Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Extra Milk” është një sipërmarrje e vogël familjare, e cila ka krijuar emrin e mirë në tregun vendas, falë produkteve cilësore dhe sigurisë ushqimore që garanton. Si një sipërmarrje, e cila e ka ndërtuar suksesin e saj bazuar tek besimi i konsumatorit, ajo mirëpret masat e marra së fundmi për ndryshimet ligjore në Kodin Penal, lidhur me sigurinë e produkteve ushqimore.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me Ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi, ishin sot në mjediset e “Extra Milk”, prodhuese dhe tregtuese e certifikuar qumështit vendas dhe nënprodukteve të tij.

Ministri Çuçi u shpreh se paketa me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat klasifikojnë si vepra penale, abuzimet me produktet ushqimore, u vjen në ndihmë pikërisht bizneseve që operojnë në treg me konkurrencë të ndershme.

“Ky është një biznes relativisht i vogël për nga kapaciteti, por relativisht një nga ato dhjetëra qindra biznese që kanë krijuar një emër të mirë në treg dhe kanë krijuar një klientelë besnike. Pa diskutim që është elementi bazë i suksesit të biznesit. Pavarësisht nga zhurma që po bëhet nganjëherë më të drejtë dhe nganjëherë pa të drejtë në lidhje me cilësinë e produkteve shqiptare, ky është një shembull i qartë që produktet shqiptare janë të sigurta, aty ku në fakt dhe konsumatori duhet të shkojë të orientohet dhe t’i marri, pra në vendet që janë të certifikuara dhe të kontrolluara nga autoritetet shqiptare. Besoj se edhe ndryshimet që ne kemi paraqitur në Kuvend për miratim për të futur figura dhe vepra të reja penale, për ata që abuzojnë me pjesën e produktit ushqimor, është një ndihmë e madhe për këto biznese. Këtë bisedë po bëjmë. Këta janë shumë të kënaqur me paketën që ne kemi prezantuar për pjesën e dënimit penal për këdo që falsifikon apo shtrembëron prodhimet bujqësore. Një arsye madje e madhe për të paraqitur këtë paketë ndryshimesh është që brenda një viti, ne kemi çuar 95 raste në prokurori dhe asnjë nuk ka përfunduar. Fakti ka qenë që dispozitat e sotme penale ishin shumë të përgjithshme dhe kërkonin pasojë vdekjen që të shkonin t’i denonconin. Kjo është e papranueshme dhe prandaj, ne e kemi zbërthyer dhe 4 vepra të reja që kemi futur për sigurinë ushqimore janë të targetuara dhe nuk kërkojnë detyrimisht vdekjen. Sepse sigurisht abuzimi me produktin ushqimor bujqësor nuk është e thënë që detyrimisht të sjelli vdekjen, por mund ta dëmtojë shëndetin e njeriut, edhe pa sjellë vdekjen. Kështu që besoj me këtë paketë i vijmë në ndihmë këtyre lloj bizneseve, që punojnë me ndershmëri, këtyre që kanë produkte të sigurta sot në treg,” -u shpreh ai.

Në jo pak raste, sipërmarrja ka rënë pre e të pavërtetave abuzive për shkak të konkurrencës së pandershme, prandaj drejtuesit e saj i vlerësojnë ndryshimet ligjore si rregullator në mbarëvajtjen e punës së tyre. “Unë besoj se nuk ka gjë më të keqe që mund t’i ndodhë një biznesi, sesa të humbi besimin tek konsumatori. Kështu që në fund të ditës kur mbyllim një proces prodhimi me sukses dhe dëgjojmë lobime kundër nesh jemi shumë të zhgënjyer. Ky është një biznes familjar dhe ne po planifikonim të zgjeroheshim, por u stepëm pak nga kjo gjendje. Por, fatmirësisht, ndryshimet që po ndodhin në Kodin penal, për ne janë një arritje shumë e madhe, sepse nuk mund të futemi të gjithë dhe të etiketohemi si problematikë. Raste ka, por nuk duhet të përgjithësohen,” shprehet sipërmarrësja e “Extra Milk”.

Ndërkohë që Kryeministri Rama u shpreh se ndryshimet ligjore në Kodin Penal janë sfida e qeverisë për ta çuar sigurinë ushqimore në një nivel tjetër.

“Ne kemi detyrimin dhe e kemi marrë përsipër tani këtë sfidë të re shumë të fortë dhe komplekse të qeverisë, për ta çuar sigurinë ushqimore në një nivel tjetër. E vërteta është që në aspektin e sigurisë ushqimore  nuk ka krahasim me katër apo pesë vite më parë, që ishte një bordello nga të katër anët dhe që, realisht, ata që punonin në mënyrë të ndershme dhe të drejtë dhe që investonin për standarde ishin vënë në cep për shkak të informalitetit, për shkak të abuzimeve, për shkak të korrupsionit etj.. Por, nga ana tjetër, problemet janë dhe nuk mund t’i mohojmë. Sigurisht që edhe mediat nuk janë të kujdesshme, sepse duke ngritur një çështje në mënyrë të paekuilibruar, krijojnë pastaj një alarm shumë të madh. Kjo është një zonë shumë sensitive e jetës së njeriut dhe psikologjikisht ndikon shumë. P.sh, u mbush dynjaja me alarmin e hormoneve, a thua se në çdo produkt bujqësor shqiptar ka një problem për shëndetin, ndërkohë që 300 mijë ton produkte shqiptare janë eksportuar vjet në BE dhe asnjë kamion nuk është kthyer. Pra, janë po ato produkte, nuk është se prodhohet një produkt për BE dhe një tjetër për të mbjellë vdekjen këtu në Shqipëri. Mirëpo e vërteta është që në gjithë këtë beteje, ne kemi identifikuar raste flagrante të shkeljes së sigurisë, të cilat janë çuar në prokurori dhe ministri tha 95 raste. Këtu nuk është çështja që ushqimi të shkaktojë vdekjen menjëherë, siç e parashikon deri më sot, fatkeqësisht, Kodi Penal dhe po nuk u shkaktua vdekja e menjëhershme, atëherë ti je i pafajshëm. Kjo lloj qasje është komplet e verbër, duke e ditur që një ushqim që nuk është në standardet që garanton shëndetin, e mbjell vdekjen në trup dhe e shfaq pas shumë vitesh. Apo në mos vdekjen, deformime të rënda për shëndetin, probleme të mëdha për njerëzit, që rrisin kosto të tmerrshme qoftë morale, qoftë psikologjike, qoftë financiare për t’u kuruar. Kështu që, me bindjen që këtu s’kemi të bëjmë me shumicën, kemi të bëjmë me një pakicë të rrezikshme, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje dhe nuk do të kemi asnjë lloj tolerance. Për këtë arsye nuk ka më gjoba. Kush kapet me veprat e identifikuara, që nga prodhimi që është jashtë standardeve që shkon në treg, që nga mashtrimi me produktet, që nga skadencat që ndërrojnë, që nga heqja e vulave, etj., do të ndëshkohet me heqje lirie, sipas gradës pastaj të dënimit. Por dënimet do jenë maksimale, sepse shëndeti në fund të fundit është gjëja më e shtrenjtë dhe është garancia e parë që do të japë ty, ky autoritet. Kështu që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të veprojë në mënyrë shumë agresive  dhe të mirëmenduar, pa ju rënë në qafë me kontrolle të kota dhe me krijime situatash të panevojshme atyre që punojnë në mënyrë të ndershme dhe sigurisht, kjo do të ndihmojë të gjithë kompanitë që investojnë ndershmërisht dhe investojnë me një vizion afatgjatë dhe që në fund të fundit shesin qumësht që është qumësht. Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi qenë gjithmonë kundër, edhe pse jemi bombarduar me lloj-lloj sulmesh, sharjesh, shpifjesh dhe abuzimesh edhe nëpër rrjete sociale, edhe në parlament, edhe në ato sallonet televizive, që “pse nuk e lini atë fshatarin e shkretë ta shesë atë shishen e qumështit” Jo! Sepse aty fillon kërcënimi serioz i shëndetit. Nuk ka në botën ku duam të shkojmë, ushqime që shiten rrugëve. Për arsyen e thjeshtë se duke menduar që po lehtëson dikë, në fakt rëndon shumëkënd që konsumon ushqim. Nuk është puna për të penalizuar asnjë prodhues të vogël, asnjë fermer të vogël që ka dy lopë. Këtu është puna për të mbrojtur konsumatorët. E këtë gjë do ta bëjmë me shumë forcë, ashtu siç bëmë reformën e energjisë, siç bëmë një sërë reformash të tjera, që ishin të dhimbshme, që ishin komplekse, do ta bëjmë edhe këtë dhe do ta çojmë deri në fund.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.