Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Maj 2019:

V E N D I M

PËR 

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË BASHKËRENDIMIT TË PUNËS  SË BASHKIVE ME AGJENCINË SHTETËRORE TË KADASTRËS, PËR REGJISTRIMIN E TROJEVE TË DHËNA PËR NDËRTIM NGA NJËSITË E QEVERISJES VENDORE DHE PËR RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE JURIDIKE TË PRONËSISË MBI KËTO TROJE, PËR EFEKT REGJISTRIMI

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 53, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, të neneve 192 e 193, të  ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

  1. Ky vendim ka për qëllim:

 

  1. a) vendosjen nën një regjim të rregullt juridik të procedurës së ndjekur nga ana e njësive të qeverisjes vendore për kalimin e pronësisë së trojeve të dhëna për ndërtim, për efekt regjistrimi në regjistrin e pasurive të paluajtshme;
  2. b) heqjen e kufizimeve nga regjistri i pasurive të paluajtshme, kur aktet e kalimit të pronësisë janë regjistruar më parë;
  3. c) regjistrimin e akteve të kalimit të pronësisë, në rastet kur ato nuk janë regjistruar më parë;

ç)   përfundimin e procedurave të kalimit të pronësisë mbi këto troje nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në rastet kur nuk janë përmbyllur dhe regjistrimin e akteve të kalimit të pronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

 

  1. Objekt i këtij vendimi janë tokat e dhëna për qëllime ndërtimi nga bashkitë, ish-komunat dhe ish-këshillat e rretheve (në vijim të quajtura “organe vendore”), pas datës 10.8.1991 deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.24/2012, “Për disa ndryshime në ligjin nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij””.

 

  1. Kanë të drejtë të përfitojnë nga dispozitat e këtij vendimi subjektet që, sipas rastit,:

 

  1. a) janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, pavarësisht mangësive në procedurë. Këto subjekte përfitojnë regjistrimin e dokumentit të pronësisë ose heqjen e kufizimit nga regjistri, pas plotësimit të mangësive, sipas rregullave të këtij vendimi; ose
  2. b) nuk janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, por për ta është miratuar të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e truallit për ndërtim, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Në favor të këtyre subjekteve përfundohen procedurat e kalimit të pronësisë dhe kryhet regjistrimi i dokumentacionit të pronësisë dhe/ose heqja e kufizimit nga regjistri, sipas rregullave të këtij vendimi.

 

  1. Bashkia, në territorin e së cilës gjendet pasuria e paluajtshme, është organi që ngarkohet për plotësimin e mangësive të dokumentacionit ose, sipas rastit, për përfundimin e kalimit të pronësisë.

 

  1. Procedurat sipas këtij vendimi nisin me kërkesë të subjektit të interesuar. Kërkesa paraqitet, sipas rastit,:

 

  1. a) pranë drejtorisë vendore të ASHK-së, kur kërkohet regjistrim i dokumentacionit të pronësisë, heqje e kufizimit nga regjistri ose çdo shërbim tjetër që lidhet me pasurinë e paluajtshme, nëse ajo është regjistruar më parë. Kur drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se është i nevojshëm plotësimi i mangësive ose përfundimi i kalimit të pronësisë, ajo njofton bashkinë kompetente për kryerjen e veprimeve përkatëse, sipas procedurave të parashkuara në këtë vendim;
  2. b) pranë bashkisë kompetente, në rastet e parashikuara në pikën 11, të këtij vendimi.

 

Në rast se bashkia nuk kryen veprimet e nevojshme brenda 3 (tre) muajve, subjekti i interesuar mund të ngrejë padi pranë gjykatës kompetente kundër mosveprimit administrativ.

 

  1. KRITERET E REGJISTRIMIT DHE DISPONIMIT TË LIRË TË PASURISË

 

  1. Kur toka e dhënë për ndërtim nga organet vendore i përket ende përfituesit fillestar të saj, ai mund të kërkojë regjistrimin (nëse nuk është regjistruar më parë) dhe ta disponojë lirisht atë, nëse plotësohen këto kushte:

 

  1. a) Është miratuar vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
  2. b) Ekziston kontrata apo akti për kalimin e pronësisë mbi tokën, nga organet vendore te përfituesi, i cili duhet të ketë formën:

 

  1. e një akti noterial kur veprimi është kryer pas hyrjes në fuqi të Kodit Civil të vitit 1994; ose
  2. e një kontrate jonoteriale, ose shkrese të thjeshtë, kur veprimi është kryer para hyrjes në fuqi të Kodit Civil të vitit 1994. Përjashtimisht, kalimet e pronësisë që i përkasin kësaj periudhe konsiderohen të vlefshme edhe në mungesë të kontratës apo të shkresës së thjeshtë, me kusht që të administrohet dokumenti që vërteton pagesën e vlerës së truallit.

 

  1. c) Është shlyer çmimi i shitjes së tokës (sipas vërtetimit të pagesës), e përcaktuar në aktin e kalimit të pronësisë, sipas vlerës në kohën e miratimit të vendimit të këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim;

ç) Si rregull, të ekzistojë dokumentacioni për ndërtimin e objektit, sipas legjislacionit të kohës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, përveç procesverbalit të piketimit, i cili nuk është i nevojshëm. Nëse ky dokumentacion nuk ekziston apo është i pamjaftueshëm për regjistrimin e objektit, drejtoria vendore e ASHK-së zbaton rregullat e kreut V, të këtij vendimi, pa penguar procedurat për truallin, sipas dispozitave të tjera të këtij vendimi.

Kur mbi pasurinë nuk gjendet asnjë ndërtim, kryhen procedurat e regjistrimit, të heqjes së kufizimit ose/dhe të përfundimit të kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi, vetëm për tokën. Ky rregull nuk zbatohet në rastet kur për tokën e pazhvilluar me ndërtim ka tituj pronësie të të tretëve (të mbivendosur) të regjistruar më parë.

Kur ka mangësi të dokumenteve të parashikuara më sipër, por për subjektin është miratuar të paktën vendimi i këshillit të organit vendor, për dhënien e tokës për ndërtim, regjistrimi i pronësisë ose heqja e kufizimit mbi tokën nga regjistri, kryhet pasi bashkia të ketë plotësuar mangësitë e dokumentacionit, apo të ketë përfunduar procedurat e kalimit në pronësi, sipas këtij vendimi.

 

  1. Kur përfituesi fillestar i tokës ua ka kaluar të drejtat të tretëve dhe ky veprim juridik është regjistruar përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të tretët nuk pengohen në disponimin e lirë të pronës, pavarësisht mangësive të formës, procedurës, apo përmbajtjes, që ka në origjinë dokumentacioni i fitimit të pronësisë nga organet vendore. Në të gjitha këto raste (me përjashtim të kalimit me trashëgimi), drejtoria vendore e ASHK-së detyrohet të heqë kufizimin nga regjistri i pasurive të paluajtshme, me paraqitjen e kërkesës nga subjekti i interesuar. Ky rregull nuk zbatohet kur është e pranishme situata e mbivendosjes së titujve, që nuk mund të zgjidhet administrativisht, sipas pikës 15, të këtij vendimi.

 

III.     PROCEDURA PËR PASURITË E REGJISTRUARA

 

  1. Kur toka është e regjistruar dhe subjekti i interesuar paraqet kërkesë për shërbim, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon dokumentacionin arkivor të regjistrimit dhe, në varësi të rastit, vepron, si më poshtë vijon:

 

  1. a) Kur rezulton se përmbushen kushtet sipas pikave 6 ose 7, të këtij vendimi, heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar; ose
  2. b) Kur toka i përket ende përfituesit fillestar të saj dhe konstatohen mangësi, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga administrimi i kërkesës, i kërkon bashkisë të vendosë në dispozicion kopje të dokumentacionit që mungon, sipas pikës 6, të këtij vendimi, (sipas rastit: konfirmimin për vendimmarrjen e këshillit të organit vendor, aktin e kalimit të pronësisë, konfirmimin për pagesën e çmimit të tokës apo dokumentacionin për ndërtimin).

 

  1. Në rastin e shkronjës “b”, të pikës 8, nëse bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni është i plotë, i dërgon drejtorisë vendore të ASHK-së, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga administrimi i kërkesës, kopje të dokumentacionit të kërkuar. Drejtoria vendore e ASHK-së heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar nga subjekti i interesuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga administrimi i përgjigjes nga bashkia.

 

9.1.   Nëse bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni nuk është i plotë, por ekziston të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ajo procedon, sipas rastit,:

 

  1. a) duke i kërkuar subjektit përfitues të shlyejë pjesën e mbetur të çmimit të shitjes, të përcaktuar në aktin e kalimit të pronësisë; dhe/ose
  2. b) duke thirrur subjektin përfitues për lidhjen e kontratës noteriale për kalimin e pronësisë mbi tokën, nëse ajo nuk është lidhur më parë, pasi të jetë shlyer vlera e plotë e çmimit të shitjes. Çmimi i shitjes do të jetë sipas vlerës së referencës në momentin e miratimit të vendimit të këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim.

 

Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga plotësimi i dokumentacionit të mësipërm, bashkia njofton drejtorinë vendore të ASHK-së, duke i përcjellë kopjen përkatëse. Drejtoria vendore e ASHK-së heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar nga subjekti i interesuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga administrimi i përgjigjes nga bashkia.

 

9.2.   Nëse pas 3 (tre) muajve nga paraqitja e kërkesës, sipas shkronjës “b”, të pikës 8, bashkia nuk i ka kthyer përgjigje as ASHK-së, as nuk ka njoftuar subjektin për plotësimin e dokumentacionit, ky i fundit mund të ngrejë padi kundër mosveprimit të bashkisë, pranë gjykatës administrative kompetente.

 

  1. PROCEDURA PËR PASURITË E PAREGJISTRUARA

 

  1. Kur pasuria nuk është e regjistruar, subjekti përfitues, nëse disponon dokumentacionin e plotë të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, mund t’i kërkojë drejtorisë vendore të ASHK-së regjistrimin e pronësisë.

 

10.1. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës së bashku me dokumentacionin shoqërues, i kërkon bashkisë përkatëse konfirmimin e vërtetësisë/saktësisë së këtij dokumentacioni. Nëse bashkia nuk kthen përgjigje brenda 30 (tridhjetë) ditëve, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje dhe drejtoria vendore e ASHK-së vijon me regjistrimin e pronësisë.

10.2.   Nëse bashkia është në pamundësi për të verifikuar vërtetësinë, për shkak të mangësive në dokumentacionin e saj arkivor, merret i mirëqenë dokumentacioni i dorëzuar nga subjekti dhe drejtoria vendore e ASHK-së vijon me regjistrimin e pronësisë.

 

  1. Subjekti që nuk zotëron dokumentacionin e plotë të përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi, por që ka të paktën vendimin e këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ka të drejtë t’i paraqesë kërkesë bashkisë përkatëse për kryerjen e procedurës së kalimit të pronësisë. Bashkia procedon me plotësimin e dokumentacionit dhe dërgimin e tij për regjistrim njësoj si në pikën 9.1, të këtij vendimi. Drejtoria vendore e ASHK-së, pas administrimit të dokumentacionit nga bashkia, kryen regjistrimin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për shërbim nga subjekti i interesuar. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur për pasurinë rezulton të ketë tituj pronësie të të tretëve të mbivendosur apo kur ajo është e zënë me ndërtime pa leje të të tretëve.

 

11.1.   Nëse bashkia nuk kryen procedurat për kalimin e pronësisë brenda 3 (tre) muajve nga paraqitja e kërkesës së subjektit, ai mund të ngrejë padi kundër mosveprimit të bashkisë, pranë gjykatës administrative kompetente.

 

  1. RASTET E ZBATIMIT TË PROCEDURAVE TË LEGALIZIMIT

 

  1. Nëse mbi pasurinë gjendet ndërtim, por për të mungon dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ose është i pamjaftueshëm për regjistrimin e tij, zbatohen procedurat e legalizimit sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

 

  1. Kur dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit është i pamjaftueshëm për regjistrimin e objektit dhe në të nuk ka shtesa tej projektit apo ndryshime të funksionit të hapësirave, ndërtimi trajtohet i tëri si “objekt pa leje”.

 

  1. Në kuptim të këtij kreu, procedurat e legalizimit zbatohen vetëm për efekt të regjistrimit të ndërtimit dhe subjektet nuk paguajnë detyrim financiar për parcelën ndërtimore sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Në çdo rast, si titull pronësie mbi truallin njihet ai i fituar nga organet vendore, sipas parashikimeve të krerëve të tjerë të këtij vendimi.

 

  1. DISPOZITA TË FUNDIT

 

  1. Në rastet kur trualli i dhënë nga organet vendore rezulton të jetë i mbivendosur me tituj të tjerë, të regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, drejtoria vendore e ASHK-së zbaton dispozitat për korrigjimin e gabimeve në regjistër ose përmirësimin e regjistrit sipas ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, nëse janë të nevojshme. Kur mbivendosja nuk mund të zgjidhet sipas procedurave dhe dispozitave të sipërpërmendura, drejtoria vendore e ASHK-së udhëzon subjektet për zgjidhjen e çështjes në rrugë gjyqësore.

 

  1. Nëse gjatë zbatimit të procedurave sipas këtij vendimi, drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se në dokumentacionin e pronësisë së truallit nuk janë të identifikueshëm kufijtë e tij, i kërkon bashkisë të përcjellë planvendosjen e pasurisë, për plotësimin e dokumentacionit të regjistrimit.

 

  1. Në të gjitha rastet kur pronësia mbi truallin e ndërtesës të ngritur sipas legjislacionit të kohës “Për urbanistikën”, nuk mund të regjistrohet apo të përfitohet sipas dispozitave të këtij vendimi, zbatohen dispozitat e ligjit nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”.

 

  1. Të ardhurat që do të realizohen sipas pikave 9.1. dhe 11, të këtij vendimi, ndahen sipas mënyrës së mëposhtme:

 

  1. a) 50 % e vlerës i mbetet njësisë së qeverisjes vendore;
  2. b) 50 % e vlerës i kalon fondit të kompensimit financiar, të parashikuar në ligjin nr.133/2015.

 

  1. Ngarkohen bashkitë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

  

Znj. Ardiana Jaku, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

 

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË BERATIT

 

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Harilla Dafa, prefekt i Qarkut të Beratit, lirohet nga kjo detyrë.

 

  1. Znj. Valbona Zylyftari emërohet prefekt i Qarkut të Beratit.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

  DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.294, DATË 8.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për bashkëpunimin në mbështetje të klimës së investimeve dhe qeverisjes së mirë, nënshkruar më 24 shkurt 2014, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

  V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.294, datë 8.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

 

  1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“5. Këshilli i Investimeve kryesohet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ka në përbërje të tij përfaqësues nga qeveria, sektori privat dhe partnerët për zhvillim, si më poshtë vijon:

 

  1. a) Anëtarë me status të përhershëm:

 

  1. Institucione shtetërore, 3 anëtarë:

 

  • Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
  • Banka e Shqipërisë;
  • Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve;

 

  1. Partnerë zhvillimi, 3 anëtarë:
  • Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH);
  • Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC)/Banka Botërore;
  • Delegacioni i Bashkimit Evropian;

 

iii.  Dhoma të Tregtisë dhe Industrisë, 2 anëtarë:

 

  • Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë;
  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

 

  1. b) Anëtarë me status të përkohshëm me mandat 2-vjeçar:

 

  1. Shoqata biznesi, 4 anëtarë.

 

  1. c) Anëtarë ad-hoc:

 

  1. Shoqëri tregtare, 2 anëtarë

 

Pjesëmarrja e anëtarëve me status të përkohshëm dhe ad-hoc caktohet nga sekretariati.

 

Përzgjedhja e shoqatave të biznesit bëhet duke pasur në konsideratë kriteret e mëposhtme:

 

  • Numrin e anëtarëve, vitin e themelimit të shoqatave të biznesit dhe transparencën publike në qeverisjen e shoqatës;
  • Përfaqësimin e investitorëve vendas e të huaj dhe sektorët që përfaqëson secila shoqatë biznesi;
  • Materialet e publikuara, indekset e biznesit të përgatitura dhe analizat ligjore e ekonomike për çështje të klimës së biznesit;
  • Angazhimin dhe kapacitetet për të përmbushur funksionet si anëtar në Këshillin e Investimeve.”.

 

  1. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“16. Numri i mbledhjeve të rregullta të Këshillit të Investimeve të jetë, të paktën, 4 (katër) mbledhje në vit.”.

 

  1. Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“18. Kostot e stafit, të mobilimit të zyrave e të komunikimit do të mbulohen nga BERZH-i dhe partnerët për zhvillim.”.

 

  1. Kudo në vendim:
  2. Fjalët “Ministrit për Zhvillimin Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” dhe “Ministria për Zhvillimin Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministrit përgjegjës për ekonominë” dhe “Ministria përgjegjëse për ekonominë”;
  3. Fjala “… donatorët …” zëvendësohet me fjalët “… partnerët për zhvillim …”.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V  E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.3, DATË 9.1.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2019, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

 

V E N D O S I:

 

 

  1. Në vendimin nr.3, datë 9.1.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

 

  1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2019, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, në shumën 50 249 000 (pesëdhjetë milionë e dyqind e dyzet e nëntë mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

 

  1. b) Pasqyra nr.1 e vendimit zëvendësohet me pasqyrën nr.1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2018

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, shkronja “dh”, 18, shkronja “e”, dhe 32, pika 2, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

 

Miratimin e raportit për ndihmat shtetërore të vitit 2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

 

V E N D I M   

PËR

 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM I SHESHIT TE LAGJJA “LUGINA”, BASHKIA SHIJAK”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim i sheshit te lagjja “Lugina”, Bashkia Shijak”.

 

  1. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shijak.

 

  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall”, me sipërfaqe 600 m2, me vlerë të përgjithshme prej 1 828 200 (një milion e tetëqind e njëzet e tetë mijë e dyqind) lekësh.

 

  1. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 828 200 (një milion e tetëqind e njëzet e tetë mijë e dyqind) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Shijak, planifikuar në buxhetin e saj me vendim të këshillit bashkiak.

 

  1. Shpronësimi të fillojë menjëherë dhe të përfundojë tre muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

 

  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur pranë Bashkisë Shijak certifikatën e pronësisë, hartën treguese të regjistrimit, si dhe kartelën e pasurisë.

 

  1. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Shijak të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

 

  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shijak, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Shijak.

 

  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
  1. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M   

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.524, DATË 15.8.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË FINANCAVE, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË DOGANAVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7 e 8, pika 3, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.524, datë 15.8.2007, të Këshillit të Ministrave, përmasave të pronës me numër rendor 10, Dega Doganore Berat, i shtohen përmasat e përcaktuara në formularët dhe në planrilevimet që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Lista e inventarit përbëhet nga 2 (dy) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

                                          

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.360,  DATË 26.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE””

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15, pika 2, e 94, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.360, datë 26.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

  1. Në nenin 4, të kreut I, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  • Shkronja “gj” ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“gj) Vë në dispozicion të kërkuesve mjetet e informimit dhe shërben dokumentet në përputhje me rregulloren e shfrytëzimit. Orari ditor i punës për nëpunësit dhe punonjësit e sallës së studimit mund të përfshijë edhe ditën e shtunë dhe ndahet sipas turneve të përcaktuara në rregullore, ndërsa, rregullat e tjera për pushimet dhe kohëzgjatjen e punës përcaktohen në legjislacionin në fuqi për administratën shtetërore.”.

 

  1. b) Pas shkronjës “k” shtohen shkronjat “l”, “ll” e “m”, me këtë përmbajtje:

 

“l) Kryen blerjen e përqendruar për kutitë dhe dosjet për ruajtje të përhershme në çastin që fondkrijuesit kërkojnë të dorëzojnë dokumentet RHK pranë arkivave jo në veprim. Marrja në dorëzim nga autoritetet kontraktore bëhet vetëm pas verifikimit të parametrave të cilësisë nga punonjësit e specializuar të fushës së kimisë/restaurimit dhe arkivistikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Kërkesa për dorëzimin e dokumentacionit nga fondkrijuesit i bëhet menjëherë e ditur Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga arkivi jo në veprim, së bashku me sasinë e kutive e të dosjeve, të përllogaritura pas kontrollit të kryer nga arkivi jo në veprim, dhe shërben si nisje e procedurës së prokurimit, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik;

  1. ll) Kryen blerjen e përqendruar për kutitë dhe dosjet për ruajtje të përhershme për institucionet që kanë arkiva jo në veprim, për tipologjinë dhe institucionet e miratuara nga Këshilli i Lartë i Arkivave, sipas shkronjës “f”, të nenit 8, të kësaj rregulloreje, si dhe për materialet speciale të restaurimit të letrës. Marrja në dorëzim nga autoritetet kontraktore bëhet vetëm pas verifikimit të parametrave të cilësisë nga punonjësit e specializuar të fushës së kimisë/restaurimit dhe arkivistikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave;
  2. m) Procedura e prokurimit zhvillohet në fund të çdo viti, për vitin pasardhës, në bazë të totalit të sasive dhe fondit limit, të kërkuara për vitin pasardhës nga autoritetet kontraktore, të përcaktuara në shkronjën “ll”, të këtij neni, të cilat janë të detyruara t’ia përcjellin Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, së bashku me përllogaritjen e sasisë e të fondit limit të fondkrijuesve, që pritet të dorëzojnë gjatë vitit pasardhës, jo më vonë se data 15 shtator e çdo viti. Çmimi për njësi për përllogaritjen e fondit limit u bëhet i ditur institucioneve të përmendura në këtë shkronjë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, jo më vonë se data 31 gusht e çdo viti, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik.”.

 

  1. c) Pas shkronjës “dh”, të pikës 5, të nenit 8, të kreut II, shtohen shkronjat “e”, “ë” dhe “f”, me këtë përmbajtje:

 

“e) Miraton standardet e kutive, të dosjeve dhe mjeteve kancelarike, që ndikojnë te cilësia dhe jetëgjatësia e dokumentit, të detyrueshme për zbatim nga të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë;

ë) Miraton standardet e kutive e të dosjeve për ruajtje të përhershme për arkivat jo në veprim dhe për institucionet që ruajnë dokumentacion gjithnjë pranë tyre;

  1. f) Përcakton institucionet dhe tipologjinë e dokumenteve të institucioneve, që janë të detyruara të zbatojnë standardin e shkronjës “ë”, të pikës 5, të këtij neni.”.

 

ç)  Neni 11, i kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 11

Komisioni i Deklasifikimit dhe i Zhvlerësimit të Informacionit të Klasifikuar “sekret shtetëror” (KDZH)

 

Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit të Informacionit të Klasifikuar “sekret shtetëror” rregullohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror.”.

 

  1. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M 

PËR

 

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E EMERGJENCAVE DHE SHPËTIMIN, SI DHE PROCEDURAVE TË HARTIMIT, PËRMBAJTJES E MIRATIMIT TË PLANIT TË EMERGJENCËS, TË DETYRUESHME  PËR SUBJEKTET QË KRYEJNË PUNIME NËNTOKËSORE DHE SUBJEKTET E TJERA QË KRYEJNË PUNIME NË NËNTOKË, NË MINIERA APO NË PUNIMET NËNTOKËSORE TË VEPRAVE HIDROENERGJETIKE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.135/2016, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat dhe shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe në punimet nëntokësore në veprat hidroenergjetike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e emergjencave dhe shpëtimin, si dhe procedurave të hartimit, përmbajtjes e miratimit të planit të emergjencës, të detyrueshme për subjektet që kryejnë punime nëntokësore dhe subjektet e tjera që kryejnë punime në nëntokë, në miniera apo në punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.744, DATË 5.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS,TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave.

 

V E N D O S I:

 

  1. Shfuqizimin e vendimit nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”, të ndryshuar me vendimin nr.732, datë 8.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

 PËR

 

MIRATIMIN E KATEGORIVE, TË KUSHTEVE DHE KËRKESAVE    TË KUALIFIKIMIT PËR MENAXHERIN E ENERGJISË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I.    DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1.1   Objekti dhe fusha e veprimit

 

1.1.1.   Ky vendim ka për objekt përcaktimin e kategorive, të kushteve dhe kërkesave për  kualifikimin dhe njohuritë profesionale të menaxherit të energjisë. Agjencia për Efiçencën e Energjisë (AEE) pajis menaxherët e energjisë me certifikatën e testimit të njohurive, për t’u siguruar mbi përgjegjësinë që ata kanë për mirëmbajtjen e pajisjeve që konsumojnë çdo formë energjie, përmirësimin dhe mbikëqyrjen e mënyrave të përdorimit të energjisë dhe kryerjen e detyrave të tjera për përdorimin racional të energjisë në ndërtesa dhe industri.

 

1.1.2.   Fusha e veprimtarisë së këtij vendimi lidhet me personat juridikë, publikë ose privatë, që kategorizohen si konsumatorë të mëdhenj energjie, të cilët janë të detyruar të caktojnë një menaxher energjie, sipas kërkesave të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”.

1.2    Përkufizimi i termave

1.2.1    Të gjithë termat e përcaktuar dhe që rrjedhin nga:

 

  • ligji nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”;
  • ligji nr.116/2016, “Për performancën e energjisë në ndërtesa”;
  • ligji nr.68/2012, “Për informacionin e konsumit të energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji”;
  • ligji nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”;

 

së bashku me ndryshimet e ardhshme që mund të pësojnë këto ligje, kanë dhe do të kenë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa kuptimi i termave të mëposhtëm do të jetë:

  1. a) “Certifikatë e menaxherit të energjisë”, certifikata e lëshuar nga AEE-ja, që vërteton kryerjen e testimit të njohurive për menaxherin e energjisë në ndërtesa dhe industri;
  2. b) “Diplomë”, dokumenti zyrtar i lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, që dëshmon përfundimin me sukses të një programi studimi;
  3. c) “Testim”, testimi që kryhet nga AEE-ja për certifikimin e menaxherëve të energjisë, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi;

ç)   “Regjistër”, regjistri i menaxherëve të energjisë të certifikuar, që mbahet dhe përditësohet nga AEE-ja;

  1. d) “Kushte dhe kërkesa të certifikimit”, janë ato kushte, përmbushja paraprake dhe/ose në vazhdimësi e të cilave nga mbajtësi i certifikatës është e detyrueshme.

 

II.     KATEGORITË, KUSHTET, KËRKESAT E KUALIFIKIMIT DHE PËRGJEGJËSITË E MENAXHERIT TË ENERGJISË

2.1   Kërkesat e kualifikimit për menaxherin e energjisë

 

2.1.1. Çdo individ, vendas ose i huaj, për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e menaxhimit të energjisë ka të drejtë të aplikojë pranë AEE-së, për t’u pajisur me certifikatën e menaxherit të energjisë, pasi të ketë plotësuar kushtet që përcaktohen në këtë vendim.

2.1.2. Personat fizikë pajisen me certifikatën e menaxherit të energjisë nga AEE-ja nëse kanë kaluar testimin e njohurive për menaxherin e energjisë.

2.1.3. Të drejtën për t’u paraqitur në testim e kanë vetëm kandidatët që paraqesin pranë AEE-së dokumentacionin e mëposhtëm:

 

  1. Diplomë “Master i shkencave” ose “Master profesional”, në një nga fushat e arsimit të lartë, si më poshtë:

 

  • Inxhinieri mekanike (Profili energjetikë; konstruksione makinash dhe mjete lëvizëse; profili prodhim dhe menaxhim industrial);
  • Inxhinieri elektrike;
  • Inxhinieri fizike;
  • Inixhinieri elektronike;
  • Arkitekturë dhe urbanistikë;
  • Inxhinieri ndërtimi (Profili ndërtim dhe administrim);
  • Inxhinieri mjedisi (Profili energjetikë);
  • Shkencat e fizikës, mjedisit dhe kimisë industriale;
  • Inxhinieri ekonomike.

 

  1. b) Librezë e punës që vërteton dy vjet eksperiencë pune, që përfshin përdorimin e energjisë në operacione mirëmbajtjeje dhe planifikimi.
  2. c) Diplomë “Bachelor” në profilet e përcaktura në shkronjën “a”, të kësaj pike dhe diplomë “Master i shkencave” në ekonomi, administrim biznes, ekonomiks, financë, kontabilitet dhe auditim si dhe në kërkime operacionale në menaxhim, të lëshuara nga institucionet vendase të arsimit të lartë apo diploma ekuivalente me to, të lëshuara nga institucione të huaja të arsimit të lartë, të njohura dhe të njësuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Gjithashtu, të paraqesë librezën e punës që vërteton 5 (pesë) vjet eksperiencë pune që përfshin përdorimin e energjisë në operacione mirëmbajtjeje, planifikim etj.

ç)   Certifikatë të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, publike dhe/ose jopublike, që vërteton ndjekjen e programit të studimit të formimit të vazhduar, në formën e kurseve në fushën e auditimit të energjisë, në përputhje me ligjin nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

  1. d) Dokument identifikimi.

 

2.2    Përgjegjësitë e menaxherit të energjisë

 

2.1.1. Menaxheri i energjisë ka përgjegjësi, si më poshtë vijon:

 

  1. a) Të përgatisë një plan vjetor të aktiviteteve dhe të investimeve financiare për kostot e energjisë të konsumatorit të madh;
  2. b) Të krijojë një sistem të integruar të reduktimit të konsumit të energjisë, me një qasje me kosto efektive, për infrastrukturën elektrike, mekanike, të proceseve dhe të ndërtimit, duke analizuar zgjidhjet optimale;
  3. c) Të propozojë pranë drejtuesit të ndërmarrjes, me qëllim marrjen e pëlqimit të tij, për krijimin e një strukture të menaxhimit të energjisë brenda konsumatorit të madh me detyrat dhe përgjegjësitë e tij;

ç) Të iniciojë aktivitete për të përmirësuar monitorimin dhe kontrollin e proceseve për të ulur kostot e energjisë;

  1. d) Të analizojë performancën e pajisjeve në lidhje me efiçencën e energjisë;
  2. dh) Të sigurojë funksionimin e duhur dhe kalibrimin e instrumenteve të kërkuara për të vlerësuar nivelin e konsumit të energjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë;
  3. e) Të përgatisë materiale informative dhe të zhvillojë trajnime të brendshme për stafin tjetër lidhur me çështjet e menaxhimit të energjisë;

ë)   Të përmirësojë disagregimin (ndarjen dhe detajimin) e të dhënave të konsumit të energjisë në të gjitha nivelet;

  1. f) Të përcaktojë një metodologji se si të llogarisë me saktësi konsumin e energjisë specifike të produkteve/shërbimeve të ndryshme ose aktivitetit të konsumatorit të madh të energjisë;
  2. g) Të zhvillojë dhe të menaxhojë programe të trajnimit për efiçencën e energjisë në nivelet operacionale;
  3. gj) Të krijojë bazën e njohurive mbi zhvillimet sektoriale, kombëtare dhe ndërkombëtare në teknologjinë e efiçencës së energjisë dhe sistemin e menaxhimit dhe informacionit;
  4. h) Të zhvillojë një sistem të integruar të efiçencës së energjisë dhe të përmirësimit të cilësisë së mjedisit;
  5. i) Të koordinojë zbatimin e projekteve të menaxhimit të energjisë/ përmirësimit të efiçencës së energjisë nëpërmjet agjencive jashtë sistemit ku punon;
  6. j) Të krijojë dhe/ose të marrë pjesë në shkëmbimin e informacionit me menaxherët e tjerë të energjisë të të njëjtit sektor të organizuar në nivelin e OJF-ve.

 

III.    TESTIMI PËR MENAXHERËT E ENERGJISË

 

3.1    Testimi për menaxherët e energjisë

 

3.1.1.   Për qëllime të certifikimit të menaxherëve të energjisë, AEE-ja organizon kryerjen e testimit.

3.1.2.   AEE-ja njofton datën, kohën dhe vendin e kryerjes së testimit, nëpërmjet publikimit të njoftimit në gazetë dhe në website të AEE-së.

 

3.2   Aplikimi për testimin e menaxherëve të energjisë

 

3.2.1.   Të drejtën për t’u paraqitur në testim e kanë vetëm kandidatët që plotësojnë kushtet e kualifikimit të përcaktuara në pikën 2.1 të Kreut II të këtij vendimi.

3.2.2.   Një person që plotëson kushtet për t’u paraqitur në testim, dorëzon pranë Sekretariatit Teknik kërkesën e aplikimit sipas formularit të përcaktuar në shtojcën I, dhe dokumentat shoqërues.

3.2.3.   Dokumentet shoqëruese që duhet të dorëzohen pranë AEE-së janë:

 

  1. a) origjinale ose kopje të noterizuara të origjinalit;
  2. b) në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes zyrtarë;
  3. c) për rastet e dokumenteve të huaja, kopje të vërtetuara nga një autoritet publik i juridiksionit të huaj (zyrtar/noter). Është detyrim të vërtetohet ekzistenca e tyre, si zyrtarë apo noterë, nëpërmjet legalizimit apo apostilimit, sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

 

3.2.4.   Sekretariati teknik regjistron menjëherë në protokollin e aplikimeve kërkesat e regjistruara elektronikisht dhe përgatit kartelën shoqëruese të aplikimit.

3.2.5.   Në kartelën shoqëruese evidentohen shënime, në lidhje me përputhshmërinë e dokumentacionit të aplikimit, me kërkesat e këtij vendimi. Kartela shoqërohet, detyrimisht, me mendimin e motivuar e të nënshkruar të specialistit dhe përgjegjësit të sektorit. Mendimi i komisionit për pranimin apo refuzimin e kërkesës për t’u pranuar në testim, bazohet në këtë kartelë.

3.2.6.   Çdo dokumentacion aplikimi apo plotësime të tij, shqyrtohet brenda 5 ditëve pune, nëse përmban ose jo, të plotë e të saktë gjithë dokumentacionin përkatës, sipas këtij vendimi.

3.2.7. AEE-ja publikon në website-in e saj, një përmbledhje për aplikuesit, që përmban skemën dhe modalitetet që rregullojnë testimin duke përfshirë programin mësimor dhe materialin referencë për një testim të tillë, të paktën tre muaj përpara datës aktuale të testimit.

 

3.3    Pranimi për testimin e menaxherëve të energjisë

 

3.3.1.   Pas shqyrtimit të formularit të aplikimit dhe të dokumenteve shoqëruese, nëse aplikanti plotëson kushtet për t’u paraqitur në testim, komisioni i testimit e pranon kërkesën  dhe sekretariati teknik njofton aplikuesin, nëpërmjet sistemit informatik, me shkrim, duke i lëshuar aplikantit një formular pranimi ku thuhet vendi, data dhe koha e testimit, të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) ditë para datës së testimit.

3.3.2.   Pas shqyrtimit të formularit të aplikimit dhe të dokumenteve shoqëruese, nëse aplikanti nuk plotëson kushtet për t’u paraqitur në testim, komisioni i testimit refuzon kërkesën dhe sekretariati teknik njofton, me shkrim, aplikuesin për shkaqet e refuzimit.

 

3.4    Kalimi i testit

 

3.4.1    Një kandidat për menaxher të energjisë deklarohet se ka kaluar testimin nëse ka siguruar një minimum prej 50% të pikëve maksimale për secilin nga modulet I, II dhe III, si më poshtë vijon:

 

  1. a) Moduli-I: Aspekte të përgjithshme të menaxhimit të energjisë;
  2. b) Moduli-II: Efiçenca e energjisë në shërbimet/pajisjet termike;
  3. c) Moduli-III: Efiçenca e energjisë në shërbimet/pajisjet elektrike.

 

3.4.2    Përmbajtja e tre moduleve të testimit I, II dhe III përcaktohet në shtojcën VI, të këtij vendimi.

3.4.3.   Kandidatët që nuk kalojnë testimin, lejohen të ripërsëritin testimin deri në 5 (pesë) herë, brenda 6 (gjashtë) testimeve të njëpasnjëshme.

 

3.5    Komisioni për testimin dhe certifikimin e menaxherëve të energjisë

 

3.5.1.   Pranë AEE-së ngrihet komisioni për testimin dhe certifikimin e menaxherëve të energjisë, me urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë.

3.5.2.   Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë, me përbërje, si më poshtë vijon:

 

  • tre anëtarë nga AEE-ja;
  • dy anëtarë nga ministria përgjegjëse për energjinë.

 

3.5.3. Komisioni ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me kërkesat e këtij vendimi dhe merr vendime:

 

  1. për pranimin apo refuzimin e kërkesës së aplikantit për t’u pranuar në testim;
  2. për kalimin e testimit nga kandidatët të cilët i janë nënshtruar testimit;
  3. për lëshimin e certifikatës mbi bazën e rezultateve të testimit;

ç)   për revokimin e certifikatës dhe për masat administrative, mbështetur kryesisht në kushtet e përcaktuara në këtë vendim;

  1. d) përgatitjen dhe miratimin e fondit të pyetjeve si dhe përzgjedhjen rastësore të pyetjeve për testimin.

 

3.5.4.   Komisioni thirret në mbledhje nga kryetari i tij. Kryetar i komisionit ështe drejtori i Përgjithshëm i AEE-së.

3.5.5. Në mbledhjen e tij të parë, komisioni zgjedh nënkryetarin e tij.

3.5.6. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Në mungesë të kryetarit dhe me autorizim të tij, mbledhjet mund të drejtohen nga nënkryetari i komisionit.

3.5.7. Mbledhjet e komisionit janë të mbyllura dhe në to mbahet protokoll. Protokolli mbahet nga një përfaqësues i sekretariatit teknik të komisionit. Protokolli mbahet në një libër të veçantë protokolli, të sekretuar me numër faqesh dhe përmban të dhëna, të paktën, për pjesëmarrjen, diskutimet, votimin dhe nënshkrimet e pjesëmarrësve.

 

3.6      Sekretariati teknik

 

3.6.1.   Sekretariati teknik i komisionit organizohet dhe funksionon pranë AEE-së. Organizimi i sekretariatit bëhet në bazë e zbatim të strukturës organizative dhe veprimtaria e tij zhvillohet në përputhje me rregulloren e brendshme të AEE-së dhe të këtij vendimi.

3.6.2.   Sekretariati teknik i komisionit kryen procedurat administrative të trajtimit, vlerësimit, relatimit dhe regjistrimit të individëve dhe personave juridikë, që ushtrojnë veprimtari në fushën e menaxhimit të energjisë.

3.6.3.   Sekretariati teknik depoziton pranë komisionit, të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) ditë para datës së mbledhjes se tij, informacionet lidhur me kërkesat e aplikimit për testim, rezultatet e testimit, ankesat etj.

3.6.4.   Sekretariati teknik verifikon dokumentet e subjekteve aplikuese në bazë të informacioneve që disponohen nga subjekte juridike, publike apo private, ose me përzgjedhje nga sekretariati teknik, pranë institucioneve kompetente.

3.6.5.   Në rastet e konstatimit të deklarimeve apo të dokumenteve të rreme, atëherë sekretariati teknik relaton këtë fakt pranë komisionit dhe propozon masat konkrete, në përputhje me pikën 4.3, të kreut IV, të këtij vendimi.

IV.    CERTIFIKIMI I MENAXHERËVE TË ENERGJISË

4.1    Certifikimi i menaxherëve të energjisë

 

4.1.1 Për qëllime të certifikimit të menaxherëve të energjisë, AEE-ja i lëshon personit që ka kaluar testimin certifikatën e menaxherit të energjisë, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën II, të këtij vendimi.

4.1.2 AEE-ja është përgjegjëse për hartimin, përditësimin dhe publikimin në faqen zyrtare elektronike të saj të Regjistrit të Menaxherëve të Energjisë të Certifikuar, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën III, të këtij vendimi.

4.1.3 Arkivi i dokumentacionit të aplikimeve dhe të certifikatave të miratuara, organizohet sipas përcaktimeve në ligjin për arkivat, bashkë ose veçmas nga arkivi i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, në bazë të urdhrit të veçantë të titullarit.

4.1.4 Pas regjistrimit në regjistër, menaxherit të energjisë të certifikuar i lëshohet karta e identitetit të menaxherit të energjisë, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën IV, të këtij vendimi.

4.1.5 Në rastin e humbjes ose të dëmtimit të certifikatës së menaxherit të energjisë ose të kartës së identitetit të menaxherit të energjisë, me kërkesën e tij, AEE-ja lëshon një dublikat të certifikatës ose të kartës së identitetit.

4.1.6    Çdo menaxher i energjisë i certifikuar ka të drejtën të përcaktohet ose të emërohet si menaxher i energjisë nga konsumatori i madh i energjisë, në përputhje me kërkesën e pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”.

 

4.2    Vlefshmëria e certifikatës

 

4.2.1    Certifikata e menaxherit të energjisë është e vlefshme për 7 vjet dhe rinovohet mbas 7 vitesh, duke aplikuar pranë AEE-së, në përputhje me formularin e përcaktuar në shtojcën V, të këtij vendimi.

4.2.2 Rinovimi i certifikatës kryhet nga AEE-ja, vetëm nëse menaxheri i energjisë i certifikuar paraqet pranë AEE-së certifikatën e pjesëmarrjes në kurse aftshkurtra të rifreskimit dhe përditësimit të njohurive, të organizuar nga AEE-ja ose nga trajnime të ndryshme të së njëjtës tematikë nga institucione ndërkombëtare të njohura nga AEE-ja, si edhe nga institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi të formimit të vazhduar në fushën e menaxhimit të energjisë, në përputhje me ligjin nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

4.2.3    Formulari i aplikimit për rinovimin e certifikatës është sipas formatit të përcaktuar në shtojcën V, të këtij vendimi.

 

4.3 Revokimi i certifikatës

 

4.3.1    Agjencia e Efiçencës së Energjisë, në bazë të vendimit të komisionit për testimin dhe certifikimin e menaxherëve të energjisë, sipas përcaktimit të shkronjës “ç”, të pikës 3.5.3., të kreut III, të këtij vendimi, i propozon ministrit revokimin e certifikatës së menaxherit të energjisë në rastin kur kundrejt tij ka ankesa nga audituesit e energjisë dhe/ose nga titullari i konsumatorit të madh që lidhen me:

 

  1. çdo veprim ose mosveprim që ka të bëjë me sjellje joprofesionale;
  2. çdo keqinterpretim të fakteve, të dhënave ose raporteve mbi konsumin e energjisë;
  3. çdo veprim që ka të bëjë me mashtrime;

ç)   për mosndjekje të kursit afatshkurtër, sipas përcaktimit në pikën 4.2.2., të këtij kreu;

  1. d) konstatohen dokumente të pavërteta.

 

4.3.2    Çdo revokim kryhet duke i dhënë mundësi menaxherit të energjisë të dëgjohet nga komisioni i ngritur për këtë qëllim nga AEE-ja.

4.3.3    Certifikata revokohet nga ministri përgjegjës për energjinë, me iniciativën e tij ose me propozim të Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, në përputhje me parashikimet pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”.

4.3.4    Në rastin e revokimit të certifikatës së menaxherit të energjisë, emri i tij hiqet nga regjistri i menaxherëve të energjisë të certifikuar dhe personi nuk ka të drejtë të emërohet si menaxher i energjisë nga konsumatori i madh i energjisë.

 

  1. DISPOZITA TË FUNDIT

 

5.1    Ankimi

 

5.1.1    Për çdo vendim të komisionit, individët kanë të drejtën e ankimit te ministri i përgjegjës për fushën e energjisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit apo publikimit.

5.1.2    Titullari i ministrisë, pasi merr në shqyrtim ankesën e paraqitur nga subjekti, vendos, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve:

 

  1. lënien në fuqi të vendimit të marrë nga komisioni;
  2. kthimin për rishqyrtim, në komision, të vendimit të marrë;
  3. anulimin e vendimit të marrë.

 

5.1.3    Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

 

V E N D I M 

 

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.337,  DATË 22.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KRYERJES  SË PROCESIT TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

 

V E N D O S I:

 

 

  1. Në vendimin nr.337, datë 22.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

  1. Në shkronjën “c”, të pikës 2, fjalët “… të cilët nuk kanë ndryshuar vendbanimin që prej kësaj datë …” hiqen.

 

  1. Pas pikës 3 shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:

 

“3/1.        Familjet bujqësore ose individët, përdorues faktikë të tokës për veprimtari bujqësore, që kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, të cilët nuk kanë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991 paraqesin në bashki:

 

  1. a) kërkesën për pajisjen me AMTP për tokën që e kanë në përdorim faktik për veprimtari bujqësore;
  2. b) planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim faktik, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, sipas kërkesave të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët. Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të vet;
  3. c) certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e bashkisë, në datën e transferimit të gjendjes civile në fshatin ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi;

ç)   dokumentacionin që vërteton se janë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991;

  1. d) vërtetimet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, DAMT-ja dhe bashkia, ku kërkuesi ka pasur regjistrimin e gjendjes civile në datën 1.8.1991, se nuk është trajtuar me tokë në pronësi apo përdorim.

 

3/2 Familjet bujqësore ose individët, përdorues faktikë të tokës për veprimtari bujqësore, që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, paraqesin, në bashki:

 

  1. a) kërkesën për pajisjen me AMTP për tokën që e kanë në përdorim faktik për veprimtari bujqësore;
  2. b) planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, sipas kërkesave të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët. Në rastet kur përdoruesit faktikë janë në pamundësi financiare për hartimin e planvendosjes së ngastrave të tokës bujqësore që kanë në përdorim, ato kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të vet;
  3. c) certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e njësisë së qeverisjes vendore, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992, në fshatin ku gjendet toka, objekt i kalimit në pronësi;

ç)   vërtetimet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe DAMT-ja, në juridiksionin e të cilave gjendet toka bujqësore, se nuk është trajtuar me tokë në pronësi apo përdorim.”.

 

  1. Në shkronjën “dh”, të pikës 11, fjalët “… vendimit nr.45, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të fondit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-institucioneve kërkimore-shkencore, të kësaj ministrie, aktualisht në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave …”” zëvendësohen me            “… legjislacionit në fuqi …”.

 

  1. Pas shkronjës “dh”, të pikës 11, shtohen shkronjat “e”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:

 

“e) Ministrisë përgjegjëse për ekonominë, të përcaktojë, për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik, nëse janë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.

  1. f) Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, DAMT-së dhe bashkisë, ku përdoruesi sipas pikës 3/1, të këtij vendimi, ka pasur regjistrimin e gjendjes civile më 1.8.1991, informacionin, nëse ky përdorues është trajtuar me tokë bujqësore në pronësi apo përdorim dhe në se kjo tokë është e regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme.
  2. g) Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe DAMT-së, në juridiksionin e të cilave gjendet toka bujqësore, ku përdoruesi sipas pikës 3/2, të këtij vendimi, ka pasur regjistrimin e gjendjes civile më 1.8.1991, informacionin nëse ky përdorues është trajtuar me tokë bujqësore, në pronësi apo përdorim, si dhe nëse kjo tokë është e regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme.”.

 

  1. Kudo në tekstin e vendimit bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

 

  1. a) Termi “komunë” hiqet;
  2. b) Emërtimi “Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” zëvendësohet me “Agjencia Shtetërore e Kadastrës”;
  3. c) Emërtimi “Drejtoritë rajonale të bujqësisë” zëvendësohet me “Agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor”;

ç)   Emërtimi “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave” zëvendësohet me “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës dhe agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE TË TRANSFERIMIT TË MENAXHIMIT TË INFRASTRUKTURËS SË PESHKIMIT TEK ORGANIZATAT E PESHKIMIT, NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE SUBJEKTET PRIVATE

 

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 65, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

  1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e kushteve dhe të procedurave për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së peshkimit dhe të infrastrukturës së lidhur me peshkimin.

 

  1. Fitimi i së drejtës së menaxhimit të infrastrukturës së lidhur me peshkimin realizohet nëpërmjet procedurës së konkurrimit, zhvilluar nga ministria përgjegjëse për peshkimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

 

  1. Me qëllim transferimin e infrastrukturës së peshkimit, ministria përgjegjëse për peshkimin duhet të ketë parasysh që procesi i transferimit të garantojë plotësimin e kushteve, si më poshtë vijon:

 

  1. Mosndryshimin e destinacionit dhe të qëllimit;
  2. Ruajtjen dhe garantimin e interesit publik;
  3. Përdorimin dhe/ose përmirësimin e infrastrukturës;

ç)   Vendosjen e infrastrukturës në shërbim të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e peshkimit;

  1. d) Ofrimin e shërbimit me cilësi të lartë.

 

  1. Procedurat e transferimit të menaxhimit të infrastrukturës së peshkimit dhe të infrastrukturës së lidhur me peshkimin zhvillohen nga ministria përgjegjëse për peshkimin, me kërkesë apo nismë të organizatave të peshkimit, njësive të vetëqeverisjes vendore apo subjekteve private.

 

  1. Transferim, në kuptim të këtij vendimi, konsiderohet transferimi i së drejtës së menaxhimit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.

 

  1. Infrastruktura e lidhur me peshkimin, që u transferohet në menaxhim subjekteve private, përbëhet nga shkallët e riparimit të anijeve të peshkimit ose sipërfaqe për ndërtimin e tyre, si dhe nga depozitat e karburantit, të cilat ndihmojnë për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit.

 

  1. Depozitat e karburantit u transferohen në menaxhim subjekteve private, të cilat plotësojnë kushtet e pikës 2, të nenit 20, të vendimit nr.612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit “Për akcizat””, të ndryshuar.

 

  1. Shkallët e riparimit të anijeve të peshkimit, të klasifikuara si veprimtari për konstruksion, shërbim mirëmbajtjeje të mjeteve lundruese të peshkimit, u transferohen subjekteve private nëpërmjet procedurës së konkurrimit publik, zhvilluar sipas përcaktimeve të kreut II, të këtij vendimi.

 

  1. Kriteret e konkurrimit për infrastrukturën e lidhur me peshkimin, sipas pikës 8, të kreut I, të këtij vendimi, që u transferohen subjekteve private, nëpërmjet kontratës së qirasë/enfiteozës, janë, si më poshtë vijon:

 

  1. Niveli i investimit;
  2. Niveli i punësimit;
  3. Oferta e detyrimit mujor të qirasë.

 

  1. Të drejtën e lidhjes së kontratës së enfiteozës për pasuritë shtetërore, me afat deri në 20 (njëzet) vjet, e ka ministria përgjegjëse për peshkimin.

 

  1. Afati i lidhjes së kontratës së qirasë është deri në 20 (njëzet) vjet.

 

  1. Për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë, vlera dysheme e detyrimit mujor përcaktohet si shumë e vlerës së qirasë mujore për pasurinë që jepet me qira ose enfiteozë, të llogaritura, si më poshtë vijon:

 

  1. Qiraja e infrastrukturës së lidhur me peshkimin, që do të jetë objekt i kontratës së qirasë/enfiteozës, është 100 (njëqind) lekë/m2 në muaj.
  2. Në rast se do të jepen me qira depozitat e karburantit, vlera e qirasë mujore është 400 (katërqind) lekë/m3 në muaj.

 

  1. Subjekteve qiramarrëse/enfiteozëmarrëse, në asnjë rast, nuk u lind e drejta e privatizimit të objektit të kontratës.

 

  1. Kriteret dhe procedura e transferimit të pjesës tjetër të infrastrukturës së lidhur me peshkimin do të rregullohen në krerët III e V, të këtij vendimi.

 

  1. PROCEDURAT E DHËNIES ME QIRA OSE ENFITEOZË TË SHKALLËVE TË RIPARIMIT TË ANIJEVE TE SUBJEKTET PRIVATE

 

  1. Ministria përgjegjëse për peshkimin, në cilësinë e administruesit të pasurisë, që do të jepet me qira ose enfiteozë, për të gjitha rastet, përgatit dokumentacionin dhe të dhënat, si më poshtë vijon:

 

  1. Certifikatën e pronësisë së bashku me hartën treguese të regjistrimit;
  2. Propozimin për dhënien me qira ose enfiteozë të objektit, të sipërfaqes, e cila përmban propozimin për veprimtarinë që mund të ushtrohet në këtë pasuri dhe afatin e dhënies me qira;
  3. Genplanin e objektit, të sipërfaqes, në 5 (pesë) kopje origjinale, të hartuar nga eksperti topograf i licencuar dhe të konfirmuar nga drejtuesi i institucionit shtetëror, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, ku të jenë përcaktuar qartë sipërfaqja totale e pasurisë dhe sipërfaqja e pasurisë që do të jepet me qira/enfiteozë.

ç)   Tarifën dysheme të detyrimit mujor për sipërfaqet, sipas përcaktimeve në këtë vendim dhe duke pasur parasysh edhe gjendjen fizike të objektit;

  1. d) Në rastet e propozimit për dhënien me enfiteozë të objektit, përveç sa më sipër, duhet të specifikohet edhe vlera kontabël e pasurisë, sipas llogarive financiare në fund të vitit paraardhës.

 

  1. Në urdhrin e ministrit, për dhënien me qira ose enfiteozë, me konkurrim, të pasurisë shtetërore, përcaktohen:

 

  1. të dhënat për pasurinë shtetërore që jepet me qira apo enfiteozë: emërtimi, sipërfaqja, zona kadastrale, qëllimi i përdorimit, vlera dysheme e detyrimit mujor të llogaritur sipas tarifave të këtij vendimi dhe afati;
  2. veprimtaria që mund të ushtrohet në objekt;
  3. pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, sipas pikës 8, të kreut I, të këtij vendimi;

ç)   vendi, data dhe ora, ku paraqiten dokumentet;

  1. d) përbërja e komisionit të shqyrtimit të ofertave të konkurrentëve, minimalisht me tre veta, një kryetar dhe dy anëtarë;
  2. dh) dokumentacioni që paraqitet nga konkurrentët për konkurrim.

 

  1. Njoftimi për publikim për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurisë shtetërore shpallet 1 (një) herë në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në njoftim përcaktohen të dhënat për objektin, kategorizimin e veprimtarisë që do të ushtrohet në objekt, afati i dhënies me qira ose enfiteozë, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacioni që do të paraqesin konkurrentët, si dhe vendi, data e ora e paraqitjes së dokumentacionit. Data e konkurrimit të jetë jo më parë se 7 (shtatë) ditë kalendarike nga data e botimit të fundit.

 

  1. Dokumentacioni për marrjen me qira, që paraqesin konkurrentët, i dorëzohet komisionit në orën e hapjes së konkurrimit dhe përmban:

 

  1. kërkesën e subjektit për marrje me qira të pasurisë shtetërore, ku të deklarohet oferta për vlerën e detyrimit mujor të qirasë, qëllimi i marrjes në përdorim të pronës shtetërore, si dhe treguesit e konkurrimit, të parashikuar sipas planit të biznesit.
  2. planbiznesin e hollësishëm për vënien në funksionim të objektit, në të cilin duhet të përfshihet informacioni, si më poshtë vijon:

 

  1. Identiteti i subjektit kërkues, historiku i aktivitetit që kryen;
  2. Përshkrimi i projektit të investimit, i punimeve që do të realizohen, i shërbimeve që do të ofrohen, i burimeve financiare të investimit;
  • Analiza e detajuar e afateve kohore, që do të duhen për të realizuar projektin investues, si dhe fazat e përcaktuara të realizimit të tij;
  1. Niveli i punësimit, që do të realizohet sipas fazave kohore të përcaktuara.

 

Nëse kërkesa e subjektit është për një afat kohor mbi 5 (pesë) vjet, plani i biznesit të jetë i përshkruar hollësisht me të dhënat për 5 (pesë) vitet e para të aktivitetit dhe parashikimin për periudhën tjetër.

 

  1. c) Deklaratat në formën e vetëdeklarimit, si më poshtë vijon:

 

  • Deklaratë për të dhënat e NIPT-it/NUIS-it të subjektit kërkues;
  • Deklaratë për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe sigurimet shoqërore;
  • Deklaratë për administratorin dhe subjektin juridik ofertues, nëse është në ndjekje penale, si dhe nëse ka procese gjyqësore lidhur me aktivitetin;
  • Deklaratë lidhur me burimin e të ardhurave të nevojshme për kryerjen e investimit;
  • Deklaratë për shlyerjen e detyrimeve, në rastet kur subjekti konkurrues zhvillon aktivitet me qira ose enfiteozë në objekte, pronë shtetërore; në të kundërt, të theksojë se nuk ushtron aktivitet në objekte shtetërore;
  • Deklaratë se mban përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e deklarimeve në dokumentacionin e dorëzuar në konkurrim. Në rast konstatimi të të dhënave të rreme, në çdo rast, komisioni e shkualifikon subjektin konkurrues.

 

  1. Dokumentacioni për marrjen me enfiteozë, që paraqesin konkurrentët, të cilët duhet të jenë shoqëri tregtare, i dorëzohet komisionit dhe përmban:

 

  1. kërkesën e subjektit për marrje me enfiteozë të pasurisë shtetërore, ku të deklarohet oferta për vlerën e detyrimit mujor, qëllimi i marrjes në përdorim të pronës shtetërore, si dhe treguesit kryesorë financiarë të parashikuar sipas planit të biznesit;
  2. CV-në e subjektit, ku të tregohet përvoja në fushën e aktivitetit ekonomik që do të ushtrohet në pasurinë që jepet me enfiteozë, të shoqëruar me dokumentacion vërtetues;
  3. c) planbiznesin e hollësishëm për përmirësimin e pronës;

ç) përshkrimin e projektideve të investimit, të dhëna për nivelin e investimeve të parashikuara në pasuri të paluajtshme dhe në objektin në tërësi, shoqëruar me projekte, skica dhe dokumentacion tjetër paraprak, si dhe burimin e financimit të projektit;

  1. d) deklaratat, në formën e vetëdeklarimit, si më poshtë vijon:

 

  • Deklaratë për të dhënat e NIPT-it/NUIS-it të subjektit kërkues;
  • Deklaratë për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore;
  • Deklaratë për administratorin dhe për subjektin juridik ofertues, nëse është në ndjekje penale, si dhe nëse ka procese gjyqësore lidhur me aktivitetin;
  • Deklaratë për shlyerjen e detyrimeve, në rastet kur subjekti konkurrues zhvillon aktivitet me qira ose enfiteozë në objekte, pronë shtetërore; në të kundërt, të theksojë se nuk ushtron aktivitet në objekte shtetërore;
  • Deklaratë se mban përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e deklarimeve në dokumentacionin e dorëzuar në konkurrim. Në rast konstatimi të të dhënave të rreme, në çdo rast, komisioni e shkualifikon subjektin konkurrues.

 

  1. Komisioni i dhënies me qira ose enfiteozë të pasurisë shtetërore kryen këto detyra:

 

  1. Merr në dorëzim zarfet e mbyllura të konkurrentëve pjesëmarrës dhe i hap në prani të tyre, i lexon dhe u bën të njohur të dhënat kryesore të dokumenteve dhe të treguesve konkurrues, për çdo ofertë të paraqitur. Kur dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë, konkurrenti nuk kualifikohet në prani të tij;
  2. Harton procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit, ku përshkruan pjesëmarrësit, konkurrentët e shkualifikuar dhe arsyen, konkurrentët e kualifikuar dhe listën e dokumenteve të paraqitura prej tyre;
  3. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve bën shqyrtimin e ofertave të paraqitura, verifikon dokumentacionin e paraqitur nëpërmjet platformës elektronike e-Albania ose, nëpërmjet komunikimit e ndërveprimit ndërinstitucional, sipas përcaktimit në urdhrin e ministrit, dhe vlerëson me pikë çdo element konkurrimi, sipas përcaktimit në urdhrin e ministrit. Subjektit që paraqet vlerën më të lartë të propozuar i jepen pikët maksimale të çdo elementi konkurrimi, ndërsa subjekteve të tjera u llogariten pikët në përpjesëtim të drejtë me vlerën më të lartë të propozuar. Në përfundim, konkurruesit renditen në bazë të shumës së pikëve të përfituara;

ç)   Në rastet e pamundësisë teknike të funksionimit të platformës elektronike e-Albania për verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga ofertuesit, komisioni do të marrë në shqyrtim dokumentet e paraqitura me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura në zarf, nga ofertuesit. Në rast të pamundësisë për shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit në njërën prej formave të përcaktuara më sipër, komisioni do të vijojë me shtyrjen e arsyetuar të afatit jo më shumë se 5 (pesë) ditë;

  1. d) Në rast se rezultojnë të dhëna të ndryshme nga të dhënat e dokumentacionit të paraqitur në formën e vetëdeklarimit në konkurrim, automatikisht subjekti shkualifikohet, ndërsa procedurat vazhdojnë me subjektin e klasifikuar në vendin e dytë. Metodologjia e vlerësimit të kritereve të konkurrimit parashikohet në udhëzimin që do të dalë në zbatim të këtij vendimi;
  2. dh) Paraqet, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c”, të kësaj pike, te ministri, që ka të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë ose të enfiteozës, informacion për zhvillimin e konkurrimit, së bashku me procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit dhe listën e konkurruesve të renditur sipas pikëve të fituara.

 

  1. Ministri vendos për subjektin fitues në konkurrim. Kur në konkurrim marrin pjesë më shumë se një konkurrues, njoftimi për shpalljen e fituesit vendoset në këndin e njoftimeve të institucionit përkatës.

 

  1. Subjektet konkurruese, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga shpallja e subjektit fitues, kanë të drejtën e ankimit te ministri, i cili, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, i kthen përgjigje me shkrim ankuesit.

 

  1. Pas përfundimit të procedurave të lartpërmendura, fillojnë procedurat për hartimin dhe lidhjen e kontratës së qirasë ose të enfiteozës.

 

  1. Kontratat e qirasë/enfiteozës, të lidhura nga ministria përgjegjëse për peshkimin, do t’i përmbahen formatit “tip”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Kur subjekti fitues tërhiqet, procedurat e lidhjes së kontratës vazhdojnë me subjektin e klasifikuar në vend të dytë.

 

  1. Para nënshkrimit të kontratës së qirasë ose të enfiteozës, qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës, e cila është e barabartë me vlerën e tre muajve të pagesës së qirasë ose të enfiteozës. Garancia ngurtësohet deri në fund të kontratës dhe i kthehet qiramarrësit ose enfiteozëmarrësit me përfundimin e kontratës. Kthimi i garancisë së kontratës realizohet pasi të jenë shlyer të gjitha detyrimet e marrëveshjes kontraktore. Në rast se kontrata zgjidhet nga qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi, për shkaqe, për të cilat qiradhënësi ose enfiteozëdhënësi nuk mund të mbajë përgjegjësi, garancia mbahet si penalitet.

 

  1. Brenda 1 (një) muaji nga nënshkrimi i kontratës, enfiteozëmarrësi aplikon pranë institucioneve shtetërore për t’u pajisur me lejet përkatëse të ushtrimit të veprimtarisë (leje mjedisore, leje/autorizim për përdorim burimi ujor, leje ndërtimi). Në rast se enfiteozëmarrësi/qiramarrësi nuk pajiset me lejet si më sipër, kontrata pushon automatikisht së vepruari, pa mbajtur garancinë e kontratës së qirasë/enfiteozës.

 

III.  KONTRATA ME TARIFË SIMBOLIKE 1 (NJË) EURO

 

  1. Infrastruktura e lidhur me peshkimin (shkallët e riparimit), në portet e peshkimit, për veprimtari për konstruksion, shërbim mirëmbajtjeje të mjeteve detare lundruese, u jepet subjekteve private edhe me kontrata qiraje/enfiteozë, me tarifë 1 (një) euro/kontrata, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave.

 

  1. Afati i lidhjes së kontratës me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata është 20 (njëzet) vjet.

 

  1. Ministria përgjegjëse për peshkimin i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e lidhjes së kontratës së qirasë/enfiteozës jo me çmimin fitues, por me çmimin 1 (një) euro/kontrata kur, pas përfundimit të procedurave të konkurrimit, rezulton fitues një subjekt, i cili propozon që në pasurinë shtetërore do të kryejë një investim mbi 100 000 000 (njëqind milionë) lekë. Propozimi shoqërohet me projektkontratën e negociuar ndërmjet palëve.

 

  1. Palët, me marrëveshje, përcaktojnë në kontratë që investimi në infrastrukturë kalon në pronësi të qiradhënësit/enfiteozëdhënësit, në përfundim të afatit të kontratës së qirasë/enfiteozës.

 

  1. Para nënshkrimit të kontratës së qirasë/enfiteozës me tarifë 1 (një) euro/kontrata, qiramarrësi/ enfiteozëmarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës në masën 2 (dy) për qind të vlerës së investimit të marrë përsipër në konkurrim. Garancia kthehet pas përfundimit të investimit.

 

  1. Kontrata e qirasë/enfiteozës me tarifë 1 (një) euro/kontrata do t’i përmbahet formatit “tip”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Në kontratën me tarifë 1 (një) euro/kontrata vendosen sanksione për rastet kur qiramarrësi/enfiteozëmarrësi nuk realizon kushtet e saj. Bazuar në parashikimet e kontratës, për mosrealizimin e vlerës së investimit të parashikuar në kontratë, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrësi penalizohet me 10 (dhjetë) për qind të vlerës së investimit të parealizuar. Ky sanksion do të vendoset pas dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore të certifikuara nga eksperti kontabël i miratuar.

 

  1. Nëse investimi nuk realizohet pas 6 (gjashtë) muajsh, sipas afateve të përcaktuara në planbiznes, në rastin e kontratave të qirasë dhe në rastin e kontratave të enfiteozës, kontrata zgjidhet në mënyrë të njëanshme, duke mbajtur garancinë e kontratës së qirasë/enfiteozës. Zgjidhja e kontratës bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

  1. Brenda 1 (një) muaji nga nënshkrimi i kontratës, enfiteozëmarrësi aplikon pranë institucioneve shtetërore për t’u pajisur me lejet përkatëse të ushtrimit të veprimtarisë (leje mjedisore, leje/autorizim për përdorim burimi ujor, leje ndërtimi). Fillimi i afatit të kontratës dhe detyrimet kontraktore sipas pikës 8, të kreut III, të këtij vendimi, lindin në momentin e marrjes së lejeve përkatëse. Në rast se enfiteozëmarrësi/qiramarrësi nuk pajiset me lejet si më sipër, bëhet zgjidhja e kontratës me vendim të Këshillit të Ministrave pa mbajtur garancinë e kontratës së qirasë/enfiteozës.

 

  1. TRANSFERIMI I MENAXHIMIT TË TREGUT TË SHITJES ME SHUMICË TE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE

 

  1. Tregu i shitjes me shumicë menaxhohet nga institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës. Një treg i shitjes me shumicë mund t’u transferohet në menaxhim njësive të vetëqeverisjes vendore.

 

  1. Procedurat e transferimit të menaxhimit të një tregu të shitjes me shumicë kryhen nga ministri përgjegjës për peshkimin, me kërkesë të njësive të vetëqeverisjes vendore.

 

  1. Të ardhurat e menaxhimit duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet e nevojshme për funksionimin e tregut, shërbimet relative, amortizimin dhe përmirësimin e strukturave.

 

  1. Menaxhuesi i tregut të shitjes me shumicë merr përsipër përballimin e kostove të përdorimit dhe të mirëmbajtjes së tregut të shitjes me shumicë, përfshirë edhe taksat e aplikueshme nga legjislacioni në fuqi dhe përgjigjet për mirëmbajtjen e tij, ku përfshihen mirëmbajtja e ndërtesave të administratës dhe të reparteve ndihmëse, mirëmbajtja e mjediseve higjieno-sanitare, shërbimet e mbledhjes së mbeturinave të lëngëta dhe të ngurta, mirëmbajtja e infrastrukturës për furnizim me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, si dhe pagesat kundrejt enteve shtetërore përkatëse.

 

  1. Transferimi i menaxhimit të një tregu të shitjes me shumicë te njësitë e vetëqeverisjes vendore kryhet mbi bazën e kërkesës së njësisë së vetëqeverisjes vendore të shoqëruar nga plani i menaxhimit të tregut të shitjes me shumicë.

 

  1. Plani i menaxhimit duhet të përcaktojë qëllimin, objektivat e vendosura, rezultatet e pritshme dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare, arritjen e objektivave, ndjekjen e ecurisë së punës gjatë fazave të ndryshme të saj, parashikimin e investimeve, organizimin së bashku me ndarjen e detyrave.

 

  1. Pranë drejtorisë përgjegjëse për peshkimin në ministri ngrihet një komision me urdhër ministri, i cili, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesës, shqyrton propozimin dhe dokumentacionin shoqërues të dorëzuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe, nëse e gjen në përputhje me parashikimet e ligjit dhe të këtij vendimi, i përcjell dokumentacionin, për mendim, Komisionit Konsultativ Qendror për Peshkimin dhe Akuakulturën (në vijim, KKQPA), i cili vepron sipas parashikimeve të nenit 21, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.

 

  1. Pas dhënies së mendimit nga KKQPA-ja, komisioni propozon transferimin e menaxhimit të tregut të shitjes me shumicë. Ministri miraton urdhrin për miratimin e transferimit të menaxhimit të tregut të shitjes me shumicë te njësia e vetëqeverisjes vendore dhe ngarkon komisionin që të negociojë marrëveshjen e transferimit të menaxhimit, sipas formatit “tip” të marrëveshjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Marrëveshja për transferimin e menaxhimit të tregut të shitjes me shumicë te njësia e vetëqeverisjes vendore lidhet për një afat deri në 20 (njëzet) vjet.

 

  1. Njësia e vetëqeverisjes vendore me transferimin e tregut të shitjes me shumicë garanton mosndryshimin e destinacionit dhe të qëllimit, ruajtjen dhe garantimin e interesit publik, ruajtjen dhe rritjen e vlerës ekonomike të tregut të shitjes me shumicë që i është dhënë në përdorim.

 

  1. Njësia e vetëqeverisjes vendore është përgjegjëse për shfrytëzimin racional të tregut të shitjes me shumicë, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e zhvillimit normal të veprimtarisë së peshkimit dhe tregtimit të produkteve peshkore.

 

  1. TRANSFERIMI I MENAXHIMIT TË INFRASTRUKTURËS SË PESHKIMIT TEK ORGANIZATAT E PESHKIMIT

 

  1. Transferimi i menaxhimit të infrastrukturës së porteve të peshkimit dhe/ose tregut të shitjes me shumicë i bëhet organizatës së peshkimit mbi bazën e kërkesës zyrtare të kësaj të fundit.

 

  1. Kërkesa e organizatës së peshkimit për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së portit të peshkimit dhe/ose tregut të shitjes me shumicë paraqitet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila duhet të jetë e shoqëruar me vendimin e regjistrimit, aktin e themelimit, statutin, vendimin e organeve vendimmarrëse të organizatës së peshkimit për këtë qëllim, sipas statutit të saj, planin e menaxhimit të miratuar nga organet drejtuese të organizatës së peshkimit.

 

  1. Plani i menaxhimit duhet të përcaktojë qëllimin, objektivat e vendosura, rezultatet e pritshme dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare, arritjen e objektivave, ndjekjen e ecurisë së punës gjatë fazave të ndryshme të saj, parashikimin e investimeve, organizimin së bashku me ndarjen e detyrave.

 

  1. Pranë drejtorisë përgjegjëse për peshkimin, në ministri ngrihet një komision me urdhër ministri, i cili, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesës, shqyrton propozimin dhe dokumentacionin shoqërues të dorëzuar nga Organizata e Peshkimit dhe, nëse e gjen në përputhje me parashikimet e ligjit dhe të këtij vendimi, i përcjell dokumentacionin për mendim KKQPA-së, i cili vepron sipas parashikimeve të nenit 21, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.

 

  1. Pas dhënies së mendimit nga KKQPA-ja, komisioni propozon transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së portit të peshkimit. Ministri miraton urdhrin për miratimin e transferimit të menaxhimit të infrastrukturës së portit të peshkimit organizatës së peshkimit dhe ngarkon komisionin që të negociojë marrëveshjen e transferimit të menaxhimit, sipas formatit “tip” të marrëveshjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në shtojcën 3, dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Marrëveshja për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së lidhur me peshkimin tek organizata e peshkimit, lidhet për një afat deri në  20 (njëzet) vjet.

 

  1. Organizata e Peshkimit, me transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së portit të peshkimit, zbaton kushtet e vendosura nga neni 64, i ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, duke garantuar mosndryshimin e destinacionit dhe të qëllimit, përdorimin e infrastrukturës së peshkimit nga ana e shtetit në rastet e masave të jashtëzakonshme, ruajtjen dhe garantimin e interesit publik, ruajtjen dhe rritjen e vlerës ekonomike të strukturave portuale të peshkimit, që i janë dhënë në përdorim.

 

  1. Organizata e Peshkimit është përgjegjëse për shfrytëzimin racional të portit, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e zhvillimit normal të veprimtarisë së peshkimit dhe tregtimit të produkteve peshkore.

 

  1. Organizata e Peshkimit merr përsipër përballimin e kostove të përdorimit dhe të mirëmbajtjes së portit/tregut të shitjes me shumicë, përfshirë edhe taksat e aplikueshme nga legjislacioni në fuqi dhe përgjigjet për mirëmbajtjen e portit të peshkimit/tregut të shitjes me shumicë, ku përfshihen mirëmbajtja e ndërtesave të administratës dhe të reparteve ndihmëse, grumbullimi i mbetjeve të ngurta apo të lëngëta, të gjeneruara në territorin e portit, sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve, mirëmbajtja e infrastrukturës për furnizim me energji elektrike, karburante dhe ujë të pijshëm, si dhe pagesat kundrejt enteve shtetërore përkatëse, mirëmbajtja e mjediseve higjieno-sanitare të portit, mirëmbajtja e kalatave, bankinave notuese, kalunave etj.

 

  1. Organizata e Peshkimit duhet të përdorë në mënyrë të drejtë e të barabartë për të gjithë anëtarët e saj portin e peshkimit, në mënyrë që të nxisë e të mbrojë interesat e përdoruesve.

 

  1. Organizata e Peshkimit duhet të administrojë portin e peshkimit/tregun e shitjes me shumicë në mënyrë racionale, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, për të nxitur mbrojtjen e mjedisit e të atij detar dhe një zhvillim të qëndrueshëm.

 

  1. Organizata e Peshkimit duhet të krijojë të gjitha kushtet për inspektimin nga ana e organeve shtetërore, të ngarkuara nga ligji, të portit dhe të strukturave të lidhura me veprimtarinë e peshkimit që ajo administron.

 

  1. Marrëdhëniet e organizatës së peshkimit me organet shtetërore rregullohen sipas parashikimeve të nenit 64, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe legjislacionin në fuqi.

 

  1. Organizata e Peshkimit është përgjegjëse për sigurinë dhe sigurimin në territorin e portit të peshkimit që ka në menaxhim.

 

  1. Organizata e Peshkimit programon dhe merr masa për vendosjen e sigurt të anijeve të peshkimit në kalatë apo bankina notuese, duke respektuar rregullat dhe rregulloret e hartuara për këtë qëllim.

 

  1. Organizata e Peshkimit krijon kushte për përpunimin e anijeve të peshkimit në port (shkarkimin e peshkut të zënë, furnizimin me karburant, me ujë të pijshëm dhe bazë materiale e teknike të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së peshkimit).

 

  1. Organizata e Peshkimit u jep me qira anëtarëve të saj dhomat frigoriferike dhe ambientet e tjera në shërbim të aktivitetit të peshkimit. Tarifat e qirasë dhe të shërbimeve përcaktohen me udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për peshkimin dhe të ministrit përgjegjës për financat.

 

  1. Përjashtohen nga qiradhënia ambientet për zyra të organeve shtetërore dhe agjencive ligjzbatuese, që lidhen me aktivitetin e peshkimit, si: Policia Kufitare dhe Migracionit, Inspektorati i Peshkimit, Shërbimi Veterinar, Dogana.

 

  1. Organizata e Peshkimit është e detyruar të lejojë çdo mjet lundrues, që është pronë apo drejtohet nga një person, i cili nuk është anëtar i organizatës, të përdorë infrastrukturën e portit, menaxhimi i së cilës bëhet nga Organizata e Peshkimit. Në këtë rast, çdo person, i cili hyn ose shfrytëzon infrastrukturën e portit të peshkimit, që i është transferuar një organizate dhe që nuk është anëtar i saj, duhet të veprojë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e portit, planin e menaxhimit dhe me rregulloret e organizatës.

 

  1. Organizatat e peshkimit janë të detyruara të depozitojnë në çdo kohë çdo informacion të kërkuar, si dhe të krijojnë akses për inspektimin nga përfaqësuesit e ministrisë së infrastrukturës së dhënë në menaxhim, të dokumentacionit teknik, financiar.

 

  1. Në rastet kur në infrastrukturën e peshkimit, menaxhimi i së cilës i është transferuar Organizatës së Peshkimit, del e nevojshme kryerja e investimeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e kantiereve të riparimit të anijeve të peshkimit dhe këto investime nuk mund të realizohen nga Organizata e Peshkimit, ministria ka të drejtë t’i realizojë ato vetë ose të shpallë konkurrimin publik për palët e interesuara në kryerjen e këtyre investimeve. Në këtë rast, ministria përfshin në proces edhe Organizatën e Peshkimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

  1. Kur investimet do të kryhen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit, merret paraprakisht mendimi i ministrisë përgjegjëse për turizmin.

 

  1. Në rastet kur, pranë ministrisë përgjegjëse për peshkimin, paraqitet njëkohësisht kërkesë nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat e peshkimit, vendimi për transferimin e menaxhimit të infrastrukturës së peshkimit do të merret pas shqyrtimit të detajuar të planit të menaxhimit.
  2. Komisioni i ngritur në ministri do të vlerësojë planet e menaxhimit sipas kritereve të mëposhtme:
  • Investimet e parashikuara;
  • Plani për sigurinë e infrastrukturës;
  • Cilësia e shërbimit;
  • Kostot operative.

 

  1. MONITORIMI DHE SHPËRNDARJA E TË ARDHURAVE

 

  1. Monitorimi i kontratave të qirasë/enfiteozës dhe i marrëveshjeve për transferimin e infrastrukturës së lidhur me peshkimin bëhet nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës.

 

  1. Struktura monitoruese e kontratave të qirasë ose të enfiteozës kryen këto detyra:

 

  1. a) Pas lidhjes së kontratës së qirasë/enfiteozës/marrëveshjes, bën dorëzimin te qiramarrësi/enfiteozëmarrësi/pala nënshkruese me procesverbal të objektit të përshkruar në kontratë, sipas genplanit përkatës. Në procesverbal përshkruhen qartë gjendja fizike e pronës, vlera kontabël e objektit që jepet me qira/enfiteozë/ apo transferohet me marrëveshje, sipas llogarive financiare në fund të vitit paraardhës dhe shoqërohet me pamje fotografike të momentit;
  2. b) Kur mbaron afati i kontratës/marrëveshjes ose kur kontrata/marrëveshja zgjidhet/prishet para afatit, merr në dorëzim me procesverbal objektin që ka në administrim;
  3. c) Ndjek në vijueshmëri respektimin e kushteve të kontratave të qirasë/enfiteozës e kushtet e marrëveshjes dhe, çdo 6 (gjashtë) muaj, harton akte rakordimi me subjektet qiramarrëse/enfiteozëmarrëse/ nënshkruese;

ç) Për çdo ndryshim në dhëniet me qira/enfiteozë/marrëveshje apo lirimin nga këto të drejta, hap pas hapi, kjo njësi njofton menjëherë ministrin;

  1. d) Krijon regjistrin për përdorim nga të tretët të pasurisë shtetërore dhe të dhënat për të ardhurat nga përdorimi i pasurisë shtetërore;
  2. dh) Mbi bazën e të dhënave të regjistrit bëjnë përmbledhësen, brenda muajit korrik, për të dhënat e gjashtëmujorit të parë, dhe, brenda muajit janar të vitit pasardhës, përmbledhësen vjetore, dhe ia paraqesin ministrit.

 

  1. Ndaj palës kontraktuese mund të vendosen sanksione për mospërmbushje të kushteve të parashikuara në kontratë.

 

Për mosrealizimin e vlerës së investimit të parashikuar në kontratë, subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrësi penalizohet me 20 (njëzet) për qind të vlerës së investimit të parealizuar. Ky sanksion do të vendoset pas dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore të certifikuara nga eksperti kontabël i miratuar.

 

  1. Pala kontraktuese mund të ankimojë gjobat/penalitetet e parashikuara në kontratë ose në këtë vendim. Ministri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së ankimit, ka të drejtë të vendosë:

 

  1. a) lënien në fuqi të gjobave/penaliteteve dhe rrëzimin e ankimit;
  2. b) shfuqizimin/revokimin e gjobave/penaliteteve;
  3. c) ndryshimin e aktit, duke pranuar pjesërisht ankimin për faljen e gjobave/penaliteteve.

 

  1. Në rastet kur subjektit qiramarrës/enfiteozëmarrës/nënshkrues të marrëveshjes, për mosshlyerje të detyrimeve të parashikuara në kontratë/marrëveshje i është kërkuar zgjidhje e saj, në rast të shlyerjes së menjëhershme të këtyre detyrimeve dhe penaliteteve respektive të vendosura, ministri përgjegjës për peshkimin ka të drejtë të revokojë aktin e prishjes së kontratës/marrëveshjes së lëshuar prej tij.

 

  1. Ministri përgjegjës për peshkimin, palë në kontratën e qirasë/enfiteozës, me kërkesën e subjektit tjetër palë në këtë kontratë, vendos për shuarjen e detyrimeve lidhur me pagesën e vlerës së qirasë, për shuarjen e penaliteteve të përcaktuara në kontratë, për zgjatjen e afateve kontraktore apo për ristrukturimin në tërësi të kontratës, për periudhën kur konstatohet:

 

  1. shkelja e afatit njëmujor për dorëzimin e pasurisë shtetërore që jepet me qira;
  2. se palët kanë qenë në konflikt administrativ apo gjyqësor, lidhur me vlefshmërinë e kontratës së qirasë/të enfiteozës;
  3. pamundësia reale e qiramarrësit/enfiteozëmarrësit për posedimin, gëzimin, në mënyrë të qetë, të pasurisë shtetërore të marrë me qira/enfiteozë.

 

  1. Të ardhurat, që krijohen nga kontrata e qirave/enfiteozës me subjekte private shkojnë në buxhetin e shtetit.

 

  1. Të ardhurat e krijuara nga marrëveshjet e menaxhimit të lidhur me organizatat e peshkimit nga tarifat e qirasë dhe nga ofrimi i shërbimeve janë në funksion të organizatës së peshkimit për investime në infrastrukturën e transferuar dhe/ose për rritjen e shërbimeve të ofruara ndaj anëtarëve, sipas qëllimit për të cilin kjo infrastrukturë është transferuar. Çdo investim i kryer në infrastrukturë duhet të marrë më parë miratim nga ministri përgjegjës për peshkimin.
  2. Penalitetet e vendosura për mosrespektim të kushteve kontraktore/të marrëveshjes shkojnë në buxhetin e shtetit.

 

VII.     DISPOZITA TË FUNDIT

 

  1. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të nxjerrë udhëzimin në zbatim të shkronjës “d”, të pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Ministria e Financave dhe Ekonomisë të nxjerrin udhëzimin e përbashkët në zbatim të pikës 17, të kreut V, të këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA  

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR BASHKËPUNIM NË TURIZËM

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për bashkëpunim në turizëm, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË UJITJES DHE KULLIMIT 2019-2031 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

 

                                                                 V E N D O S I:

 

 

  1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit 2019-2031 dhe të planit të veprimit, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR KONVERTIMIN E LEJEVE TË DREJTIMIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, nё parim, të ndryshimit me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE  TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.57/2015

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, të ratifikuar me ligjin nr.57/2015, sipas përmbajtjes së dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.787, DATË 22.9.2015,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN E KOMISIONEVE EPRORE TË CAKTIMIT TË AFTËSISË PËR PUNË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, 2 e 3, të nenit 39/2, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Aneksi nr.2, që i bashkëlidhet vendimit nr.787, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me aneksin nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.