnë zero ose thuajse zero nga shfrytëzimi i veprave të tyre. Ky lloj aktiviteti duhet të dënohet me burg, është shumë e thjeshtë. Është një vjedhje e hapur si çdo vjedhje tjetër dhe ata që shfrytëzojnë veprat e të tjerave, në mënyrë të paligjshme, i ftoj që kur shikojnë filma, të vënë re se çdo film amerikan fillon me një paralajmërim të FBI-së, ku paralajmërohet se marrja dhe shfrytëzimi i atij filmi për shpërndarje dhe përfitim të çon në burg.

Preka organizmin e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme dhe është e nevojshme që këtu të adresohet edhe kërkesa e shumë organizatave të respektuara që mbrojnë dhe të drejtat e kafshëve nga shfrytëzimi i kafshëve për qëllimeve fitimi apo shfrime shtazarake të kënaqësisë së përftuar nga njeriu duke dhunuar kafshët. Kemi bërë një progres të madh në mbrojtjen e faunës nga gjuetia, por sidoqoftë, është e domosdoshme që në Kodin Penal, sipas edhe të gjitha përvojave dhe nevojave të dala qartë në një proces eksperience dhe krahasimesh të kujdesshme me vendet e tjera, të adresohen qartësisht dëmet që u shkaktohen specieve të mbrojtura të faunës dhe të florës. Ka një pjesë të veçantë për zonat e mbrojtura, ashtu sikundër ka nevojë të thuhet qartë dhe të përsëritet se me këtë ndërhyrje, sporti i goditjes së sportistëve, të trajnerëve, të arbitrave, të ndërmjetësve sportiv dhe të gjithë opinionit publik, përmes gjithë këtyre goditjeve, do dënohet me burgim.

Prekja e vijave të bardha të fushave të aktivitetit sportiv do të konsiderohet prekje dhe kapërcim i vijës së kuqe të ligjit dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për argumente, mund të them se ndëshkimet në Kodin tonë Penal me këtë paketë janë shumë më të buta se sa ndëshkimet e një vendi kampion të të drejtave dhe lirive të njeriut, siç është Britania e Madhe, ku fenomeni i dhunës në futboll dhe i huliganizmit u përball me një paketë ndëshkimesh ekstreme që i transformuan stadiumet angleze të futbollit nga arena dhune në arenat më shembullore të planetit që nuk bëhet dot dallimi midis publikut në një ndeshje futbolli dhe publikut në një shfaqje operistike, pa gardhe, pa asnjë roje midis publikut dhe vijës së fushës që është një metër larg nga publiku.

Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, nuk cenojnë thjesht ata që i pësojnë, por cenojnë rëndë të gjithë shoqërinë dhe godasin rëndë gjithë procesin e edukimit të fëmijëve dhe të të rinjve, përmes imazheve të tmerrshme që përhapen falë këtyre veprimeve.

Edhe një herë në mbyllje, dua t’i referohem disa neneve për sigurinë ushqimore sepse kjo është një sfidë e madhe për ne, për shoqërinë tonë, për shumicën tonë qeverisëse dhe për qeverinë tonë.

Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim, në ndonjë mënyrë apo tjetër e ushqimeve, pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndë shtesë në prodhimin dhe përpunimin e artikujve ushqimore dhe pijeve, do të dënohet me burg. Pastaj sasinë e dënimit për të cilën unë personalisht nuk jam dakord se më duket shumë e vogël, le ta diskutojë Komisioni dhe le të diskutohet në komisione bashkë me grupet e interesit, por ama kur kjo vepër është kryer në bashkëpunim më shumë se një herë ose kur nga kjo vepër rezulton të jetë kërcënuar, lëre pastaj dëmtuar shëndeti i personit, burgimi do të jetë deri në 10 vjet.

E njëjta gjë edhe për të gjitha prodhimet ushqimore jashtë afatit të përdorimit të tyre. Është një problem i madh, e dimë shumë mirë, një lojë që vazhdon prej 30 vitesh që afatet e përdorimit të produkteve ushqimore shkelen. Nuk ia ka borxh asnjë familje, nuk ia ka borxh asnjë fëmijë, kësaj qeverie, kësaj shumice, kësaj politike që të rrijë e të bëj sehir dhe nga ana tjetër, nuk ka sjellë asnjë zgjidhje, sistemi i punës që është ndërtuar në gjithë këto vite, duke i gjëmuar nga mbrapa tek për tek dhe duke vendosur gjoba e duke negociuar gjoba me individë apo me subjekte të tilla. Edhe kjo është një vepër që parashikohet të dënohet deri në 10 burg.

Mashtrimi me produktet ushqimore po ashtu, hyn në veprat penale, zëvendësimi i shenjave të sigurisë të organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore që është një tjetër lojë e zhvilluar gjerësisht, hyn në veprat penale dhe besoj që duke e adresuar këtë problem kaq të madh, kaq jetik e në të njëjtën kohë, kaq kërcënues për psikologjinë e përgjithshme të shoqërisë me vetëdijen se jo vetëm që nuk bëhet fjalë për të gjitha produktet ushqimore në Shqipëri, por bëhet fjalë për një pjesë të vogël të tyre, por që sidoqoftë është mjaftueshmërisht e madhe për të krijuar dëme dhe pasoja, ne thjesht dhe vetëm përmbushim një angazhim si rezultat i një reflektimi mbi një eksperiencë 30 vjeçare të dështuar për ta kthyer gjithë aktivitetin tregtar me produktet ushqimore, në zonë të paprekshme sigurie për shëndetin e njerëzve.

Duke ju falenderuar një herë në radhë të parë të gjithë ata që kanë punuar për paketën, duke falënderuar paraprakisht të gjithë të tjerët që do të kontribuojnë për finalizimin e punës me paketën, duke qenë i bindur se ka ende detaje dhe elementë që mund ta përmirësojnë më tutje paketën e nga ana tjetër, duke rikujtuar që në këtë proces, përveç diskutimeve që do të bëhen në komisione e përveç procesit parlamentar që komisionet kanë detyrë të kryejnë në bazë të të gjithë parametrave të diskutimeve të nevojshme, është e rëndësishme që edhe ministrat në sektorët përkatës të paraqesin pjesën e paketës që lidhet me sektorin përballë të interesuarve dhe po ashtu, ministrja e Drejtësisë, e cila ka qenë pjesë e grupit udhëheqës të punës për paketën, të koordinojë të gjithë këtë ndërveprim, në mënyrë që pa humbur kohë, duke e regjistruar këtë draft në procedurën parlamentare, ne ta materializojmë dhe ta votojmë të plotë në seancën plenare, duke i dhënë një përgjigje, besoj adekuate, të gjithë shqetësimeve të krijuara nga përvoja jonë dhe të ngritura në vijimësi nga njerëzit, sipas rasteve dhe grupeve të tyre të interesit, por dhe nga publiku në tërësi.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.