Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Shtator 2019:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE TË VEPRAVE NDIHMËSE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE TOPOJË, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “WINDSBAB”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe të veprave ndihmëse në njësinë administrative Topojë, Qarku Fier, nga shoqëria “WINDSBAB”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “WINDSBAB”, sh.p.k.;
b) Numrin e identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L82810402A
c) Tipi centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Numri i njësive gjeneruese të burimit gjenerues të energjisë dhe kapaciteti i tyre në MW: 1 (një) turbinë me kapacitet 3 MW;
dh) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 24 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
e) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Territori në zonën Topojë, Qarku Fier;
ë) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
f) Koordinatat e tokës janë sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
g) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj, kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synim që të verifikojë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
gj) Shoqëria “WINDSBAB”, sh.p.k. ka detyrimin që:
i. të paraqesë, periodikisht, (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “WINDSBAB”, sh.p.k. dhe ministrisë përgjegjëse. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sasinë e energjisë elektrike, në masën jo më të vogël se 2% të sasisë vjetore të prodhimit ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, këto të ardhura derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.355, DATË 20.4.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN E PRONËS SHTETËRORE NË ZONËN KADASTRALE NR.2085, KARAVASTA E RE, NJËSIA ADMINISTRATIVE REMAS, BASHKIA DIVJAKË, NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE, DHE VËNIEN NË DISPOZICION PËR ZHVILLIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “NGRITJA E PLANTACIONIT ME SHEGË, GOJI BERRY, AVOKADO DHE FINGER LIME NË ZONËN E KARAVASTASË, BASHKIA DIVJAKË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në aneksin 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.355, datë 20.4.2018, të Këshillit të Ministrave, shtohet prona e paluajtshme shtetërore, kategoria e resursit “arë”, me vendndodhje dhe sipërfaqe sipas shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi, me institucion administrues Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), të vënë në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Ngritja e plantacionit me shegë, goji berry, avokado dhe finger lime në zonën e Karavastasë, Bashkia Divjakë”, me subjekt “Agro Iliria Group”, sh.p.k., me NUIS/NIPT L51320033L.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Bashkia Divjakë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT E TË PROCEDURËS PËR PAJISJEN, RIPËRTËRITJEN, REFUZIMIN DHE ANULIMIN E LEJES SË PUNËS PËR TË HUAJT, SI PUNËTORË STINORË, TË TIPIT “A/PS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 86, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të huajit i jepet leje pune e tipit “A/PS”, si punëtor stinor, nëse plotëson kriteret, si më poshtë vijon:
a) Ka hyrë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, që do të thotë me vizë, sipas llojeve të përcaktuara në nenet 21 e 22, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, ose qëndron në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) Ka një kontratë pune për të punuar si punëtor stinor, me afat deri në gjashtë muaj, për atë vit kalendarik, me një punëdhënës të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një rajon, profesion dhe afat kohor të përcaktuar;
c) Pozicioni i punës, që i ofrohet në rajonin gjeografik ku punëdhënësi i tij ushtron veprimtarinë ekonomike, nuk mund të plotësohet nga kategoritë e përcaktuara në pikën 2, të nenit 84, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt’, të ndryshuar;
ç) Plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 88, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar.
2. Kërkesa për t’u pajisur me leje pune të tipit “A/PS” bëhet nga:
a) i huaji;
b) punëdhënësi, me të cilin i huaji ka një kontratë pune/ofertë pune.
3. Personat e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën, me të dhënat personale, sipas formatit të dhënë në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Kontratë pune për të punuar si punëtorë stinorë në territorin e Republikës së Shqipërisë, me një punëdhënës të vendosur në këtë territor, që përcakton:
i. vendin dhe llojin e punës;
ii. kohëzgjatjen e punësimit;
iii. shpërblimin;
iv. orët e punës, në javë ose muaj;
v. shumën e çdo lejeje të paguar;
vi. nëse është e mundur, datën e fillimit të punës;
vii. çdo kusht tjetër pune të rëndësishëm, në përputhje me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë.
c) Dokumentacionin përkatës, sipas ligjit kombëtar për ushtrimin e profesioneve të rregulluara, në rast se aktiviteti që do të ushtrojë shtetasi i huaj është një profesion i rregulluar;
ç) Kopjen e pasaportës ose të dokumentit të identifikimit;
d) Kopje të lejes së qëndrimit, në rastin kur shtetasi i huaj që aplikon për leje pune “A/PS” është me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë;
dh) Pesë fotografi.
4. Të huajit i ripërtërihet leja e punës e tipit “A/PS” nëse plotëson kushtet e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, dhe nëse:
a) ka një ndërprerje kohore prej gjashtë muajsh nga punësimi i fundit stinor, në vitin pasardhës kalendarik;
b) është rikthyer në vendin e tij të origjinës, pas punësimit të fundit stinor, në vitin paraardhës kalendarik, me përjashtim të rastit kur ka qëndruar në mënyrë të ligjshme për një motiv tjetër nga punësimi stinor.
5. Personat e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin e përcaktuar në pikën 3, të tij, në:
a) zyrën përkatëse të punësimit, në territorin e së cilës punëdhënësi, pranë të cilit do të punësohet, ushtron veprimtarinë ekonomike dhe nëse është me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, nëse punëdhënësi, pranë të cilit do të punësohet, e ushtron veprimtarinë ekonomike në më shumë se një rajon gjeografik dhe nëse është me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë;
c) përfaqësinë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, në vendin e tij të origjinës ose në përfaqësinë diplomatike që mbulon vendin e tij të origjinës.
ç) portalin e-Albania.
6. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive /zyra përkatëse e punësimit, pasi shqyrton dokumentacionin dhe vlerëson se ai nuk është në përputhje me kërkesat e pikës 3, të këtij vendimi, i kërkon të huajit plotësimin e këtij dokumentacioni brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
7. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/zyra përkatëse e punësimit ia kthen kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur të huajit, nëse ai nuk e ka plotësuar atë brenda afatit të përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi.
8. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/zyra përkatëse e punësimit, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur sipas pikës 3, të këtij vendimi, vlerëson që punëtori stinor është në gjendje të përballojë koston e jetesës dhe nuk do t’i drejtohet sistemit të asistencës sociale në Republikën e Shqipërisë.
9. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/zyra përkatëse e punësimit, pasi merr dokumentacionin e plotë apo pas plotësimit të tij brenda afatit të përcaktuar, vlerëson nëse ai i përmbush kriteret e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe e pajis të huajin, brenda afatit ligjor të përcaktuar në pikën 5, të nenit 71, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me leje pune të tipit “A/PS”, sipas formatit të dhënë në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/zyra përkatëse e punësimit ia refuzon të huajit pajisjen me leje pune të tipit “A/PS”, i cili, megjithëse ka plotësuar dokumentacionin e përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, nuk plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të tij, ose është në kushtet e përcaktuara në pikën 16, të këtij vendimi.
11. Nëse kërkesa është paraqitur pranë përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendin e origjinës të të huajit ose në përfaqësinë diplomatike që mbulon vendin e origjinës të të huajit, kjo e fundit, nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për çështjet konsullore, ia përcjell dokumentacionin drejtorisë që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në ministrinë që mbulon çështjet e punësimit.
12. Ministria që mbulon çështjet e punësimit, nëpërmjet drejtorisë që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, e përcjell dokumentacionin e paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive/zyrën përkatëse të punësimit, sipas kompetencës territoriale që ato kanë.
13. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/zyra përkatëse e punësimit, për pajisjen/refuzimin e të huajit të lejes së punës të tipit “A/PS”, ndjek procedurat e përcaktuara në pikat 6, 7, 8, 9 e 10, të këtij vendimi.
14. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive/zyra përkatëse e punësimit, nëpërmjet drejtorisë që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit në ministrinë që mbulon çështjet e punësimit, përcjell në ministrisë përgjegjëse për çështjet konsullore njoftimin për pajisjen/refuzimin e lejes së punës të tipit “A/PS”.
15. Ministria përgjegjëse për çështjet konsullore njofton përfaqësinë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, në vendin e origjinës së të huajit, për pajisjen/refuzimin e lejes së punës të tipit “A/PS”.
16. Të huajit i refuzohet lëshimi i lejes së punës të tipit “A/PS” edhe nëse vërtetohet njëra nga situatat e përcaktuara në nenin 77, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar.
17. Të huajit i anulohet leja e punës e tipit “A/PS” nëse vërtetohet njëra nga situatat e përcaktuara në pikën 1, të nenit 80, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar.
18. I huaji, të cilit i refuzohet ose i anulohet leja e punës e tipit “A/PS”, njoftohet me shkrim dhe ka të drejtën e ankimimit, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 2, të nenit 81, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar.
19. Leja e punës e tipit “A/PS” përfundon nëse plotësohen kriteret e përcaktuara në nenin 78, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar.
20. I huaji, i cili pajiset me leje pune të tipit “A/PS”, para marrjes së kësaj lejeje detyrohet të paguajë tarifën prej 6 000 (gjashtë mijë) lekësh.
21. Drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit, në ministrinë që mbulon çështjet e punësimit, monitoron, në mënyrë periodike, procedurën e ndjekur nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe zyrat përkatëse të punësimit për dhënien e lejes së punës të tipit “A/PS”.
22. Vendimi nr.75, datë 12.2.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit e të procedurës për pajisjen, refuzimin dhe anulimin e lejes së punës, si punëtor stinor, të tipit “A/PS””, shfuqizohet.
23. Ngarkohen ministria që mbulon çështjet e punësimit, ministria përgjegjëse për çështjet konsullore, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe zyrat përkatëse të punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN SI “ZONË TË LIRË” TË NJË PJESE TË TERRITORIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PORTO-ROMANO
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 216, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin si “Zonë të lirë” të një pjese të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në Porto-Romano.
2. Planvendosja e zonës së lirë dhe pikat e hyrjes e të daljes përcaktohen në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ushtrimi i veprimtarisë në zonën e lirë do të autorizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas plotësimit nga aplikuesi të kushteve dhe të kritereve të parashikuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi për këtë qëllim.
4. Të gjitha shpenzimet për rrethimin e zonës së lirë, plotësimin e kushteve të punës dhe për sistemet e monitorimit me videokamera e të ndriçimit për ushtrimin e mbikëqyrjes nga autoritetet doganore, të përcaktuara në legjislacion, do të kryhen me shpenzimet e aplikuesit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T Ë R
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT PËR VITET 2019-2020, PËR ZBATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË LUFTËS KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIQEVE TË PALIGJSHME DHE TERRORIZMIT 2013-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit për vitet 2019-2020, për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, sipas fushave të përgjegjësisë të përcaktuara në planin e veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN SI “ZONË TË LIRË”, TË NJË PJESE TË TERRITORIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PORTO-ROMANO
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 216, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
6. Përcaktimin si “Zonë të lirë” të një pjese të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në Porto-Romano.
7. Planvendosja e zonës së lirë dhe pikat e hyrjes e të daljes përcaktohen në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Ushtrimi i veprimtarisë në zonën e lirë do të autorizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas plotësimit nga aplikuesi të kushteve dhe të kritereve të parashikuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi për këtë qëllim.
9. Të gjitha shpenzimet për rrethimin e zonës së lirë, plotësimin e kushteve të punës dhe për sistemet e monitorimit me videokamerat e ndriçimit, për ushtrimin e mbikëqyrjes nga autoritetet doganore, të përcaktuara në legjislacion, do të kryhen me shpenzimet e aplikuesit.
10. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Toni Gogu, zëvendësministër i Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I HIDROCENTRALEVE “STRANIK” DHE “ZALL TORE”, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE STRAVAJ, BASHKIA PËRRENJAS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i hidrocentraleve “Stranik” dhe “Zall Tore”, në njësinë administrative Stravaj, Bashkia Përrenjas.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të subjektit kërkues, shoqërisë “Hidro Invest”, sh.p.k.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “tokë arë”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 5 626 988 (pesë milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 626 988 (pesë milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh, dhe shpenzimet e tjera procedurale, në vlerën 1 051 000 (një milion e pesëdhjetë e një mijë) lekë, do të përballohen nga subjekti kërkues, shoqëria “Hidro Invest”, sh.p.k.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Për likuidimin, për efekt të shpronësimit, të pronarëve të përcaktuar në tabelën bashkëlidhur, do të procedohet, si më poshtë vijon:
a) Për pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Konfirmuar”, pronarët do të likuidohen pas dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoria vendore përkatëse, të kërkesës, të kopjes së kartës së identitetit si dhe të vërtetimit për numrin e llogarisë, të lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in në zyrat e shoqërisë “Hidro Invest”, sh.p.k;
b) Për pasuritë, për të cilat në kolonën përkatëse është bërë shënimi “Pretendon pronësinë mbi parcelën sipas AMTP fituar në bazë të ligjit 7501, datë 19.07.1991”, pronarët do të likuidohen pas konfirmimit të plotë, të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoria vendore përkatëse, dhe dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë në zyrat e shoqërisë “Hidro Invest”, sh.p.k”.
7. Shoqëria “Hidro Invest:, sh.p.k., të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të pikës 6, të këtij vendimi.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoria vendore përkatëse, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me shoqërinë “Hidro Invest”, sh.p.k, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, si dhe të pezullojë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin ku do të realizohet regjistrimi i pasurisë që shpronësohet në favor të shtetit, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
9. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe shoqëria “Hidro Invest”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM I BLLOKUT TË BANIMIT NË LAGJEN “LONI DHAMO”, LUSHNJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim i bllokut të banimit në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme që shpronësohet për pasurinë e llojit “ndërtesë”, garazh, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 400 297 (katërqind mijë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasurinë e llojit “ndërtesë”, garazh, me vlerë 400 297 (katërqind mijë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë, të përballohet nga fondet e Bashkisë Lushnjë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronari i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohet për efekt shpronësimi pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Lushnjë.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, e të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PACIENTËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6/2, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Këshillit Kombëtar të Pacientëve si një mekanizëm kryesor komunikimi e këshillimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe pacientëve, i cili kryesohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, ose personi i autorizuar prej tij, dhe ka këtë përbërje:
a) Një përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, që mbulojnë çështje të sëmundjeve jo të transmetueshme (kronike);
b) Një përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, që mbulojnë çështje të sëmundjeve të transmetueshme infektive;
c) Një përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, që mbulojnë çështje të sëmundjeve të rralla;
ç) Një përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, që mbulojnë çështje të kujdesit paliativ;
d) Një përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, që trajtojnë çështje që lidhen me të sëmurët me aftësi të kufizuara;
dh) Një përfaqësues të organizatave që trajtojnë çështje të të sëmurëve talasemikë/hemofilikë;
e) Një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale;
ë) Një përfaqësues nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor;
f) Një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
2. Përzgjedhja e anëtarëve, përfaqësues të organizatave jofitimprurëse/ organizatave për Këshillin Kombëtar të Pacientëve bëhet 1 (një) herë në 3 (tre) vjet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, nëpërmjet një komisioni ad-hoc në përfundim të një procedure konkurrimi të hapur, mbështetur në kritere që vlerësojnë përparësitë e përfaqësimit dhe të gjithëpërfshirjes.
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë njofton menjëherë Këshillin Kombëtar të Pacientëve për çdo kandidat të përzgjedhur.
3. Këshilli Kombëtar i Pacientëve jep mendime e këshilla për çështje dhe vendime që lidhen me impaktin te pacientët të politikave socio-shëndetësore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së këtyre shërbimeve.
4. Këshilli Kombëtar i Pacientëve funksionon, si më poshtë vijon:
a) Këshilli mblidhet mbi bazën e një kalendari, por jo më pak se 2 (dy) herë në vit;
b) Kryetari thërret mbledhjen dhe e drejton atë. Në rast se ai nuk është i pranishëm, mbledhja drejtohet nga anëtari më i moshuar, pjesëmarrës në mbledhje;
c) Kryetari propozon rendin e ditës dhe vendos për datën e kohën e mbledhjes së radhës, përveç rasteve kur vetë Këshilli ka vendosur ndryshe;
ç) Mbledhja e Këshillit njoftohet me shkrim nga kryetari të paktën 10 (dhjetë) ditë para datës së mbledhjes. Ftesa për mbledhje duhet të përmbajë datën, orën, vendin e zhvillimit të mbledhjes, rendin e ditës dhe materialet mbështetëse, të cilat u dërgohen anëtarëve të Këshillit në formë të shkruar apo elektronike;
d) Çdo ndryshim në datën dhe kohën e vendosur për mbledhjet i njoftohet çdo anëtari, në mënyrë që të njihet me këto ndryshime;
dh) Mbledhjet zhvillohen në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe realizohen nëse në to janë të pranishëm të paktën gjysma e anëtarëve të Këshillit. Kur ky numër nuk arrihet, mbledhja shtyhet dhe mbahet brenda 24 (njëzet e katër) orëve;
e) Në çdo mbledhje të Këshillit mbahet procesverbali që pasqyron të gjitha diskutimet gjatë mbledhjes.
5. Qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit Kombëtar të Pacientëve përfundon:
a) me dorëheqjen e vetë anëtarit të Këshillit, për të cilën duhet të njoftojë me shkrim 1 (një) javë përpara organin që e ka propozuar;
b) për mospjesëmarrje në dy mbledhje radhazi;
c) në raste të tjera të parashikuara në ligj.
6. Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Pacientëve është struktura mbështetëse për Këshillin, i cili përbëhet nga 2 (dy) persona që janë pjesë e administratës së ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
7. Sekretariati i Këshillit përgatit materialet për takimet e Këshillit, njofton anëtarët e Këshillit për mbledhjet e radhës së Këshillit, mbledh e shpërndan informacione, mban procesverbalin gjatë takimit të Këshillit, zbardh dhe e shpërndan atë, si edhe ushtron detyra sipas kërkesave të Këshillit Kombëtar të Pacientëve.
8. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Pacientëve të shpërblehen sipas legjislacionit në fuqi për shpërblimin e anëtarëve të bordeve/komiteteve/komisioneve.
9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
10. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA