Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama në nisjen e edicionit të dytë të projektit “Smile Albania”:
Së pari ju kërkoj shumë ndjesë për vonesën time, të jeni të sigurt që nuk ishte vonesë udhëheqësish por thjeshtë një pamundësi objektive për të ardhur në orar, gjë që personalisht e kam shumë zët, kështu që më falni për këtë.
Doja të isha në këtë takim me ju sepse eksperienca e vitit të shkuar ishte një eksperiencë e parë, një nisëm e re e konceptuar nga ministri i turizmit dhe kishte shumë pikëpyetje si çdo gjë e re ashtu sikundër dhe jo pak skepticizëm por ishte një nismë që ia vlejti dhe ripërtëritja e saj këtë vit ishte si të thuash krejt e natyrshme ndërkohë që patjetër mësimet e vitit të shkuar kanë vlejtur si një eksperiencë për ta përmirësuar këtë nisëm në përmbajtjen e vetë dhe njëkohësisht patjetër për ti dhënë mundësi 500 vajzave dhe djemve si ju që jeni këtu të pranishëm që të punësohen gjatë pikut të sezonit dhe jo vetëm të mund të nxjerrin disa kursime që nuk bëjnë keq por dhe të përfitojnë nga kjo eksperiencë. Është një eksperiencë njerëzore, një eksperiencë edhe profesionale komunikimi por është edhe një eksperiencë prej të cilës ne vetë marrim shumë informacion nga përshtypjet tuaja, nga sugjerimet tuaja që në fund të sezonit do të mblidhen në formën e një raporti të Ministrisë së Turizmit.
Jemi në një fazë të ndërmjetme do thoja dhe duke përgatitur këtë fjalë, shkëputa një frazë nga libri i famshëm i Faik Konicës “Doktor Gjilpëra” ku shkruhet se ai mori valixhen e tij në dorë, zbriti nga shkallët e ndryshkura dhe të pasigurta të anijes dhe hyri në një barkë me disa udhëtarë të tjerë. Dy policë brutalë i shtynin me të mëngjër e me të djathtë dhe udhëtarët hynin në binanë e doganës. Këtu doganierët me fytyra të palara dhe të thartuara nisnin dhe gërvishtnin plaçkat. Është shkruar shumë kohë më parë, që kur nuk mbahet mend por duket si e shkruar disa vite më parë dhe sot mund të themi se ky tregim mund të shkruhej përsëri por për raste të veçanta dhe jo si një rrëfim karakteristik i çdo kontakti me policinë apo me doganën pasi në këtë aspekt, ma ha mendja se nuk ekzagjeroj po të them se është bërë një ndryshim goxha i ndjeshëm ama i pamjaftueshëm dhe kjo nismë ka edhe funksionin e zbutjes së kujtdo që mund të ketë fatin e keq të ndeshë edhe pse jo si zakonisht por rrallë, sidoqoftë të ndeshë në punonjës policie apo në doganierë, si ata që përshkruan Faik Konica. Ky ka qenë në fakt imazhi i vendit për shumë vite e për shumë vite sektori i turizmit ishte një sipërmarrje e mundimshme personash që bënin aq sa mundnin, aq sa dinin, pa rregulla, duke ndërtuar kuturu, duke shtuar dhoma, duke shtuar kate, duke shtrirë platforma betoni mbi rërë, duke ngritur ngrehina të shëmtuara aty ku nuk duhet dhe sot mund të themi se krahasuar me ku nisëm, kemi bërë shumë progres por krahasuar me ku duhet të jemi është ende një rrugë e mundimshme shpejtësia e të cilës varet nga të gjithë ne sëbashku, jo vetëm nga ne që kemi përgjegjësinë e madhe të marrim vendimet por dhe detyrimin që vendimet të zbatohen por nga çdo qytetar i këtej vendi sepse bëhet fjalë për një pasuri të jashtëzakonshme me të cilën është abuzuar shumë në shumë vite por e cila ka ende një potencial të jashtëzakonshëm për të rritur ekonominë, për të rritur punësimin, për të transformuar imazhin e vendit.
Dje apo pardje, nuk më kujtohet saktë, një gazetë italiane, gazetë lokale e rajonit të Venetos shkruante se turistët gjermanë po largohen drejt brigjeve të Adriatikut, kanë zbuluar Shqipërinë dhe është e vërtetë që Shqipëria është një zbulim i vazhdueshëm në këto vite për shkak se ka qenë krejtësisht jashtë hartës dhe jashtë vëmendjes dhe në pamundësi për të prekur kuriozitetin e të huajve por ajo që është një sfidë më vete nuk është thjesht që vendi yt zbulohet por që nga zbulimi, ata që e prekin të kenë dëshirë të kthehen e sigurisht çdo gjë që nuk shkon si duhet, çdo episod, çdo detaj që kërcet në sytë e një turisti, në sytë e një grupi turistësh, i largon ata një herë e përgjithmonë. Çdo papastërti, çdo mosfunksionim normal i gjithë sistemit të administrimit por edhe i sistemit të mikpritjes bën që ajo që shënjohet si një arsye për të mos e kthyer më kokën mbrapa sepse janë shumë pak dhe janë shumë të rëndësishme ato ditë që turistët, edhe ata të huaj edhe ata që janë në gjendje të mirë ekonomike, të falin edhe një sekondë pa cilësi, edhe një sekondë shqetësim, jo më një episod që mbahet mend për keq.
Kjo nisëm ka të mirën se me një shpenzim të vogël, jashtëzakonisht të vogël për atë kontribut që sjell falë të gjithëve jush, e përmirëson shumë marrëdhënien e vizitorëve me vendin kudo ku këto pika kontakti funksionojnë, kudo ku këto kontakte vendosen dhe nga ana tjetër, janë shumë dhe janë inkurajuese mesazhet apo përshtypjet e turistëve vetë për shembull një prej tyre, të shkëputur, në një gazetë lokale në Gjirokastër, në një ëebsite, në një faqe, shkruhej se turistët ishin surprizuar në qafën e Muzinës për të cilën kishin dëgjuar se është një vend ku dilnin maskat dhe faktikisht aty i kishin dalë në pritë një grupe vajzash dhe djemsh nga “Smile Albania”. Në momentin e parë mbase edhe mund ti kenë marrë si një grup kriminal i sofistikuar që shfaqet si një shprehje bukurie dhe mirësie e papritur pa kujtuar do hiqte maskat por faktikisht e kundërta ishte e vërtetë dhe ky ishte një impresion pozitiv.
Një funksion tjetër dhe nuk do ta zgjas më shumë, i kësaj nisme është përfshirja në vijimësi e studentëve, e vajzave dhe djemve që janë ende në rrugën përpara se sa të hynë në atë autostradën e madhe të jetës, në realitetin e përditshëm të vendit, sipas profileve, sipas pasioneve të tyre dhe më vjen shumë mirë që edhe në këtë aspekt jemi në kushtet kur shumëçka ka ndryshuar që nga koha e protestës së studentëve falë paktit për Universitetin dhe shumë pikave që tanimë i përkasin anës së realizimeve ndërkohë që disa pika të tjera si përshembull infrastruktura e konvikteve, infrastruktura e auditorëve, e laboratorëve janë në proces por asnjë afat i vënë nuk është shkelur dhe asnjë objektiv i përcaktuar nuk është braktisur.
Marrja e këtyre praktikave të punës është pjesë e paktit dhe më vjen shumë mirë që puna që ju do të bëni pas një seleksionimi sepse ka pasur shumë më tepër kërkesa nga studentë dhe studentë si ju, deri në 10 shtator do të jetë një shërbim i bukur për vendi por do të jetë dhe një praktikë punë pozitive për ju. Duke ndarë një shifër konkrete për ta kuptuar mbase dhe në formë faktuale që të gjitha këto nuk janë fjalë në përgjithësi, që kjo nisëm nuk është thjesht e bukur në dukje, dua t’ju them se nga një anketim që ne bëmë vitin e shkuar me turistët e huaj dhe me ndihmën e grupit të “Smile Albania” po ashtu por edhe në rrugë të tjera, 87% e tyre janë shprehur të kënaqur me përvojën në Shqipëri dhe 93% e tyre kanë thënë se me kënaqësi do ta rekomandonin Shqipërinë. Nuk është pak, është shumë por kini parasysh që nëse marrim anën tjetër të medaljes, ai 7% që nuk do ta rekomandonte Shqipërinë më, nuk janë pak sepse po të kemi parasysh se fjala e keqe përhapet shumë më shpejt dhe ka më shumë efekt se sa fjala e mirë atëherë na duhet të bëjmë çmos që të gjithë e këtë nuk ua them juve, këtë ia drejtoj gjithë shoqërisë, këtë ia drejtoj çdo qytetari shqiptar që vihet në kontakt me një të huaj, këtë ia drejtoj çdo strukture mikpritjeje, çdo kamerieri, çdo menaxheri që ta ketë parasysh sepse është shumë më tepër se sa një klient, është shumë më tepër se sa një kalimtar, një turist që merr një mbresë negative. Është një zëdhënës i fjalës së keqe në një rreth shumë më të madh njerëzish se sa një njeri i vetëm e lëre më pastaj një grup turistësh që vijnë nëpërmjet një agjencie e që i shprehin pakënaqësi agjencisë për një arsye apo një tjetër. Pra dëmi është kolosal dhe po të kemi parasysh se çfarë bëjnë vendet e tjera, do t’ju sillja në vëmendje rastin e Korsikës. Korsika është një nga shembujt më fantastik të unitetit të popullit në kuptimin më brutal të kësaj fjale në raport me turistët e huaj. Është e shenjtë marrëdhënia dhe është një mirëkuptim në unitet të plotë i të gjithë korsikanëve, që nga i pari deri tek i fundit, që nga ai që të pret tek check-in i aeroportit për të vënë vulën e deri tek i fundit fare që mund të qëllojë në kontakt me ndonjë të huaj. Është krenaria për Korsikën është dhe nevoja për ta bërë çdo vizitor të kënaqur e nëse i referohemi traditës sonë, nëse i referohemi asaj për të cilën ne gjithmonë flasim me krenari që është mikpritja jonë, këtë gjë duhet secili ta ketë parasysh kur komunikon, për çfarëdo arsye me një turist të huaj sepse një turist me një përshtypje pozitive është një zëdhënës shumë i rëndësishëm por një turist me një përshtypje negative është shumë herë më i rëndësishëm në kuptimin e dëmit që mund ti sjellë vendit.
Ju falenderoj shumë për durimin heroik që keni pasur sot sepse aktiviteti do bëhej jashtë, filloi shiu, u futët brenda, këtu me gjithë investimin e bukur që është bërë jemi shumë për të na përballuar ajri i kondicionuar kështu që pritja bëhet dhe më e bezdisshme prandaj e fillova me ndjesë dhe po e mbaroj me këtë ndjesë të sinqertë që ju lash të prisni dhe ju falendeorj shumë për angazhimin, ju uroj ta keni një eksperiencë sa më të bukur e patjetër të bëni dhe qejf sepse në fund të fundit nuk keni hyrë në një punë me detyrim por e keni zgjedhur këtë me dëshirë dhe kur e keni zgjedhur me dëshirë meritoni që jo vetëm të bëni punën por t’i merrni asaj dhe gjithë kënaqësinë duke bërë dhe gjithë qejfin e nevojshëm të moshës por jo vetëm të moshës. Shumë faleminderit!