Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektligjit “Për Mbrojtjen Civile”:
Mirëdita të gjithëve!
Faleminderit Ministrisë së Mbrojtjes për pikat e shiut që plotësojnë skenografinë e këtij eventi për Mbrojtjen Civile, e cila, besoj, mund të thuhet pa frikë ekzaltimi, se ka kaluar në një nivel tjetër dhe provat i kemi pasur përpara syve për një ndryshim të ndjeshëm në qasje dhe në efektivitetin e reagimit të shtetit në kushtet e emergjencave. Këtu, përsëri pa e ekzagjeruar, por, për hir të të vërtetës, besoj që qoftë ministrja e Mbrojtjes, qoftë zëvendësministri i Mbrojtjes dhe qoftë drejtori i Mbrojtjes Civile meritojnë një falënderim të posaçëm për mundësimin e një tranzicioni jo të lehtë të Emergjencave Civile, nga ku ishin më parë, nën ombrellën e madhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Është fakt që, qysh nga momenti i parë i transferimit, edhe pse me një bazë ligjore të pamjaftueshme, edhe pse në kushte më shumë improvizimi dhe vullneti të madh, sesa logjistike dhe mundësish të mjaftueshme, kemi pasur rezultate shumë inkurajuese. Kjo besoj edhe falë të gjithë trupave të angazhuara në momente dramatike të Emergjencave Civile, drejtuesve të tyre dhe të gjithë elementëve përbërës në këto operacione të vështira.
Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes ka qenë e kujdesshme dhe me qasje strategjike, për të adresuar jo vetëm përgjigjen, por për të adresuar hap pas hapi edhe parandalimin. Ama, nuk diskutohet që bashkë me transferimin dhe bashkë me konfirmimin e vullnetit për ta çuar në një nivel tjetër të gjithë kapacitetin reagues të shtetit ndaj emergjencave, domosdoshmëria për të hartuar një bazë të re ligjore ka qenë aty, qysh në momentin e parë dhe ka pasur vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë atyre që kanë rol në dhënien e opinioneve dhe në formulimin e procesit të ligjbërjes.
Sot, ne mund të themi me plot gojën që kemi një bazë të re ligjore, të hartuar, të gatshme për miratim pas diskutimeve të nevojshme përfundimtare me një strategji kombëtare për reduktimin e riskut të fatkeqësive, si një dokument bazë në menaxhimin tërësor të riskut nga fatkeqësitë. Këtu sfida mbetet e përditshmja, jo momenti kur emergjenca shfaqet. E përditshmja si një përpjekje e vazhdueshme për parandalimin, për prekjen dhe kurimin e të gjitha pikave të dobëta dhe për lidhjen e të gjitha hallkave të një zinxhiri që duhet të na garantojë uljen e vazhdueshme të riskut.
Kemi një trashëgimi shumë të rëndë, e cila nuk mund të adresohet dot menjëherë. Gjithë çka është bërë me territorin në dekadat e një tranzicioni të rrëmujshëm, ku ecej çdo ditë me parimin “secili për vete dhe Zoti për të gjithë”, e ka dobësuar shumë kapacitetin natyral mbrojtës të të gjithë strukturës së vendit tonë. Megjithatë, me këtë ligj ka arsye të jemi optimistë, se kemi një shpërndarje të qartë të përgjegjësive, kemi një zinxhir të mirëpërcaktuar të roleve dhe kemi po ashtu edhe një bazë për përditshmërinë.
Planet për emergjencat civile tanimë do të jenë të detyrueshme, edhe për institucionet shtetërore, edhe për subjektet private në sektorët e shëndetësisë, të arsimit, mirëqenies sociale, turizmit, mjedisit dhe kjo do të lidhet me sanksione të qarta për çdo institucion apo subjekt privat, sikurse përcaktohet në ligj edhe funksioni i mekanizmit të inspektimit. Nuk mund dot që në përditshmëri t’i hapim gropën vetes e pastaj, kur vjen furtuna, t’i kërkojmë shtetit të na nxjerrë nga gropa. Nuk mund dot që t’i biem shkurt, duke këputur kanalin e shkarkimit të ujërave, për të bërë një hyrje me palma në një lokal dasmash dhe pastaj të ankohemi pse shteti na prishi dasmën kur erdhi furtuna.
Shembuj të tillë kemi pafund, ashtu sikundër nuk mund dot që njësitë e qeverisjes vendore të jenë të pavëmendshme dhe jo vetëm të pavëmendshme, por nganjëherë edhe të papërgjegjshme, njësoj si një pronar i një lokali dasmash.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila krijohet mbi një model të mirëstrukturuar dhe të afirmuar në vite, të marrë si pikë referimi nga bota më e përparuar sesa ne, do të jetë në varësi të ministrit dhe do të përgjigjet në radhë të parë, për zvogëlimin e riskut e pastaj për kapacitetet dhe efektivitetin reagues.
Ajo do të ketë një autoritet shumë më të madh, seç ka pasur deri më sot Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, do të ketë kapacitete më të mëdha administrative, teknike dhe financiare, krahasuar me ato aktualet, përgjegjësi dhe kompetenca më të gjëra. Në këtë mënyrë do të jetë organizata që na duhet për një mision kaq të rëndësishëm jetik, kombëtar, por edhe ndërkombëtar, duke pasur parasysh gjithë ndërveprimin e nevojshëm me strukturat homologe, sepse këtu objektivi është edhe forcimi i bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe nga ana tjetër, angazhimi për të shtrirë trasenë e një vullnetarizmi në komunitet, siç e ka gjithë bota e qytetëruar, kur vjen puna tek përballimi i emergjencave civile.
Sot, ne e dimë shumë mirë, kemi qenë dëshmitarë që vetë Komisioni Europian luan një rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive në Europë, përmes një mekanizmi efektiv të mbrojtjes civile dhe sa më shumë ne të jemi të përfshirë në një rrjet të këtyre institucioneve, aq më shumë do të jemi të mbështetur në momentin kur vjen radha për të kërkuar solidaritet nga të tjerët.
Është e sigurt që me ligjin e ri përafrojmë legjislacionin me disa direktiva dhe vendime të rëndësishme të Bashkimit Europian, por është shumë e rëndësishme që me këtë hap, ne e përafrojmë vendin drejt standardeve të mekanizmit të mbrojtjes civile të të gjithë Unionit.
Në fund, dua të falënderoj shumë sinqerisht të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë bazë të re ligjore dhe dua të garantoj të gjithë, në radhë të parë, drejtuesin e gjithë kësaj force të re që krijohet nga kjo bazë e re ligjore, të gjithë trupat, se do të kenë një mbështetje maksimale që do të bëjë edhe më efektive rritjen e përgjegjësive të tyre, por edhe të kapaciteteve, për të ndikuar në rritjen e ndjeshmërisë, në radhë të parë, të njësive të qeverisë vendore dhe pastaj, edhe të komuniteteve.
Duke shprehur bindjen se kemi përpara një kapitull të ri për të shkruar të gjithë sëbashku me Ministrinë e Mbrojtjes, me prefekturat, me bashkitë, me komunitet dhe se këtë kapitull do ta shkruajmë me dinjitet, unë ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj këtu. Edhe një herë tjetër, shumë respekt për të gjithë ata që nuk i shohim në jetën tonë të përditshme, por që, kur detyra e kërkon që të mbrojnë jetën e të tjerëve, janë aty prezent, duke sakrifikuar dhe vënë në rrezik edhe vetë jetën e tyre.
Shumë faleminderit!