Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në prezantimin e programit të asistencës antiburokratike për çdo sipërmarrës vendas e të huaj, startuar nga Platforma e Bashkëqeverisjes Shqiperiaqeduam.al:
Këtë takim, jo rastësisht vendosëm ta bëjmë publik me mediat, për të përcjellë një mesazh që vlen për të gjithë të interesuarit dhe për të theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që i japim këtij shërbimi të ri, që ofrohet përmes platformës së bashkëqeverisjes për çdo sipërmarrës që has probleme burokratike.
Platforma e qeverisjes Shqipëriaqëduam.al është sprovuar tashmë si një instrument efikas për t’i ardhur në ndihmë, për të asistuar dhe për të mbështetur çdo qytetar që ngec në labirintet e administratës. Numri mesatar i njëmijë çështjeve, që nga larg mund të konsiderohen halle mikroskopike, por për atë që e ka hallin përbën një hall real në jetën dhe në familjen e vet, flet për efikasitetin e jashtëzakonshëm të këtij instrumenti.
Shumëkush, gabimisht mendon se platforma e bashkëqeverisjes është një institucion paralel, apo se platforma e bashkëqeverisjes është një tregues i mosfunksionimit të shtetit, apo që kjo platformë është një rrugë e shkurtër për të anashkaluar faktin që administrata nuk funksionon. Në fakt, e kundërta është e vërtetë.
Platforma e bashkëqeverisjes është një institucion që sot ka një formë të re, në kohën e re që jetojmë, por që ka qenë, është dhe do të jetë për sa kohë që ekziston shteti, në çdo shtet, institucioni i marrëdhënieve me qytetarin dhe i ankesave të qytetarit. Nëse do të ishte ashtu siç gabimisht kritikët apo cinikët e gjykojnë platformën, atëherë nuk do të kishte në një nga shtetet më të strukturuara të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miliona letra dhe ankesa që njerëzit, kompanitë, komunitetet i çojnë senatit dhe kongresit amerikan, apo edhe Shtëpisë së Bardhë dhe vetë Presidentit të SHBA-së, me teorinë që gjithçka duhet të funksionojë në makinerinë shtetërore dhe s’ka pse me çështjet e njerëzve të merret autoriteti politik drejtues, qeveria, nuk do të kishte rrugë për qytetarët për t’u ankuar askund dhe s’do kishte as nevojë.
Askund shteti nuk ka arritur në perfeksionin e funksionimit, që ta bëjë të panevojshme ankesën dhe ta bëjë të panevojshme rrugën e komunikimit me një instancë më të lartë, kur një instancë më poshtë nuk funksionon. Deri para pak kohësh në website-n e Presidentit të Francës ka qenë një rubrikë e dedikuar, ku çdo qytetar mund të çonte një ankesë dhe ka patur një strukturë të tërë, siç ka dhe sot, që merret në Élysées me ankesat e tyre.
Thënë kjo, për t’i dhënë një përgjigje të gjithë cinikëve dhe kritikeve, që nuk dinë çfarë thonë dhe përqeshin çdo gjë të re dhe përpjekje pozitive që bëhet për t’i çuar gjërat përpara, dua të vë theksin tek nevoja imediate që institucionet, ministritë, në radhë të parë dhe të gjitha ato institucione varësie që kanë lidhje me sipërmarrjen të kalojnë në një stad të ri të trajtimit të çdo ankese, çdo adresimi, që mund të mos jetë thjesht apo vetëm ankesë, të çdo sipërmarrësi, në një kohë të shpejtë, pa lënë që marrëdhënia mes sipërmarrësit dhe shtetit të ngecë në labirintet e burokracisë.
Është shumë e rëndësishme dhe patjetër shumë fisnike që të ndërhysh për të zgjidhur problemin e rillogaritjes së pensionit të një individi. Është shumë fisnike dhe shumë e rëndësishme të ndërhysh, për të zgjidhur problemin e llogaritjes së padrejtë të një fature energjie. Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme dhe shumë fisnike, për të zgjidhur një ngërç për çështjen e një legalizimi, të një hipotekimi, apo të një dokumenti që i duhet një individi apo një familjeje. Por jo vetëm që është shumë e rëndësishme dhe shumë fisnike, po shumë më tepër sesa thjesht për një familje, të përshpejtosh punën e një biznesi që krijon punë dhe që ushqen më shumë se një familje.
Historia e këtyre marrëdhënieve është një histori e vështirë.
Këto marrëdhënie janë përmirësuar ndjeshëm në këto vitet e fundit, por janë larg së qeni aty ku duhet dhe është e pafalshme që një sipërmarrës të presë dhe të mos dijë ku të marrë një përgjigje, kur kërkon të zhbllokojë një ngërç në aktivitetin e tij, apo kur kërkon të bëjë një investim, që do të thotë më shumë para në ekonomi dhe më shumë punë dhe mirëqenie.
Të gjithë ata që janë përzgjedhur të jenë koordinatorë të këtij rrjeti, që sot do t’i dedikohet 24 orë në 24 biznesit, në çdo ministri dhe në çdo institucion që është përcaktuar si pikë kritike për këto marrëdhënie dhe që jeni ju këtu, duhet ta kenë shumë të qartë se çfarë rëndësie, apo çfarë peshe ka kjo detyrë dhe duhet të mos lejojë që një adresim i biznesit në institucionin ku ata janë, apo në institucionin që ata mbikëqyrin, të mbetet nëpër sirtarë.
Kjo duhet filluar nga një inventar i menjëhershëm që duhet ta bëni ju personalisht në çdo Protokoll të institucionit ku jeni koordinator, për të parë çfarë ka aty që pret. E dimë të gjithë që krijimi i pritjes artificiale do të thotë korrupsion, përveçse zvarritje e paarsyeshme. Gjithë ajo pjesë e administratës ku qarkullojnë kërkesat dhe ankesat e njerëzve apo të biznesit dhe ku krijohen këto pritat që e ngecin kërkesën dhe ankesën, luan me kohën dhe luan me interesin e njerëzve për të nxjerrë një përfitim, një ryshfet.
E kemi parë sa shumë efektive ka qenë platforma e qeverisjes kundër ryshfetit, sepse jo vetëm ka zgjidhur probleme, por ka krijuar një presion mbi administratën. Sot më shumë se dje, të gjitha ata që kanë kontakte me administratën, e dinë shumë mirë se janë të kërcënuar nga rreziku që qytetari mund t’i drejtohet platformës dhe përfytyrojeni sesa herë më e lartë është shkalla e rrezikut, kur kjo lidhet me biznesin dhe sesa herë më i madh duhet të jetë presioni mbi administratën, për ta konsideruar çdo sipërmarrës një figurë ndaj të cilës duhet respekt maksimal, sepse pavarësisht gjithë mjerimit propagandistik kundër sipërmarrësve dhe pavarësisht helmit që derdhet çdo ditë, për t’i vizatuar sipërmarrësit sipas madhësisë së tyre, sa më të mëdhenj, aq më “gogol” , janë ata që mbajnë ekonominë, janë taksat e tyre që në radhë të parë krijojnë mundësi për investime. Nëse nuk do të ishin ata, nuk do të kishim mundësi të bënim investimet që bëjmë.
Çdokush që është koordinator në kabinetin e ministrit për biznesin duhet të marrë menjëherë autoritetin dhe përgjegjësinë, për të qenë në krye të detyrës 24 orë në 24 dhe për të qenë pika e referimit për çdo shkallë në administratë që duhet të përgjigjet pa humbur kohë, duke pritur tek paradhoma e ministrit, që ministri të gjejë kohën që të merret me këtë çështje. E natyrisht, kur nuk arrihet dot në mënyrë të drejtpërdrejtë të përçohet fryma dhe orientimi ligjor tek një shkallë e administratës, atëherë informohet ministri. Koordinatorët e biznesit, njësoj si koordinatorët e tjerë të platformës, nuk janë aty sekretarë për të bërë dispeçerin e informacionit, por janë autoritet përfaqësues i qeverisë për të ndërhyrë në kohë reale dhe për të zgjidhur problemin, natyrisht me mbështetjen e plotë të ministrit përkatës dhe në bashkëpunim me të, kur kjo çështje nuk shkon ashtu siç dëshiron.
I njëjti problem ka qenë edhe me koordinatorët e platformës që iu dedikuan qytetarëve. Në fillim nuk i pyeste asnjeri dhe çdo gjë duhej t’i referohej ministrit. Në fillim edhe vetë ministrat ishin skeptikë, ose ishin neglizhues, por sikundër sot, në çdo mbledhje javore të qeverisë kemi raportin e platformës dhe sot mund ta themi me krenari që 99 % e adresimeve tek platforma nga ana e qytetarëve marrin përgjigje brenda afatit, e njëjta gjë duhet të ndodhë padiskutim edhe me biznesin dhe pa humbur kohë, se me biznesin, besimi është a-ja dhe zh-ja e marrëdhënies.
Çdo shkrese që biznesi adreson në institucionet përkatëse duhet të skanohet në Protokoll dhe menjëherë të hidhet në platformën e bashkëqeverisjes, duke u dixhitalizuar dhe duke hyrë në një proces transparence që e pamundëson administratën poshtë që ta marrë shkresën dhe ta fusin në sirtar dhe të fillojë atë lojën skandaloze me kohën dhe të ngrejë atë pritën që jep mesazhin se duhet të kalosh nga unë që “ta bisedojmë atë punë dhe të shohim si do të shkojë”. Skanimi është detyra juaj e parë. Çdo mëngjes ju do ta filloni punën tek Protokolli dhe çdo pasdite, para se të ikni nga puna, ju duhet të kaloni nga Protokolli për të garantuar që nuk ka asgjë që ka mbetur atje në copën e letrës dhe nuk ka kaluar në ekranin digjital nga ku monitorohet nga shumë njerëz dhe nuk ka mundësi që të mbetet peng i monopolit të kohës.
Monopolin e kohës e merr sot një zyrtaruc atje, mban letrën në sirtar dhe ministri nuk e merr vesh fare që ka ardhur letra. Deri dje ishte legjendë që biznesi paguante për ta nxjerrë letrën nga bodrumi ku është Protokolli. Për ta çuar në katin e parë, kishte tarifë për katin e parë, kishte tarifë për katin e dytë, kishte tarifë për paradhomën e ministrit. Sot nuk është kështu, sepse i kemi kushtuar shumë vëmendje, por ama sot është koha që vonesat të eliminohen.
Ky instrument dhe eksperienca e fituar nga puna me qytetarët na jep mundësinë që ta bëjmë këtë kapërcim të madh. 10-ditëshi është shumë për biznesin, por kalimi i 10-ditëshit është në radhë të parë përgjegjësia e secilit prek koordinatorëve dhe në rast se do verifikohet që 10-ditëshi ka kaluar dhe koordinatori nuk ka raportuar më parë për këtë gjë, kjo është direkt përgjegjësi individuale e patransmetueshme dhe e padelegueshme dhe e pashfajësueshme.
Gjithë rrjeti do të monitorohet njësoj si rrjeti i dedikuar për qytetarët nga Kryeministria, nga koordinatorët të dedikuar për biznesin në Kryeministri dhe që në nivelin e kujdesit të drejtpërdrejtë dhe të mbikëqyrjes së qeverisë është ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që është përgjegjësi kryesor për gjithë procesin. Njësoj sikundër ministrat e tjerë bëjnë raportim çdo javë, apo përballen me raportin çdo javë për reagimin e institucioneve të tyre në raport me qytetarët, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka përgjegjësi për të gjithë harmonizimin e raportit mes qeverisë dhe biznesit.
Sot kemi 16 institucione ku mund të adresohet biznesi online. Do të jetë një punë më vete dhe këtë duhet ta bëjnë ministrat me një program, të paraqitur nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, sensibilizimi biznesit maksimalisht për të kaluar nga sms-të, nga letra, nga përpjekjet për të gjetur anën e pasme për të zgjidhur ngërçet, te komunikimi i drejtpërdrejtë me platformën. Kjo është një punë që do të kërkojë kohën e vet, sepse e keni parë dhe me sistemet e tjera digjitale që, pavarësisht se ato janë shumë të thjeshta, pavarësisht se përmes tyre t’i fiton kohën dhe kursen të gjitha mundimet dhe streset e tjera, ecuria e përfshirjes në këto sisteme nuk është e shpejtë. Kjo ka ndodhur kudo, kjo ndodh edhe në Shqipëri. Pavarësisht se sot, gjithkush mund ta paguajë energjinë nga telefoni, nuk ka nevojë fare të shkojë tek sportelet e OSHEE-së, shumëkush vazhdon shkon tek sportelet. Pavarësisht se sot, edhe një i moshuar, apo dikush që është në fshat dhe që nuk ka, apo nuk di të përdorë smart phone, mjafton të shkojë te posta më e aftër, te njësia administrative më e afërt, apo tek zyra të dedikuara deputetësh dhe ta marrë aty, menjëherë, asistencën dhe të mos lodhet të shkojë në zyra, shumëkush vazhdon dhe e bën.
Ama për biznesin është detyra juaj, sipas programit të ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, që në fushën e veprimtarisë së institucioneve që ju koordinoni të kontaktoi në mënyrë proaktive çdo ditë me çdo biznes dhe personalisht t’i bëni me dije që sot ekziston ky shërbim si ta marrin aksesin, pra, duke shkarkuar aplikacionin në smart phone, apo duke ngarkuar dikë në zyrën e tyre, në mënyrë që shpejtësia e komunikimit dhe shpejtësia e zgjidhjeve të bëhet eksponenciale. Është plotësisht e mundur. Njerëzit rrinë e presin për të ndërtuar një stallë në fshat, sepse del dikush atje e krijon një problem, del tjetri krijon një problem dhe duhet shkuar deri lart për të marrë një dritë jeshile, apo për të transformuar një rrënojë në një investim. Kemi patur raste që janë rrëqethëse, por jemi njohur me këto raste shumë vonë, sepse kanë qenë raste të marra peng nëpër labirintet e administratës.
Miliona euro investime të munguara dhe të vonuara pa fund për të gjitha arsyet e mos arsyes së administratës. Këto nuk duhet të ndodhin më dhe kjo teknologji na jep një mundësi që këto t’i eliminojmë fare. Ajo që më shumë se të gjitha i duhet biznesit është përgjigja. Nuk e harroj asnjëherë një sipërmarrës që më ka thënë se një “Jo” është shumë më e vlefshme, sesa një “ta shohim”. “Një ta shohim” të merr shpirtin, ndërkohë që biznesi duhet të bëjë plane, duhet të bëjë projekte, duhet të bëjë kalendar dhe do duhet të rrijë të presë “ta shohim”, çka të lë në pamundësi të plotë që ti të kesh një plan. Këtë gjë duhet ta eliminojmë.
E në këtë punë, nga sa unë kam parë nga afër me rrjetin e koordinatorëve të bashkëqeverisjes dhe nga ajo që unë vlerësoj më shumë nga të gjitha të tjerat në funksionimin e atij rrjeti, duhet pasion. Pasion i kujtdo që është koordinator. Kjo nuk është një punë rutinë, nuk është një punë që po shkoj në zyrë dhe po bëj atë 8-orëshin. Kjo është një punë e veçantë, që kërkon pasion dhe sens përkushtimi ndaj njerëzve.
Sipas shumë njerëzve, unë kryeministri i vendit nuk duhet t’i përgjigjem askujt që shkruan në telefon, sepse duhet ta bëjë shteti. Madje kam patur debate dhe me ministra për këtë punë, por ne nuk jemi Amerika, nuk jemi Kina, as India. Ne jemi një shtëpi e vogël me shumë halle dhe me njerëz që kanë nevojë për solidaritet dhe më besoni që kjo është më e vlefshme në çdo pikëpamje, sesa çdo gjë tjetër që mund të duket, apo mund të jetë e madhe. Është shumë e madhe dhe e rëndësishme që pushtetin ndikues ta vësh në dispozicion të njerëzve për ato halle, që nga larg duket sikur nuk ekzistojnë, por që ai që i ka, i ka problem jetik.
Si mundem të mos i përgjigjem njerëzve, apo të mos interesohem kur dikush më shkruan, apo të mos përcjell mesazhet e njerëzve tek ata që duhet t’i trajtojnë!
E thashë në fillim e po e them edhe në fund, senatorët e kongresmenët amerikanë – po marrim shembullin më ekstrem të një vendi super të zhvilluar dhe super funksional, – kanë stafe të tëra që merren vetëm me ankesat e njerëzve dhe merren personalisht. Merren me guvernatorët, merren me kryetarët e bashkive, të distrikteve, me të gjitha institucionet, për njerëzit dhe është baza e marrëdhënieve të punës së tyre. Këtë gjë duhet të bëjnë deputetët, këtë gjë duhet të bëjnë anëtarët e këshillave bashkiake, por patjetër që këtë gjë duhet ta bëj unë, duhet ta bëjnë ministrat, duhet ta bëjnë të gjithë.
Sensi i shërbimit është sensi me fisnik i gjithë aspekteve të fisnikërisë së shtetit apo pushtetit. Kjo është një punë që unë nuk e di sa e dini ju akoma, se çfarë stresi dhe ngarkese ka. Nëse e keni marrë përsipër, jini të vetëdijshëm që kjo është një punë që kërkon një përkushtim dhe një përgjegjësi të madhe. Por ama është një punë që po ashtu, secilin apo secilën prej jush që keni rolin e koordinatorit e pasuron me eksperiencë.
Bëja një bisedë një ditë me një gocë të vogël, nga ato që janë në rrjetin e koordinatorëve dhe më tha thelbin: “nga kjo punë kam mësuar më shumë se nga gjithë librat e shkollës për mënyrën sesi funksionon shteti dhe për ligjet dhe rregullat në këtë shtet. Është eksperiencë e madhe”.
Kështu që do t’u lutesha shumë që ta merrni me përgjegjësi maksimale dhe me një program të specifikuar, sikundër edhe me kurajën që çdo gjë që nuk shkon, ta ngrini e mos ta lini të flejë atje. Mos thoni “unë e bëra timen, tani s’kam çfarë të bëj”. Ministrat janë të orientuar që dera e zyrës së tyre hapet pa trokitur, kur një koordinator ka nevojë urgjente për ndihmën e ministrit që të zgjidhë një problem. Ashtu sikundër, drejtorët e institucioneve të varësisë janë të orientuar që koordinatori është ministri në momentin që të merr për një çështje burokratike që duhet të ndërhysh. Ama që kjo të funksionojë, nuk mjafton që autoriteti i këtij pozicioni të jetë i shkruar në letër, por duhet marrë ky autoritet. Autoriteti merret duke mos mbyllur gojën dhe duke mos ulur sytë, kur nuk e çan dot vetë, por duke thënë nuk e çaj dot vetë, sepse më pengon ky apo kjo.
Kjo është çështje pune, nuk është çështje ta mbajë mirë me “X”-n apo “Y”-n.
E fillojmë me 16 institucione, që janë institucionet më kritike për marrëdhëniet me biznesin dhe do të shtrihemi gjatë vitit 2020, edhe në institucione të tjera. Themelorja është, së pari, përkushtimi i secilit prej jush dhe i yni pa diskutim, – i imi nuk vihet në dyshim fare – dhe së dyti, po kaq e rëndësishme, sensibilizimi i të gjitha bizneseve që janë në fushën e veprimtarisë suaj. Nuk mund të ndodhë kurrë që dikush të vijë të kërkojë ndihmë, apo të kërkojë zbatimin e ligjit nga ana e institucionit përkatës, për të bërë një investim dhe të rrijë të presë. Pse duhet të presë, kë duhet të presë?! Për cilën arsye në botë duhet të presë?! Ndërkohë që duhet të vrapojmë ne, pasi ti themi “shumë faleminderit” që i ka shkuar në mend të bëjë një investim tjetër, që t’ia bëjmë jetën shumë të lehtë.
Kjo ishte arsyeja pse ne menduam që ta bëjmë publike këtë gjë, sepse është një rubrikë shumë e rëndësishme e platformës, është një shërbim i ri që ne i ofrojmë biznesit dhe një mundësi e re për shtetin dhe shoqërinë, që të marrin më shumë nga biznesi kontribut në investime dhe në punësim, në fund të ditës. Mos e harroni kurrë që një biznes përfaqëson jo thjesht biznesmenin apo biznesmenen, por familje të tëra. Një biznes i vogël, i mesëm apo i madh, është pasuri kombëtare dhe do të bëjmë çmos që ta ruajmë dhe ta zhvillojmë këtë pasuri.
Ju jeni nga sot, protagonistë në këtë proces dhe i tillë duhet ta shikoni veten dhe si të tillë duhet të veproni. Nuk dua që fjalia e fundit të jetë e hidhur, por duhet ta them dhe këtë. Askush që nuk do ta bëjë detyrën si duhet nuk do të ketë mundësi që të mbetet aty ku është, që të jemi të qartë.
Kështu që iu lutem shumë, maksimumin e përkushtimit dhe kur lodheni, thjesht kujtohuni pak për mua, që sa herë më shumë mesazhe dhe komunikime në ditë duhet të bëj me njerëzit. Kujtohuni edhe për faktin që ndërkohë që komunikimet tuaja me njerëzit do të jenë lutjet e tyre që t’i ndihmoni e t’i mbështesni, unë i kam edhe me libër shtëpie, të shoqëruar hera-herës, por kjo është një zgjedhje. E nuk ka gjë më fisnike, nuk ka privilegj më të madh, sesa të jesh në pozicionin që të ndihmosh, të mbështesësh të tjerët. Privilegj më të madh nuk ka!
Kjo nuk është fjalë e bukur apo propagandë, kjo është e lidhur me thelbin e ekzistencës tonë si njerëz.
Ju faleminderit!