Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u takua me banorë në njësinë Administrative nr.7 në Tiranë, çatia e godinës së të cilëve është rrënuar nga lëkundjet sizmike. Ndonëse disa prej familjeve më të dëmtuara iu është ofruar asistenca e nevojshme për t’u strehuar deri në riparimin e dëmeve, ata nuk kanë pranuar t’i lënë shtëpitë e tyre. Kryeministri Edi Rama ishte aty për të biseduar personalisht me ta, për t’i bindur të largohen përkohësisht drejt strukturave të pritjes në funksion të rindërtimit të çatisë së rrënuar.

Në bisedën që bëri me Donikën, një prej banoreve, shtëpia e të cilës ishte më e dëmtuara, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga deputetja e njëkohësisht Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kërkoi që familja të zhvendosej tek konvaleshenca në Durrës deri në kryerjen e riparimeve të nevojshme.

“Ishte tërmet i fortë. Faktikisht, këto godina kanë rezistuar goxha mirë. Ndërkohë që kjo duhet patjetër të riparohet, pjesa e sipërme, sepse strukturalisht besoj nuk është problem, por kjo pjesë duhet të riparohet. Etilda më tha eja urgjent se ka disa familje që nuk duan të lëvizin. Ju nuk mund  të rrini këtu. Bashkë me bashkëshortin shkoni tek konvaleshenca dhe bëni një pushim të detyruar. Pjesa lart, mesa pashë, është goxha e dëmtuar dhe është problem për ju këtu dhe komshiun përballë. Kështu që vlerësoje këtë dhe të marrim masa që të shkoni atje. Atje i keni të gjitha në dispozicion, shërbimin,” – u shpreh Kryeministri, i cili mori premtimin jo vetëm të Donikës, por edhe të fqinjëve të tjerë se për një periudhë të përkohshme, deri në riparimin e dëmeve, do të strehohen në shtëpinë e pushimit të ofruar nga Ministria e Brendshme në Durrës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.