Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Deklaratë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!

Së pari më duhet të them se përtej të zakonshmes, që në këto raste imponon fjalë kortezie protokollare, jam shumë mirënjohës për vizitën e sotme të Presidentit Tusk, i cili rikthehet në Shqipëri dhe është sot, këtu në Shqipëri dhe në rajon, në funksion të asaj që ka qenë qysh ditën e parë, një prej pikave të palëvizshme të referimit të lidershipit të tij, procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që sot pata mundësinë ta falënderoj Presidentin, këtu në Tiranë, për gjithçka ka bërë dhe gjithashtu të ndaj me të edhe një moment të veçantë për mua dhe për ne, shpresoj edhe për të, duke i akorduar Yllin e madh të mirënjohjes dhe në atë rast, duke ndarë edhe disa momente të rëndësishme, jo vetëm simbolikisht, në historinë e përbashkët mes vendit të tij dhe vendit tonë.

Më vjen po ashtu shumë mirë ta nënvizoj dhe qartësinë me të cilën Presidenti Tusk është shprehur gjithnjë për këtë proces dhe padiskutim të çmoj para gjithë opinionit tonë publik përpjekjet e tij konstante, si një avokat i procesit të zgjerimit dhe i procesit të afrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, specifikisht të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Nuk po zgjatem më shumë. Besoj se sot, më e rëndësishme për qytetarët tanë është të dëgjojnë çfarë ka për të thënë Presidenti Tusk, i cili është këtu posaçërisht për të folur për ta dhe për të dhënë një mesazh publik.

Shumë faleminderit edhe njëherë, Zoti President!

Presidenti Donald Tusk: Mirëdita të gjithëve!

Më  lejoni t’iu falenderoj Kryeministër, i dashur mik, i dashur Edi, për mirëseardhjen e ngrohtë. Gjithmonë kthehem në Shqipëri me kënaqësi. Me lejoni t’iu falënderoj gjithashtu, edhe për nderin e madh që më bëtë, duke më dhënë Medaljen e Mirënjohjes Publike. Sot, ju më thatë që unë e meritoj këtë medalje, jo vetëm personalisht, por edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, për mbështetjen e dhënë dhe jam shumë krenar ta marrë këtë yll të madh, këtë mirënjohje, por medalja më e madhe për mua do të ishte në fakt çelja e negociatave për Shqipërinë.

Kur kam qenë në Tiranë, prillin e shkuar, unë fola për ëndrrën që kam për vendin juaj dhe për të gjitha rajonin, për të ndjekur të njëjtin rrugëtim si vendi im, Polonia, drejt Bashkimit Europian. Sot, një  vit më pas mund të them që në sajë të përpjekjeve tuaja, ne i jemi afruar këtij objektivi. Jemi më afër tij dhe askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël, as këtu në Tiranë e as në të gjitha kryeqytetet e Bashkimit Europian.

Në qershor, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian u angazhuan për të dhënë një vendim të qartë dhe substantiv për çeljen ose jo të negociatave me ju dhe me fqinjën tuaj Maqedoninë e Veriut në tetor të këtij viti. Po i afrohemi gjithmonë dhe më shumë këtij momenti. Unë kam qenë gjithmonë i mendimit që BE duhet të çelë negociatat, pra, këto bisedime për anëtarësim si me Shqipërinë, ashtu dhe me Maqedoninë e Veriut, në përputhje kjo me rekomandimin pozitiv të Komisionit. Nuk  e kam ndryshuar mendjen, vazhdoj të jem i të njëjtit mendim. Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta, ashtu siç janë trajtuar dhe të gjitha vendet e tjera dhe do trajtohen vendet tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të qenit vend anëtar në BE.

Në takimin e sotëm, ne diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar, pra, për sundimin e ligjit. Ky fiksim apo obsesion i Bashkimin Europian me sundimin e ligjit  dhe  madje do të shtoja dhe dy elementë të tjerë, si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi është pjesë e ADN tonë dhe ka për të qenë dhe ka për të vazhduar të jetë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar. Përndryshe, projekti europian nuk do të qëndronte dot në themele të forta. Por po aq e rëndësishme është edhe fakti që anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin më të mirë të të gjithë Europës, pasi nuk do të mund të ketë Europë të sigurt dhe stabël pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE, pasi këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes tonë të përbashkët. Kjo do të thotë që askush nuk po i bën askujt ndonjë nder. Faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.