Takim i kryeministrit Edi Rama me shtabin e emergjencës në Durrës
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë për gatishmërinë dhe shpejtësinë!
Siç e diskutuam në mbledhjen e mëparshme të përbashkët të grupit parlamentar të qeverisë dhe të kryetarëve të bashkive, ndarja e punës është e qartë, një pjesë në Tiranë, një pjesë në Durrës. Qëllimi është që të mbulojmë me shpejtësi të gjitha pikat për kontakt. Sepse, me të drejtë njerëzit tani që ka kaluar momenti dramatik, fillojnë shikojnë nga dera për ardhjen inspektimeve për verifikimin e dëmeve. Kjo do të kërkoje kohë, sepse nuk bëhet dot brenda 24 orësh, po njëkohësisht është shumë e rëndësishme që sot çdo familje në fshat apo qytet, në shtëpi apo pallat, të ketë një kontakt me ne.
Për këtë arsye dëshiroj që t’i falënderoj deputetët dhe kryetarët e bashkive që janë solidarë dhe të gatshëm për të mbështetur kolegët e tyre deputetë në qarkun e Durrësit. Është shumë e rëndësishme po ashtu, siç e thamë, kontakti të mos jetë thjesht një kontakt njerëzor, – është shume i rëndësishëm, shumë i domosdoshëm, – por një kontakt ku të regjistrohen aty nevojat që do të shikoni ju me sy, për të përputhur konstatimet tuaja me të gjitha konstatimet e grupeve të strukturuara të emergjencës në bashkinë e Durrësit, të Shijakut dhe të Kavajës. Ajo që ju duhet bërë tani pa humbur kohë është që të ndahen të gjithë sipas njësive administrative dhe besoj që ka një ndarje paraprake dhe me kryetarët e njësive dhe me strukturat e tjera të bashkisë, të shkojmë sipas planit dhe të trokasim derë më derë. Disa mesazhe të thjeshta që nuk kanë nevojë për ekspertë dhe për shkencëtarë.
Së pari, çfarë është konstatuar deri tani nga dëmet. Nuk përbën në asnjë rast në rrezik eminent. Por, patjetër përbën një arsye për inspektim dhe ekspertizë. Që do të thotë, plasaritjet në mure dhe shenjat e jashtme të shkaktuara nga tërmeti nuk janë domosdoshmërisht të rrezikshme, sepse në përgjithësi janë sipërfaqësore. Patjetër, që kjo nuk mund të thuhet me plot gojën dhe lehtësisht sepse mund të ketë raste ku mund të jenë shenja të një cenimi strukturor. Dhe për këtë duhet të garantohen të gjithe që do të shkojë tek secili ekspertiza e specialistëve.
Së dyti, është e rëndësishme që të kuptohet se përsa i takon tërmetit të djeshëm që pastaj u pasua me disa tërmete me magnitudë në ulje, nuk kemi asnjë arsye që të mendojmë se tërmeti i djeshëm vazhdon të jetë efektiv. Por ama, nga ana tjetër, askush nuk mund të parashikojë dot. S’është krijuar akoma dija njerëzore që të parashikojë tërmetet. Kështu që, nuk ka vend për panik. Njerëzit duhet të jenë sa më të qetë që të jetë e mundur, edhe pse kjo është një fjalë goje për ata që e kanë kaluar dhe sidomos ata që janë me fëmijë të vegjël janë komplet të mirëkuptuar në pasigurinë e tyre.
Së treti, kush ka shqetësim dhe ndjen pasiguri ka në dispozicion rreth 700 shtretër që janë atje në dy strukturat e ministrisë së Mbrojtjes dhe mistrisë së Brendshme tek Konvaleshenca, në gatishmëri për të mirëpritur dhe për të strehuar me të gjitha shërbimet çdo familje që ka nevojë për ngrohtësi dhe për mbështetje psikologjike. Nga ana tjetër, po bëhet gati infrastruktura e nevojshme te stadiumi për të pasur një pike të parë pritëse për çdo rast. Dhe kur them për çdo rast, nuk them për tërmet që pritet, por flas për çdo rast nevoje për të qenë jashtë mureve të shtëpisë dhe kaq është e mjaftueshme për ditën e sotme.
Besoj që është diçka krejt e bëshme, sepse jeni shumë dhe secili me disa kontakte kryen të gjithë ciklin e kontakteve që kemi nevojë të bëjmë sot për të lehtësuar komunikimin, gjë që nuk është e lehtë përmes mediave. Ca sepse janë të fokusuara tek alarmizimi, tek audienca dhe tek liket, ca sepse jo të gjithë janë përpara televizorit duke ndjekur shpjegimet që po bëjnë aq sa munden në hapësirat që kanë në dispozicion ministrat apo specialistët. Dhe përtej këtyre, kontakti i drejtpërdrejte nuk ka të paguar dhe është i paçmueshëm. Kështu që po ja kaloj fjalën kryetares për të dhënë një indikacion lidhur me si do bëhet ndarja e grupeve dhe pastaj të vazhdojmë direkt të jemi në terren për të kryer të gjitha kontaktet, mundësisht brenda ditës dhe pa filluar nata.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Valbona Sako: E reja nga mbledhja që bëmë në Tiranë është krijimi i grupeve të reja të punës me specialiste të veçantë. Çdo grup do të ketë një inxhinier që është inspektor, specialist te emergjencave civile dhe inxhinier ndërtimi, – ajo që tha dhe kryeministri – për të bërë të qenësishëm nëse është një dëmtim real, pra që nuk lejon të jetuarit në këto banesa, apo vazhdimësi për të identifikuar dhe nga ana financiare vlerën e saktë të dëmit. Gjithashtu, ajo që do të bëjmë është dhe krijimi i hartës dixhitale ku do të hidhet çdo banesë e dëmtuar dhe ta kemi dhe nga ana dixhitale, si dhe në bazë të ngjyrës ta kemi të evidentuar edhe nga rëndësia e dëmtimit. Pra, këto ishinm ndryshimet nga momenti i mbledhjes në Tiranë deri më sot.
Ne kemi ndërtuar bashkë me prefektin grupe, por secili nga grupet, duke filluar që tani do ketë prezencë, jo vetëm deputetësh, por dhe krybashkiakësh që po na mbështesin, si dhe ministra. Para se të vija këtu kisha takim me disa ministra të cilët ishin të interesuar për të ditur zonat për të bërë takimet me qytetarët.