Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Tashmë, projektet fituese të konkursit “Ëndrra ime”, të ideuara nga të rinjtë, janë një realitet i prekshëm për qytetarët.

Në Korçë, u inaugurua sot, stacioni i dytë i biçikletave, krijuar nga studentja e arkitekturës Megi Hasani, fituese e projektit “Ëndrra ime” për vitin 2015 dhe financuar nga qeveria. Të pranishëm me këtë rast ishin Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministri Niko Peleshi, kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, si dhe të rinj e qytetarë korçarë.

Ky projekt, i përkrahur nga bashkia e Korçës konsiston në dhënien me qera të biçikletave për qytetarët, kundrejt dhurimit të një libri, nga ana e tyre. Deri tani janë vendosur dy stacione me 10 biçikleta, njeri në qendër dhe tjetri ne hyrje te parkut Rinia, i cili prej qershorit te këtij viti është restauruar dhe përveç ambienteve shplodhëse ka edhe një korsi të dedikuar për biçikletat.

Studentja Megi Hasani shpjegoi se jetësimi i projektit, jo vetëm synon të nxisë sa më shumë përdorimin e biçikletave dhe ruajtjen e mjedisit nga ndotjet, por edhe të rrisë interesin e të rinjve drejt librit.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, theksoi se idetë inovative duhet të jenë pjesë e pandarë e të rinjve dhe vullneti për ti vënë ato në jetë do të jenë garanci për suksesin e tyre. “Iniciativa e kryeministrit ka dhënë rezultatin që ne prisnim. Pra mesazhin që edhe kur burimet financiare janë të pamjaftueshme, me kreativitet dhe dashuri siç është rasti i Megit mund të bëhen gjëra të bukura, mund ti shtohen atraksione këtij qyteti siç është Korça. Inkurajojmë të gjithë të rinjtë e tjerë që përpara se të ankohen për mungesë fondesh, të vrasin pak më shumë mendjen, të gjejnë ide inovative dhe kreative edhe për të ndërtuar sukses në karrierën e tyre, por edhe për ti dhënë shoqërisë, produkte si ky, kaq të thjeshtë, domethënës dhe me rezultat. Suksese!”  tha zv/kryeministri.

Gjithashtu, sot u lancua për here te pare një broshure “Korça me Biçikletë” e cila përfshin një itenerar guide në gjithë rajonin. Një ide kjo e inicuar nga të rinjtë e Njësisë Kreative pranë bashkisë se Korçës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.