Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mbrëmjen e së shtunës, Kryeministri Rama inspektoi në Korçë, terrenet sportive të sapopërfunduara të shkollës “Raqi Qirinxhi”, një nga 44 terrenet e reja, të ndërtuara në të gjithë vendin në funksiontë shndërrimit të shkollave në qendra të ndërveprimit në komunitet. Me investim të qeverisë, kësaj shkolle i janë shtuar një fushë volejbolli dhe basketbolli, një fushe futbolli, dy fusha tenisi, si dhe dy fusha të mëdha shahu. Gjatë pasdites, këto terrene do të mund të përdoren edhe nga komuniteti.

Në terrenet e reja u zhvillua edhe një ndeshje midis gjimnazistëve të “Raqi Qirinxhi” dhe atyre të “Petro Nini Luarasit” në Tiranë, të dy shkolla nën patronazhin e zëvendëskryeministrit. Komponenti i sportit në programin arsimor ka fituar një peshë që nuk e ka pasur më parë. Kryeministri siguroi se do të vazhdohet me fuqizimin e infrastrukturës së sportit në shkolla.

“Janë 44 mjedise sportive komunitare, ky është një nga këto mjedise. Sigurisht, po të mos na ishte dashur të lanim rreth 35 milionë dollarë borxhe të trashëguara, që Ministria e Arsimit i kishte nga e shkuara për shërbimin e kompanive, atëherë do të kishim bërë edhe afro 200 mjedise të tjera më shumë. Ndërkohë që në vitet në vijim do të vazhdojmë me këtë sistem, sepse këtu ka një ndërveprim mes shkollës dhe komunitetit, por edhe mes shkollave të qyteteve të ndryshme. Sot janë nxënësit e “Petro Nini”-t  të Tiranës që kanë ardhur për të kaluar fundjavën me miqtë e tyre këtu në Korçë, dhe besoj që vitin e ardhshëm, falë ndërhyrjes që do të bëjmë në “Petro Nini”-n  e Tiranës, do të jetë e mundur që do të ndodhë e njëjta gjë edhe atje, e kështu me radhë. Për ne, sporti ka rëndësi të madhe në programin e arsimit dhe vazhdojmë të fuqizojmë infrastrukturën e sportit, pasi e kemi futur atë në të gjithë zinxhirin e arsimit si program edukativ”, – u shpreh Kryeministri.

Ndërtimi i terreneve komunitare do të vazhdojë paralelisht edhe me investimet në sport, më të lartat e 25 viteve të fundit. “Do të vazhdojnë të gjitha ato investime në funksion të zhvillimit të sportit kompetitiv, duke filluar nga skuadra kombëtare, e cila na ka imponuar me rezultatet e saj që të fillojmë që në nisje të vitit tjetër, ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë, që do të jetë stadiumi i tretë dhe sigurisht, edhe më i madhi në zinxhirin e stadiumeve që ne kemi nisur të rindërtojmë, apo ndërtojmë nga e para dhe ku pa dyshim do t’i vijë radha edhe stadiumit të Skëndërbeut, sidomos pas fitores me Sportingun e Lisbonës”, – theksoi Kryeministri.
Kryeministri shoqërohej në vizitën e tij nga zëvendëskryeministri Peleshi dhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.