Kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm me qytetarë që dëshmojnë me eksperiencën e tyre për ndihmën e marrë në platformën e bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al:
Sot kemi ditën e javës kur jemi së bashku me disa njerëz të zakonshëm që kanë ardhur këtu si çdo javë për të dëshmuar mbi eksperiencën e tyre me Platformën e Bashkëqeverisjes dhe për të na ndihmuar që të gjithë të tjerëve t’u përcjellim përmes tyre mesazhin se kur ndeshen me një padrejtësi, me një mungesë gatishmërie dhe dëshire për t’u shërbyer siç e meritojnë, apo kur për një kohë përtej afateve ligjore nuk marrin përgjigjen që meritojnë nga zyrat e shërbimeve të administratës mjafton që të drejtohen te www.shqiperiaqeduam.al dhe çështja e tyre trajtohet dhe zgjidhet nëse e drejta është në krahun e tyre.
Fatmiri, koordinator i platformës së Bashkëqeverisjes: Dy rastet që ju sjellim sot lidhen me dy qytetarë nga Fieri dhe me mosveprimin e ish-Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier. Rasti i parë është rasti i zotit Adem Toska, qytetar i Njësisë Administrative Zharrëz, Bashkia Patos, i cili në nëntor 2018 kishte aplikuar për regjistrimin e lejes së legalizimit të pronës së tij. Pas disa ankesave administrative nuk kishte mundur dot të gjente zgjidhje. Së fundmi, adresoi problematikën në platformë dhe pas ndërveprimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës nga ana jonë, iu mundësua emetimi i certifikatës së pronësisë.
Zoti Adem Toska: Kam aplikuar para 2-3 javësh për legalizimin e shtëpisë time dhe brenda 4-5 ditësh unë kam marrë legalizimin. Falënderoj shumë kryeministrin dhe të gjithë që na kanë pritur e na kanë telefonuar. Ju faleminderit! Jemi shumë të kënaqur! Ju faleminderit të gjithëve! Çështja u zgjidh.
Fatmiri, koordinator i platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër është rasti i zonjës Elvana, e cila që në maj 2018 kishte aplikuar për regjistrimin e lejes së legalizimit të pronës së saj, regjistrim, i cili i ishte bashkëlidhur edhe me një vendim të formës së prerë që i njihte të drejtën dhe detyronte Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Fier për regjistrimin e pronës së saj. Por, që prej majit 2018, zonja nuk kishte mundur të gjente zgjidhje përmes rrugës administrative. Pas adresimit të rastit në Platformë së fundmi në ndërveprim me Agjencinë e Kadastrës mundësuam nxjerrjen e certifikatës së pronës.
Zonja Elvana: Falënderoj Kryeministrin Edi Rama! Falënderoj ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, që na dhanë mundësinë nëpërmjet Platformës që iu drejtuam për zgjidhjen e problemit të pronësisë, nga thellësia e zemrës! Aplikuam në 15 maj 2018 për marrjen e certifikatës së pronësisë, por na sorollatën për 1 vit rresht. U detyruam t’i drejtoheshim platformës për zgjidhjen e problemit dhe morëm certifikatën e pronësisë, të cilën e kam me vete, pa asnjë kokërr leku. I falënderojmë nga zemra të gjithë punonjësit e administratës, Kryeministrin në veçanti dhe ministren e Drejtësisë, (e cila na është gjendur në të gjitha proceset gjyqësore që janë zhvilluar në shkallën e parë në Fier, në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë).
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin që keni marrë për ta ndarë me të tjerët eksperiencën tuaj sepse kur e themi ne mbase nuk është plotësisht e besueshme, por kur e dëgjojnë, besoj, drejtpërdrejtë nga njerëz që dalin këtu dhe e dëshmojnë rastin e tyre ndihmojmë shumë që platforma të dëgjohet dhe të përdoret nga gjithmonë e më shumë njerëz. S’ka nevojë të presim as 6 muaj, as një vit. Mjaftojnë 3 minuta për të shkruar në Platformë dhe menjëherë e gjithë kjo skuadër që është këtu, vihet në lëvizje sipas fushës së përgjegjësisë dhe përgjigja vjen.
Mikeli, koordinator i platformës së Bashkëqeverisjes: Zonja Xhemo nga Kuçova ka punuar një punë të vështirë dhe të rrezikshme në uzinën mekanike të naftës në Kuçovë, por nuk ka përfituar asnjëherë nga shqyrtimi i pensioneve sipas VKM-ve të dala ndër vite. Falë platformës së bashkëqeverisjes Instituti i Sigurimeve Shoqërore rishqyrtoi dosjen. Si rezultat, zonja Xhemo përfitoi tepricën kreditore dhe pensioni pati një rritje.
Zonja Xhemo: Falënderoj zotin Kryeministër dhe them, nuk vdes Shqipëria sepse ka akoma burra me merita. Unë jam pensioniste. Vij nga Kuçova. Kam dalë në pension, e kam filluar herët. Punë e vështirë. Ka goxha vite dhe shikoja që kishte një diferencë shumë të madhe me shoqet që kishin punuar në atë vend pune. Unë merrja 140 mijë lekë, shoqja merrte 220 dhe më bënte përshtypje. Ankohesha te Sigurimet Shoqërore në Berat, në Kuçovë. Kisha bërë ankimime me shkrim. Më vinte përgjigja që letra u mor në dorëzim dhe përgjigje nuk po merrja. Më thonin nuk të takon. Vjet i ndërpreva. Pastaj lexoja që Portali i Bashkëqeverisjes kishte zgjidhur shumë probleme dhe thashë pse të mos bëj dhe unë një ankimim. Në 11 prill e bëra ankimimin, parashtrova gjithë çështjen time dhe në datën 22 nuk u besova syve kur hapa email-in dhe më erdhi njoftimi që Portali i Bashkëqeverisjes e zgjidhi problemin tuaj. Unë tani marr 230 mijë lekë të vjetra mujore dhe 2 milion lekë të mbartura gjatë viteve. Ju falënderoj nga zemra!
Kryeministri Edi Rama: Çdo javë në fakt ka një, apo dy raste si ky që sapo dëgjuam, raste pensionistësh që prej vitesh nuk arrijnë dot të marrin pensionin që u takon për shkak të llogaritjeve të gabuara të bëra në të shkuarën dhe jo vetëm që duke bashkëpunuar me Platformën e rivendosim pensionin në nivelin që u takon, por marrin dhe tepricën kreditore si rezultat i llogaritjes së parave të munguara që nga dita e daljes në pension. Kjo është dhe arsyeja pse zonja Xhemo, jo vetëm ka marrë konfirmimin e shumës së re të pensionit që do ta marrë çdo muaj, por edhe një shumë prej afro 2 milion lekësh, për të qenë të saktë 196 267 lekë, si rezultat i llogaritjes së masës së munguar në pensionin e saj.
Etleva, koordinatore e platformës së Bashkëqeverisjes: Platforma ëëë.shqiperiaqeduam.al përcjell mesazhin dhe zërin e qytetarëve, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe jashtë saj. I tillë ishte dhe shqetësimi për të cilin zonja Rajmonda iu drejtua Platformës. Vajza e saj e lindur në Selanik në 2009 nuk figuronte e regjistruar as në shtetin shqiptar dhe as në shtetin grek. Me marrjen e ankesës nga ana jonë, Konsullata shqiptare në Selanik nisi një komunikim dhe ndërveprim institucional duke bërë të mundur që në datë 3 maj zonja Rajmonda të merrte certifikatën e lindjes së vajzës së saj.
Zonja Rajmonda: Përshëndetje! Jam nga qyteti i Ersekës. Isha emigrante e parregullt në Greqi. Nuk kisha dokumente. Kam bërë lindje në 2009-ën. Jam kthyer nga Greqia në 2012 dhe që nga 2012 e deri këtej vajza ime është e paregjistruar. Edhe në Greqi nuk ma bënë pasaportën, më thanë të bëj gjyq, unë nuk i bëra dot se nuk kam mundësi dhe u drejtova bashkëqeverisjes. Mua mu realizua që vajza të më regjistrohet. Shumë faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Respekte! Është e rëndësishme që të përsëritet kjo që platforma ju shërben të gjithë shqiptarëve pavarësisht se janë brenda kufijve apo jashtë kufijve për çdo çështje që ata kanë me zyrat e shtetit shqiptar dhe janë të shumta rastet kur qytetarë të Republikës së Shqipërisë që jetojnë jashtë, në Europë, në Shtete e Bashkuara, deri dhe në Australi, kanë mundur të zgjidhin përmes platformës, pa pasur nevojë të vijnë fare këtu, probleme të bartura dhe me dekada, të lidhura me pronën, me pensionin, e kështu me radhë. Për rastin tjetër, Bledari do të sjellë dëshmitarin tjetër.
Bledari, koordinator i platformës së Bashkëqeverisjes: Më lejoni t’ju prezantoj sot rastin e familjes Kovaçi nga Elbasani. Në muajin shkurt të këtij viti, për shkak të tensionit të lartë, banesa e familjes Kovaçi u dogj pjesërisht. Bashkia Elbasan kishte kryer vlerësimin për dëmshpërblim, por familja Kovaçi, e ndodhur dhe në kushte të vështira ekonomike nuk kishte mundur ta përfitonte pagesën. Për këtë shkak ata iu drejtuan platformës së bashkëqeverisjes ku dhe problematika a tyre mori zgjidhje. Bashkia Elbasan konfirmoi alokimin e fondit në llogarinë e familjes Kovaçi. Ftoj zonjën Valbona të ndajë eksperiencën e saj me ne.
Zonja Valbona Kovaçi: Përshëndetje! Problemi im ishte se në datën 4 shkurt mu dogj banesa. Unë jam vet i pestë në shtëpi në një gjendje ekonomike të dobët. Shkova në çdo lloj zyre të marr të drejtat për të përfituar diçka, por më dilnin probleme. Arrita deri në fund sa u bënë letrat dhe u prishën prapë. Nga lodhja dhe mundimi, u dorëzova. Më në fund shkrova tek platforma dhe për 10 ditë më erdhi përgjigja pozitive dhe e përfitova shumën që më takonte. Për këtë rast, falenderoj edhe kryeministrin dhe zotin Bledi që më ndihmoi. Uroj që edhe problemet e tjera që kam me papunësinë dhe me ekonominë e dobët të më zgjidhen. Ju falenderoj!
Kryeministri Edi Rama: Në zyrën e punës në Elbasan ka sot që flasim disa qindra vende të lira pune, por njëkohësisht, po në Elbasan ne kemi dhe një strukturë të veçantë trajnimi sepse në shumë raste vendet e punës janë të lidhura me aftësi që mund të mos i kenë ata që kërkojnë punë dhe për këtë arsye, struktura e trajnimeve është aty për disa aftësi bazë dhe është e lidhur me zyrën e punës. Kështu që patjetër Bledi do të angazhohet pak për të bërë të mundur këtë ndërmjetësim dhe pastaj me siguri do gjejmë dhe një punë. Ndrita për rastin e parafundit.
Ndrita, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Sot, dua t’ju prezantoj rastin e zonjës Lorenca Hoxha, mësuese nga rrethi i Dibrës. Zonja Hoxha është renditur e para në portalin mësues për Shqipërinë 2018-2019 në profilin Kimi, por nuk ka mundur të punësohet, pasi jo të gjitha vendet vakante të punës janë ofruar në përputhje me renditjen e saj në portal. Pas marrjes së ankesës, janë kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe drejtoria Arsimore Dibër e punësoi zonjën Lorenca si mësuese kimie në gjimnazin, Said Najdeni në qytetin e Peshkopisë. Ftojmë zonjën Lorenca të na tregojë këtë eksperiencë.
Zonja Lorenca Hoxha: Përshëndetje! Pasi mbarova shkollën e lartë në degën e kimisë, u licensova, ndoqa të gjitha procedurat edhe në portalin mësues për Shqipërinë, u rendita e para në degën time. Pas shumë takimesh që bëra në Drejtorinë Arsimore të Dibrës, nuk arrita që të marr një vend pune sikur mendoja që e meritoja. Pas kësaj, ju drejtova portalit të bashkëqeverisjes. Pas 10 ditësh më erdhi një email që më shpjegonte që është ngritur një grup pune për çështjen time, pastaj më erdhi një emali tjetër që më shpjegonte që e drejta ime do gjendej dhe më ofruan vendin e punës. Faleminderit shumë bashkëqeverisjes, faleminderit kryeministër!
Kryeministri Rama: Rasti i fundit është një rast trajtuar nga bashkia Tiranë për të cilin do referojë Flavia.
Flavia, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Të nderuar, rasti që paraqes është ai i zotit Petrit Lila banues në njësinë administrative Zall Bastar. Kjo njësi në vitin 2013 i kishte marrë me qera një ambient në pronësi të tij, për shkak se shkolla e bastar Murrizit kishte nevojë të rindërtohej. Kontrata ishte e rregullt, por kjo njësi kishte ndërprerë pagesat, duke filluar nga viti 2015 në vitin 2018. Me marrjen e rastit, çdo gjë u shqyrtua me Bashkinë Tiranë dhe pas verifikimet të dokumentacionit u bë e mundur dhe shlyerja e detyrimit në llogarinë e zotit Lila. Për dy fjalë më shumë, ftoj zotin Lila pranë nesh.
Zoti Petrit Lila: Përshëndetje të gjithëve! Problemi im ishte dhënia me qera e një objekti për zhvillimin e mësimit të shkollës 9 vjeçare. Deri në 2015 mora qeranë dhe pastaj aty u stopuan gjërat, deri në 2018, ngelën problemet rrugëve. Pastaj aplikova. Falë teknologjisë dhe platformës së bashkëqeverisjes mu dha mundësia, së bashku dhe me ndihmën e zonjushë Flavias të më zgjidhet problemi im i qerasë, duke marrë atë që e mendoja të humbur. Faleminderit për gjithçka dhe ju jam mirënjohës.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Më vjen mirë që të them se numri i halleve po themi dhe i problemeve të trajtuara dhe të zgjidhura ka prekur kufirin e 35 000. Sigurisht, nuk janë të gjitha halle, janë dhe probleme të natyrave të ndryshme që lidhen me aspekte të ndryshme të qeverisjes për të cilat qytetarët shkruajnë.
Nga ana tjetër, dua të nënvizoj se ka një diferencë, e cila meriton vëmendje midis halleve dhe problemeve që zgjidh qeveria përmes ndërhyrjes së Agjencisë që administron platformën tek institucionet qendrore, – qofshin ato institucione qendrore në Tiranë, qofshin ato përfaqësi të institucioneve qendrore nëpër qarqe – dhe nga ana tjetër, nivelit sasior dhe cilësor, jo të pëlqyeshëm të trajtimit të ankesave në qeverisjen, nga bashkitë më saktë.
Unë kam shumë besim që në 30 qershor ne, ndër të tjera, do të krijojmë mundësinë për të hyrë në një fazë të re të trajtimit të ankesave për bashkitë, qoftë në aspektin sasior, qoftë në aspektin cilësor dhe duke i falënderuar të gjithë të pranishmit, të ftuar, që dolën këtu dhe sollën rastin e tyre, për fjalët e mira, dua t’ju them që në fakt nuk jam unë që duhet të më falenderoni, nuk jemi ne që duhet të na falënderoni, por jam unë që duhet t’ju falenderoj ju dhe të gjithë ata që me votën e tyre i dhanë mundësi vetes që përmes qeverisë të hynin në këtë proces bashkëqeverisjeje. Kjo është bashkëqeverisje në kuptimin më të mirë të fjalës pasi nuk ka nevojë as për miq, as për shokë, as për kushëri, as për filtra të tjerë, por çdo qytetar njësoj si çdo deputet ka akses të drejtpërdrejtë tek çdo ministër për problemin e tyre dhe çka ne do të realizojmë është që aksi i drejtpërdrejte tek çdo kryetar dhe krytare bashkie pas 30 qershorit të jetë i të njëjtës cilësi. Ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe është po aq e rëndësishme që të nënvizohet se zgjedhjet nuk bëhen për ata që zgjidhen, por bëhen për ata që zgjedhin dhe ata që zgjedhin në 30 qershor, ndër të tjera, do të zgjedhin edhe për të pasur akses të drejtpërdrejtë si qytetar tek çdo kryetar bashkie për të cilin kanë dhënë ose nuk kanë dhënë votën e tyre, por që me votën e qytetarëve do të jetë aty në detyrë për katër vitet e ardhshme.
Shumë faleminderit dhe një herë të gjithëve dhe sigurisht, mua më takon t’ju falënderoj të gjithë pjesëtarët e skuadrës fantastike të bashkëqeverisjes këtu në kryeministri dhe nëpër ministritë përkatëse që janë një ndër arsye e çdo jave për të qenë realisht kryelartë përpara gjithë qytetarëve të këtij vendi.
Shumë faleminderit!