Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Shtator 2019:

 

V E N D I M

PËR

RREGULLAT E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SHTETËRORE PËR TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 40, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky projektvendim ka si qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (në vijim Agjencia), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, (në vijim ministri), me seli në Tiranë.

2. Agjencia, për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj, financohet nga buxheti i shtetit. Agjencia, në përmbushje të detyrave dhe të funksioneve siguron fonde nga donatorë të ndryshëm, vendas apo ndërkombëtarë. Në çdo rast, Agjencia njofton, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, ministrin që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjen e fëmijës, për fondet e siguruara nga donatorët, të cilat bëhen pjesë e buxhetit të Agjencisë.

3. Misioni i Agjencisë është promovimi, monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijës, si dhe ngritja e një sistemi të integruar funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, të abuzimit, të shfrytëzimit dhe të neglizhimit të fëmijës.

II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË

1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.

2. Agjencia, në përputhje me funksionet dhe përgjegjësitë e saj, kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Në lidhje me promovimin, monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijës:

i. organizon dhe zhvillon, në nivel lokal e kombëtar, fushata ndërgjegjësuese për promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijës, nëpërmjet punonjësve të mbrojtjes së fëmijës dhe në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse;
ii. zhvillon projekte pilot të cilat kanë në fokus fëmijët, vetë ose në bashkëpunim me organizatat;
iii. organizon dhe bashkërendon kërkime shkencore;
iv. monitoron zbatimin e ligjit dhe të dokumenteve strategjike me fokus fëmijët;
v. mban sistemin e informacionit lidhur me aktorët që punojnë për fëmijët;
vi. koordinon punën me të gjitha strukturat e qeverisjes qendrore dhe vendore, për përgatitjen e raporteve, të informacioneve dhe të statistikave lidhur me situatën e zbatimit të të drejtave të fëmijës në Shqipëri.

b) Në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e një sistemi efikas të mbrojtjes së fëmijës:

i. organizon dhe koordinon punën me të gjithë aktorët, për ngritjen e sistemit të mbrojtjes së fëmijës;
ii. mbështet strukturat e mbrojtjes së fëmijës në nivel lokal, nëpërmjet koordinimit ndërsektorial e ndërshtetas, të asistencës dhe supervizimit në menaxhimin e rasteve të caktuara, të zhvillimit të aktiviteteve profesionale, të këshillimit të institucioneve dhe të profesionistëve;
iii. administron Regjistrin Kombëtar të Fëmijëve në Nevojë për Mbrojtje dhe analizon të dhënat e nevojat për ndërhyrje;
iv. kontrollon cilësinë e shërbimit të strukturave të mbrojtjes së fëmijës, nëpërmjet monitorimit në terren, sipas një metodologjie të caktuar;
v. organizon dhe zhvillon trajnime të profesionistëve, të punonjësve të administratës dhe të sistemit të drejtësisë;
vi. vendos në dispozicion të publikut, vetë ose në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse, një linjë telefoni, për raportimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje;
vii. koordinon ndërhyrjet institucionale për mbrojtjen e fëmijës nga aksesi në materiale me përmbajtje të dëmshme ose të paligjshme.

c) Në lidhje me koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve me ministrin përgjegjës për bashkërendimin e çështjeve të të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës:

i. i paraqet ministrit, brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin vjetor të punës së vitit paraardhës;
ii. bashkëpunon me strukturat në ministri për organizimin e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës;
iii. i paraqet ministrit propozime për ndërhyrje në politika dhe legjislacion, bazuar në problematikat që rezultojnë gjatë zbatimit të legjislacionit në lidhje me fëmijët;
iv. i paraqet ministrit propozime për hartimin e udhëzimeve metodologjike, për strukturat e mbrojtjes së fëmijës në organet e vetëqeverisjes vendore.

ç) Në lidhje me koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve me institucionet dhe organizatat e tjera:

i. koordinon dhe bashkërendon punën me agjencitë homologe për menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje në aspektin ndërshtetas;
ii. mbledh të dhëna nga institucionet e tjera lidhur me zbatimin e të drejtave dhe mbrojtjen e fëmijës;
iii. bashkëpunon dhe mbështet punën e organizatave jofitimprurëse në realizimin e projekteve, të programeve në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës.

d) Në lidhje me kontrollin e zbatimit të ligjit dhe vendosjen e sanksioneve administrative:

i. monitoron zbatimin e ligjit dhe fillon procedurën e kryerjes së kontrollit kur dyshon ose konstaton shkelje të ligjit;
ii. vendos sanksione për shkeljen e të drejtave të fëmijës dhe mospërmbushjen e detyrimeve ligjore nga strukturat dhe punonjësit e përcaktuar për mbrojtjen e fëmijës, të sanksionuara sipas legjislacionit në fuqi.

3. Agjencia drejtohet nga kryetari i Agjencisë, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me autoritetet shtetërore përgjegjëse si dhe me të tretët. Kryetari i Agjencisë përgjigjet përpara ministrit.

4. Kryetari i Agjencisë kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë financiare e buxhetore të institucionit, menaxhon aktivitetin e përgjithshëm lidhur me ofrimin e shërbimeve;
b) Planifikon, drejton dhe koordinon funksionimin e përgjithshëm të Agjencisë;
c) Ka përgjegjësi të plotë menaxheriale për veprimtarinë e njësive brenda Agjencisë;
ç) Shpërndan punën dhe siguron arritjen e rezultateve në kohë dhe me cilësi, sipas objektivave të planifikuar;
d) Ndjek dhe koordinon procesin e zbatimit të politikave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, nëpërmjet sektorëve që ka në varësi;
dh) Identifikon mundësitë për reduktim të shpenzimeve, me qëllim përmirësimin e politikave dhe të performancës së Agjencisë;
e) Bashkërendon veprimtarinë me institucionet e tjera që kanë detyrim në fushën që mbulon Agjencia, ndjek dhe raporton për detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara ku është palë Agjencia;
ë) Bashkërendon punën me institucionet monitoruese, me qëllim që konkluzionet dhe rekomandimet e monitorimit të përfshihen në programet dhe politikat që ndjek institucioni.

5. Marrëdhëniet e punës së kryetarit të Agjencisë dhe të nëpunësve të saj rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

6. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri, me propozimin e kryetarit të Agjencisë.

7. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula e Agjencisë ka shënimin identifikues “Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Logoja e Agjencisë përmban emrin e institucionit si edhe një imazh që lidhet me misionin e Agjencisë.

III. DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijës vazhdon funksionimin e saj në përputhje me strukturën dhe organikën aktualisht në fuqi.

2. Për nëpunësit civilë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësit civilë në rastet e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.

3. Vendimi nr.346, datë 29.4.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës”, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS DHE QEVERIVE TË VENDEVE TË TJERA ANËTARE TË INICIATIVËS SË GATISHMËRISË DHE PARANDALIMIT TË FATKEQËSIVE PËR EVROPËN JUGLINDORE, MBI MARRËVESHJET E VENDIT PRITËS, PËR SEKRETARIATIN E INICIATIVËS SË GATISHMËRISË DHE PARANDALIMIT TË FATKEQËSIVE PËR EVROPËN JUGLINDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe qeverive të vendeve të tjera anëtare të Iniciativës së Gatishmërisë dhe Parandalimit të Fatkeqësive për Evropën Juglindore, mbi marrëveshjet e vendit pritës, për Sekretariatin e Iniciativës së Gatishmërisë dhe Parandalimit të Fatkeqësive për Evropën Juglindore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHPALLJES DHE ADMINISTRIMIT TË PARQEVE NATYRORE BASHKIAKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME

1. Miratimin e kritereve dhe të procedurave të shpalljes dhe administrimit të parqeve natyrore bashkiake.

2. Parku natyror bashkiak (PNB) përbëhet nga sipërfaqe të cilat gëzojnë statusin e zonës mjedisore, ku strehohen elemente dhe vlera të natyrës së egër, si pyje, kullota, rezervuarë, ligatina, sipërfaqe shkëmbore e ujore dhe bregdetare, brenda territorit administrativ të bashkisë apo disa bashkive.

II. KRITERET E SHPALLJES SË PARKUT NATYROR BASHKIAK

3. Shpallen “Parqe natyrore” të gjitha ato sipërfaqe, të cilat ndodhen brenda territorit administrativ të bashkisë apo bashkive dhe plotësojnë këto kritere:

a) Të mos jenë përfshirë në Rrjetin ekzistues Kombëtar të Zonave të Mbrojtura apo që janë parashikuar për t’u përfshirë, në zbatim të dokumenteve strategjike të ruajtjes së biodiversitetit apo dhe programeve kombëtare;
b) Të jenë kryesisht zona natyrore, të ripyllëzuara, që shërbejnë për plotësimin e nevojave të komunitetit për veprimtari ekonomike, sociale dhe tradicionale;
c) Të jenë të populluara me lloje të florës dhe faunës, kryesisht të karakterit lokal;
ç) Të mos jenë habitate të llojeve të rrezikuara, të kërcënuara, të rralla dhe endemike, të cilat mbrohen në nivel kombëtar e rajonal me një akt të veçantë normativ.

III. PROCEDURA PËR SHPALLJEN E PARKUT NATYROR BASHKIAK

4. “Parku natyror bashkiak” krijohet në nivel bashkie, duke ndjekur procedurën, si më poshtë vijon:

a) Për shpalljen e parkut, hartohet një propozim ku përcaktohen rajoni që synohet të shpallet “Park natyror bashkiak”, vendndodhja, kufijtë orientues dhe objektivat e menaxhimit të tij.
b) Propozimi hartohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore në bashkëpunim me OJF-të mjedisore vendore, me institucionet kërkimore-shkencore vendore dhe me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM).
c) Të drejtën e propozimit e kanë edhe institucionet qendrore, donatorët, organizatat e shoqërisë civile të fushës, institucionet kërkimore-studimore, vendase e të huaja, duke marrë paraprakisht (me shkrim) pëlqimin e kryetarit të bashkisë.
ç) Propozimi të hartohet në përputhje me strategjitë sektoriale të veprimtarive që parashikohen të zhvillohen, planet e veprimit e programet e zhvillimit të bashkisë, në mbështetje të planit vendor dhe kërkesave të Dokumentit Strategjik të Politikave për Mbrojtjen e Biodiversitetit në Shqipëri.
d) Propozimi publikohet për një afat dymujor në këndin e njoftimeve në mjediset e njësisë/ve të vetëqeverisjes vendore ku përfshihet sipërfaqja e PNB-së propozuar, ku komuniteti dhe bizneset e zonës japin mendim, të cilat i paraqiten për shqyrtim dhe miratim këshillit të bashkisë.
dh) Me kalimin e këtij afati dhe nëse nuk ka pasur mendime/sugjerime, propozimi kalon për miratim pranë këshillit bashkiak dhe bashkia fillon procedurat për përgatitjen e studimit dhe të dokumentacionit të miratimit.
e) Me miratimin e propozimit, për shpalljen e një rajoni të caktuar “Park natyror bashkiak”, njësitë e vetëqeverisjes vendore fillojnë procedurat për hartimin e studimit dhe më pas përgatitjen e materialit për miratimin e parkut;
ë) Elementet e studimit të zonës dhe procedurat e hartimit të planit të menaxhimit hartohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në formë manuali brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura.
f) E njëjta procedurë ndiqet edhe për rastet kur propozimi paraqitet nga institucionet shtetërore dhe kërkimore-studimore, donatorët, organizatat e shoqërisë civile apo dhe kompanitë private.

5. Studimi kryhet nga një grup ekspertësh të fushës. Studimi hartohet sipas hapave të mëposhtëm:

a) Grumbullimi i bazës materiale dhe i informacioneve të nevojshme që ndihmojnë procesin e krijimit të “Parkut natyror bashkiak”;
b) Shqyrtimi i strategjive sektoriale të veprimtarive që parashikohen të zhvillohen, planeve të veprimit dhe programeve të zhvillimit të bashkisë si dhe Dokumentit Strategjik të Politikave për Mbrojtjen e Biodiversitetin në Shqipëri;
c) Shqyrtimi i planit vendor të zhvillimit të territorit;
ç) Skicimi paraprak i kufirit topografik të “Parkut natyror bashkiak” në hartën me shkallë 1:25 000, i cili më pas digjitalizohet;
d) Grumbullimi i të gjitha informacioneve të nevojshme, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionin dhe specialistët e njësive administrative të qeverisjes vendore, administratën rajonale të zonave të mbrojtura (AdZM), me banorët, shoqatat lokale dhe në nivel kombëtar.
dh) Ndërmarrja e vëzhgimeve në terren, të cilat ndihmojnë në analizat e thelluara për studimin e zonës mjedisore, të biodiversitetit e peizazhit, mjedisit në tërësi apo infrastrukturës, si dhe të modeleve të përgjithshme të zhvillimit social-ekonomik, turistik.

6. Pas përfundimit të studimit, kryetari/kryetarët i/e bashkisë/bashkive kërkon/kërkojnë miratimin paraprak nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura dhe pas marrjes së miratimit përgatitet projektvendimi për shpalljen e “Parkut natyror bashkiak”, i cili shqyrtohet në mbledhjen e radhës së këshillit/këshillave bashkiakë.

7. Në vendimin e këshillit bashkiak për shpalljen e “Parkut natyror bashkiak” përcaktohen emërtimi, sipërfaqja e përgjithshme, kufijtë, harta e digjitalizuar, objektivat e ruajtjes si dhe struktura menaxhuese.

8. Administrata e zonës/ave të mbrojtur/a në bashkëpunim me strukturat e njësisë/ve të vetëqeverisjes vendore, OJF-të dhe aktorët e interesuar, harton planin e menaxhimit brenda 1 (një) viti nga data e shpalljes së “Parkut natyror bashkiak”. Në rastet kur studimi është kryer nga institucionet dhe organizatat e tjera edhe plani i menaxhimit hartohet prej tyre.

9. Planet e menaxhimit të parqeve bashkiake miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura dhe i dërgohen për zbatim bashkive.

10. “Parku natyror bashkiak” përfshihet në Rrjetin Kombëtar të Zonave të Mbrojtura pas miratimit të planit të menaxhimit nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura.

11. AKZM-ja, me miratimin e planit të menaxhimit, e regjistron “Parkun natyror bashkiak” në portalin bazë të të dhënave kombëtare të zonave të mbrojtura dhe e përfshin në Rrjetin Kombëtar të Zonave të Mbrojtura.

IV. ADMINISTRIMI I “PARKUT NATYROR BASHKIAK” DHE ORGANET PËRGJEGJËSE

12. Në veprimtaritë administruese të “Parkut natyror bashkiak” përfshihen:

a) mbrojtja dhe konservimi në vijimësi i gjendjes natyrore, të biodiversitetit, të vlerave lokale, përfaqësuese dhe të karakteristikave të veçanta të tij;
b) këqyrja dhe kontrollet e vijueshme që evidentojnë gjendjen reale të parkut;
c) lehtësimi i kushteve dhe mbështetja për zhvillimin e studimeve, kërkimeve shkencore dhe të monitorimit në nivel lokal;
ç) përdorimi i qëndrueshëm i burimeve bionatyrore, të pyjeve, kullotave, ujërave, peshkimit, gjuetisë, territorit për qëllime ekoturistike etj.;
d) veprimtaritë promovuese, popullarizuese dhe propaganduese të vlerave të tij.

13. Mbrojtja e “Parkut natyror bashkiak” synon konservimin dhe ruajtjen e veçorive natyrore e biologjike, gjeologjike, gjeomorfologjike dhe hidrologjike kundër dëmtimit apo shkatërrimit, duke përfshirë:

a) zbatimin e teknikave ekologjike menaxhuese, që mënjanojnë ndikimet e dukurive natyrore, si dhe veprimet e dëmshme të njeriut mbi pamjen e vlerat e parkut;
b) masat e dëmtimeve nga zjarri, insektet e sëmundjet, ndotja e mjedisit, helmet, erozioni i tokës e i ujit, pyjet, peshkimi, gjuetia, kullotja etj., si dhe përdorimi i kontrolluar i mjeteve;
c) rehabilitimin dhe përmirësimin e gjendjes së tyre, përmes hartimit dhe zbatimit të projekteve që sigurojnë një administrim të qëndrueshëm të tyre si dhe shtim e gjenerim të sigurt të burimeve natyrore;
ç) përdorimin e territorit të “Parkut natyror bashkiak” dhe të burimeve natyrore, që lejohet vetëm kur siguron mbrojtjen dhe pastërtinë e tij, të gjallesave që jetojne në të, ruajtjen e mikroklimës, të regjimit ujor, të ekosistemeve, të tipareve gjeologjike dhe gjeomorfologjike, të gjetjeve arkeologjike;
d) mbrojtjen dhe përdorimin e vlerave kulturore, historike, arkitektonike, objekte arkeologjike dhe të peizazhit.

14. Mbikëqyrja dhe kontrolli i “Parkut natyror bashkiak” janë veprimtari të përhershme dhe të programuara që synojnë evidentimin e gjendjes natyrore e fizike të këtij parku dhe të mjedisit rreth tij, të rreziqeve që u kanosen, të dëmtimeve që mund të kenë pësuar, ndërhyrjeve e shërbimeve të veçanta që garantojnë jetëgjatësinë e tij, duke pasur në konsideratë që:

a) mbikëqyrja dhe kontrolli i parkut kryhen nga strukturat përkatëse të bashkisë, nga administrata rajonale e zonës së mbrojtur, inspektorati përgjegjës për mjedisin dhe pyjet, inspektorati përgjegjës për peshkimin, si dhe nga komitetet e menaxhimit të zonave të mbrojtura mjedisore;
b) rezultatet e mbikëqyrjes e të kontrollit pasqyrohen në një regjistër i cili shërben për hartimin e programeve dhe të masave për përmirësimin e gjendjes;
c) administrata rajonale e zonës së mbrojtur në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse mbikëqyr edhe objektet kulturore, historike, arkitektonike e arkeologjike që ndodhen brenda tij.

15. Organi kryesor përgjegjës për vendimmarrjet në nivel lokal është këshilli bashkiak dhe për ruajtjen, administrimin e menaxhimin e parkut janë strukturat e specializuara të bashkisë.

VI. DISPOZITA KALIMTARE

16. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të rishikohen planet e menaxhimit të parqeve që shpallen automatikisht si “Park natyror bashkiak”. Rishikimi i planeve të menaxhimit përgatitet brenda 1 (një) viti nga AKZM-ja në bashkëpunim me strukturat përkatëse të bashkisë, që përfshijnë edhe analizën e gjendjes së zonës.

17. Pas rishikimit të planeve të menaxhimit të ndiqet procedura e miratimit me urdhër të ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura dhe i dërgohen për zbatim bashkive në përputhje me përcaktimin e pikës 9, të këtij vendimi.

18. Parqet natyrore bashkiake të shpallura automatikisht të përfshihen në Rrjetin Kombëtar të Zonave të Mbrojtura pas plotësimit të pikave 16 dhe 17, të këtij projektvendimi.

19. Vendimi nr.519, datë 30.6.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e propozimit e të miratimit dhe rregullat e administrimit të parqeve natyrore rajonale”, shfuqizohet.

20. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E BUXHETIT TË VITIT 2019 PËR AGJENCINË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e programit buxhetor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2019, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e buxhetit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2019, sipas shtojcave 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

3. Vendimi nr.35, datë 23.1.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e buxhetit të vitit 2019 për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I KOMPLEKSIT TË SHKOLLAVE DHE TERRENEVE SPORTIVE FIER SHEGAN”, LUSHNJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i kompleksit të shkollave dhe terreneve sportive Fier Shegan”, Lushnjë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme që shpronësohen, për pasurinë e llojit “tokë arë”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme 60 060 (gjashtëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 60 060 (gjashtëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, në Bashkinë Lushnjë.

8. Bashkia Lushnjë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratën e lidhur nga Bashkia Lushnjë me sipërmarrësit e punimeve.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasurinë e shpronësuar, në favor të shtetit, (Bashkia Lushnjë).

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasurinë e shpronësuar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, si dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT MBI PASURITË E PALUAJTSHME, TË CILAT PREKEN NGA PUNIMET PËR TESTIMIN ME UJË TË TUBACIONIT DHE PËRFUNDIMI I PUNIMEVE, PJESË E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIC PIPELINE (PROJEKTI TAP), NË ZONAT BERAT, SKRAPAR, FIER, LUSHNJË, DEVOLL DHE KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat preken nga punimet për testimin me ujë të tubacionit dhe përfundimi i punimeve, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (projekti TAP), në zonat Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë.

2. Shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri të bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, të paraqitur në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 35 783 238.06 (tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e dyqind e tridhjetë e tetë pikë zero gjashtë) lekësh, për sipërfaqet:

⦁ 10 289 (dhjetë mijë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë) m² që shpronësohet;
⦁ 471 765.35 (katërqind e shtatëdhjetë e një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë tridhjetë e pesë) m² që merret në përdorim të përkohshëm;
⦁ 1 982 (një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) m² mbi të cilën vendoset servituti.

4. Marrja në përdorim të përkohshëm për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë për periudhën 6-mujore, 12-mujore, 18-mujore dhe 24-mujore, për zonat e nevojshme për testimin me ujë të tubacionit, si dhe përfundimin e punimeve, sipas tabelave bashkëlidhur këtij vendimi.

5. Vlera e përgjithshme, prej 35 783 238.06 (tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e dyqind e tridhjetë e tetë pikë zero gjashtë) lekësh, të përballohet nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

6. Shpenzimet procedurale, në vlerën 16 414 300 (gjashtëmbëdhjetë milionë e katërqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind) lekë, të përballohen nga shoqëria TAP AG.

7. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

8. Për likuidimin për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit mbi pasuritë e pronarëve të përcaktuar në tabelat bashkëlidhur, të procedohet, si më poshtë vijon:

a) Për pasuritë, të cilat në kolonën përkatëse kanë shënimin “Konfirmuar”, pronarët do të likuidohen pas dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore përkatëse, kërkesës, kopjes së kartës së identitetit, si dhe vërtetimit mbi numrin e llogarisë, lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, në zyrat e shoqërisë TAP AG;
b) Për pasuritë, të cilat në kolonën përkatëse nuk kanë shënimin “Konfirmuar”, pronarët do të likuidohen pas konfirmimit të plotë, lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore përkatëse, për dorëzimin e dokumentacionit të pronësisë, në zyrat e shoqërisë TAP AG.

9. Përdoruesit e tokës, të cilët kompensohen për kulturat “bujqësore”, referuar shumave respektive të pasqyruara në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, duhet të paraqesin për likuidim dokumentet, kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, vërtetimin mbi numrin e llogarisë, lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, si dhe certifikatën familjare, në zyrat e shoqërisë TAP AG.

10. Shoqëria TAP AG të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të pikave 8 dhe 9, të këtij vendimi.

11. Përfundimi i punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratat e lidhura nga shoqëria TAP AG me sipërmarrësit e punimeve.

12. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore, përkatësisht, Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga TAP AG, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.

13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore, përkatësisht, Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.