Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Ministrin e Brendshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Maizière, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryeministri Rama dhe Ministri de Maizière vlerësuan bashkëpunimin mes vendeve në fushën e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili mbetet i një rëndësie parësore. Bashkëbiseduesit dakordësuan qëndrimin për thellimin dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare është thellësisht e angazhuar që të marrë pjesë dhe të ofrojë gjithë mbështetjen e saj, në përpjekjet e përbashkëta të komunitetit europian për të dhënë zgjidhjen më të mirë çështjes së emigrantëve.
Kryeministri Rama falenderoi për mbështetjen që Gjermania vijon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke theksuar angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare, për të përmbushur me sukses objektivat e përcaktuara.