Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes së operacionit të misionit FRONTEX në Shqipëri, si i pari vend në rajon që nënshkruan me BE marrëveshje të këtij formati :
Është një kënaqësi e dyfishtë për mua që të jem sot këtu, së pari për arsyen pse të gjithë jemi sot këtu, një arsye e qenësishme për t’u ndjerë vërtetë krenar që bëhemi pjesë e një projekti tejet të rëndësishëm për Europën dhe arsyeja tjetër është personale, për faktin se jam këtu sot me një mik, tanimë shumë të vjetër, koha bën të vetën, që në disa role ka treguar me vepra jo me fjalë, një miqësi shumë të sinqertë, jo thjesht ndaj meje personalisht, por ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, komisioneri për migrimin, çështjet e brendshme dhe shtetësinë, i nderuari Dimitris Avramopoulos, pa të cilin pa diskutim edhe ky projekt i rëndësishëm që sot nis të jetësohet, zor se do të ishte imagjinuar e jo më realizuar. Kështu që me vetëdijen e të qënit dhe në një konflikt të hapur interesi për shkak të marrëdhënies personale që kemi, unë do të doja ta falenderoja me gjithë zemër Komisionerin për praninë e tij dhe mbi të gjitha, për dedikimin e tij ndaj një fushe ku, kur e mori detyrën, mua mu duk sikur i kishin lënë pjesën më të minuar të gjithë zonës së interesave dhe të sfidave të Komisionit Europian, por ku pa asnjë diskutim sot mund të thuhet me plot gojën se është bërë një progres i madh.
Prania e të gjithëve ju në Tiranë, në këtë moment të rëndësishëm të fillimit të zbatimit të marrëveshjes për patrullimin e kufijve shqiptar nga Frontex është për ne shumë domethënëse. Shumë domethënëse si tregues i vëmendjes dhe i mbështetjes së Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë në kuadër dhe të përmbushjes së rolit tonë, si një vend kandidat i Bashkimit Europian, me ambicie për të qenë nesër, anëtarë të Bashkimit Europain, por është i rëndësishëm edhe për faktin se, edhe falë jush dhe përmes jush, ne do të jemi në gjendje t’i tregojmë të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian, edhe më mirë, me edhe më shumë fakte dhe prova të pakundërshtueshme shprehjen e vullnetit tonë të palëkundur për të qenë në këtë copëz të vogël të Europës, një partner i besueshëm dhe një vend tërësisht i besueshëm edhe në aspektin e kësaj sfide të madhe europiane dhe më shumë se sa europiane të përballimit me flukset migratore dhe me emigracionin e paligjshëm. Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të monitorojë të gjithë perimetrin e saj të jashtëm, bashkë me rreth 50 trupa të agjencisë europiane të ruajtjes dhe patrullimit të kufirit, nga 11 vende anëtare, përbën po ashtu një arsye për të qenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të kemi sukses në këtë projekt edhe në funksion të zgjerimit të mëtejshëm të projektit në vende të tjera.
Ky bashkëpunim i thelluar në mbrojtjen e kufijve europianë ku me këtë marrëveshje Shqipëria kthehet në një kontributor të drejtpërdrejtë, por dhe në luftën kundër krimit të organizuar, e vendos Shqipërinë në një pozicion më të veçantë se sa deri më sot, qoftë në aspektin e dhënies së kontributit të vet, qoftë dhe në aspektin e përfitimit të drejtpërdrejtë nga pjesëmarrja në këtë projekt.
Përfitimet në fakt janë disa, pasi marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt, për sa i përket shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta. E më lejoni t’ju them diçka që mbase jo të gjithë këtu në këtë sallë dhe pa diskutim, jo të gjithë jashtë kësaj salle e dinë, që Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit 6.7 herë më shumë në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017 dhe 26.5% më shumë këtë vit, janar – prill, krahasuar me një vit më parë.
Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë shihen si rrezik, apo shihen si problem për arsye të traditës tonë dhe nuk jemi një vend ku janë dëgjuar ndonjëherë klithma për shkak të prurjeve nga vende të tjera, por jemi një vend që, jo shumë larg në kohë ka strehuar kryesisht këtu në këtë qytet të madh për Shqipërinë, por relativisht të vogël, por dhe në të gjithë territorin e vet të vogël, gjysmë milioni refugjatë lufte, pa i kërkuar askujt asgjë dhe siç e shikoni jemi këtu, jemi gjallë, jemi shumë më mirë seç ishim në atë kohë dhe kemi ndërkohë të shënuar në librin e historisë sonë, një faqe, për të cilën jemi të gjithë krenarë, ashtu sikundër jemi të gjithë krenarë dhe për një faqe tjetër të shkruar po në historinë tonë të më shumë viteve më parë, kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para luftës, u bë vendi ku, gjatë luftës hebrenjtë migronin për t’u strehuar në Shqipëri, sepse, për arsye se s’është ky vendi për t’i shtjelluar, Shqipëria u bë streha nga ku asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Mirëpo, nga ana tjetër, thënë të gjitha këto, ne jemi shumë të vetëdijshëm për faktin se jetojmë në një kohë kur duhet të japim kontributin tonë modestisht në përmasën tonë të vogël kundër migrimit të paligjshëm në territorin e Bashkimit Europian dhe jemi shumë të vetëdijshëm që ky projekt është, sa një ndihmë shumë e madhe, aq edhe një sfidë prej ku vendi me siguri do të përfitojë edhe në aspektin e reputacionit në sytë e partnerëve tanë shumë të nderuar europianë.
Nga ana tjetër, na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian vazhdon të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe bazuar në raportin e vitit 2018 të Komisionit për Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian, shkruhet se, në 2018-ën e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në vendet e Bashkimit Europian 27% më pak shqiptarë sesa një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018-ës, krahasuar me 2017-ën. Falë njëkohësisht, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për këtë temë të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem dhe ndryshimit të legjislacionit në vendet e tyre, faktikisht, emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve është minimizuar në shifra krejt të papërfillshme.
Nuk dua të zgjatem më tutje, por, pa dashur që t’ju marr kohë me gjëra që i dini fare mirë lidhur me kompleksitetin e menaxhimit të kufijve është e sigurt se vetëm bashkëpunimi dhe ndërveprimi mund ta bëjnë këtë sfidë komplekse gjithmonë e më të menaxhueshme.
Me Kosovën, Shqipëria realizon një menaxhim të integruar të kufijve përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe faktikisht në pikën e kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, është reduktuar me 50% koha e pritjes së qytetarëve dhe automjeteve, si dhe është lehtësuar ndjeshëm qarkullimi i mallrave në një proces që ne duam ta thellojmë dhe duam të shkojmë më tutje me lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe të qytetarëve, jo vetëm me Kosovën, por me të gjitha vendet e rajonit, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndërveprimit dhe për patjetërsueshmërinë e bashkëpunimit në menaxhimin e integruar të kufijve.
Në mbyllje, të gjithë atyre që janë këtu sot të ardhur nga jashtë dua t’ju them se kanë ardhur në një vend që, sipas edhe anketës më të fundit të Komisionit Europian, 93% e njerëzve mbështesin integrimin në Bashkimit Europian. Është një shifër që me siguri nuk mund të gjendet në vendet tuaja për arsye nga më të ndryshmet, por nuk është një arsye për të buzëqeshur me çudi kur e dëgjoni, sepse ne nuk jemi naivë në këtë dashuri thuajse të verbër për Bashkimin Europian që sot kërcënohet nga verbëria ndaj historisë së Bashkimit Europian. Ne jemi thjesht dhe vetëm pjesë e një territori, që luftën nuk e ka parë thjesht në TV në arkivat bardhezi, apo përmes filmave të krijuar më pas për të, por e kemi pasur këtu. 500 mijë shqiptarë nga Kosova këtu i ka sjellë lufta, ashtu sikundër në të gjithë këtë rajon, viktima të panumërta ka bërë lufta në kohën kur në Bashkimin Europian lufta konsiderohej thjesht një çështje zgjidhur e së shkuarës falë Bashkimit Europian.
Kështu që, me kënaqësinë e madhe që sot keni ardhur në një vend që në 93% të popullsisë së vet është i dashuruar me Europën edhe me urimin që në Europë ta rigjeni dashurinë për vetveten, unë ju falënderoj shumë!