Rreth 10,000 banorë të njësive administrative Torovicë, Balldre, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakave do të përfitojnë direkt nga rikonstruksioni i rrugës Balldre – Bend. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në zonën e Torovicës, banorët e së cilës shprehen të kënaqur nga investimi, i cili u ishte premtuar prej 30 vitesh, pasi kjo rrugë prej 19.3 kilometra do të ndikojë direkt në aksesin e fermerëve të zonës drejt tregjeve.
“Rruga na ka ndihmuar. Jemi të kënaqur se ky investim nuk është bërë në 30 vite. Unë jam i djathtë, jam demokrat dhe jam shumë i kënaqur për rrugën”, tha një banor.
Krahas me përfundimin e kësaj rruge dhe aksin tjetër që do të nisë në pranverë, Shëngjin-Velipojë, Kryeministri u propozoi banorëve të bashkohen në shitje për produktet e zonës, duke rritur aftësinë e tyre negociuese në çmim e shitje, duke rritur kështu edhe mundësitë për eksportimin e tyre jashtë vendit.
“Në pranverë fillon Shëngjin- Velipojë. Ajo do jetë ndryshim historik në gjithë zonën. Me bostanin pastaj mund të behet diçka fantastike, në qoftë se ju ndiqni skemën për t’u bashkuar. Po u bashkuat ndryshon loja. Po të shikoni në Jug, ata bëjnë namin. Ata janë veç në prodhim, e bashkë në shitje. Duhet bërë ky bashkim që ta negocioni çmimin si volum dhe të negocioni për eksport. Kooperativë në shitje dhe jo në prodhim. Kjo zonë këtu e ka të shkruar në ballë që ka sukses. Duke u bashkuar, fitohet më shumë”, tha Kryeministri Rama.
Kryetari bashkisë Pjerin Ndreu theksoi se projektet në këtë zonë do të vazhdojnë edhe me ndërhyrje të tjera rehabilituese.
“Puna do vazhdojë, nuk do ndalet këtu. Do merremi me kanalet kulluese, me kanalet e dyta, intensivisht.”
Rikonstruksioni i rrugës Balldre-Bend është një projekt i financuar nga qeveria shqiptare dhe pritet të përfundojnë brenda muajit nëntor.