Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën për qeverisjen vendore:

Sot, në këtë konferencë për qeverisjen vendore vlen të theksohen disa gjëra. Së pari vlen të theksohet se tanimë u provua ajo çka ne kemi nënvizuar qysh në nisje kur ndërmorëm këtë reformë historike për organizimin e shtetit shqiptar, që u aplikua dhe u përshtat në terren në një kohë rekord. Nënvizimi është se vizioni ynë nuk lidhej me asnjë interes pale dhe nuk nxitej nga asnjë nevojë e brendshme për të bërë që një palë të dominonte mbi një palë tjetër. E kundërta është e vërtetë, që kjo reformë ishte në këndvështrimin tonë e vetmja rrugë dhe madje shumë e vonuar, për të çelur një kapitull të ri në modernizimin e shëtit shqiptar dhe në organizimin e strukturave të këtij shteti në funksion të qytetarëve dhe për të garantuar kushte shumë më të favorshme për një zhvillim të integruar urban, ekonomik dhe social.

Faktikisht, sot jemi të gjithë dëshmitarë se me zgjedhjet e 21 qershorit, kjo reformë jo vetëm ishte rruga e duhur, por ishte absolutisht dhe e vetmja mënyrë për të bërë të mundura gjëra që për vite të tëra i janë bërë të pamundura vendit tonë dhe njerëzve tanë.

Sot, ne mund të themi po ashtu se qeveria në mënyrë shumë të strukturuar po e zbaton hap pas hapi, programin e vet 4-vjeçar dhe si pjesë e këtij programi 4-vjeçar është jo vetëm reforma në kuptimin e riorganizimit të qeverisjes vendore përsa i përket ndarjes territoriale, por edhe përshkallëzimi i kësaj reforme në përmbajtjen e qeverisjes vendore.

Faktikisht u prish një status quo 20 vjeçare që pati pasoja të mëdha për vendin, që solli shkatërrime të mëdha në territor, solli shpartallim të madh të burimeve tona të zhvillimit, që solli humbje të madhe të aseteve dhe të pasurive të këtij populli, për shkak të një organizimi tërësisht jashtë kohe, i cili ushqente në mënyrë dramatike korrupsionin, klientelizmin, nepotizmin dhe mbi të gjitha, kaosin në administrimin e financave dhe të pasurive të patundshme dhe të burimeve natyrore të këtij vendi.

Një administratë komunash që i kushtonte shqiptarëve 25 milionë dollarë në vit, ku 80 komuna kishim më pak se 5 mijë banorë, ndërsa 71 komuna kishin të ardhura nën zero. Nëse sot jemi i vetmi vend që pavarësisht se jemi i vendi më i pasur në rajon dhe i dyti në Europë për burime ujore, vuajmë mungesën e furnizimit normal me ujë të pijshëm dhe të ujitjes së tokës sonë bujqësore, në radhë të parë kjo arsye lidhet me gjithë këtë sistem skandaloz organizimi dhe administrimi, që për vite me radhë iu imponua Shqipërisë në mungesë të vullnetit dhe të forcës politike që duhet t’i jepte fund këtij organizimi krejtësisht çoroditës.

Sot regjistrojmë një humbje katastrofale të tokës bujqësore. Ky organizim i mbrapshtë territorial, administrativ dhe institucional është arsyeja kryesore. Sot, ne jemi i vetmi vend në Europë dhe në rajon që nuk mbledh dhe nuk përpunon plehrat në pjesën më të madhe të territorit dhe që faktikisht, me mbetjet krijon burime rreziku dhe degradimi të vazhdueshëm mjedisor. Edhe kjo në radhë të parë lidhet me këtë administrim skandaloz që u imponua për 20 e kusur vite me radhë.

Nëse sot, ne kemi edhe një territor shumë të fragmentuar për nga pikëpamja e mungesës së aksesit në shërbime dhe financime, edhe kjo lidhet me sistemin e mbrapshtë që u imponua për vite me radhë nga dritëshkurtësia dhe mungesa e plotë e vullnetit politik për ta kryer këtë reformë.

Duke folur për reformën, besoj se është momenti për të thënë pa dashur të provokoj askënd, që është reforma më e thellë dhe e suksesshme dhe jo konsensuale. Që do të thotë që kërkimi i konsensusit me çdo kusht dhe duke shkelur çdo vlerë cilësore të produktit nuk është domosdoshmërish rruga më e mirë.

Dua të falenderoj këtu, të gjithë zotërinjtë që janë në këtë platformë. Fatkeqësisht nuk ka zonja këtu, gjë që nuk e shpreh plotësisht edhe një arritje tjetër shumë të madhe të reformës, që për herë të parë ne siguruam jo vetëm aksesin e grave dhe të vajzave në procesin e vendimmarrjes në nivelin vendor, por shënuam një arritje historike për Shqipërinë dhe për rajonin, nuk po shtyhem më gjatë se nuk dua të akuzohem se po i bëjmë karshillëk Francës, për shembull dhe ambasadori i Francës më mirëkupton, jemi përpara Francës në këtë proces, gjë që ma ka konfirmuar edhe Presidenti i Francës në takim. Ne kemi 50% gra e vajza në këshillat bashkiakë, Franca nuk i ka dhe nuk do t’i ketë për shumë vite të tëra. Megjithatë, shembulli i Shqipërisë duhet t’ju inkurajojë që ta merrni edhe ju këtë hap të guximshëm.

Dua të falenderoj me këtë rast, të gjitha zonjat e përfshira në këtë proces, pasi ka qenë një proces që konsensusin e kemi kërkuar tek principet dhe vlerat e reformës dhe jo tek dakordësia mes partish që kanë rënë dakord qysh ditën e parë që të mos bien dakord.

Dialogu me publikun në territor ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm, për të bindur edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që konsensusi ishte mbarëpopullor. Faktikisht, në të gjithë territorin, falë instrumentit të anketimit që u përdor nga donatorët për të qenë të qetë me ndërgjegjen e tyre që po mbështesnin një parti dhe po linin në baltë një parti tjetër, tregoi se kudo shqiptarët në një shumicë dërrmuese kërkonin këtë transformim, se kudo shqiptarët në një shumicë dërrmuese kërkonin të çliroheshin nga ligjet feudale të feudeve të vogla dhe nga imponimi i feudalëve të vegjël që u krijuan për shkak të këtij organizimi monstruoz për Shqipërinë, për vite e vite të tëra. Nëse ka një shkatërrim të inventarizuar mëse mirë, zë për zë, në gjithë këtë tranzicion të vështirë është shkatërrimi që i ka sjellë vendit, keqorganizimi territorial dhe administrativ në territorin e vet në 20 e kusur vite.

Nga ana tjetër, dua edhe unë të falënderoj ministrin e Pushtetit Vendor, – e shoh se sa herë mbledh donatorët e falenderojnë, nuk e di në është falënderim genuin apo është porosi e ministrit – por më lejoni të them një gjë dhe në këtë pikë besoj ministri është dakord me mua, që çfarëdo të bënte ministri, kjo punë nuk do të kishte pasur rezultatin e jashtëzakonshëm që pati, pa komisionin e reformës në parlament dhe pa dedikimin e Kryeministrit Bashkim Fino, i cili ka qenë një kryer bashkie dhe pastaj në gjithë aktivitetin e tij si kryeministër, ministër dhe parlamentar i ka mbetur gjithmonë besnik i palëkundur idesë së kësaj reforme dhe të këtij transformimi.

Megjithatë kjo ka kaluar, ndërsa ajo që vjen është pjesa më e bukur e reformës dhe më e vështira, që ka të bëjë me dhënien përmbajtje të kësaj qeverisjeje në nivelin vendor, e cila nuk mund të vazhdojë më të trajtohet si pushtet i decentralizuar kur vjen puna për t’i dhënë kompetenca në letra dhe si pushtet i harruar kur vjen puna që kompetencat të shoqërohen me burime njerëzor dhe me financime. Për 20 vjet, ajo që është quajtur decentralizim, në fakt ka qenë kalimi i halleve nga qeveria qendrore tek qeveria vendore, pa i kaluar as mjekë dhe as ilaçe, vetëm sëmundje.

Ndërkohë që ne duam të bëjmë të kundërtën. Ne duam që të gjitha ato që prezumojmë që janë arsyet pse e bëmë këtë reformë, të kthehen në instrumente që kryetarët e rinj dhe bashkitë e reja të mund të bëjnë politika zhvillimi dhe të mund të bëjnë shërbime cilësore. Nuk mundet dot t’i themi kryetarëve të bashkive, juve do të merrni pjesë në hallin e madh të ujitjes dhe të garantimit më në fund të ujit për të gjithë në zonat bujqësore, por ne nuk do t’ju japim as njerëz dhe as financa, ju mblidhni taksat. Kjo nuk funksion. Kështu që, në këtë aspekt, ne do t’u japim përgjegjësinë që duke qenë më pranë njerëzve të fshatit, ata të mund të luftojnë bashkë me ta që të mos mbetet më asnjë metër katror tokë bujqësore pa u ujitur, por edhe financimin e nevojshëm dhe burimet e nevojshme njerëzore.

Prandaj, një nga pikat e kësaj reforme do të jetë transformimi i gjithë nivelit të poshtëm të qeverisë në territor në dy drejtime; Një pjesë e këtij niveli do të bashkohet me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të forcuar bashkëpunimin me fermerët, për të ndikuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe në rritjen e kapaciteteve për të shkruar e financuar projekte të zhvillimit bujqësor, pa të cilat as BE dhe as qeveria nuk mund të financojnë fermerët, as edhe bankat; Pjesa tjetër duhet të shkojë si mbështetje njerëzore dhe logjistike për pushtetin vendor. Nuk është qeveria struktura që duhet të hapi kanale dhe të pastrojë kanale. Kjo i përket feudalizmit. Kanalet duhet t’i pastrojnë dhe ujin për vaditjen duhet ta garantojnë bashkitë.

Kemi një problem tjetër konkret. Sot kemi një strukturë të paimagjinueshme. Për çdo infermiere firmos ministri i Shëndetësisë. Si mund të quhet shtet, një shtet ku ministri i Shëndetësisë duhet të japë dakordësinë për emërimet e infermierëve. Ndërkohë që eksperiencën e portalit “Mësues për Shqipërinë” do ta përcjellim edhe në këtë drejtim, duke bërë që të gjithë ata që janë në këtë profesion dhe duan të kontribuojnë në sektorin publik të marrin pikët në bazë të testimeve të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe pastaj të jenë bazë e hapur të dhënash për bashkinë dhe kryetarin e bashkisë që nga aj bazë të dhënash të marrin infermierët sipas rregullave të përcaktuara, duke respektuar kreditet e tyre dhe duke i çua aty ku ka nevojë për shërbim. Ajo që kemi vënë re dhe kemi dëgjuar nga gjithë kryetarët e bashkive në territor është se në shumë raste, të emëruarit e shtetit si infermierë nuk shkojnë fare aty ku duhet të jenë.

Këto janë shembuj shumë të thjeshtë për kuptuar sesa shumë vite kemi humbur me këtë histori krejtësisht të papranueshme. E njëjta gjë me mësuesit. Duhet të stabilizojmë portalin dhe pastaj duhet t’ia lëmë bashkive, kompetencën për të bërë gjithë përzgjedhjen. Nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë të centralizuar këtë proces. E njëjta gjë për zjarrfikësit dhe Policinë e Shtetit. Ne nuk kemi mundësinë të mbajmë struktura mbas strukturash. Ne duhet të bëjmë të mundur që kryetari i bashkisë të ketë të drejta, përgjegjësi konkrete në raport me shfrytëzimin e forcave të Policisë së Shtetit për të gjitha çështjet që lidhen me bashkinë.

Vazhdojë të jemi një vend ku ka shumë struktura e mbistruktura. Kemi 328 institucione në nivelin e ndërmjetme që kërkojmë para, njerëz, shpenzime, karburant, pa folur pastaj se çfarë bëjnë me to. Kjo nuk mund të vazhdojë. Duhet ta thjeshtojmë maksimalisht shtetin dhe të thjeshtojmë punën e të dy niveleve; nivelit qendror dhe nivelit vendor. Qeveria qendrore duhet të vazhdojë të tërhiqet nga punët komunale, duhet të vazhdojë të tërhiqet nga ekzekutimet dhe duhet të marrë gjithmonë e më shumë rolin e politikbërësit dhe të monitoruesit e të garantit të standardeve. Kemi qeveri qendrore që bën më shumë tendera në gjithë Europën. Në rajon ndoshta kemi edhe të tjerë, se ky rajoni ynë është rajon tenderash. Atëherë duhet të lëshojmë jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim, për të siguruar eficiencë dhe për të krijuar mundësitë që çdo proces të jetë i kontrollueshëm. Nëse qeveria do të merret shumë më tepër me standardet dhe kontrollin e standardeve, do të jenë shumë më pak e kërcënuar nga konflikti i vazhdueshëm i interesit; edhe vë standarde, edhe i kontrollon standardet, edhe i fsheh ato që nuk bëhen mirë, kështu nuk shkojmë shumë larg.

Mbi të gjitha duhet të përgatitemi, sepse jemi në kushtet kur themi integrimi, por jemi larg së bëri gati strukturat e integrimit. Në gjithë këto vite nuk është bërë asgjë. Kjo qeveri ka filluar për herë të parë të merret me këtë punë. Hapi tjetër do të jetë krijimi shumë shpejt i rajoneve të zhvillimit, për të kondensuar maksimalisht gjithë këto agjenci, zyra, institucione, letra, burokraci, çmenduri, që janë në gjithë territorin dhe vetëm thithin para dhe nuk japin asgjë mbrapsht.

Ndarja e Shqipërisë në disa rajone zhvillimi, jo në kuptimin e qarqeve apo kuptimin administrativ, por në kuptimin e krijimit të poleve të sinergjisë mes bashkive, për të siguruar nga njëra në kapacitete për projektet europiane, për fondet strukturore europiane, siç e ka çdo vend që është integruar apo që synon të integrohet, do të na krijojë lehtësira të mëdha dhe do të na krijojë një ndërveprim shumë më të madh.

Besoj se është me shumë rëndësi të theksohet edhe diçka tjetër. U fol për kaosin që do të ndodhte, për fundin e botës që do të vinte pasi kjo reformë të hynte në fuqi, për gjithë njerëzit në fshat që do të mbeteshin pa pika referimi. Asnjë komunë e djeshme nuk e ka humbur asnjë ditë aftësinë për të dhënë shërbime. Kjo falë përgatitjes që bëri qeveria dhe agjencia përkatëse që u ngrit me propozim të kryeministrit Fino, për të jetësuar procesin e decentralizimit. Por ne nuk duhet të mbetemi këtu. Shërbime që japin njësitë tona administrative janë shërbime mizerabël.

Tani është koha për të shkuar më tutje dhe për të qenë inovativë. Për këtë arsye, ne po punojmë shumë fort në anën tjetër, me shërbimet online. Kemi një numër të konsiderueshëm shërbimesh që shumë shpejt do të jenë online dhe do të jenë shërbime që do të mund t’i japin njësitë administrative. Ne duhet ta fusim pushtetin vendor si shërbime në celularin çdo qytetari. Dhe duhet ta bëjmë këtë me shpejtësi. Nuk është diçka absolutisht e pamundur dhe nuk është diçka që të tjerët do ta dëgjonin për herë të parë këtu, se e kanë bërë përpara nesh. Duhet ta fusim në celularin e çdo qytetari, shërbimin publik, kur vjen puna për letrat, për dokumentet, për certifikatat, për njoftimet e me radhë.

Kjo është pjesë e një reforme që do të vazhdojë intensivisht këtë vit, për të rifituar dhe për të thelluar madje pozicionin në kuptimin pozitiv, edhe në Doing Business, ku patën një rënie të parashikuar për shkak, në radhë të parë, të bllokimit të lejeve të ndërtimit, po ku jemi shumë të vetëdijshëm për çfarë duhet të bëjmë.

Për ta mbyllur, unë shpreh shumë keqardhje që numërohen me gishtat e njërës dorë kryetarët e bashkive të Partisë Demokratike që janë këtu të pranishëm, por më shumë sesa për këtë shpreh keqardhjen që kryetarët e bashkive përsëri krijuan shqiponjën me dy koka të shoqatave, ndërkohë që do të ishte fort e udhës të mbanin një shoqatë dhe të funksiononin si një trupë e vetme, pa axhenda të ndara politike, por për të qenë një palë konstruktive dhe grup presioni që ne t’i çojmë përpara këto reforma. Mos mendoni që ky është një proces që ka të bëjë thjesht dhe vetëm me një palë, edhe kur vjen puna për të bërë reforma. reformat edhe në një ndërmarrje private krijojnë një rezistencë të brendshme dhe jo më brenda një pale politike. Në këtë pikë, kryetarët e bashkive do të ishin një ndihmë e madhe, nëse do të ishin një grup i vetëm presioni. arsyeja pse ne nga ana jonë vazhdojmë të nxisim unifikimin e shoqatës së kryetarëve të bashkive nuk është se duam ta vëmë shoqatën e bashkive nën kontrollin politik të partive të koalicionit qeverisës. Nuk kemi nevojë për këtë gjë, por arsyeja pse e nxisim këtë është se e kemi të domosdoshme që në këtë sfidë të punojmë sëbashku, që t’i adresojmë sëbashku problemet dhe e kemi të domosdoshme në këtë sfidë që të jemi nën presion. Presioni i pakicës në parlament është gjë e ditur, por jo nën presionin thjesht politik që është një presion përgjithësisht banal në Shqipëri, por nën presionin e nevojave konkrete dhe të ideve konkret të kryetarëve të bashkive.

Këtu, ne nuk bëjmë diferenca janë të majtë apo janë të djathtë, kush i ka zgjedhur e me radhë. Ne thjesht duam kompaktësi në një proces, nga ku o fitojmë të gjithë sëbashku, o humbasim të gjithë sëbashku. Dhe me fitim gjithë sëbashku, unë konsideroj fitimin që do të kenë nga ky proces, komunitetet dhe qytetarët. Me humbjen gjithë sëbashku kuptoj fatin që kryetarët e bashkive do ta kenë thjesht të pamundur të dalin përpara popullit në zgjedhjet e ardhshme, me rezultate konkrete për ato që kanë premtuar, nëse kjo reformë nuk shkon deri në fund. Këto njësi të mëdha janë teorikisht shumë më të arsyeshme, por janë praktikisht shumë më të vështira nga pikëpamja e qeverisjes së mirë. Për të përballuar këto vështirësi duhet kompaktësi në organizim dhe në bashkëveprim. Duhet të punojmë si një skuadër dhe kjo nuk lidhet me flamurin e partisë që secili ka në çatinë e shtëpisë së tij, por lidhet me punën konkrete që duhet të bëjmë.

Unë jam i bindur që donatorët janë të gjithë, sot, në një pozicion testimi; Sa ia vlejti gjithë ajo që bënë dhe bënë jo pak. Është shembulli më spektakolar në historinë e Shqipërisë për shpejtësi. Kurrë donatorët nuk kanë qenë kaq të shpejtë, përkundrazi dhe kurrë nuk kanë qenë kaq të shumtë në një projekt. Por ose do t’ju marrim para akoma, ose do t’i bëjmë të qajnë edhe për paratë që kanë dhënë. Unë besoj se ne jemi të interesuar që të japin para prapë, se kanë shumë, por nuk i japin kollaj, nuk janë zemërgjerë siç thonë, nuk e bëjnë fare për zemërgjerësi, po e bëjnë për interes, por ne të bashkojmë interesat dhe këtij burimi financimi t’i marrim maksimumin. E mund t’ia marrim maksimumin duke qenë serioz në raport me angazhimet e marra. Që nga momenti që shikojnë që lind një shqiponjë dykrenare, me kryetar bashkish të majtë këtej dhe kryetarë bashkish të djathtë andej, njëra kokë e shqiponjës sheh nga bulevardi dhe tjetra sheh nga SHQUP-i, që aty fillon dhe bëhet më e vështirë për të financuar.

Ia them këtë kryetarëve të bashkive, sepse tani që kanë fituar zgjedhjet, në kokën e tyre ka vetëm një gjë, ku janë lekët. Ja ku janë lekët, po të doni merrini, s’doni, atëherë rrini e prisni justifikimet e qeverisë.

Faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.