Nis faza e dytë e projektit të Lungomares për ta shtrirë deri në afërsi të tunelit tek Uji i Ftohtë. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli, inspektuan këtë segment, ku ka nisur prishja e ndërtimeve për t’i hapur rrugë ndërhyrjes në infrastrukturë dhe rikualifikimin urban të gjithë zonës. Pjesë e projektit do të jenë disa pishina për të rritur dhe fëmijë, hapësira pushimi buzë detit të lidhura me shëtitoren nëpërmjet shkallëve. “Parashikohet që ky projekt që ka filluar me prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje e të gjitha ndërhyrjeve që janë bërë në vite, do të kthehen përsëri në identitet, të krijohen plazhe, të krijohet shkallarja që do vazhdojë aty ku mbarojnë fushat e sportit e në drejtim të tunelit”, – the kryebashkiaku Leli.
“Kjo duhet pastruar totalisht, sepse duhet të garantohet që gjithë cilësia dhe bukuria e arritur me Lungomaren të vazhdojë të shtrihet deri tek tuneli. Kjo është faza e dytë. Faza e tretë pastaj është matanë, por nëkëtë fazë kemi këtë projekt, nga ku mbaron Lungomarja tek tuneli, që do të thotë që këtu duhet të pastrohet çdo gjë”, – tha Kryeministri Rama, i cili nënvizoi se zhvillimi që do t’i sjellë zonës do të jetë spektakolar.
***
Shkolla e Mesme e Bashkuar Mynyr Xhindi në fshatin Vllahinë të Vlorës i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë duke ofruar kështu kushte bashkohore të edukimit të nxënësve. Në këtë shkollë ku mësojnë 168 nxënës ishte i pranishëm Kryeministri Rama, ku pati edhe disa momente të këndshme mes disa fëmijëve që këtë vit nisin rrugën e dijes. Të shoqëruar nga prindërit, ata po merrnin paketën e librave, paketë që u mundësohet Falas nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Kryeministri u tha nxënësve në kat prag fillimviti shkollor se duhet të kujdesen për librat e t’i duan sepse libri është shoku më i mirë që mund të gjejnë.
***
Zemra e qytetit të vjetër, zhdukur me dekada në pluhur, rrecka, plehra, ndërtime kuturu e rrënim tragjik, po rilind me të gjithë hiret e historinë e saj. Lidhja e bulevardit të ri Ismail Qemali, me këtë zonë historike – përmes Sheshit të Flamurit, ku pas përfundimit të projektit do të nisë rindërtimi me themel – i jep Vlorës historike e turistike, një fuqi të re tërheqëse dhe burime të reja ekonomie e punësimi