Në Floq të Korçës janë hapur kantieret e rindërtimit të shtëpive të rrënuara nga tërmeti i qershorit, ku punohet intensivisht me qëllim që asnjë familje të mos mbetet në tendat e emergjencave, në fillim të dimrit. Janë 20 shtëpi që po i nënshtrohen rindërtimit në Floq, ndërsa në total në fshtatrat e dëmtuar janë 120 shtëpi, nga të cilat 40 do ndërtohen nga themelet.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ishte sot në kantieret e fshatit Floq. Ministrja Balluku informoi se ecuria e punimeve po ecën sipas të gjitha parashikimeve për t’u përmbyllur gjithçka para fillimit të dimrit. “Këtu jemi në një nga kantieret e para, nga 20 shtëpi që kemi në Floq. Ndërkohë që kemi të hapura 14 kantiere. 1 shtëpi është dorëzuar. 4 janë drejt përfundimit dhe po hapim edhe 5 të tjerat që kanë ngelur,” – u shpreh ajo.
Familja e 80-vjeçares Vangjeli Ramollit, e përbërë nga 3 anëtarë, është e para që u strehua në shtëpinë e re. “I kemi dhënë përparësi, jo vetëm shkallës së shkatërrimit që shtëpitë kanë patur, por edhe nevojës që familja ka patur kur ka të sëmurë, ose kur ka fëmijë të vegjël,” – shpjegoi ministrja Balluku.
Ndërkohë, Kryeministri Rama ritheksoi se objektivi është që para dimrit të mos ketë njeri në tendat e emergjencës. “Më vjen shumë mirë që ka nisur hapja e dyerve. Kemi punë akoma, por objektivi është që para dimrit të mos ketë më njeri në tenda. Kryesorja është që dimri, era, shiu, i ftohti të mos i kapi njerëzit nëpër tenda. Në fakt kemi bërë dy fonde, një fond solidariteti të bashkive të tjera që ishin të socialistëve dhe edhe një fond nga fondi i fushatës të PS. Gjithashtu edhe kompanitë kanë ndërmarrë përgjegjësi sociale për të dhënë një ndihmë. Kështu që faktikisht është bërë një fond kompleks.”
Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako u shpreh se solidariteti ka qenë i madh si nga ana e institucioneve, ashtu edhe nga subjekte të ndryshme private. “Në total janë 120 shtëpi për të cilat po investohet rikonstruksioni, ndërkohë që 40 po ndërtohen nga e para. Ka filluar procedura edhe për rikonstruksionin e të gjithë të tjerave. Pastaj, gjithë banesat e tjera janë kategoria e tretë e banesave që kanë dëmtime të lehta, do t’i nënshtrohen vendimit të Këshillit të Ministrave për kompensimin dhe ka filluar procedura për riparimin e dëmtimeve të lehta. Ka patur një solidaritet edhe nga institucionet, por edhe nga subjekte të ndryshme. Besoj që i gjithë bilanci i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti do të rikuperohet shumë shpejt.”
Kryeministri inspektoi edhe disa shtëpi të tjera, të cilat ishin drejt përfundimit të ndërtimit nga themelet. Ministrja Balluku informoi gjithashtu se “brenda 10 ditëve të ardhshme do të nisin punimet për të gjitha shtëpitë e dëmtuara në Qafzezë, prej nga ku është radha për të kaluar në zonën e Ersekës.”