Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me biznesin e madh për prezantimin e ide-propozimit për ngritjen e Fondit Shqipëria Solidare:

Shumë faleminderit, me mirënjohje për praninë tuaj!

Ndjesë për vonesën time jo karakteristike, por isha në ceremoninë e organizuar nga miqtë gjermanë për përvjetorin e unifikimit. Sinqerisht më vjen shumë mirë për përgjigjen tuaj pozitive në një kohë të shpejtë, për të qenë këtu sëbashku dhe për të çelur një bashkëbisedim mbi një ide, të cilës besoj se i ka ardhur koha.

Natyrisht nuk është sot dita për të dalë në përfundime, por është dita për të zhvilluar sëbashku një proces dhe për të kuptuar deri në fund njeri-tjetrin, lidhur me çuarjen në një stad tjetër të nivelit të përgjegjësisë sociale. Fatkeqësisht, shkak të një mjedisi shumë të ngarkuar dhe natyrisht, jo për fajin tuaj, por për fajin e politikës në radhë të  parë, shumëkush në këtë vend nuk arrin dot të vlerësojë ashtu siç duhet, kontributin e jashtëzakonshëm që të gjithë sipërmarrjet tuaja, biznesi i madh në Shqipëri, jepni për familjet e këtij vendi.

Gjatë gjithë kësaj periudhe në këtë detyrë kam patur mundësinë që të njoh dhe të shoh nga afër jo pak prej jush, përgjatë ushtrimit të përgjegjësisë sociale dhe ndjehem mirënjohës që shumëkush nga ju këtu, menjëherë pas tërmetit që tronditi vendin disa ditë më parë, u shfaq i gatshëm për të kontribuar në kurimin e plagëve. Pa asnjë zbukurim apo kompliment ka ndër ju shembuj të spikatur të të treguarit se të qenit i suksesshëm dhe të fituarit përmes talentit,  punës, fuqisë dhe imagjinatës tuaj të më shumë të ardhurave sesa pjesa tjetër e shoqërisë, nuk do të thotë asesi shkëputje nga shoqëria dhe indiferentizëm ndaj njerëzve që janë në nevojë. E për hir të së vërtetës, nëse sot numërohen jo pak familje që ndihen më mirë, sepse kanë një strehë të sigurt, apo sepse i dashuri i tyre është kthyer pas një kurimi jashtë shtetit, kjo ju dedikohet juve.

Arsyeja pse unë dëshiroj që sot të ndaj me ju, ide që mendoj se i ka ardhur koha, lidhet pikërisht me domosdoshmërinë që duke u nisur nga shembujt pozitivë që gjenden mes jush dhe duke parë nevojën, për hir të së vërtetës, që ka shoqëria, që ka qytetaria  e këtij vendi, për të kuptuar më mirë dhe për të prekur më nga afër vlerën që ju mishëroni për këtë komunitet. Ashtu sikundër për të lehtësuar të gjithë këtë barrë të madhe dhe të padrejtë mbi figurën e sipërmarrësit të suksesshëm, mbi emrat e shumëkujt nga ju këtu, që përgojohen pa të keq, si të ishin persona në kërkim, të hapim së bashku një faqe tjetër, duke vënë në dispozicion të atyre që janë më të varfër, atyre që janë në nevojë, të atyre që janë në kërkim të një ndihme të shpejtë, një mekanizëm të dakordësuar bashkërisht, për të kaluar nga vullnetarizmi spontan i shumëkujt prej jush, që për fat të keq, jo për fajin tuaj, shpeshherë funksionon fshehurazi sepse  ekspozimi kthehet në rëndesë, si pasojë e klimës së krijuar kundër jush.

E në këtë mënyrë bën të mundur një afrim natyral mes kësaj kategorie njerëzish që qëndrojnë lart dhe një shtrese të gjerë njerëzish, që duke i parë nga poshtë, rëndom me kontributin  e përkthyesve të këqij,  i lexojnë gabim.

Unë nuk e ekzagjeroj, besoj, që ndjesia ndaj biznesit të madh, ndjesia ndaj kompanive të mëdha, ndjesia ndaj atyre që bëjnë më shumë dhe fitojnë më shumë rrezikon të kthehet në një egërsi shoqërore për të gjitha motivet e gabuara.

Nga ana tjetër nuk besoj se e ekzagjeroj po të them që do më dukej e pamundur që cilido nga ju të mos ishte i gatshëm të bashkohej për të bërë të funksionojë një mekanizëm të strukturuar bashkërisht, jo vullnetar, por vullnetarisht të miratuar sëbashku.

Nuk dua të bëj historinë e mullinjve me erë të kohës së shkuar, kur figura e të pasurit identifikohej me kulakun dhe me armikun, apo kur një nga krenaritë kombëtare ishte zhdukja e sipërmarrjeve, por dua t’ia lëmë së shkuarës, duke nxjerrë prej saj një titull libri të vitit 1953, kur një ekonomist i madh shkroi për përgjegjësitë sociale të sipërmarrësit dhe ideja e tij mori pak nga pak vëmendjen dhe pastaj zuri një hapësirë konstante në jetën e kompanive të mëdha, duke arritur të përshtatej si një prej mekanizmave themelorë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, çka  është tërësisht e nënvizuar edhe nga Komisioni i Mjedisit dhe Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara.

Në fillim të viteve ’80-të, Franca aprovoi një të ashtuquajtur taksë të solidaritetit, që konvertohej mbi persona me të ardhura mbi një limit të caktuar. Një dekadë më vonë, Gjermania vendosi një taksë mbi pasurinë, si një taksë progresive solidariteti, edhe më të lartë për bizneset, me qëllim nxitjen e të gjitha forcave progresive, ku, natyrisht, në një shoqëri me sistemin që kemi zgjedhur kompanitë bëjnë pjesë, për rindërtimin e Gjermanisë Lindore. I takon vitit ’95-së një mekanizëm mbarë europian, i formalizuar në një deklaratë të biznesit europain kundër margjinalizimit social nga ana e Presidentit të Komisionit Europian të atëhershëm, Jacques Delors, një deklaratë që tanimë është transformuar në një institucion të mirëfilltë në rrjetin europian të biznesit për përgjegjshmërinë e korporatave. Detyra parësore e këtij rrjeti është të promovojë përmes kontributeve vjetore, çështje të caktuara me interes publik.

Në vitin 2018, LinkedIn shpenzoi me miliona dollarë për të ngritur kampet e refugjatëve anë e mbanë botës.

Starbuks investon çdo vit me miliona e miliona kundër analfabetizmit.

Coca-Cola ka një buxhet të veçantë për gratë.

Bosch investon kundër varfërisë dhe pro gjithëpërfshirjes sociale.

IKEA ndërton shkolla në zonat e varfra e me radhë.

Nuk jam këtu për t’ju treguar diçka që nuk e dini, por thjesht për të shfrytëzuar këtë rast për të gjithë ata që na ndjekin dhe për të nënvizuar se e vërteta është që edhe plot kompani këtu bëjnë të njëjtën gjë. Por, nëse për kompanitë që përmenda, apo për qindra mijëra, apo miliona kompani të tjera nëpër botë, kjo jo vetëm është një motiv pozitiviteti, por edhe një motiv krenarie publike. Këtu, e thashë më parë, zhvillohet gati fshehtas dhe e përsëris, jo për fajin tuaj. E pra, unë dëshiroj që të ngre sot para jush, idenë e krijimit të një fondi të Shqipërisë Solidare, për të adresuar bashkë me ju nevoja dhe halle në drejtim të atyre që janë më në nevojë dhe në hall.

Ideja bazë e këtij fondi nuk është një taksë plus që shkon në buxhetin e shtetit, por një mekanizëm  i strukturuar bashkëpunimi midis qeverisë dhe biznesit të madh, apo më saktë midis qeverisë dhe sipërmarrësve të mëdhenj. Pra, midis qeverisë dhe jush si individë, që me gjithë të drejtën e sforcimeve, stërmundimit e punës dhe fitimeve të kompanisë, në fund merrni pjesën tuaj.

Në vijim, ideja është që të biem dakord që, duke vendosur një bazë të sipërme, secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë për këtë mekanizëm solidariteti, e cila mund të jetë fare mirë 2% mbi dividentin. Jo të kompanisë, e thashë që në fillim, por dividentin tuaj.

Mekanizmi nuk do të kontrollohet nga qeveria, mekanizmi do të kontrollohet nga ju. Qeveria do të sjellë pranë jush nevojat dhe bashkë me ju, si pjesëtare e një bordi që duhet diskutuar si do të zgjidhet nga ju dhe si do të bëjë gjithë procesin, qoftë të transparencës për të gjithë ju dhe qoftë të promovimit të kontributit tuaj, të përcaktojë se cilat janë për atë sasi të përbashkët kontributi, ato halle dhe ato nevoja të menjëhershme që duhen kthyer në projekt dhe duhen realizuar në terrenin e jetës së përditshme.

Natyrisht që ambicia nuk është thjeshtë të krijojmë një rreth të mbyllur dhe që brenda këtij rrethi të mbyllur të vendosim një kontribut proporcional të detyruar dhe thjeshtë të realizojmë me shumën e këtyre kontributeve këto projekte. Ambicia jonë është që të krijojmë me biznesin e madh bërthamën e një lidershipi kombëtar, në emër të përgjegjësisë sociale dhe në funksion të Shqipërisë Solidare. Që do të thotë se ky fond i Shqipërisë Solidare të kthehet në një adresë të hapur për donacione brenda apo jashtë vendit. Për donacione nga bashkëatdhetarë, apo nga miq të këtij vendi, të cilët mund të mos jenë shqiptarë, por mund të jenë investitorë në Shqipëri, apo mund të jenë miq të Shqipërisë që i duan asaj të mirën dhe që janë të gatshëm që të kontribuojnë. Një fond, i cili do të kthehet në një lokomotivë morale.

Mund të duket një ide që bie komplet ndesh me mitin absurd të oligarkut, të pastruesit të parave, të… nuk po i sjell këtu, gjithë epitetet e urryera që nuk kanë asnjë lidhje me ju dhe janë krijuar për t’ju bërë juve të urryer, pa patur fare parasysh se çfarë në fakt prodhon kjo “të… të…” si pasojë e drejtpërdrejt, pa patur parasysh se këtu, ju jeni rreth 200 sipërmarrës, por këtu janë dhjetëra mijëra familje, janë qindra, mijëra njerëz që e kanë të lidhur ushqimin me ju.

Askush nuk e thotë që pa ju nuk ka ushqim këtu; Pa ju mbeten vetëm lumenjtë për të pirë ujë; Pa ju nuk ka shtëpi të reja. E shumë e shumë gjëra bazike, nuk po flas për shumë shërbime të tjera. Flas për gjëra bazike, por nuk mjafton ta thotë. Mund ta them unë, mund ta thotë secili prej jush, por nuk mjafton. Ka ardhur koha që kjo gjë të thuhet me forcën e shembullit, të thuhet me forcën e paraqitjes ballë për ballë me opinion publik  që as ju njeh, as nuk di më shumë sesa një çorbë emrash dhe një thes balte që derdhet çdo ditë mbi emra të caktuar, por edhe mbi të gjithë kategorinë tuaj.

Natyrisht nuk do të isha këtu dhe nuk do ta merrja përsipër këtë ide për ta shtjelluar me ju, nëse nuk do ta besoja që i ka ardhur koha dhe nëse nuk do të dija që i ka ardhur koha pikërisht sepse për ju, asnjë nga këto fjalë nuk tingëllon e huaj. Për ju, thirrja për të kontribuar nuk tingëllon as agresive dhe as absurde, sepse ju këtë gjë e bëni, kush më shumë e kush më pak, por e bëni. Për e hir të së vërtetës, me të gjitha përpjekjet për t’iu gjetur pranë një të sëmuri, apo një familjeje ku fëmijë me të gjitha 10-ta mësojnë duke mbajtur çadrën sepse nuk kanë çati, nuk  e kam hasur deri më sot një kundërshtim të vetëm, një refuzim të vetëm, një shmangie të vetme.

Nuk kanë qenë shumë, por ndërkohë që shumë të tjera janë bërë krejtësisht jashtë vëmendjes sonë dhe jashtë horizontit të informacionit tonë. Gjera, të cilat i kam mësuar më pas.

Ngritja e një kulture të solidaritetit, ngritja e një kulture të dhënies së dorës së njëri-tjetrit, kur tjetri është duke u rrëzuar, apo kur tjetri ka nevojë për një dorë që të ngrihet, nuk është një proces që fillon sot dhe nuk është as një proces që përfundon thjesht dhe vetëm duke hedhur këtë hap. Është një proces i gjatë dhe është mbi të gjitha, një proces edukimi në vazhdim në shumë aspekte të një shoqërie që për hir të vërtetës është e gatshme ta thithë idenë e solidaritetit dhe është shumë e ndjeshme kur shikon dikë që shfaqet në një video në youtube, apo në një ekran, i ekspozuar nga njerëz, për hir të së vërtetës të jashtëzakonshëm, si ata që organizojnë solidaritetin e “Fundjava Ndryshe” apo ata  të “Shqiptarët për shqiptarët”.

Ajo që besoj se mungon dhe ajo që besoj se thellohet për fat të keq, edhe si rezultat i këtyre impenjimeve sociale të këtyre dy organizatave, – se ka edhe plot të tjera, por marr dy që janë shumë më në sytë e njerëzve, – është ideja se të gjitha këto kontribute, të gjitha këto shfaqe solidariteti vijnë nga njerëzit që kanë pak më pak se të tjerët dhe nuk kanë lidhje me ju. Fryma e agresivitetit kundër përfaqësuesit të një kompanie të madhe, apo kundër këtij gogoli të “oligarkut” rritet. Ju e dini shumë mirë që jo vetëm rritet, por ushqehet dhe i keni parë që arrihet deri në pikën që dilet nëpër televizorë e flitet në emër të shoqërisë, në emër të lirisë, flitet në emër të pavarurve dhe bëhen ftesa për të djegur ndërmarrjet tuaja, bëhen ftesa për të djegur bankat, bëhen ftesa për t’iu turrur shtëpive tuaja.

Do të ishte ndoshta jo e mirëkuptueshme, por të paktën e kuptueshme, nëse do të kishim të bënim me një realitet ku një grup njerëzish me para vendosin për shoqërinë, vendosin për çdo gjë që Parlamenti miraton, por nuk ka gjë më larg të së vërtetës sesa kjo. Dhe nuk ka gjë më larg të vërtetës, sesa ideja se këtu, një grup njerëzish e ka fushë me lule, apo që kush është kompani e madhe, apo kush është biznesmen apo biznesgrua, në këtë nivel nuk ka probleme, ka vetëm fitime. Unë e di se nuk ka në këtë sallë një frymë të gjallë të vetme që nuk heq siklete, ndonjëherë deri në absurde, me administratën. Ideja që ky grup njerëzish i hap dyert vetëm nga hapat që i dëgjohen një kilometër larg, kur shkon drejt një zyre, është ireale.

E këto janë për t’iu thënë të gjithëve se diçka e rëndësishme duhet të ndryshojë, të ndryshojë për të dyja palët, nëse do t’i pranojmë si palë për lehtësi argumentimi. Ashtu siç janë kundërvendosur për nevojat e një propagande që është kriminale. Nga njëra anë, pjesa tjetër e shoqërisë dhe nga ana tjetër, të gjithë sipërmarrjet, kompanitë e mëdha, njerëzit që i drejtojnë, që janë në shumicën e tyre shqiptarë që e kanë nisur nga hiçi si gjithë të tjerët dhe që kanë arritur aty ku kanë arritur jo sepse dikush i ka marrë për dore, as sepse dikush iu ka ofruar indulgjenca për shërbime të caktuara, por sepse kanë pasur më shumë imagjinatë se të tjerët, më shumë talent se të tjerët, më shumë kurajë se të tjerët. Është shumë e thjeshtë. Pa vënë në diskutim problematikat që mund të debatohen sa të duam ende sot e gjithë ditën mbi nivelin e barazisë, konkurrencës etj., që janë shumë me lart seç ishin, por natyrisht duhet të shkojnë shumë më lart seç janë. Por kjo është temë tjetër.

Ajo që është themelore është që kush mendon se të jesh në majë dhe këtë mund ta them nga eksperienca e kjo vlen njësoj për këdo që është në majë, lëre pastaj për dikë që është në majtë të një kompanie të madhe, që duhet në fund të muajit të ushqejë qindra mijëra familje dhe me punën  e vet, me prodhimin e vet dhe me atë që i jep ekonomisë të garantojë qindra mijëra të tjera familje, e dinë shumë mirë që të jesh në majë do të thotë të jesh në mes të të gjithëve erërave, të jesh i pari që merr goditjen e çdo momenti kundër normalitetit të atmosferës, në çdo aspekt.

Unë dëshiroj thjesht të nënvizoj edhe diçka në fund, që, nga njëra anë, shteti, sado i përparuar të jetë, nuk i shpëton dot kurtheve të administratës. E kaq e vërtetë është kjo, sa nuk do të lodhem së përsërituri për të gjithë ata që nganjëherë, ose çdo ditë, kur unë flas për atë platformën e bashkëqeverisjes dhe kontaktin e drejtpërdrejtë, thonë që kjo vjen ngaqë shteti nuk bën punën e vet, që një kongresmen amerikan ka në zyrën e vet një staf sa stafi i Kryeministrit vetëm për ankesat e qytetarëve. Por për kë ankohen ata? Për Zotin? Për oqeanin?! Apo për kohën e limituar të jetës? Jo, ankohen për probleme që ju shfaqen në raport me shtetin në të gjitha nivelet e veta.

96 mijë letra merrte në vit Bashkia e Tiranës, kur unë e  drejtoja atë. Ne arritëm që t’i kthejmë përgjigje çdo letre, por, nëse Bashkia e Tiranës merr 96 mijë letra në vit, sa letra në vit merrte i gjithë shteti dhe sa letra merr  në vit  Kongresi dhe Senati amerikan, pa llogaritur letrat që shkojnë nëpër të gjithë nivelet e tjera të administratës.

Duke kaluar në një fazë të re dhe duke e bërë pa letër komunikimin, por me një klik, ne i japim mundësi vetes që të ndihmojmë dhe e kemi bërë tani të gatshme edhe për ju, edhe për të gjithë ata që merren me biznes, që s’ka nevojë fare që të shkojnë nëpër dyer e zyra, mjafton që të përdorin platformën, mjafton të çojnë përmes platformës shqetësimin dhe menjëherë vihet në lëvizje qeveria,  jo administrata më poshtë.

Por, sidoqoftë, kjo ishte një kllapë në atë që thashë, që shteti, sado i përparuar të jetë, nuk i shpëton dot kurthit. Studimet e bëra nga vetë Organizata e Tregtisë tregojnë se fondet e solidaritetit kanë një  avantazh, krijojnë një avantazh për përmirësimin e eficencës së shpenzimeve, por edhe të vetë marrëdhënieve mes sistemit që merr taksa dhe atyre që paguajnë taksa. Sepse nga njëra anë këto fonde i japin zë biznesit, për ku do investohen dhe si do investohen dhe nuk kalojnë përmes tenderave dhe procedurave të buxhetit dhe nga ana tjetër i japin fytyrën biznesit, në raport me vetë administratën dhe vetë sistemit të taksave.

Nuk është e palidhur propaganda e shfrenuar kundër atyre që fitojnë më shumë, me agresivitetin e atyre që vijnë tek kompanitë tuaja, apo tek të tjerët, sikur po kërkojnë një diversant të fshehur në sirtar dhe e vendosin çdo kompani në pozitën  të qenit nën sulm. Ndërkohë që kjo është një marrëdhënie që ka nevojë për t’u relaksuar dhe në këtë proces, Fondi i Solidaritetit luan një rol themelor, duke i dhënë mundësi të gjithëve që të jenë edhe llogarikërkues, por edhe kontribuues, që shihen në një pasqyrë që është publike  për të gjithë.

Shumë faleminderit edhe njëherë për urimin tuaj dhe për ardhjen këtu! Kjo është vetëm për të hapur këtë bisedë. Sinqerisht dëshiroj dhe dëshirojmë që t’ju dëgjojmë. Do organizojmë një proces të shpejtë dhe efikas për t’u marrë mendime, pasi këtu ka plot prej jush që kanë kaluar në këto eksperienca, e bëjnë këtë gjë dhe mund të kenë plot mendime të vyera. Njëkohësisht për të strukturuar sëbashku këtë mekanizëm, që duhet të jetë një pjellë e përbashkët e qeverisë dhe biznesit, jo një instrument i imponuar apo i vizatuar në zyrat e qeverisë, por një instrument i ndërtuar bashkërisht dhe pastaj i përdorur po bashkërisht, nën kontrollin e plotë tuajin, nga A tek ZH. Qeveria ka vetëm rolin e ndërmjetësimit mes atyre që janë më në nevojë dhe jush, duke ju vënë përpara problematikat që qeveria mendon që duhen adresuar me investime konkrete në funksion të familjeve të varfra, në funksion të fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë urgjente, në funksion të komuniteteve të vogla e kështu me radhë.

Nuk është sasia e parave që do mblidhen nga ju, që përcakton vlerën e jashtëzakonshme që mund të krijojë ky fond, por është kapaciteti për të krijuar sëbashku një bërthamë bindëse, solide dhe tërheqëse për shumë e shumë të tjerë.

Shumë faleminderit dhe gëzuar të gjithëve, sepse nuk kemi taksë të re!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.