Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Shtator 2019:
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, LUSHNJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike”, Lushnjë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 16 503 358.20 (gjashtëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë pikë njëzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 503 358.20 (gjashtëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë pikë njëzet) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Lushnjë.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, Bashkia Lushnjë.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, Bashkia Lushnjë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES SË PJESËMARRËSVE NË KAPITALIN E OPERATORIT TË TREGUT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/2, të nenit 57, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRITERET PËR ZGJEDHJEN E SUBJEKTEVE JURIDIKE TË CILAT DO TË MARRIN PJESË NË KAPITALIN E OPERATORIT TË TREGUT
1. Ministri përgjegjës për energjinë autorizon fillimin e procedurës konkurruese të përzgjedhjes së subjekteve juridike që marrin pjesë në kapitalin aksionar të Operatorit të Tregut në Shqipëri (përveç “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a., më tej referuar si “OST”, sh.a.”).
2. Ministri përgjegjës për energjinë dhe ministri që ushtron të drejtat e pronësisë mbi “OST”, sh.a.-në, ngrenë me urdhër të përbashkët Komisionin e Posaçëm, i cili përbëhet nga 5 (pesë anëtarë) dhe ka përbërje, si më poshtë vijon:
a) Kryetarin nga ministria përgjegjëse për energjinë;
b) 1 (një) anëtar nga ministria përgjegjëse për energjinë;
c) 1 (një) anëtar nga ministria që ushtron të drejtat e pronësisë mbi “OST”, sh.a.-në;
ç) 2 (dy) anëtarë nga “OST”, sh.a.-ja.
3. Komisioni i Posaçëm ka këto kompetenca:
a) Harton, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, dokumentet e procesit konkurrues, që specifikojnë mënyrën e zhvillimit të procesit konkurrues, për përfitimin e masave mbështetëse;
b) Harton kritere të veçanta të aplikimit dhe të kualifikimit, bazuar në përcaktimet e pikës 15, të këtij kreu;
c) Harton metodologjinë e vlerësimit, e cila është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues;
ç) Vlerëson ofertat e ofertuesve, bazuar në kriteret e kualifikimit të ofertës;
d) Harton raportin përfundimtar të vlerësimit dhe e paraqet për miratim pranë ministrit përgjegjës për energjinë dhe ministrit që ushtron të drejtat e pronësisë mbi “OST”, sh.a-në;
dh) Mund të angazhojë ekspertizë të veçantë, vendase ose të huaj, për të asistuar gjatë zhvillimit të procesit;
e) Çdo funksion tjetër bazuar në parashikimet e këtij vendimi.
4. Procedura konkurruese e përzgjedhjes do të vijojë me publikimin nga Komisioni të njoftimit për shprehjen e interesit si dhe të afatit përfundimtar për shprehjen e tij, në të paktën:
a) një gazetë kombëtare;
b) Buletinin e Njoftimeve Zyrtare;
c) dy gazeta ndërkombëtare.
5. Kostot dhe shpenzimet për procedurat konkurruese, përfshirë botimin në gazeta kombëtare dhe ndërkombëtare, hartimin e dokumenteve standarde dhe asistencën e ekspertëve të jashtëm të specializuar (nëse do të jetë e nevojshme), do të përballohen nga pjesëmarrësit e përzgjedhur në përpjesëtim me aksionet e tyre. Në rast se nuk do të ketë asnjë pjesëmarrës të përzgjedhur, këto kosto do të mbulohen nga “OST”, sh.a.-ja.
6. Komisioni vendos në dispozicion të pjesëmarrësve të interesuar dokumentet standarde për pjesëmarrjen në procedurën konkurruese me kërkesën e tyre, sipas afatit të përcaktuar në dokumentet standarde.
7. Komisioni cakton një afat për paraqitjen e propozimeve nga pjesëmarrësit, i cili në asnjë rast nuk mund të jetë më i shkurtër se 4 (katër) javë nga shpallja sipas pikës 4, të këtij kreu.
8. Dokumentet standarde të procesit konkurrues, ndër të tjera, përmbajnë:
a) formularin e njoftimit, përfshirë përshkrimin e projektit, kapitalin minimal, vlerën nominale të propozuar të aksioneve, përqindjen indikative të aksioneve të rezervuara për “OST”, sh.a.-në, afatin për të gjithë procesin, përfshirë periudhën e negociimit dhe afatin e nënshkrimit të projektstatutit dhe/ose projektmarrëveshjes së aksionarëve;
b) udhëzimet për pjesëmarrësit;
c) kriteret specifike dhe të përgjithshme për pjesëmarrjen për çdo kategori (për operatorë të tjerë të Sistemit të Transmetimit (TSO), për operatorët me eksperiencë ndërkombëtare (OEN), për pjesëmarrësit në tregut të energjisë (PTE) ose për institucionet financiare ndërkombëtare (IFN));
ç) formularin për deklarimin e konfliktit të interesit;
d) dispozitat e përgjithshme të projektstatutit të Operatorit të Tregut dhe/ose të projektmarrëveshjes së aksionarëve.
9. Në dokumenetet strandarde të procesit konkurrues të përcakohet detyrimi, si më poshtë:
a) Pas themelimit të shoqërisë, çdo transferim i aksioneve nga një palë e tretë që kërkon të marrë pjesë në kapitalin aksionar të Operatorit të Tregut duhet të marrë pëlqimin paraprak nga “OST”, sh.a.-ja.
“OST”, sh.a.-ja, në çdo rast, do të marrë edhe mendimin e ministrisë përgjegjëse për energjinë, e cila do të verifikojë përmbushjen e krietereve të aksionarit të mundshëm, në përputhje me ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, si dhe me interesin publik;
b) Në rast zvogëlimi të përqindjeve të zotëruara, të shkaktuar si pasojë e hyrjes së ndonjë aksionari të ri të Operatorit të Tregut pas themelimit të tij, ky zvogëlim do të prekë në mënyrë të barabartë pjesët e zotëruara nga operatorët e sistemit të transmetimit, të cilët do të jenë aksionarë të Operatorit të Tregut.
10. TSO-të duhet të përmbushin kërkesat e mëposhtme:
a) Të jenë një subjekt juridik i themeluar dhe i regjistruar në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian ose të Komunitetit të Energjisë;
b) Të jenë të licencuar si një Operator i Sistemit të Transmetimit në shtetin ku janë të regjistruar;
c) Në zonën e tregut ku veprojnë, nuk duhet të angazhohen në veprimtarinë e tregut të ditës në avancë ose të tregut brenda ditës (p.sh. ditë në avancë PX), të vetëm ose së bashku me operatorë të tjerë;
ç) Të mos jenë në gjendje falimentimi apo likuidimi dhe të posedojnë të gjitha autorizimet dhe miratimet e nevojshme për të hyrë në procesin konkurrues të përzgjedhjes.
11. OEN-të duhet të përmbushin kërkesat e mëposhtme:
a) Të jenë subjekt juridik i themeluar dhe i regjistruar në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian ose të Komunitetit të Energjisë ose një vend që ka nënshkruar një marrëveshje ose një memorandum me qeverinë shqiptare për bashkëpunim në sektorin e energjisë dhe bashkëpunim në lidhje me TSO-të;
b) Të kenë më shumë se 5 vjet eksperiencë në kryerjen e veprimtarisë së operimit/menaxhimit të tregut të shkëmbimit të energjisë (të tregut të ditës në avancë dhe të tregut brenda ditës) në shtetin e tij dhe/ose rajonet përkatëse të veprimtarisë, ku zbatohen rregulla tregu të ngjashme me modelin e tregut të energjisë në Shqipëri;
c) të zotërojnë dhe të përdorin plotësisht një platformë të tregut të ditës në avancë (DAM), të përshtatshme për kombinimin multirajonal (MRC – Multi Regions Coupling) të plotë, një platformë të përshtatshme për tregti ndërkufitare brenda ditës (XBID), si dhe një platformë të situacionimit dhe kompensimit (clearing), ose të ketë përdorimin e kësaj të fundit;
ç) Të provojnë që rezultatet financiare të shoqërisë kanë qenë pozitive për 3 vitet e fundit;
d) Të jenë anëtarë të plotë të kombinimit rajonal të çmimeve (PRC – Price Coupliong of Regions) dhe MRC, që të jenë në gjendje të ofrojnë konceptin Europian Serviced PX dhe të kenë akses në algoritmin Euphemia;
dh) Të jenë operatorët e emëruar të tregut të energjisë elektrike në tregun e tij të brendshëm, si dhe të paktën në tregun e një juridiksionin tjetër, për të treguar pranim dhe miratim të gjerë rregullator;
e) Të kenë eksperiencë të provuar në fillimin dhe funksionimin e plotë tregjeve të përshtatshme për operim MRC në Bashkimin Evropian në drejtim të sistemeve të IT, të procedurave të operimit dhe të rregullave të shkëmbimit;
ë) Të mos jenë në gjendje falimentimi apo likuidimi dhe të posedojnë të gjitha autorizimet dhe miratimet e nevojshme për të hyrë në procesin konkurrues të përzgjedhjes.
12. PTE-të duhet të përmbushin kërkesat e mëposhtme:
a) Duhet të jenë subjekt juridik i cili është themeluar dhe operon në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian ose të Komunitetit të Energjisë, ose në një vend që ka nënshkruar një marrëveshje ose një memorandum me qeverinë shqiptare për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe bashkëpunim në lidhje me TSO-të. Në rast se marrin pjesë me shumë se një PTE, ato që janë themeluar në vendet e TSO-ve që janë aksionarë të Operatorit të Tregut do të kenë përparësi në vlerësim;
b) Duhet të jenë të pajisur me licencën përkatëse për aktivitetin prodhimit, dhe/ose të tregtimit dhe/ose të furnizimit;
c) Duhet të kenë jo më pak se 5 vjet si pjesëmarrës dhe të operojnë në tregun e energjisë elektrike në më shumë se një nga vendet e Bashkimit Evropian dhe/ose të Komunitetit të Energjisë, si shprehje e interesit dhe e eksperiencës në tregun e energjisë elektrike;
ç) Të kenë një volum minimal vjetor të transaksioneve të energjisë elektrike mbi 100 000 MWh për 5 vitet e fundit;
d) Të mos jenë në gjendje falimentimi apo likuidimi dhe të posedojnë të gjitha autorizimet dhe miratimet e nevojshme për të hyrë në procesin konkurrues të përzgjedhjes;
dh) Në rast se ka pjesëmarrje kapitali në projekte/aktivitete të tjera të lidhura me sektorin e energjisë elektrike, duhet të japin shpjegime të plota dhe shteruese si dhe një skemë organizative në lidhje me pjesëmarrjen e tij në kapitalin e Operatorit të Tregut, që të jenë të mjaftueshme për të garantuar shmangien e çdo konflikti interesi.
13. IFN-të duhet të përmbushin kërkesat e mëposhtme:
a) Të jenë një institucion financiar i cili është themeluar kryesisht nga më shumë se një vend (por edhe institucione të tjera ndërkombëtare ose organizata mund të jenë aksionare të tij) bazuar në një traktat ose konventë dhe për këtë arsye është subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Në rast se marrin pjesë më shumë se një IFN, institucionet në të cilat Shqipëria është anëtare do të kenë përparësi në vlerësim;
b) Të japin shpjegime të plota e shteruese, si dhe të propozojnë një skemë organizative të përshtatshme në lidhje me pjesëmarrjen e tij në kapitalin e Operatorit të Tregut, në rast se ka pjesëmarrje kapitali në projekte të tjera për prodhimin e energjisë, me qëllim shmangien e çdo konflikti interesi.
14. Kërkesat konkrete specifike, që duhet të plotësohen nga pjesëmarrësit dhe dokumentet që duhet të vihen në dispozicion, përcaktohen në dokumentet standarde. Ato mund të përbejnë aspekte të detajuara të kërkesave të përgjithshme të parashikuara me sipër, por duhet të përfshijnë kërkesat e përcaktuara në pikën 15, të këtij kreu.
15. Kërkesat specifike që duhet të përmbushin pjesëmarrësit përbëhen nga:
a) Kërkesat ligjore, të cilat përmbajnë informacione lidhur me aspektet ligjore të organizimit të pjesëmarrësve, si forma e shoqërisë, statuti dhe akti i themelimit, miratimet ose autorizimet e brendshme të shoqërisë në lidhje me pjesëmarrjen në procedurë, miratimet/licencat/autorizimet e autoriteteve publike apo enteve rregullatore, identitetin e përfaqësuesve ligjorë, statusi ligjor dhe deklarata të tjera siç kërkohet dhe specifikohet në dokumentet standarde;
b) Kërkesat teknike, të cilat përmbajnë informacion lidhur me veprimtarinë tregtare të pjesëmarrësit, eksperiencën, projektet e ngjashme, zotërimin e njohurive dhe të teknologjive, mjetet financiare, përshkrimin se si pjesëmarrësi do të kontribuojë në fillimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të Operatorit të Tregut;
c) Kërkesat financiare, të cilat përmbajnë informacione mbi shumën e kapitalit që do të investohet, një fashë të përqindjes së propozuar për nënshkrimin e aksioneve dhe shumën e pjesëmarrjes në kapitalin e Operatorit të Tregut, burimin e kapitalit, stabilitetin financiar.
II. PROCEDURAT PËR PËRZGJEDHJEN
1. Propozimet e pjesëmarrësve në procedurën e konkurrimit duhet të dorëzohen brenda afatit të caktuar në dokumentet standarde të publikuara. Secili pjesëmarrës duhet të paraqesë vetëm një propozim. Konsorciume, bashkime shoqërish ose struktura të ngjashme me to nuk lejohen.
2. Përfaqësuesit e pjesëmarrësve në procedurën e konkurrimit mund të marrin pjesë në hapjen e propozimeve të paraqitura.
3. Komisioni cakton kohën, datën dhe vendin në të cilin do të bëhet vlerësimi i propozimeve.
4. Procedura e vlerësimit do të bazohet në një sistem vlerësimi me pikë, sipas metodologjisë së përcaktuar në dokumentet konkurruese dhe Komisioni do të shqyrtojë të gjitha dokumentet që përmban secili nga propozimet.
5. Për secilën kategori pjesëmarrësish, si TSO, OEN, PTE ose IFN kryhet një procedurë e ndarë vlerësimi.
6. Komisioni ka të drejtë t’i kërkojë pjesëmarrësve informacione ose dokumente shtesë në mënyrë që të arrihet një vlerësim më i mirë në lidhje me përmbushjen e kërkesave. Dokumentet shtesë do të kërkohen vetëm për të qartësuar më mirë dokumentet e dhëna në ofertën e paraqitur. Në rast se kërkohen dokumente shtesë, këto duhet të sigurohen brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës.
7. Pas vlerësimit të propozimeve nga secili anëtar, Komisioni harton përmbledhjen e pikëve për çdo pjesëmarrës në secilën kategori dhe përgatit një renditje përfundimtare.
8. Në rast se më shumë se një pjesëmarrës ka të njëjtin numër pikësh, Komisioni shqyrton përsëri dokumentacionin që i përket këtyre pjesëmarrësve, me qëllim që të identifikojë kombinimin më të mirë të përmbushjes së kritereve të përgjithshme dhe të atyre specifike nga këta pjesëmarrës, duke marrë parasysh, gjithashtu, se si ky kombinim do të shërbente për qëllimin e themelimit të Operatorit të Tregut.
9. Pjesëmarrësi që ka rezultatin më të lartë do të jetë fituesi në kategorinë e dhënë.
10. Në bazë të renditjes së pikëve të marra, Komisioni mund të zgjedhë më shumë se një TSO (përveç “OST”, sh.a.-së), OEN, PTE dhe IFN, për t’u kualifikuar si pjesëmarrës në strukturën e kapitalit, brenda përqindjes së aksioneve që janë rezervuar për atë kategori, sipas legjislacionit përkatës, duke pasur parasysh edhe përqindjen e propozuar nga ofertuesit e përzgjedhur në ofertën e tyre.
11. Komisioni përgatit një raport përmbledhës për ministrin përgjegjës për energjinë dhe ministrin që ushtron të drejtat e pronësisë mbi “OST”, sh.a.-në. Pas miratimit të raportit nga dy ministrat, Komisioni njofton fituesit për secilën kategori, sipas rastit. Raporti përmban:
a) objektin e procedurës së konkurrimit;
b) një përmbledhje të procedurës së ndjekur;
c) numrin e propozimeve të paraqitura dhe një përmbledhje të secilit propozim;
ç) kriteret e vlerësimit të propozimeve dhe vlerësimin sipas këtyre kritereve të çdo propozimi;
d) renditjen e pjesëmarrësve sipas vlerësimit nga Komisioni dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur për secilën kategori.
12. Ministri përgjegjës për energjinë njofton “OST”, sh.a.-në dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur për të filluar negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së aksionarëve dhe të statutit të Operatorit të Tregut.
13. Ministria përgjegjëse për energjinë njofton, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalenderike, për arsyet e shkualifikimit, pjesëmarrësit të cilët nuk janë përzgjedhur. Kundër vendimit të ministrisë për shkualifikim, pjesëmarrësit kanë të drejtën e ankimit, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit të shkualifikimit. Numri i saktë i aksioneve që do të nënshkruhen ndërmjet aksionarëve të përzgjedhur të kategorisë së TSO-ve (përfshirë “OST”, sh.a.-në) do të negociohet ndërmjet tyre, duke marrë në konsideratë përqindjen e aksioneve të propozuara nga secili TSO në procesin e përzgjedhjes. Në rast se aplikon vetëm një TSO (përveç “OST”, sh.a.-së) dhe ky TSO i përzgjedhur nuk kërkon të nënshkruajë të gjithë pjesën e mbetur të kapitalit aksionar të rezervuar për kategorinë e TSO-ve të tjera, por vetëm një përqindje të caktuar të saj, si dhe pas identifikimit të përqindjes së aksioneve që do të nënshkruhet nga OST, sh.a-ja, pjesa tjetër e aksioneve të kategorisë së TSO-ve që ka mbetur e panënshkruar do të nënshkruhet nga “OST”, sh.a-ja.
14. Brenda aksioneve të mbetura për IFI-të e mundshme, në rast se një IFI nuk nënshkruan të gjithë kapitalin aksionar në dispozicion, një IFI të dytë e cila plotëson kushtet, sipas renditjes, do të ftohet për të nënshkruar. Në rast se IFI-ja e dytë nuk pranon ose nuk ka ndonjë IFI tjetër të zgjedhur, mund të negociohet me IFI-në e parë përsëri. Në rast se asnjë IFI nuk nënshkruan të gjithë ose një pjesë të mbetur të kapitalit aksionar të disponueshëm për kategorinë e IFI-ve, atëherë “OST”, sh.a.-ja, dhe aksionarët e tjerë të kategorisë së TSO-ve në rast se pranojnë, nënshkruajnë (dhe ndajnë në mënyrë të barabartë mes tyre) pjesën e mbetur të aksioneve të kësaj kategorie.
15. Brenda aksioneve të mbetura për OEN-të, në rast se një OEN nuk nënshkruan të gjithë përqindjen e kapitalit aksionar në dispozicion të kësaj kategorie, atëherë pjesa e mbetur i ofrohet një OEN-je të dytë, e cila i plotëson kushtet, sipas renditjes. Në rast se asnjë OEN nuk nënshkruan të gjithë ose një pjesë të mbetur të kapitalit aksionar të disponueshëm për kategorinë e OEN-ve, atëherë “OST”, sh.a.-ja, dhe aksionarët e tjerë të kategorisë së TSO-ve, në rast se pranojnë, nënshkruajnë (dhe ndajnë në mënyrë të barabartë mes tyre) pjesën e mbetur të aksioneve të kësaj kategorie.
16. Brenda aksioneve të mbetura për PTE-të, në rast se një PTE nuk nënshkruan të gjithë përqindjen e kapitalit aksionar në dispozicion të kësaj kategorie, atëherë pjesa e mbetur i ofrohet një PTE-je të dytë, e cila i plotëson kushtet, sipas renditjes. Në rast se asnjë PTE nuk nënshkruan të gjithë ose një pjesë të mbetur të kapitalit aksionar të disponueshëm për kategorinë e PTE-ve, atëherë “OST”, sh.a-ja, dhe aksionarët e tjerë të kategorisë së TSO-ve, në rast se pranojnë, nënshkruajnë (dhe ndajnë në mënyrë të barabartë mes tyre) pjesën e mbetur të aksioneve të kësaj kategorie.
17. Negociatat ndërmjet pjesëmarrësve të përzgjedhur dhe “OST”, sh.a.-së nuk do të ndikojnë në kushtet themelore të marrëveshjes së aksionarëve dhe të statutit, siç janë publikuar në dokumentet standarde. Ministria përgjegjëse për energjinë mund të vendosë të ndryshojë vlerën nominale të aksioneve nëse kjo kërkohet nga aksionarët negociues dhe është vendimtare në arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet tyre.
18. Marrëveshja e aksionarëve dhe statuti do të ndryshohen, për aq sa kërkohet, me qëllim që:
a) të pasqyrojë ndryshimet e kërkuara ose të negociuara pas procedurave të konkurrimit;
b) të plotësojë të gjitha boshllëqet;
c) të bëhet korrigjimi i gabimeve dhe i mangësive.
19. Në rast se negociatat nuk përfundohen me nënshkrimin e marrëveshjes së aksionarëve dhe statutit brenda një afati prej 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditësh, ministria përgjegjëse për energjinë mund të vendosë të ftojë për negociata pjesëmarrësit e tjerë që kanë marrë pjesë në proces në bazë të pikëve të vlerësimit të dhëna nga Komisioni. Në rast se nuk ka pjesëmarrës për një kategori të caktuar, ministria do të rihapë procedurat e përzgjedhjes dhe do të krijojë një Komision të ri, sipas parashikimeve të kreut I.
III. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Ministria përgjegjëse për energjinë dhe ministria përgjegjëse për ushtrimin e të drejtave të pronësisë mbi “OST”, sh.a.-në duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për emërimin e Komisionit, sipas kreut I, të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A8666, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM NËN FONDIN E BESIMIT SHUMËDHURUES, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR 2, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR 2, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.81, DATË 20.2.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0A8666, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën fondin e besimit shumëdhurues, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar 2, për financimin e projektit për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar 2, miratuar me vendimin nr.81, datë 20.2.2019, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT KOORDINUES TË MINISTERIALIT TË MBROJTJES SË EVROPËS JUGLINDORE (SEDM-CC) DHE TË KOMITETIT DREJTUES POLITIKO-USHTRAK / FORCËS PAQERUAJTËSE SHUMËKOMBËSHE TË EVROPËS JUGLINDORE (PMSC/MPFSEE) NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të marrëveshjes dhe të protokollit shtesë “Për krijimin e Forcës Shumëkombëshe të Evropës Juglindore”, ratifikuar me ligjin nr.8544, datë 4.11.1999, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Sekretariatit të Komitetit Koordinues të Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore (SEDM-CC) dhe të Komitetit Drejtues Politiko-Ushtarak / Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe të Evropës Juglindore (PMSC/MPFSEE) në Shqipëri, në varësi administrative të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim bashkërendimin e veprimtarisë së SEDM-CC-së dhe të PMSC/MPFSEE-së.
2. Sekretariati i SEDM-CC-së dhe i PMSC/MPFSEE-së të funksionojë deri më 1.7.2021.
3. Sekretariati i SEDM-CC-së dhe i PMSC/MPFSEE-së do të ketë kryetar zëvendësministrin e Mbrojtjes dhe do të përbëhet nga personel civil e ushtarak, si më poshtë vijon:
a) 3 (tre) specialistë – civilë;
b) Oficeri i shtabit për operacionet – ushtarak;
c) Nëpunësi i protokollit – ushtarak;
ç) Përgjegjësi i administratës – ushtarak.
4. Personeli civil i Sekretariatit emërohet dhe lirohet nga detyra nga ministri i Mbrojtjes, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës, ndërsa personeli ushtarak emërohet dhe lirohet nga detyra nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
5. Ministria e Mbrojtjes të sigurojë mjediset dhe pajisjet e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë e për funksionimin e Sekretariatit.
6. Paga e punonjësve civilë në pozicionet “Specialist” të jetë ajo e kategorisë IV-a, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë. Personeli ushtarak i Sekretariatit të trajtohet me pagë sipas gradës, në përputhje me nenin 20, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e ushtarakëve të Forcave të Armatosura.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
8. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2018 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR INFRASTRUKTURËN KOMUNALE V”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi për infrastrukturën komunale V”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, PËR FORCIMIN E KAPACITETEVE TË AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për forcimin e kapaciteteve të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E LIQENIT TË FIERZËS SI ZONË BASHKËMENAXHUESE PESHKIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e liqenit të Fierzës, hapësirë ujore me interes për peshkimin, si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi.
2. Organizata e menaxhimit të peshkimit, brenda 12 muajve, nga data e shpalljes së kësaj zone, përgatit planin e bashkëmenaxhimit për liqenin e Fierzës, i cili miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për peshkimin.
3. Veprimtaritë dhe investimet që do të kryhen në zonën bashkëmenaxhuese të liqenit të Fierzës duhet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe për zonat e mbrojtura si dhe të mbahet në konsideratë qëllimi parësor i prodhimit të energjisë elektrike. Kontrata për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit, që do të lidhet me Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit, dhe plani i bashkëmenaxhimit të peshkimit për këtë zonë do të marrin pëlqimin paraprak nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), sh.a.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA