Qeveria shqiptare vijon mbështetjen e fermerëve dhe fuqizimin e tyre nëpërmjet programit për zhvillim rural, duke krijuar bazat e një bujqësie moderne dhe kompetitive, që do të plotësojë, jo vetëm nevojat e tregut vendas me produkte të një standardi dhe cilësie të njëjtë me atë të konsumatorëve europianë, por do kontribuojë edhe në rritjen e eksporteve në tregjet rajonale dhe europiane. Një nga subjektet që ka përfituar nga Fondi i Programit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është edhe “Arna shpk”, e cila, nga një biznes familjar i ngritur afro 20 vite më parë në sektorin e mbarështimit dhe prodhimit të mishit të shpendëve, sot ka arritur kapacitetin prodhues në 30-40 mijë zogj përmes investimeve cilësore dhe modernizimit të teknologjisë që ka ndikuar në standardizimin e proceseve të automatizuara të punës, si dhe në cilësinë e lartë të prodhimit.
Kryeministri Rama ka vizituar ambientet e këtij stabilimenti në Boboshticë që me ndërtimin e dy inkubatorëve të rinj, përmes financimit nga AZHBR, pritet të dyfishojë edhe numrin e të punësuarve si stabël edhe ata sezonalë.
“Ky si regjiment, de facto, duke qenë sadopak modest është nga më të mirët në rajon, nga pjesa e ventilimit, nga pjesa e linjave të ushqimit dhe sa i përket ngrohjes është i vetmi regjiment që ka 0 çlirimin e dioksidit të karbonit, diçka që BE mbase e kërkon pas 10 vitesh,” shprehet investitori, i cili falënderon qeverinë dhe në veçanti AZHBR-në për mbështetjen me investime.
“Me këtë lloj investimi ne sigurojmë që konsumatorët shqiptarë të kenë mundësi të hanë produktin e pulës në standarde siç i ha konsumatori europian, maksimale,” shprehet drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca, duke shtuar se cikli është i mbyllur, pasi mbarështon prodhon dhe tregton në të gjithë Shqipërinë.
“Kompania prodhon për tregun vendas 90%. Distribucionin e bën vetë, kështu që siguron që e gjithë higjiena dhe linja që nga prodhimi deri në dyqan është e siguruar në këto standarde,” shtoi ajo.