Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qeveria ndërmerr lehtësi fiskale të reja për biznesin e vogël dhe sektorin e manifakturës. Sipas paketës së re të masave, e cila u diskutua sot mes Kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të shoqatave të biznesit dhe Dhomave të Tregtisë, qeveria merr përsipër detyrimin e ri doganor të eksportuesve manifakturës, që vjen si pasojë e futjes së skanimit në dogana. Një tjetër masë mbështetëse është heqja e taksave për të vetëpunësuarit përmes zanateve dhe tregtarët ambulantë. Po ashtu, Kryeministri rikonfirmoi se “nuk do të ketë rritje të taksave.”

“Ne jemi sot, në kushtet kur shikojmë një rritje të konsiderueshme të manifakturës. Prandaj kemi marrë përsipër që të paguajmë ne si shtet, detyrimin që të gjithë eksportuesit e manifakturës kanë si detyrim të ri në dogana, për shkak të futjes së skanimit. Kështu nuk do të jetë më barrë për kompanitë dhe nuk do të kenë kompanitë, stresin e rritjes së kostos dhe të uljes së aftësisë së tyre konkurruese. Ky operacion na jep mundësinë të kemi një qasje të re ndaj të gjithë të vetëpunësuarve përmes zanateve të tyre, për të cilët do të zerojmë taksat, me kushtin që të jenë të regjistruar dhe të siguruar, jo në të zezë, pra, çdokush që është i vetëpunësuar me zanatin e tij. Do të ketë një listë të përcaktuar të të gjitha zanateve që krijojnë vetëpunësim- dhe jo punësim të të tjerëve, domethënë jo ndërmarrje të vogla,- nuk do të paguajë asnjë taksë. Po kështu e njëjta gjë për tregjet e lagjeve, ku secili që shet në treg do të trajtohet si ambulant, por me kushtin që të jetë i regjistruar. Po kështu, edhe për ambulantët në territor, që do të marrin nga bashkitë një dokument regjistrimi,” – bëri të ditur Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.